Ne Foto: Thanas Ilo Qeleshi, tetor 1974, para arrestimit te dyte
Historia e popullit tonë që në kohët e vjetra është e mbushur me akte trimërie të njerëzve idealistë, të cilët nuk e kursyen jetën për të mirën e shoqërisë e të atdheut. Për hir të tyre populli ynë ka fituar lirinë nga zgjedhat e huaja dhe ka ecur drejt përparimit. Të tillë njerëz ka pasur edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste. Ata guxuan të shfaqnin mendimet e tyre ndryshe, madje të kundërshtonin vijën e partisë shtet, por kjo i arrestonte, i dënonte me gjyqet e saj pa avokat mbrojtës dhe i shpallte “armiq të popullit” dhe i degdiste nëpër burgje e kampe pune. Kur ata arrinin të delnin gjallë nga burgjet, propaganda shtetërore i mbulonte me epitete të tilla që populli t’i braktiste e t’i urrente derisa të shuheshin e të harroheshin si qenie pa vlerë.
Koha e sotme kërkon që të tillë njerëz të mos lihen në harresë, po të studjohen e të vlerësohen, sepse jeta dhe bëmat e tyre kanë vlera rigjeneruese për kombin. Edhe ne si cdo popull kemi nevojë për pishtarët te tille te lirisë e të demokracisë.
Një pishtar i tillë ka qenë edhe Thanas Ilo Qeleshi i cili në rininë e hershme u pushtua prej ideve komuniste dhe u lidh me Partinë Komuniste, por kur pa e jetoi disa veprime të padrejta të politikës së saj, guxoi të shfaqte mospajtimin e tij dhe të krijonte një celulë partie kundërshtare me PPSh-në.
Jetës dhe bëmave të këtij idealisti ia kushtojmë këtë ese të shkurtër, mbështetur në disa dokumente dhe kujtime që i ruan i biri i tij Mihallaq Th. Qeleshi, të cilin e njoha ketu në SHBA.
* * *
Thanas Ilo Qeleshi, u lind në Korçë më 17 mars 1929 në një familje zejtare, që e kishte provuar kurbetin e Amerikës për shumë vjet. Gjyshi i tij Thanasi, të cilit i kishte marrë emrin, kishte punuar në fillim të shekullit XX në Saint Louis MO. Kurse babai i tij, Ilo Thanas Qeleshi ishte këpucar që kishte një dyqan të vetin në pazarin e qytetit, ku prodhonte e shiste këpucë. Bashkëshortja e usta Ilos, Katerina, kishte ngritur veglën në shtëpi dhe bënte qylima, të cilët i shiste në pazari i qytetit. Kjo familje para se të pushtohej Shqipëria prej Italisë Fashiste, me të ardhurat e të dy bashkëshortëve kishte siguruar një gjendje të mirë ekonomike dhe bënte pjesë në shtresën e mesme të shoqërisë së kohës. Ajo kishte ndërtuar një shtëpi të gurtë me dy kate, me oborr para e kopësht nga pas, kishte lindur e po rriste katër fëmijë të bukur e të shëndetshëm: dy djem e dy vajza, Gaqon, Thanasin, Dhorkën dhe Pavlinën. Djalin e madh e kishte dërguar për shkollim në Vlorë te Shkolla Tregëtare dhe vajzën e madhe në Tiranë të studjonte te Shkolla Femnore Nana Mbretneshë. Mirëpo dy fëmijët e mëdhenj vëlla e motër, shumë shpejt u pushtuan prej ideve komuniste. Gaqua dhe Dhorka ishin bërë anëtarë të Grupit Komunist të të Rinjve dhe pas formimit të PKSH-së u inkuadruan në radhët e kësaj partie. Gaqua e bindi babain e tij për të mirat që synonte Partia Komuniste Shqiptare, e cila propagandonte liri, barazi e drejtësi midis njerëzve, bollëk ekonomik e një Shqipëri demokratike që nuk ishte parë në ëndërr gjatë sundimit të mbretit Zog dhe gjatë pushtimit italian. Kështu ai me lejën e babait e ktheu shtëpinë e tij në bazë të Luftës Antifashiste. Aty ai mblidhte municione lufte dhe ua shpinte forcave partizane, shkruante trakte e i ngjiste nëpër muret e qytetit, etj. Në atë shtëpi në vitin 1942 ai krijoi celulën e PKSH-së për mëhallën e Shën Triadhës (lagje jashtë qytetit), duke bërë anëtarë djemtë e mëhallës Dhori Panaritin, Rita Markon, Mikail Trebickën e Tasi Markon.
Fatkeqësisht Gaqon e kapën dhe e burgosën dy herë forcat e SIMIT (Sigurimi italian). Herën e dytë karabinierët e torturuan shumë keq, sa që ai u sëmur rëndë dhe vdiq më 1 mars 1943. Ai nuk arriti të shihte se si PKSH-ja eleminoi Anastas Lolon e Sadik Premten, ata që e bënë atë komunist dhe se si “u realizuan” premtimet e PKSH-së, për të cilat ai dha jetën e vet.
Vëllai i tij Thanasi, gjatë Luftës Antifashiste u aktivizua prej tij si guerilas në Korçë. Duke qenë serioz dhe me trup të gjatë ky djalosh jepte përshtypjen se ishte më i madh se mosha e tij e vërtetë. Nga fundi i vitit 1944, duke qenë vëlla dëshmori dhe veprimtar i luftës u aktivizua me rininë komuniste të qytetit të Korçës. Në mars-prill 1945, shokët e Gaqos, që u mblodhën në Tiranë e morën me vete Thanasin dhe atje e aktivizuan si veprimtar të Rinisë. Aty e regjistruan dhe në një kurs për infermjer.
Në prill të vitit 1045 Alqi Kondi u zgjodh prej Kongresit të Rinisë Komuniste të Shqipërisë Sekretar i Përgjithshëm i Rinisë. Duke qenë se ky kuadër e njohu dhe e pëlqeu djaloshin e shkathët Thanas Qeleshin, e mori në zyrën e tij si sekretar. Mirëpo mbas dy muajsh, Alqi Kondi u vra aksidentalisht duke u përplasur motorcikleta e tij me një veturë. Kjo ngjarje e tronditi Thanasin dhe pa u konsultuar me njeri kërkoi të largohej nga Tirana e të kthehej pranë prindërve në qytetin e lindjes, ku u regjistrua në gjimnazin e Korçë, të cilin e mbaroi në vitin 1948. Në maj 1948 atë e pranuan në PKSH. Me fillimin e vitit të ri shkollor 1948-1949 Thanasi nisi nga puna si mësues në fshatin kufitar Arrëzë. Drejtori ishte një djalë vendas, quhej Shaban Hysolli.
