Udhëheqësja e opozitës bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya do të takohet të hënën me Zëvendës Sekretarin amerikan të Shtetit Stephen Biegun në Lituani, si pjesë e përpjekjeve për të shtensionuar krizën rreth zgjedhjeve të debatueshme, tha ekipi saj për agjencinë e lajmeve Reuters.
Numri 2 i diplomacisë amerikane do të ndalet në kryeqytetin Vilnius të Lituanisë gjatë rrugës për në Moskë, ndërkohë që Uashingtoni përpiqet për një zgjidhje paqësore të krizës që do të shmangte një ndërhyrje ruse.
Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko po përballet me sfidën më të madhe në 26 vitet e tij në pushtet, ndërkohë që njerëzit kanë dalë në rrugë në shumë qytete bjelloruse, përfshirë kryeqytetin Minsk, prej gati dy javësh, duke protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve, për të cilat ata thonë se u manipuluan për t’i siguruar presidentit rizgjedhjen.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve Reuters të shtunën, zonja Tsikhanouskaya tha se e sheh veten si një simbol të ndryshimit, me rolin për të ndihmuar në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, sepse Lukashenko, sipas saj, “do të duhet të ikë, herët a vonë”.
Presidenti Lukashenko tha të shtunën se do të mbyllë fabrikat ku ka patur protesta të punëtorëve, njoftoi agjensia ruse e lajmeve RIA.
Komentet e tij janë një tjetër përpjekje për të shuar valën e tubimeve të opozitës që nga zgjedhjet e kontestuara të 9 gushtit. Lukashenko la gjithashtu të kuptohej se ai do të pushonte punëtorët e përfshirë në protesta.
“Nëse një fabrikë nuk punon, atëherë le të vendosim një bravë te porta e saj, duke filluar nga e hëna. Le ta mbyllim,” tha Lukashenko në qytetin Grodno afër kufirit me Poloninë, sipas citimeve të agjencisë.
“Njerëzit do të qetësohen dhe ne do të vendosim se kë do të lejojmë,” u shpreh ai.
Protestave u janë bashkuar edhe punëtorët në një numër fabrikash shtetërore. Lukashenko mohon se në votime ka patur manipulime.
Rivalja e tij kryesore në zgjedhje, Sviatlana Tsikhanouskaya, ka ikur në Lituaninë fqinje.
Pa përmendur emra, Lukashenko tha se organizatorët e tubimeve mbarëkombëtare “janë jashtë, në vendet fqinje” dhe gëzojnë mbështetje politike nga udhëheqësit e atyre vendeve.
Dy anëtarë kryesorë të një këshilli të sapokrijuar të opozitës në Bjellorusi u morën në pyetje të premten për një çështje penale, lidhur me atë që Lukashenko e quan përpjekje për të marrë pushtetin.
Komentet