Të Shtunën me 9 Janar 2016 u përkujtua 40 vjetori i ndarjes nga Jeta të Heroit të 7 Prillit Abas Kupi. Ceremonia e organizuar nga Partia Lëvizja e Legalitetit për SHBA dhe Familja Kupi, u konceptua në dy pjesë. Në pjesën e parë, në sallën e ceremonive të Varrezave Maple Grove Cemetery, në New Gardens, Queens-New York, aty ku prehet heroi i 7 Prillit, u organizua ceremonia përkujtimore e shoqëruar nga kumtesa. Veprimtarinë e ka hapur Kryetari i Lëvizjes Legalitetit për SHBA z. Hakik Mena. Ai ka falenderuar pjesmarrësit dhe i ka ftuar ata për të përcjellë Hymnet Kombëtare. Më pas u mbajt një minut Heshtje për heroin e 7 Prillit Abas Kupin dhe të gjithë dëshmorët e Kombit.
Më pas z. Mena ftoi zv/kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit për SHBA, z. Ahmet Hoti për të mbajtë kumtesën e përgatitur në emër të Partisë së Legalitetit. Në fillim të kumtesës së tij z. Hoti tha: Nuk ka gja ma te mire se sa me perkujtu e nderu jeten e bamat e Abaz Kupit ne keto dite rrapulline ne te cilat kalon raca shqiptare, rrapullime e shkaktume prej ideologjise coroditese te cilen ai, Abas Kupi, me mish, shpirt, pushke e mergim u mundua t’ia parandaloje Shqipnise. Më pas ai ak analizuar binomin Abas-Kupi- Zogizmi. Për Hotin: Zogizmi si thelb te filozofise se saj ka shtetformimin. Kriteri i vetem te cilin kjo filozofi perdori per te mbledh njerezit rreth saj ishte kontribut i gjithanshem ne kete shtetformim. Po te analizojme perbamje njerzore te kesaj filozofie aty gjejme Shqipnine e vertete. Aty gjejme hoxhen, priftin apo popin, gjejme qytetarin dhe katundarin, beun dhe bujkun, te shkollumin dhe te paditunin, gegen edhe tosken, kosovarin dhe camin. Ajo ashte filozofi gjitheperfshirse dhe jo perjashtuese. Ajo nuk asht filozofi Elitash apo te ashtequjtura elita. Aty asht gjithsecili qe e ndjen se shqiptareve u duhet nji shtet. Pikerisht per kete Abaz Aga e gjeti vedin ne ate filozofi qe dalengadale u personifikua me te. Hoti argumentoi edhe faktin pse Mbreti Zog ia besoi Abas Kupit mbrojtjen e Durresit.
Në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës ka folë zv/Kryetari Asllan Bushati.Pasi foli për figurën e Abas Kupit dhe lidhjen e familjes së tij me Mbretin Zog e Abas Kupin, ai propozoi:
Së pari, këtej e tutje, sygjeroj të përkujtohet e të festohet , ditëlindja e Abaz Kupit. Pra 6 gushti të këthehet në një festë popullore,ku të përcillen në mënyrë festive cdo gjë që ka lidhje me figurën dhe veprimtarinë e tij. Kjo jo vetën nga familja, por nga gjithë organizmat shoqëror e shtetror.Festimi të ketë kumtesa, këngë, valle,muzikë, pije dhe ushqim.
Së dyti: Monografia që është bërë për Abaz Kupin duhet të ri shkruhet ,sepse kanë dalë shumë dokumenta , kujtime e materiale të rëndësishme të cilat nuk janë përfshirë në këtë botim. Por në të njejtën kohë, botimi i ri të nxjerrë më mirë në pah gjithë dimensionet e figurës së Abaz Kupit .
Së treti: Eshtrat e trupit të pajetë të heriot popullor Abaz Kupit e kanë vendin pranë munomentit “Nëna Shqipëri” në Tiranë. Këtë detyrim e ka komuniteti shqiptar i Amerikës dhe Partia e Legalitetit, (madje edhe Vatra e shoqatat etjera duhet të ndihmojë ),në kordinim me autoritet shtetrore në Tiranë .
Së katërti: Një bust i bronxtë i Abaz Kupit në qytetin e Krujës, do ti bënte nder gjithë shqiptarisë. Shpenëzimet për të duhet ti marrë përsipër Partia e Legalitetit në bashkpunim me komuniteti shqiptaro-amerikan dhe Bashkinë e Krujës.
Ne fund ai përcolli mesazhin e Vatrës: “Të nderuar pjesëmarres, në emër të Federatës Panshqiptare Vatra, dhe në emrim tim, i shpreh ndiesitë më të larta Familjes Kupi dhe ju që ishit të pranishëm në këtë përkujtimore. I nderuar qoftë për mot e jetë kujtimi dhe vepra e Abaz Kupit.”
Ish i perndjekur Muharrem Xhydellari(Hudenishti) solli si fillim deklaraten e Abas Kupit te 24 tetorit 1944: ” C’prej momentit te pare qe u sulmua toka jone e shenjte prej armiqeve fashist. Ne kemi qene ate qe kemi bere cmos per te shpetuar nderin kombetar. Jemi perpjekur per bashkim te pergjitheshem dhe bashkveprim me te gjithe Shqipetaret pa dallim rryme e ideologjije. Jemi perpjekur per bashkimin e vellazerimin e Shqipetareve per ta larguar luften civile dhe per te siguruar luften e perbashket per shporrjen e okupatorit prej tokes tone te shenjte”…
Abas Kupi, tha Xhydellari, nuk ka folur asnjehere ne veten e pare por ne shumesin e Shqipetareve. Abaz Kupi perfaqsonte Shqiperine ne rezistence antifashiste e nuk ka qene nje luftetar lokal, sic shprehet nje i ashtu quajturi historian komunist Pellumb Xhufi.