Në periferi të fshatit e kishte shtëpinë një familje, që i punonte shumë mirë tokat e veta dhe merrte prodhime më shumë se familjet e tjera. I zoti i shtëpisë gjatë kohës së luftës kishte futur ujin brenda në shtëpi nga një burim aty pranë. Thanasi kërkoi që të strehohej tek ajo familje, duke menduar se atje do të gjente qetësi dhe pastërti më të madhe se në ndonjë shtëpi brenda fshatit. Bashkëfshatarët e donin atë familje, madje dhe drejtori i shkollës, por atë nuk e donte Kryetari i Këshillit të fshatit dhe Nënkryetari i Degës së Punëve të Brendëshme të Korçës, të cilët ndikuan që të dërguarit e partisë nga qyteti i Korçës ta shpallnin kulak, pra t’i ngarkonin taksa më shumë edhe pse kjo familje kishte po aq toka sa familjet e tjera. Nënkuptimi ishte i qartë, ajo familje duhej të sulmohej me qëllim që edhe në atë fshat të zhvillohej si kudo lufta e klasave.
Nga fundi i muajit maj 1949 një mëngjez, fshati u gdhi i rrethuar nga forcat e kufirit dhe përforcimet që kishin ardhur nga policia e Korçës. Në shtëpi ku flinte mësuesi hyri Ferrit Sinica, Nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Korçës me disa policë. Mësuesit iu dha urdhëri që të vinte urgjent te zyra e Këshillit të fshatit. Atje ishin mbledhur anëtarët e celulës së partisë, drejtori i shkollës dhe kryetari i Këshillit. Filloi mbledhja. Fjalën e mori Ferrit Sinica:
–Celula e partisë dhe personeli i shkollës nuk e kanë kryer detyrën që u ka ngarkuar partia. Më tej ai e ashpërsoi zërin: Nën hundën tuaj armiku i klasës ka bërë qejf, ti Thanas Qeleshi, mbrëmë hëngre darkë me kulakun e fshatit dhe ai, pasi ti rre të flije, mori familjen dhe u arratis. Gabimi yt është shumë i rëndë. Na ke ngarkuar të gjithëve me përgjegjësi.
Më tej folën drejtori i shkollës dhe dy komunistë, të cilët thanë se anëtarët e asaj familjeje dhe fëmijët e saj ishin korrektë në sjellje dhe se askush nuk kishte dëgjuar ndonjë pakënaqësi prej tyre.
Thanasi u ngrit, e qetë qetë, tha:
–Shoku Ferit unë nuk e ndjej veten fajtor. Dhe asnjë nga ne nuk ka faj. Gjatë muajve që kam jetuar në atë familje asnjë prej anëtarëve të saj nuk më ka shprehur ndonjë pakënaqësi ndaj pushtetit.
Gabimin duhet ta gjeni te politika që keni ndjekur ju me organet e pushtetit. Ju e shpallët kulak familjen më të mirë të fshatit, familjen që punonte më shumë, që kishte arritur të jetonte më mirë duke punuar e jo duke shfrytëzuar punën e të tjerëve dhe as duke u servilosur. Ju e armiqësuat atë familje me partinë e pushtetin dhe e detyruat të gjejë rrugën e shpëtimit duke u arratisur…
Ferriti, nuk e zgjati, por e mbylli mbledhjen duke thënë:
–Këtë do ta shqyrtojmë me organet përkatëse të Korçës.
Shkoi në qytet dhe filloi nga puna për të sajuar gjëra që do ta rëndonin biografinë e mësuesit dhe të drejtorit të shkollës. Pas dy javësh, kur drejtori dhe mësuesi i shkollës shkuan në Korçë u arrestuan si armiq të pushtetit, e bashkëpunëtorë të armikut.
U mbajtën në Hetuesinë e Korçës më shumë se një vit. U bënë presion të vazhdueshëm që të pranonin se kishin bashkëpunuar me familjen e kulakut dhe se e kishin ndihmuar që të arratisej, por ata nuk pranuan gënjeshtra të tilla. Shabani u lirua mbas një vit hetusie, pasi ndërhynë disa miq të vëllait të tij, i cili punonte në Degën e Punëve të Brendëshme të Vlorës, kurse Thanasi doli në gjyqin e montuar dhe u dënua me tetë vjet heqje lirie.
Usta Ilua shkoi në Tiranë për të kërkuar ndihmë tek Rita Marko e Dhori Panariti, shokër e djemve të tij, të cilët ishin emëruar në detyra të larta partie e pushteti. U përmendi vdekjen e djalit të madh prej tortuave, ndihmën që u kishte dhënë gjatë luftës, aktivitetin e djalit të vogël të cilin tani për disa fjalë po e dënonte partia… Por të tillë komunistëve u mungonte shpirti i sakrificës së dëshmorëve si Gaqo Qeleshi. Ata nuk pranuan të ndërhynin sepse fjalët kritike të Thanasit ishin të huaja për të tillë njerëz që po bënin karierë duke ecur në rrugën e servilizmit dhe të nënshtrimit të verbër.
Thanasi u lirua në korrik 1953. Vendimi për lirimin e tij nuk ishte shprehje e zemërgjerësisë së partisë, por e një ngjarjeje që lidhej me Ferrit Sinicën, ish nënkryetarin e Degës së Punëve të Brendëshme të Korçës. Ferriti kishte shërbyer si kobure e mbushur që zbrazej sipas urdhërave të eprorëve të tij. Gjatë luftës ai vriste si atentator, pa pyetur se kush ishin ata që vriste. Pas luftës arrestonte, torturonte e vriste këdo për të cilin i vinte urdhëri nga shefat e tij. Mirëpo gjatë viteve 1950-1951, kur kishte dalë për të mbledhur detyrimet e fshatarëve, shumë kushërinj, miq e krushq të tij që e kishin strehuar gjatë luftës, i ishin ankuar se detyrimet që u kishte ngarkuar shteti ishin të larta dhe ata nuk kishin t’i paguanin. Ferriti, duke qenë se e shihte vetë gjendjen e tyre ekonomike, ishte pajtuar me këto ankesa dhe gjatë një darke pasi kishte pirë, kishte thënë: Fshatarët nuk kanë të japin detyrime kaq të larta, partia e ka tepruar. Një nga ata që e kishte dëgjuar, e kishte raportuar në organet e Sigurimit. Shefi i Degës së Punëve të Brenshme i trembur se ky kokëkrisur mos kryente ndonjë veprim revolte, a mos nxirrte në shesh maskarallëqe që kishin kryer bashkë, vendosi ta eliminonte dhe e eliminoi me ndihmën e dy sigurimsave, varrtës të tij e shokë të Ferritit. Pas vrasjes, sipas skemës së parapërgatitur, u hap fjala se Ferrit Sinica donte të arratisej, por e vranë punonjësit vigjilentë të Sigurimit para se t’i afrohej kufirit.
