Përcillet për në banesën e fundit, me nderime të larta shtetërore në varrezat e fshatit Samadrexhë të Vushtrrisë, heroi Afrim Bunjaku, efektivi i vrarë në Kosovë. Të shumtë familjarë, qytetarë, liderë të shtetit, anëtarë të kabinetit qeveritar, deputetë e ambasadorë të huaj kanë marrë pjesë në varrimin e të ndjerit, i cili u vra dje në krye të detyrës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Afrim Bunjaku bëri sakrificën më sublime në mbrojte të atdheut, ku dëshmoi se shteti ka nevojë më shumë se kurrë t’i bëhet gardian.
“Teksa po i japim lamtumirën heroit Afrim Bunjaku, duhet ta sjellim në vëmendje guximin dhe vetëmohimin e tij, të cilin ai e tregoi gjatë gjithë karrierës së tij. Afrimi është personifikim i patriotit dhe profesionistit, i cili nga viti 2001 e veshi uniformën e Policisë së Kosovës, e deri në rënien heroike në krye të detyrës u dëshmua për devotshmërinë ndaj Republikës. Përballja e tij me terroristët e dirigjuar nga Serbia ishte beteja e fundit për të, por jo fundi i tij. Prej sot Afrimi është hero i secilit shqiptar, i secilit qytetar që e do Republikën e Kosovës. Sepse ai dje e mbrojti integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë, ai mbrojti dinjitetin e shtetit tonë”, -deklaroi Osmani. Edhe kryeministri Albin Kurti u shpreh se rreshter Bunjaku ra si hero për të mbrojtur paqen dhe sigurinë e vendit.
“Afrim Bunjaku u qëllua dhe u vra në një natë me hënë, teksa po kryente detyrën bashkë me kolegët e tij që morën plagë në atë rast. Në orët që pasuan gjatë ditës së 24 shtatorit, nën dritën e diellit u ndriçuan rrethanat dhe kryerësit e këtij akti kriminal dhe terrorist. U ndriçuan nga kolegët e Afrimit, pjesëtarë të Policisë së Kosovës që me profesionalizimin më të lartë reaguan. Ata e kryen detyrën e tyre, e nderuan Afrimin, na nderuan të gjithë neve dhe Republikën e Kosovës. Çdo minutë të një dite të gjatë zbatonin ligjin dhe mbronin territorin, mbanin rendin dhe ruanin qytetarët. Për paqe me siguri, për të gjithë me secilin. Rënia në detyrë e rreshter Afrim Bunjakut, i veshur me uniformën e Policisë së Kosovës është sakrifica në betejën e Kosovës për ligj dhe kushtetueshmëri, për drejtësi dhe për të drejta për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se ditën e djeshme është rrezikuar dhe cenuar siguria kombëtare.
“Dje jo vetëm që janë rrezikuar, por edhe janë cenuar sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe siguria kombëtare. Sot, përpara se Afrim Bunjaku të varroset si një hero, portreti dhe profili i Afrimit le të skalitet në kujtesën tonë fotografike dhe në mendjen tonë kolektive, si fytyra e një heroi dhe si vepra e një dëshmori. Afër Afrimi, larg krimi”, shtoi ai. Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se heroi Afrim Bunjaku ra heroikisht ditën e djeshme sikur paraardhësit e tij, duke e mbrojtur Kosovën.
“Dita e 24 shtatorit do të shënohet në historinë e Kosovës, si dita kur Afrim Bunjaku ra dëshmor dhe u bë heroi i Kosovës për ta ngritur shtetin tonë. Afrim Bunjaku ra në krye të detyrës si oficer i denjë i republikës në mbrojtje të lirisë, pavarësisë dhe të sovranitetit të republikës sonë. Dita e djeshme, ditë e.. për familjen dhe miqtë, për bashkëfshatarët dhe gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës është po ashtu dita kur emri i Afrim Bunjakut u lartësua. Rreshteri Bunjaku dje mbrojti Kosovën me jetën e tij, ndërsa nga sot rënia e tij do të frymëzojë brezat se si mbrohet atdheu. Dita e djeshme ishte një ditë e rëndë për Kosovën dhe për demokracinë dhe për paqen në rajon. Serbia edhe një herë për strukturave terroriste paramilitare e sulmoi shtetin sovran dhe të pavarur të Kosovës”, -përfundoi Konjufca.
Sipas tij, Kosova edhe pasluftës po vazhdon që të mbrojë lirinë dhe pavarësinë e vendit me gjakun e dëshmorëve dhe të heronjve. Po ashtu, kryeparlamentari Konjufca u shpreh se dje u dëshmua që Serbia nuk ka ndryshuar dhe mbetet agresore ndaj Kosovës. Në ceremoninë e varrimit, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se është e vështirë që sot të ndahen nga Afrimi, i cili dha jetën për paqe dhe siguri. “Rreshter Afrimi dje ra heroikisht në krye të detyrës në veri të Kosovës. Ai u vra në një prit të organizuar nga grupet terroriste dhe kriminale. Rreshteri Afrimi, heroi më i ri i Kosovës dha jetën tij duke mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sot për ne dhe për ju është një ditë shumë një ditë shumë e vështirë, sepse po ndahemi nga prindi, bashkëshorti, vëllai, miku e kolegu, i cili dha jetën e tij për paqe dhe siguri të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai. Nga Samadrexha e Vushtrrisë, ai u bëri me dije grupeve kriminale e terroriste që dora e shtetit do të luftojë pa mëshirë të njëjtit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka ndarë titullin “Hero i Kosovës” policit të vrarë nga terroristët serbë, Afrim Bunjaku. Ai u vra në orët e para të së dielës nga grupe terroriste serbe.bw