Udhëheqës institucionesh e partish politike në Kosovë, uruan presidentin e zgjedhur amerikan Joe Biden, duke e cilësuar fitoren e tij si historike dhe duke shfaqur shpresën për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve.
Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani shprehu bidnjen ne urimin e saj drejtuar zotit Biden dhe zonjës Kamala Harris se “nën udhëheqjen tuaj si president amerikan dhe nën presidente amerikane, demokracia do të lulëzojë në Amerikë dhe në gjithë botën”.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se mezi pret “të fuqizojmë partneritetin tonë të përjetshëm me Shtetet e Bashkuara dhe të vazhdojnë punën tonë në emër të njerëzve tanë dhe në shërbim të vlerave tona të përbashkëta”.
Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e quajti historike fitoren e zotit Biden duke e cilësuar atë mik dhe aleat të vjetër të popullit të Kosovës.
“Udhëheqja juaj është e nevojshme në Amerikë, po aq sa në botë, për të rikthyer besimin në demokraci, sundimin e ligjit dhe dinjitetit njerëzor. Mezi pres të forcojmë lidhjet tona”, shkroi ai.
Në urimin e tij, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, e quajti zotin Biden mik të madh dhe mbështetës të Kosovës së lirë dhe të pavarur.
“Kjo është fitore e vlerave euro-atlantike të lirisë dhe demokracisë, që janë shtylla të kushtetutës sonë dhe të aleancës ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi ai.
Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj uroi “mikun e vjetër të Kosovës Joe Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale dhe zonjën Kamala Harris, për arritjen historike në zgjedhjen e saj si nënpresidente”.
“Të punojmë së bashku për të forcuar lidhjet strategjike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, shkroi ai.
zëri i amerikës
Komentet