Për futbollin kosovar vjen një lajm i jashtëzakonshëm nga UEFA. Kërkesa e Federatës së Futbollit të Kosovës, për t’u pranuar në organizmin më të lartë të futbollit europian do të diskutohet në mbledhjet e Komitetit Ekzekutiv të këtij institucioni që do të zhvillohet këtë të enjte në Maltë. Nëse qeveria e futbollit europian e pranon këtë kërkesë, atëherë Kongresi i UEFA-s që do të mbahet në muajin mars të 2016-ës në Hungari, pritet ta bëjë Kosovën anëtaren e 55-të të UEFA-s.
Përfshirjen e kërkesës së Kosovës në rendin e ditës në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv e ka pranuar edhe sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Xhani Infantino. Presidenti i Federatës së Kosovës Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihi janë ftuar nga UEFA në Maltë, pikërisht në kuadër të diskutimit të kërkesës së Kosovës për pranimin në UEFA. Nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, Kosova mund të marrë pjesë në eliminatoret e Botërorit 2018 që do të nisin në shtator të vitit të ardhshëm, vetëm dy muaj pas përfundimit të finaleve të Euro 2016.
Komentet