“Máma”, u shfaq premierë më 24 shkurt 2023, tek salla UNESCO e Muzeut Kombëtar Tiranë.
Dokumentar për historinë e Klaudës, e cila e nisi jetën në jetimore ndonëse ishte fryti i dy prindërve që e donin shumë, Kristjana e Sulejmani, të cilët u detyruan të ndahen përgjithmonë prej njëri tjetrit.
Në vitin 1956, e ëma, Kristjana u largua nga Shqipëria së bashku me gjyshen Elena Noel, e cila i kishte mbijetuar burgjeve të diktaturës dhe kampeve të internimit.
Klauda filloi të fliste fjalët e para, por fjalën “Mam” nuk e shqiptoi asnjëherë, veç e dëgjonte nga i ati kur ia lexonte letrat, që dërgonte Kristjana prej Francës.
Sulejmani e mori Klaudën nga shtëpia e fëmijës kur ajo mbushi 7 vjeç, ndërkohë korrespondenca me letra e fotografi i mbajti të lidhur për një kohë të gjatë.
Në vitin 1990, kur muret e izolimit ranë, Claude Klauda shkoi në Francë për të takuar për herë të parë mámën e saj…
“Máma” – film dokumentar (44 min), Skenari: Luljeta Progni, Regjia: Pandeli Ceco
Një prodhim i kujto.al – Arkiva Online e Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit në Shqipëri, mbështetur nga Konrad-Adenauer-Stiftung