Pas kësaj ngjarjeje familjarët e Thanas Qelshit u interesuan dhe arritën të verifikonin shpifjet që Ferriti kishte sajuar kundër njeriut të tyre. Kështu ish mësuesit Qeleshi iu dha pafajësia dhe organet e partisë së Korçës i thanë se do t’i kthenin rrogën e viteve të burgimit si dhe teserën e Partisë duke ia njohur vjetërsinë që nga viti 1948 kur kishte hyrë në parti. Thanasi, për të mos e marrë teserën e partisë, nuk pranoi të merrte as rrogën e viteve të dënimit. Ai kërkoi vetëm të fillonte punën si mësues. Emërimi i doli në fshatin Selcë të Lozhanit.
Në burgun e Korçës gjatë viteve të dënimit Thanas u njoh dhe me disa intelektualë si Tefik Selim Mborja, ish deputet i qeverisë së Zogut politikan e diplomat; Koci Shenjti, i diplomuar prej Liceut Frances dhe ish-bashkëpunëtor i Misionit Biblik Evangjelist, si dhe Osman Leskoviku, i mbiquajtur Osman Gazepi adjutant i mbretit Zog, ushtarak tepër popullor e shakatar i mprehtë, etj. Këta bashkëvuajtë, me bisedat e tyre të mbushura me “kripë antikomuniste” kishin ndikuar në botëkuptimin e Thanasit dhe ia kishin shuar entusiazmin e hershëm ndaj idealeve komuniste dhe PPSH-së. Mbas daljes nga burgu ai u mbyll në vetvete dhe filloi t’u qëndronte larg komunistëve.
Veprimi që e shtyu Thanasin për ta humbur edhe më tej respektin ndaj komunistëve, ishte ngjarja tragjike që i ndodhi në ditën e dasmës së tij.
Disa javë pas daljes nga burgu, njerëzit e familjes u interesuan të gjenin një nuse të përshtatshme dhe realizuan takime njohjeje midis Thanasit e Marikës, një vasjzë e urtë e simpatike. Këta e pëlqyen njëri tjetrin, por babai i vajzës dhe vëllezërit e saj, komunistë, thoshin se nuk mund t’ia jepnin Marikën një ish të burgosuri me kokën ende të qethur. Thanasi u tregoi dokumentin e lirimit nga burgu me pafajësi, atëhere u vendos për fejesë e pas nja dy muajsh u organizua dasma modeste.
Një pasdreke të vjeshtës 1953 u shtruan tavolinat e dasmës në oborrin e shtëpisë. Në mes ishte tavolina e dhëndërit me prindërit dhe nusen, nga njëra anë ishin tavolinat me njerëzit e fisit, shumica anëtarë partie: motra Dhorkë me burrin e saj, Pavlina, familjarët e nuses, kushërinj, etj. Në anën tjetër ishin dy tavolina të vogla me disa komshinj dhe dy shokë të dhëndërit: Tefik Mborja dhe Koci Shenjti, ish të burgosur.
Pa filluar nga të ngrënat e të pirat, u ngrit Petro Shallua, burri i motrës Dhorkë, pra dhëndëri i madh i xha Ilos, e me zë të ashpër tha:
–Po me kë na ke ulur të hamë e të pimë, o Ilo, me armiqtë e popullit, me Tefik Mborjen e Koci Shenjtin? dhe nxori koburen.
U ngrit usta Ilua dhe sqaroi:
–Ju të atyre tavolinave jeni miqtë e mij dhe keni punë me mua. Këta të këtyre dy tavolinave janë komshinjtë tanë dhe dy shokë të djalit.
U ngrit dhëndëri e iu drejtua Petros:
–Këtu nuk është vendi të na tregosh koburen. Juve ju ka ftuar babai im, kurse këta të dy i kam ftuar unë. Me ta kam kaluar vuajtjet e burgut dhe dua ta shijoj këtë gëzim bashkë me ta. Shokët e burgut janë të dhemshur si shokët e luftës.
Kur dëgjuan komunistët se shokët e burgut u vlerësokan njësoj me shokët e luftës, u xhindosën e u turrën kundër Tefik Mborjes e Koci Shenjtit. Filluan t’i rrihnin me grushte e shkelma. Këta për të mos e prishur dasmën, nuk kundërshtuan, por u larguan.
Nuses i ra të fikët, dhëndëri ngriti nusen në krahë dhe e shpuri brenda. Ilua ndërhyri për pajtim, por krushqit nuk po e dëgjonin, sejcili filloi të largohej. Kështu u prish dasma e shumëpritur. Ca kohë vajza e madhe, Dhorka nën ndikimin e burrit të saj, nuk shkoi për vizitë te prindërit.
Të tillë ishin komunistët e asaj kohe, ta prishnin dasmën dhe nuk të flisnin as me gojë. Nuk dinin të kërkonin të falur. Ndoshta të tillë kanë mbetur ende disa prej tyre…
Më 31 gusht 1954 familja e re u shtua me një djalë, Mihallaqin.
Me rastin e 10-vjetorit të çlirimit, Thanasit iu dha Medalja e Trimërisë, dhe më 1964 iu dha Dekorata Skënderbeu.
Më 1960 familja u shtua dhe me një vajzë, së cilës iu dha emri Katerina, në kujtim tëgjyshes. Nusja Marika mbas lindjes së vajzës pati një dobësi dhe stenozë nitrale. Thanasi bëri kërkesë për ta transferuar në një fshat më afër familjes. Kërkesa iu muarr parasysh dhe ai u emërua mësues në fshatin Vashtëmi, ku vente e vinte me biçikletë çdo fundjave.
Gjatë viteve 1953-1963 Thanasi ishte një i pakënaqur i mbyllur në vetvete, që nuk guxonte t’i hapej kujt. Më 1963 bashkëshortes së tij iu rëndua sëmundja dhe doli në kemp. Thanasi, për t’iu ndodhur pranë gruas së sëmurë, kërkoi të largohej nga arsimi dhe pasi mori aprovimin e kërkesës u fut në punë në Ndërmarrjen e Riparim Shërbimeve në Korçë si këpucar, zanat që ia kishte mësuar babai në rini. Duke punuar me këmbëngulje për realizimin e tejkalimin e normës arriti të krijonte dhe disa novacione në bashkëpunim me ustallarë të vjetër për krijimin e çantave të grave, për krijimin e psidhjeve të këpucëve, etj. Mirëpo pavarësisht nga puna këmbëngulëse të ardhurat nuk shtoheshin, sepse normat rriteshin vazhdimisht.
