Pas rënies në gjurmët e këngëtares së mirënjohur shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila prej vitesh nuk dihej se ku ishte dhe çfarë bënte, ka reaguar vëllai i saj Ben Simaku, duke thënë se gjetja e saj, kishte qenë amaneti i nënës së tyre.
Në një intervistë për Top Channel ai është shprehur se kishin vite që e kërkonin dhe e ëma, e cila prej dy vitesh ishte ndarë nga jeta, e kërkonte gjithë kohën.
“Kjo është lumturia më e madhe e jetës sime. Edhe sikur të vdes nuk i kam më pishman gjë kësaj jete; se të paktën u realizua ajo dëshira e nënës sime. Mamaja në janar mbush dy vite që ka ndërruar jetë. Si çdo nënë; si ajo që po kërkon fëmijën e vetë atje, ashtu edhe nëna ime. Si nënë, si prind… gjithmonë për fëmijën!”, u shpreh ai.
Gjithashtu Ben Simaku ka treguar se, që në momentin e parë që ka parë videon e saj të qarkullonte në rrjet, e kishte njohur.
“Po si nuk e njihja motrën time, kush është ai që nuk do e njihte. Unë kam jetuar vetë dy vite me të kur sa lindi fëmijën. Në një shtëpi bashkë me të, bashkë me të shoqin”, rrëfeu z. Simaku, teksa tregon se në atë kohë këngëtarja nuk ka patur probleme.
Kujtojmë se Parashqevi Simaku, pas publikimit të videos së saj ku merrte ndihma nga qytetarët amerikanë, është strehuar në një hotel nga biznesmeni Elton Ilirjani.
Vëllai i saj u shpreh se donte të falënderonte Ilirjanin për ndihmën që i ka dhënë motrës së tij, ndërsa shtoi se ka kontaktuar me të.
“Atë dua ta falenderoj jashtë mase nga zemra atë person. Me Parashqevinë fola me kamera. Më duket sikur linda përsëri me telefonatën…Dukej e lodhur, duhet lënë koha e saj. Ne duam vetëm nga ana morale, psikologjike, por nga ana financiare nuk është asnjë problemi. Si i thonë ‘leku shkon e vjen por njeriu mbi të gjitha’, po të jetë njeriu e bën prapë lekun”.
I pyetur nëse presin që Parashqevi Simaku të kthehet pranë familjes, ai tha: “Kush është ai që nuk e pret? Ka shtëpinë e vet në Durrës, ka pjesën e vet, gjakun e vetë. Unë madje kam pasur edhe firmën si më i madhi për të firmosur në mungesë të saj”.
Kujtojmë se Parashqevi Simaku, këngëtarja e famshme nga Kavaja që elektrizoi Shqipërinë gjatë viteve ’80, është një emër që mbetet i paharruar për artdashësit.
Por, pas komunizmit ajo emigroi jashtë vendit dhe jetoi larg syrit të publikut.