“Mitrush Kuteli në Rumani” quhet libri më i fundit i botuar në rumanisht dhe i promovuar ditët e fundit në Bibliotekën Publike të Qendrës Kulturore “Cela Neamțu” pranë kryeqendrës së
Moldavisë së Rumanisë, Jashit. Paraqitja e librit u organizua nga Shoqata e Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) së bashku me Lidhjen e Shkrimtarëve të Rumanisë Libri është
shkruar nga shkrimtari dhe eseisti rumun Marius Chelaru.
Vëllimi studimor është botuar nga Shtëpia Botuese „Asdreni” e Shoqatës Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR). Libri ka 430 faqe, me parathënie të Dr. Luan Topçiut. Në këtë vëllim studimor dalin në dritë gjithë artikujt dhe tekstet e botuara nga Mitrush Kuteli në rumanisht: artikuj mbi ekonominë, folklor rumun i mbledhur prej tij, artikuj të ndryshëm për problemet e Rumanisë, recensione për libra politikë dhe kulturorë, polemika, proverba shqiptare etj. Shumë prej materialeve botohen për herë të parë dhe janë mbledhur nga shtypi i kohës nga hulumtuesi rumun, Marius Chelaru. Është interesant botimi i rrëfenjës “Natë listopadhi” shkruar dhe përkthyer nga vetë Mitrush Kuteli (teksti është botuar në revistën „Dimândarea”, viti III, Nr. 25 ‐26, qershor‐korrik 1939, fq. 12 – 15), fakt ky i panjohur më parë.
Në gjithë biografinë e Mitrush Kutelit ka disa sinkopa, veçanërisht për vitet e qëndrimit të tij në Rumani, ku, përpos veprimtarisë në rradhët e komunitetit shqiptar, ai ka shkruar dhe në rumanisht
dhe jo vetëm për shqiptarët. Këtë boshllëk në biografinë e tij letrare e plotëson ky botim i studiuesit rumun, Marius Chelaru. Tekstet e botuara dhe të interpretuara nga studiuesi rumun, duke dhënë burimin e botimit, të shoqëruar me fotografi, të gjitha së bashku do të ndihmojnë, padyshim, studiuesit për të hedhur dritë mbi anët e panjohura, mbi dritë-hijet e personalitetit të
Dimitrie Pascu-t (Mitrush Kutelit)
Promovimi i librit u moderua nga shkrimtari Cassian Maria Spiridon, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë – Dega Jash. Ishin të pranishëm deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësuesi i pakicës kombëtare shqiptare në Rumani, kryetari i ALAR-it, Dr. Radu-Cosmin Sãvulescu, dhe Dr. Luan Topçiu, koordinator i Qendrës Kulturore të ALAR. Autori i librit, Marius Chelaru, është shkrimtar dhe kritik letrar, zëvendës kryeredaktor i revistës prestigjioze “Convorbiri literare” dhe kryeredaktor i revistës “Poezia” (organe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë). Ka botuar shumë studime dhe artikuj kushtuar letërsisë shqipe si dhe disa libra me hulumtime. Vitin e kaluar, gjatë “Ditëve të Kulturës Shqiptare”, ALAR-i promovoi në po në Jash vëllimin imagologjik “Shqipëria dhe shqiptarët në librat dhe shtypin rumun deri më 1912”.
Të pranishmit i përshëndeti deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësues i pakicës kombëtare shqiptare në Parlamentin e Rumanisë dhe z. Cãtãlin Lupu, kryetari i bashkisë Ciurea. Për Marius
Chelaru-n dhe Mitrush Kutelin, për vlerat e veprës në fjalë, për ndihmesën që sjell ajo folën kryetari i ALAR-it, Dr. Radu Savulescu si dhe kritiku e studiuesi Dr. Luan Topçiu. Në përfundim të promovimit, fjalën e mori autori i vëllimit. Folësit vunë në dukje kontributin e Kutelit, duke iu referuan fakteve biografike dhe veprës së Mitrush Kutelit në rumanisht. Folësit iu referuan, gjithashtu, novelës „E madhe është gjëmë e mëkatit”, botuar në rumanisht nga Luan dhe Renata Topciu në revistën „Secolul XX” – organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë si dhe tregimit
„Pranverë në Transilvani”, në përkthimin e Luan Topciut, botuar në faqet e revistës kulturore „Albanica”. Kuteli u vlerësua si një figurë poliedrike, që ka luajtur një rol të madh në njohjen e
letërsisë së të dy popujve. Kuteli si përkthyes ka shqipëruar autorët rumunë si Ion Creangã, Liviu Rebreanu, Mihai Sadoveanu, Mihai Eminescu etj. Dr. Luan Topçiu, në fjalën e tij u shpreh se
„Studiuesi Marius Chelaru, në përçapjen e tij për të ndriçuar rolin e intelektualëve shqiptarë të Rumanisë, ka shkruar një libër të rëndësishëm për publikun në Rumani, për komunitetin e
shqiptarëve të Rumanisë, por dhe për Shqipërinë dhe për studimet kushtuar Mitrush Kutelit – një shkrimtar model në forcimin e marrëdhënieve rumuno-shqiptare. Më pas e morën fjalën
shkrimtarët rumunë Vasile Larco, V. Iosif dhe V. Diacon, të cilët vlerësuan Mitrush Kutelin si përkthyes i letërsisë rumune në gjuhën shqipe.
Në aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të shumtë të mediave të shkruara dhe audio-vizive, duke përfshirë ekipin e Televizionit Rumun, ekipin e kanalit televiziv TeleMoldova si dhe Radio
Romania Cultural etj. Përfaqësuesit e ALAR-it si dhe autori Marius Chelaru dhanë intervista për radiot dhe kanalet e televizioneve të interesuara.
Vepra u botua nga Shtëpia Botuese “Asdreni” e ALAR-it, me mbështetjen financiare të Qeverisë Rumune.
Zyra e shtypit ALAR
Bukuresht, nëntor 2023