Kur kuptoi se dhe dy shokë të tij, këpucari Engjëll Fidani dhe mësuesi Dhimitër Zguro, ishin dhe ata të pakënaqur, Thanasi filloi nga diskutimet për të unifikuar mendimet dhe pakënaqësitë. Romantizmi i rinisë së parë, për t’u marrë me agjitacion e propagandë kundër padrejtësive të pushtuesit të huaj italo-gjerman, rilindi me shpejtësi te ky 34-vjeçar. Vëllai i tij, dëshmori Gaqo, rekrutoi në atë shtëpi si komunistë disa të rinj të lagjes, kurse Thanasi filloi agjitacionin me burra të pjekur për të krijuar një celulë të një partie të re, opozitare ndaj PPSH-së. Gjatë bisedave me komunistë dhe jo komunistë ai dëgjonte dhe kuptonte se të pakënaqur kishte plot, por te të gjithë mbisundonte frika.
Në qytetin e Korçës Komiteti i Partisë në vitin 1972 krijoi një bërthamë me njerëz të besuar, të cilëve u jepeshin vepra të Marksizëm-Leninizmit për t’i diskutuar e për të përgatitur materiale që duhej të përdornin drejtuesit e formave të edukimit nëpër ndërmarrje e shkolla. Në atë grup bënin pjesë Dhimitër Zguro, mësues me shkollë të lartë për Histori-Gjeografi, Thanas Qeleshi, ish mësues i dalluar, Gaqo Peci (mësues i gjuhës e letërsisë), Kiço Venediku (drejtues i Bandës së qytetit) e Jani Gjino (mësues).
Gjatë diskutimeve të ndryshme me kolegët e këtij grupi, Thanasi vuri re se shoku i tij i vjetër Dhimitër Zgurua ishte i përgatitur, por dhe i pakënaqur dhe guximtar. Atëhere ai e forcoi më tej miqësinë me të. Dhimitri kishte lindur më 18 tetor 1939, ishte dhjetë vjet më i ri dhe njohës i mirë i teorisë Marksiste-Leniniste. Po ashtu në Ndërmarrjen e Riparim-Shërbimeve ku punonte Thanasi, njohu një punëtor të dalluar, i cili shprehte nga një herë mendime kundër politikës së partisë. Ai quhej Engjëll Fidani, i cili ishte po ashtu i pakënaqur dhe trim. U mblodhën të tre te shtëpia e Thanasit dhe aty diskutuan hapur për gjendjen politike, për shtrembërime të ndryshme në vijën e partisë, për faktin se populli ishte i pakënaqur por nuk guxonte të hapte gojën, etj. Diskutimet ishin të thjeshta.
Thanasi mori pllakën e bukës dhe në sy të shokëve e peshoi në kapanën e shtëpisë (peshore prej bronxi) dhe ua tregoi shokëve. Peshorja tregonte 1 kilogram dhe 600 gram.
–E shikoni këtë pllakë buke, e paguajmë për dy kilogram, por ajo është 400 gram mangut. Pra shteti po na vjedh hapur.
Dhimitër Zguro, si njohës i veprave të Leninit, tha:
-Lenini ka shkruar që gratë të mos punojnë në turnin e tretë, po tek ne gratë po raskapiten duke punuar natën në turnin e tretë.
Thanasi vijoi:
-Kush punon me norma si unë e Engjëlli e sheh se sapo arrihet realizimi i një norme, atë na e ngrejnë e punëtori duhet të punojë gjithnjë e më shumë për të marrë po atë sasi lekësh. Edhe kësaj i thonë vjedhje…
Me të tillë shëmbuj e të tjerë nga jeta praktike këta idealistë thanë si përfundim se partia që drejtonte vendin nuk ishte parti e vërtetë komuniste, se duhej krijuar një parti tjetër për të zbatuar si duhej teorinë Marksiste-Leniniste. Ata nuk arrinin të kuptonin se vetë Marksizëm-Leninizmi ishte një teori që e kishte të keqen brenda tek mekanizmi i diktaturës komuniste, e cila nuk lejonte diskutimet ndryshe, kërkonte bindje të verbër dhe i jepte kryetarit të partisë pushtet absolut, etj.
Këta tre idealistë formuan celulën e parë të një partie të re, të cilën e pagëzuan me emrin Partia e Vërtetë Marksiste-Leniniste, për të treguar se partia në pushtet nuk ishte e tillë si quhej.
Kohë pas kohe në qytetin e Korçës kjo celulë shkroi nëpër mure disa parulla dhe ngjiti disa trakte. Traktet shpërndaheshin edhe dorazi. Thanasi i shpërndante në Minierën Mborje-Drenovë dhe në Komitetin Ekzekutiv të qytetit; Engjëll Fidani i shpërndante në Komitetin e Partisë; Dhimitër Zgurua në Ndërmarrjen e Trikotazhit.
Anëtarët e celulës bazë ishin njerëz me biografi të mirë, Thanasi ishte familje dëshmori, veprimtar i luftës, përgjegjës në Ndërmarjen e Riparim Shërbimeve, Dhimitër Zguro ishte mësues i Marksizëm-Leninizmit dhe Engjëll Fidani ishte një tapicier i dalluar. Ky ishte shok me policët e sigurimsat e qytetit sepse u krijonte atyre këllëfat e revolverëve dhe veshjet e brendshme të makinave. Dy të parët ishin persona të ngarkuar për diskutimin e literaturës teorike për të krijuar materialet e diskutimit për format e edukimit. Kjo ishte një nga arësyet pse këta persona nuk u zbuluan shpejt prej Sigurimit.
Një ndihmë e vërtetë për zgjerimin e tematikës së partisë së re u bë broshura “Të Drejtat dhe Liritë e Njeriut” të shpallura nga Federata Ndërkombëtare e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut (International Helsinki Federation of Human Rights). Kjo broshurë ishte përkthyer dhe botuar shqip në Jugosllavi për shqiptarët e atjeshëm dhe në Shqipëri e solli një shofer kosovar që sillte tulla me kamjon. Rastësisht një mbrëmje Engjëll Fidani i doli përpara maunes jugosllave pa e kuptuar se ishte makinë e huaj dhe i kërkoi të hipte si pasagjer në të dalë të Pgradecit për të shkuar në Korçë. Shoferi kosovar e mori dhe filloi ta pyeste për gjendjen ekonomike, etj. Kur vuri re se pasagjeri kishte rezerva e nuk fliste me entusiazëm për gjendjen në vend, e vuri në dijeni për vendimet e Helsinkit lidhur me të drejtat e liritë e njeriut dhe i dha një kopje të broshurës që e kishte me vete. Engjëlli ua solli shokëve dhe pasi celula e tij e studjoi, e kopjoi me dorë në dy kopje dhe ua ndau dy celulave të tjera.
Përhapja e kësaj broshure dhe diskutimet për përmbajtjen e saj krijuan një atmosferë të ndezur në qytetin e Korçës. Organet e Sigurimit u vunë në gjurmim intensiv dhe arritën të kapnin treshen fillestare: Qeleshi-Zguro-Fidani. Këta i arrestuan në kohë e vende të ndryshme. Dhimitrin e arrestuan më 9 nëntor 1974 në Tiranë ku kishte shkuar me të motrën Teftën për vizitë. Thanasin e Engjëllin i arrestuan më 24 nëntor 1974 në vendet e tyre të punës për të ngjallur terror e panik në popull.
Kryehetuesi Reshat Leskaj i torturonte në Hetuesi duke i mbajtur varrur me kokën poshtë, si dhe me forma të tjera torturash çnjerëzore. Mihallaq Ziçishti u shkonte çdo ditë e u bënte presion që të tregonin bashkëpunëtorët, por asnjëri nga të arrestuarit nuk tregoi se me cilët kishte biseduar e bashkëpunuar. Sejcili e paraqiste veprimtarinë si punë të tij individuale. Ky qëndrim burrëror shpëtoi pjesëtarët e tjerë të këtij aktiviteti.
Më 23 prill 1975 u organizua gjyqi special, ku u dhanë vendimet e dënimeve për treshen e quajtur “Grupi që donte të pushtonte Radio Korçën”.
Thanas Qeleshi u dënua me 25 vjet heqje lirie dhe mohim të dekoratave e medaljeve të dhëna më parë.
Dhimitër Zguro me 25 vjet heqje lirie.
Engjëll Fidani me 22 vjet heqje lirie.
Para se të delte nga salla e gjyqit, prokurori i tha Thanasit:
–Turp për ty, je dhe familje dëshmori.
Thanasi ia preu:
–Ta dinin dëshmorët sesi do ta katandisnit ju partinë, nuk do të kishit asnjë dëshmor atje te vorrezat.
Tre të dënuarit u dërguan në burgje të ndryshme.
Pas arrestimit dhe dënimit të treshes themeluese, aktiviteti i partisë së re u pushua. Mirëpo edhe pse veprimtaria si organizatë partie pushoi, agjitacioni kundër politikës së partisë shtet vijoi në rrugë individuale, gjë që shkaktoi mbas ca kohe arrestimin dhe dënimin sipas nenit “Për agjitacion e propagandë” të Gaqo Pecit, Kiço Venedikut, Jani Gjinos, etj.
Thanasi kur kaloi nga hetuesia në gjyq ishte shumë i dobësuar nga torturat, rruazat e kuqe i kishin arritur në 1.200. I ndodhi dhe një emoragji cerebrale që i humbi kujtesën. Para se ta shpinin në burg e dërguan për kurrim në spitalin psikiatrik të Elbasanit, ku i bënë disa goditje elektrike. Kur e dërguan në burgun e Ballshit, Thanasi u miqësua me ingjinierin e naftës Minella Çani, i cili u kujdes për muaj me radhë për të derisa e mëkëmbi. Në Ballsh u dërgua dhe Jani Gjinua, kështu që Thanasi me këta dy miq dhe me Nuro Hotin, një jurist i dënuar, filloi të ndjehej mirë nga humori e shëndeti.
Pasojat shkatërimtare që solli arrestimi
dhe dënimi në familjen Qeleshi
Pas arrestimit të Thanasit, bashkëshortja e tij Marika, pësoi një traumë psikike dhe e shtruan në spitalin psikiatrik të Elbasanit. Vajzën Katerina 14-vjeçe e shpunë të jetonte tek gjyshërit nga e ëma. Djali Mihallaq, student në Fakultetin e Mjekësisë pas dënimit të babait u përjashtua nga shkolla dhe u bë punëtor krahu. Shtëpia u shtetëzua. Të tilla pasoja shkatërrimtare pësuan edhe familjet e Dhimitër Zguros e Engjël Fidanit. Gratë e tyre u bënë punëtore krahu, fëmijët e tyre u përjashtuan nga shkollat e larta ku studjonin, ose nuk u lejuan të vijonin studimet e larta. Si bij të armiqve të partisë e të shtetit këta fëmijë duhej të ishin gjithë jetën vetëm punëtorë krahu. Tefta Zguro, alpinistja e vetme shqiptare që kishte ngjitur majën e malit Everest, si motër e Dhimitrit, u pushua nga puna si pedagoge e Shkollës së Lartë të Partisë në Tiranë. E kthyen në Korçë ku i dhanë punë krahu të rëndomta.
Njerëzit e fisit, si komunistë që ishin “e sqaruan” Mihallaqin se dhe ai, si të gjithë duhej të pajtohej me dënimin që i dha partia Thanasit dhe se duhej të shkëpuste çdo lidhje me të, që të mos binte dënimi edhe mbi të. Kështu djaloshi 19-vjeçar, me vrarrje ndërgjegjeje shkëputi çdo lidhje me të atin.
–Mua, tregon Mihallaqi, i cili që nga viti 1998 ka gjetur strehim politik në Auburn MA. USA, më përjashtuan nga shkolla. Në fillim u bëra punëtor krahu në Ndërmarjen Shtetërore të Ndërtimit, pastaj më morën ushtar, ku e kreva shërbimin ushtarak në repatet e punës me lopatë në dorë. Mbasi kreva shërbimin ushtarak punova në minierën e Rëhovës, në fabrikën e pasurimit të bakrit në Rubik, në fabrikën e Nikel-Silikatit në afërsi të Korçës, etj.
Vetë Thanasi mbas disa vjetësh dërgoi një mesazh me një të burgosur që u lirua: Mihallaq dhe Katerina jam mirë, por ju mos ajdeni kurë për të më takuar.
Kuptohet se këtë mesazh ai ua dërgoi fëmijëve për t’i mbrojtur, jo se nuk i donte.
Në burgun e Ballshit ish mësuesit Thanas dhe regjisorit Viktor Stratobërda nuk u shkonte kush në takim. Atëhere këta dy të dënuar i konsumonin së bashku takimet e radhës, një herë në dy javë takoheshin te dhoma e takimit dhe këmbenin nga ndonjë bisedë të shkurtër duke treguar shakara për ato që u kishin ndodhur gjatë jetës në burg, ose para burgimit.
Viktor Stratobërda, kishte qenë partizan i Brigadës së Parë Sulmuese, por ishte zhgënjyer thellë nga diktatura. Ai përsëriste si thënie popullore një mendim të tijin:
–Ne partizanët luftuam me vetmohim kundër diktaturave nazi-fashiste, por krijuam një diktaturë më të keqe se të parat!1
Unë jam i dënuar i ndërgjegjes dhe nuk i kërkoj mëshirë partisë
Takimet e Mihallaqit me babain e dënuar në burg janë prekëse për emocionet që përjetuan at e bir dhe sidomos për papërkulshmërinë e Thanas Qeleshit.
Në shtator të vitit 1979 Mihallaqi u dërgua në aksion për të ndihmuar në fshatin Pulahë të Gorës për mbledhjen e misrit. Në po atë fshat ishte dërguar dhe vajza Femie Kulla me një grup të rinjsh të Ndërmarrjes Lëkurë-Këpuca. Femieja (më pas e pagëzuar, Eftimi shkurt Efi) kishte qenë shoqe klase me Katerinën, motrën e Mihallaqit. Ajo kishte hyrë e kishte dalë tek shtëpia e tyre dhe kishte simpati për këtë djalosh. Gjatë muajit të aksionit dy të rinjtë filluan të ndjenin për njëri tjetrin ndjenja më të forta se të një shoqërie të zakonshme. Rrinin bashkë në kohën e lirë dhe ia shprehën njëri tjetrit ndjenjat e dashurisë. Vendosën që kur të ktheheshin në Korçë të martoheshin. Mirëpo prindërit e vajzës ishin komunistë dhe nuk donin që bija e tyre të martohej me një djalë që e kishte babain në burg. Atëhere dy të rinjtë e zgjidhën punën vetë, u martuan me rrëmbim, pa ceremoni dasme.
Në vitin 1989 kur diktatura komuniste në Shqipëri dha disa shënja zbutjeje, Mihallaqi dhe nusja e tij vendosën të shkonin për ta takuar Thanasin në burg. U nisën së bashku e shkuan së pari në burgun e Burelit. Atje u thanë se emri i Thanas Qeleshit nuk figuronte në listat e të bugosurve. Shkuan në burgun e Qafë Barit e në atë të Spaçit, as atje nuk ishte. Zbritën në Durrës, ku të burgosurit kryenin punë ndërtuese te vilat e udhëheqjes te plazhi.
Kur roja thirri emrin e Thanas Qeleshit, në vend që të delte ky i dënuar, doli Ali Çenua, ish krytari i grupit të rojeve të Mehmet Shehut, ish kryeministrit të vrarë.
Ky shkoi dhe u tha:
-Ju e kërkon Thanas Qeleshin?
Po, iu përgjigjën ata dhe pritën sqarimet pse nuk doli Thanasi.
-Thanas Qeleshi nuk e kryen dënimin këtu, po në burgun e Gjirokastrës.
Sqaroi Aliu dhe shtoi:
–Ta keni për nder që jeni bij të atij babai trim e të vendosur në idetë e tij. Të jeni krenarë për babanë tuaj, është burrë i rrallë!
Mihallaqi shton:
-Të them të drejtën më prekën fjalët e Ali Çenos, këtij njeriu që unë e kisha njohur vetëm përmes gazetave e televizorit si roje besnik të Enver Hoxhës e pastaj dhe të Mehmet Shehut. Aliu, pa më njohur, po ma lëvdonte babain tim të burgosur për qëndrimin e tij të vendosur antidiktaturë. Sot që kam lexuar në internet se si e kishin përpunuar e detyruar Aliun të shpifte për veprimtarinë agjenturore të Mehmet Shehut, e kuptoj se ai ishte penduar për nënshtrimin e turpshëm, ndaj e admironte tim atë, që nuk u nënshtrua poshtërsive të Sigurimit.
U kthyem në hotel. Aty vendosëm të ktheheshim më parë në Korçë e pastaj të niseshim për Gjirokastër.
Në Korçë, burri i motrës së Mihallaqit, Agron Malollari, pasi dëgjoi peripecitë e udhëtimit, kërkoi që ta shoqëronte ai Mihallaqin. Kështu ata u nisën të dy. Kur arritën te burgu kërkuan takim me komandantin e burgut të cilin e sqaruan se ky ishte takimi i parë pas 13 vjetësh, prandaj iu lutën të kish kujdes. Drejtori shkoi dhe e porositi Thanasin të regullonte dhomën e takimeve speciale, pastaj i mori dy vizitorët dhe i shpuri te dhoma. Më parë ai futi aty dy policë roje me automatikë krahqafë. Komandanti i burgut i tha Thanasit:
–Ke dhe ti o xha Thanas dy njerëz të mirë që kanë ardhur të të takojnë, dhe duke i shoqëruar vizitorët e të burgosurin deri tek dera shtoi:
–Hyni dhe çmalluni.
Më tej Mihallaqi tregon:
Brenda në dhomë nuk kishte karrike, dy policët rrinin si të ngrirë anash, ne ishim në mes. Shikova babanë dhe ai po më shikonte mua. Ndonëse ishte thinjur dhe dobësuar unë e njoha, kurse ai nuk dha asnjë shenjë se më njohu.
I thashë: baba, jam unë Mihallaqi, djali yt, përqëndrou. Ai ma preu:
Nuk të njoh. Iu afrova edhe më dhe i thashë: Baba jam unë Malakja (kështu më përkëdhelte kur isha i vogël), përqëndrou, ja shikomë në sy. Mu afrua e më tha: këtu në burg vijnë edhe provokatorë që hiqen si bij e bija. Po, tani të njoha.
U përqafuam, u shtrënguam fort dhe qamë për disa sekonda a minuta. Babai u shkëput i pari duke më thënë avash pranë veshit: nuk duhet të qajmë, lotët tanë i gëzojnë këta zgjebot.
-Ky është Agroni, burri i Katerinës, ia prezantova kunatin. Herën tjetër do të vij me nusen time, herën tjetër me Katerinën, duan dhe ato të të njohin. Unë kam dy vajza, Katerina ka vajzë e djalë. Do të të vijmë rregullisht, mos u mërzit.
Ma mori dorën e djathtë dhe ma fërkoi. Kur i ngecën gishtat te kallot, i thashë:
-Atëhere më përjashtuan nga shkolla e nuk u bëra dot as infermjer, kam punuar gjithnjë me kazëm, po shyqyr që jam i fortë.
Pastaj dola te thelbi i bisedës:
-Më kanë thënë se ju të dënuarit që keni kryer mbi gjysmën e dënimit mund të liroheni dhe ne kemi dëshirë të vish në shtëpi. Mamaja ka kriza, herë pas here bie në depresion, por kur të të ketë para syve besoj se do të forcohet e do të shërohet.
-Dëgjo mor bir, m’u përgjigj im atë duke m’u afruar dhe duke ulur zërin, këta të lirojnë, por duhet t’u dorëzosh një letër ku të shkruash se i kërkon të falur e mëshirë partisë e shtetit për fajet e krimet që ke bërë, etj. Po unë, nuk kam bërë asnjë faj e asnjë krim, nuk kam pse kërkoj falje. Unë jam i dënuar i ndërgjegjes dhe nuk dua ta humbas trimërinë time tani pas kaq vite vuajtjesh.
Në ke ardhur që të më mbushës mendjen për të kërkuar të falur e mëshirë, ik dhe mos u duk më.
Për të mos e acaruar më tej i kërkova të falur që i thashë ato fjalë. I thashë se dëshira për ta pasur në gji të familjes më shtyu të flas ashtu, po mos ma merr për keq.
-Për sot, tha im atë, minutat e takimit mbaruan dhe nëse pajtohesh me mua si i dënuar i ndërgjegjes, eja të takohemi, po për të më mbushur mendjen që të lirohem sa më parë si ata që e bënë veten leckë, mos ajde më.
-Mirë, mirë, i thashë duke e përqafuar përsëri. Pastaj u ndamë duke i premtuar se do të vija përsëri.
Herën tjetër shkova bashkë me Efin, nusen time. Pastaj dhe me time motër, Katerinën. Efi ka aftësinë që e shpreh respektin shpejt dhe me gjithë shpirt. Të dyve u ngjiti muhabeti që në fillim. Vijuam takimet në burgun e Gjirokastrës deri në nëntor 1990, kur babai u sëmur e u operua dhe u tranferua në spitalin burg të Tiranës…
Lirimi nga burgu, pakënaqësitë e Thanas Qeleshit për pasdiktaturën
Në vitet 1989-1990 Ramiz Alia me një grup të ngushtë bashkëpunëtorësh përgatiti planin se si duhej zbatuar rruga e Katovicës shqiptare për kalimin nga sistemi diktatorial në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë, nga sistemi politik njëpartiak në sistemin pluralist. Sipas këtij plani, pikësynimi kryesor ishte që pushtetin dhe pasuritë e Shqipërisë t’i trashëgonin besnikët e PPSH-së me bashkëpunëtorët e tyre sigurimsa. Për këtë asësye që në vitin 1990 u seleksionuan listat e familjeve të dënuara. Atyre që kishin dikë të arratisur jashtë shtetit, iu bë propozimi që të shkonin tek këta të afërm. Kështu, organet e policisë i pajisën me viza shumë ish të dënuar dhe i hoqën qafe nga Shqipëria. Atyre që nuk kishin njerëz të arratisur iu kërkua të firmosnin atë kërkesën për mëshirë e falje, ku shënohej dhe premtimi se do të ishin gjithnjë besnikë të partisë.
Sigurimi punoi në fshehtësi dhe ariti që pas një a dy vjetësh të vinte në kryesitë e partive opozitare dhe të shoqatave të të përndjekurve, ish të dënuarit që kishin firmosur, para se të liroheshin nga burgu, atë kërkesën për mëshirë e falje, pra atë shkresën që i detyronte të vijonin shërbimin ndaj kupolës komuniste, që tashmë rrinte në hije.
Thanas Qeleshin Sigurimi e futi në një grup të të dënuarve të ndërgjegjes të cilin e mbajti më gjatë në burg. Në këtë grup prej 88 vetësh ishin dhe Spartak K. Ngjela, Fatos T. Lubonja, Thanas I. Qeleshi, shkodranët që u dënuan për përmbysjen e bustit të Stalinit, ing. Petraq Xhaçka me shokë të dënuar si grupi sabotator i naftës etj. Me qëllim që këta persona të mos bënin pjesë nëpër partitë opozitare e të mos futeshin në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet që u planifikuan për t’u bërë në 31 mars 1991.
Ky grup u lirua më 13 mars 1991 vetëm pasi kryeministri italian kërcënoi se Shqipërisë nuk do t’i dërgoheshin ndihmat ushqimore pa lirimin edhe të këtij grupi prej 88 vetësh, të cilët Ramiz Alia me paturpësi ia kishte paraqitur si të dënuar për krime kundër shtetit.
Për fat të keq aty nga nëntor-dhjetori 1990 Thanas Qeleshi, nga ushqimi i keq, ose ndonjë helmim i vijueshëm, pati një gangrenizim të zorrëve dhe pas opracionit që u krye në spitalin e Gjirokastrës, e dërguan për kujdesje në spitalin e burgut në Tiranë. Thanasi nuk e duronte dot modifikimin e jashtqitjes në qese plastike tek zona anësore e barkut. Ai nguli këmbë që mjekët e Tiranës ta rioperonin dhe t’ia korrigjonin jashtëqitjen me rrugën normale nga poshtë. Për shkak të këtij operacioni, ai nuk doli nga burgu sipas vendimit të lirimit më 13 mars 1991, por më 17 mars. U transferua nga spitali i burgut te reparti i kirurgjisë i spitalit Nr. 2. Deri më 15 prill 1991 krahas mjekëve në këtë spital i shërbeu edhe djali i tij, Mihallaqi, i cili jetoi me të në spital.
Kur shkoi në Korçë i shkoi për vizitë kunati, Petraq Shallua. Ky, në vend t’i kërkonte të falur për braktisjen që i bëri dhe qëndrimin burracak që mbajti ndaj tij, i tha:
–Thanas, kur të ka falur partia e të lëshoi nga burgu, të kam falur edhe unë.
As me fillimin e pluralizmit e as më vonë shumë komunistë nuk bënë përpjkje për evoluim, mbetën të pamoral duke mbrojtur bëmat e turpëshme të tyre e të partisë së tyre.
Thanasi filloi të aktivizohej dhe formoi në shtëpi të tij me disa të përndjekur të tjerë Shoqatën e të Përndjekurve Politikë për Rrethin e Korçës. Duke qenë nismëtar i kësaj shoqate dhe më i përndjekuri e më antikomunisti, anëtarët e saj e zgjodhën Thanasin kryetar.
Torturat e kohës së hetuesisë, jeta plot mungesa më se 21 vjet nëpër burgje dhe dy operacionet e fundit e kishin dobësuar jashtzakonisht këtë kolos të dikurshëm. Tani, në moshën 62 vjeçare ai vuante nga një bllok arterioventrikular, me puls të ulët deri në 30 rrahje në minutë. Si gjithë të përvuajturit edhe Thanasi u mbush me shpresa e romantizëm pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991. Duke dashur që të ishte në gjendje t’i shërbente proceseve demokratike i shkroi një letër Ministrit të Shëndetësisë, me anën e së cilës i kërkonte që ta ndihmonte për t’i bërë operacion në zemër për ta pajisur me një aparat për ndërhyrje elektrike (basemaker), të cilën ia kishin rekomanduar mjekët e Korçës si mjet shpëtimtar. Por përgjigje nuk mori2.
Bindjet e tij politike dhe përvoja, e ndihmuan Thanasin edhe pse i sëmurë, të nuhaste se proceset demokratike nuk e kishin vizionin e duhur, se u mungonte drita. Këtë ide ai e shprehu në mënyrë figurative te skica letrare Rrugët Kërkojnë Dritë, të cilën e fillonte me sqarimin:
Jo se dua të shkruaj për dritat e rrugëve… e më tej lëshonte thirrjen:
O Zot i Madh! Pse duhet të jemi si në burg? Me gjarpërinj, me minj, me merimaga… Drita e rrugës i duhet jetës, u duhet njerëzve halleshumë… dhe e mbyllte me nëntekst kritik:
Sot në demokraci, më shumë se kurrë kemi nevojë për dritën. Se drita është jeta3. (Botuar në gazetën Korça Demokratike viti I, 19 prill 1993, f. 2).
Thanasi e pranoi lënien e tij mënjanë dhe të të dënuarve të tjerë të ndërgjegjes, duke menduar se qeveria demokratike ishte e zënë me shumë punë e shqetësime. Por ai nuk mundi të duronte riemërimin e Reshat Leskajt dhe të Irakli Koçollarit, ish hetuesve të kohës së diktaturës, po në detyra hetuesie, në kohën kur po qeveriste Partia Demokratike. Shoqata e të Përndjekurve të Korçës u ngrit, me nxitjen e tij, në protestë dhe këta elementë të Sigurimit të vjetër u mënjanuan nga detyrat e hetuesve. Irakliu filloi të merrej me studime historike, kurse Reshati pa vrarje të ndërgjegjes doli jurist/avokat privat, punë që e ktheu në milioner. E atëhere Thanasi rrëmbeu penën…
Pa e njohur fjalimin që Mikhail Gorbachev (Mihal Gorbaçovi) mbajti në Katovicë të Polonisë dhe pa e ditur se edhe PPSH-ja kishte planifikuar rrugën shqiptare për të ecur në rrugën e vendimeve të Katovicës, Thanasi me intuitën e vet ndjeu se demokracia shqiptare po deformohej. Ai filloi të shkruante kujtimet e vuajtjeve të tij në hetuesi e burgje dhe disa artikuj të ngjeshur me idera dhe materiale nga jeta aktuale, për të treguar se dosjet e të përvuajturve ishin të gjalla dhe akuzonin veprimet jo demokratike të qeverisë “Demokratike”.
O Zot!
Ç’ nuk të dëgjojnë veshët! Fillonte shkrimin Dosjet e gjalla akuzojnë, e më tej vijonte të shprehte pakënaqësinë ndaj realitetit zhgënjyes:
Persekutorët hiqen të persekutuar. Xhandarët e hetimeve janë bërë avokatë. Ne ish të dënuarit politikë, vuajmë shpirtërisht kur shohim se edhe sot në demokraci shumë nga ata që na dënuan janë nëpër poste drejtuese!…
Më poshtë përmendte emrat e disa milionerëve të rinj që shëtisnin me vetura, si prokurori Arqile Kamburi që e dënoi “Grupin e pushtimit të Radio Korçës” me 25 vjet, gjykatësi Kiço Treska që kishte firmosur sa e sa krime, Thanas Caca e Janaq Kapurani që i dolën dëshmitarë fallco grupit Qeleshi-Zguro-Fidani. Në fund ky i përvuajtur e mbyll shkrimin me zemërgjerësi:
Ata janë shumë. Ne nuk kërkojmë hakmarrje, nuk i fusim të gjithë në një thes, por për figurat kryesore të krimeve kërkojmë ndëshkimin e merituar. Se ata përbëjnë rrezik për demokracinë4. ( Botuar në gazetën Korça Demokratike, viti i II Nr. 15 (31), 29 gusht 1993, f. 1.)
Ky ishte një paralajmërim serioz, që formuloi me intuitën e tij më 1993 ky i dënuar i ndërgjegjes. Ky paralajmërim ka vlera akruale edhe sot, sepse plani Katovica nuk lejonte dge nuk lejon dënimin e krimeve të sistemit komunist. Mirëpo mosdënimi i atyre krimeve nuk është gjë tjetër veçse një krim i ri që po kryhet në Shqipërinë paskomuniste, sepse klasa politike e sotme është pjellë e inkubatorit komunist…
Personalitete të rezistencës antikomuniste si Thanas Ilo Qeleshi, nuk u vunë në pushtet, nuk iu dha ndihma e nevojshme mjekësore, nuk iu dhanë e as u janë dhënë ende titujt e merituar QYTETAR NDERI I KORÇËS, dhe urdhëri NDERI I KOMBIT, por u lanë të shuhen larg vëmendjes së shoqërisë dhe qeverive të kohës.
Thanas Qeleshi u përpoq të hidhte në një fletore të madhe (libër llogarie) disa nga kujtimet e tij. Prej këtyre kujtimeve shkrimtari Sotir Andoni zgjodhi një fragment me titullin Kur më hodhën prangat të cilin e botoi në gazetën Korça Demokratike në rubrikën Këto nuk duhen harruar. Dobësia e shëndetit nuk e lejoi Thanas Qeleshin t’i shkruante të plota kujtimet e tij, të cilat do të ishin një material me vlera të mëdha për peripecitë që kaloi ai dhe shokët e tij gjatë diktaturës.
Thanas Ilo Qeleshi u nda nga jeta më 7 dhjetor 1994, në moshën 65 vjeçare. Ai la dy fëmijë: Mihallaqin të martuar me Efin (Eftiminë) medy vajza dhe Katerinën të martuar me Agron Malollarin me një djalë e një vajzë. Kjo gjendje familjare i krijoi kënaqësitë e fundit këtij babai të përvojtur.
Mirëpo këto dy familje u gjendën në kushte të papërshtatshme në Shqipëri gjatë ngjarjeve tragjike të vitit 1997, prandaj ato kërkuan strehim politik në SHBA si familje të përndjekura. Këtë status ato e fituan dhe u strehuan në vitin 1999 në shtetin Massachusetts, ku vijojnë jetën normale. Fëmijët e tyre tani janë martuar e shtuar dhe kanë arritur suksese të shënueshme, për të cilat mund të shkruhet tjetër herë.
Gazetat e Amerikane kanë shkruar disa herë për familjen e Mihallaq Qeleshit, për të kaluarën e saj dhe për sukseset e këtushëm. Kuse shtypi në Shqipëri nuk i ka kushtuar asnjë faqe vlerave të të pavdekshmit Thanas Ilo Qeleshi dhe as pasardhësve të tij…
Komentet