Veprimtari Sali Bollati tha se nderimi i figures se Abas Kupit na ben nder te gjitheve. Partia e Levizjes se Legalitetit, tha ai, duhet te kthehet ne nje cerdhe patriotizmi.
Veterani nacionalist Enver Ramadani, solli kujtimet per Abas Kupin nga banoret e fshatarve ku ai ksihte dhene mesim.Ka pershendet tubimin edhe publicisti Tom Paloka.
Editori i Dielli Dalip Greca, solli përmes kumtesës së tij atmosferën e para 40 viteve, duke shfletuar numrin special të Diellit në pasvdekjen e Abas Kupit. Dielli, tha editori Greca, shënon në kronikën e rastit se Abas Kupi vdiq më 9 Janar 1976 dhe u varros më 14 Janar . Në varrimin e Tij mori pjesë dhe Mbreti Leka I, i cili udhëtoi nga Madridi së bashku me Ministrin e atëhershëm të Oborrit Dr. Selim Damani. Dielli shkruante se Familja Mbretërore e adhuronte Abas Kupin si një Hero Kombëtar të çmuar,dhe ndjeu një hidhërim të madh për vdekjen e tij.
Në kronikën e Diellit shënohet se në varrim ishte i pranishem edhe z. Alexander Macmillan, i biri i ish Kryeministrit të Anglisë, i cili udhëtoi nga Londra, enkas për këtë rast, Julian Emery dhe te tjere miq nga Anglia dhe Amerika.
Dielli përshkruante miqësinë dhe vlerësimin e madh që i bënë heroit shqiptar oficerët e lartë anglez, veçanërisht Julian Emri me grupin e vet që kishin qëndruar e luftuar pranë Shtabit të Abas Kupit në vitet e Luftës së Dytë Botërore.
Greca solli dhe elegjinë e përcjellë në ditëpercjelljen e heroit Kombëtar nga “Zonja e Vatrës”, Nexhmie Zaimi, në atë kohë kryetare e Vatrës për Nju Jork -Nju Xhersi, ku ishte i anëatrësuar edhe Abas Kupi. Zonja Zaimi e pat cilësuar Abas Kupin Hero Kombëtar dhe vatran besnik.
Interesante ishte edhe elegjia e Shefki Mirakut, që Dielli e pat botuar në numrin e 30 Janarit 1976 me titull:”Vizuer Vigan:Abas Kupi”. Po ashtu Greca solli edhe komentin qe pat bere Imzot noli, tek festohej 28 Nentori i okupuar i vitit 1939. Pas Meshës Peshkop Fan Noli, kishte mbajtë një fjalim të gjatë, ku midis të tjerave kishte thënë edhe këto: Vjet(28 nëntor 1938) ishim mbledhë këtu që festuam Ditën e Flamurit, dhe ishim të gjithë të gëzuar se kishim një Shqipëri të Lirë. Kurse sot jemi të gjithë të helmuar, shkaku se Shqipëria është zaptuar nga armiku i huaj dhe e humbi lirinë e saj Kombëtare. Do të na kish mbetë merak po të mos kishim lufuar; atë merak e nxuarrëm se neve luftuam, ata tre fishekë që patëm i zbrazëm dhe i treguam tërë botës se armiku hyri në Shqipëri duke derdhur gjak…Ata tre fishekë i zbrazi Abas Kupi me një grusht ushtarë trima dhe nderoi Kombin shqiptar përpara tërë Botës. Pak më parë se të zaptohesh Shqipëria prej fashistëve italianë, u zaptua Çekosllovakia nga nazistët gjermanë,po çekët nuk zbarzën asnjë pushkë, sido që kishin një ushtri të armatosur mirë, shkruante Dielli.
Editoriali përfundonte me fjalinë:”Shqipëria qe e lumtur që pati një Hero Kombëtar si Abas Kupi, i cili nderoi Kombin shqiptar….
Kryetari Mena më pas lexoi përshëndetjen e Kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Sulejman Gjana. Në përshëndetje thuhej: Me rastin e ceremonisë përkujtimore që organizoni sot për 40-vjetorin e vdekjes së Heroit të rezistencës së 7 prillit 1939 dhe figurës së shkëlqyer të nacionalizmit dhe patriotizmit shqiptar, Gjeneral Abaz Kupit, kam nderin t’ju drejtohem nëpërmjet këtij mesazhi për t’ju shpreh se të gjithë legalistët bashkohen dhe përulen bashkë me ju para veprës së udhëheqësit historik të “Levizjes së Legalitetit” dhe nacionalizmit shqiptar.
Me plot arsye, PLL është krenare për trashëgiminë që na ka lënë Gjeneral Abaz Kupi, për rezistencën që organizoi kundër pushtimit fashist në zbatim besnik të urdhërave të Mbretit Zog, për luftën e pa kompromis që zhvilloi dhe udhëhoqi kundër diktaturave nazi-fashiste dhe sllavo-komuniste, për angazhimin e tij për t’ju ofruar Shqiptarëve lirinë, demokracinë, sigurinë dhe zhvillimin në një shtet unitar, me institucione legjitime e legale, dhe për vendosmërinë e tij për ta radhitur Shqipërinë në kampin perendimor.
Jemi krenarë sepse veprimtaria e Gjeneral Abaz Kupit, në Shqipëri dhe në mërgim, ishte shembullore dhe e pa përlyer dhe si e tillë do të mbetet gjithmonë referencë dhe frymëzim për shqiptarët e ndershëm se si mund t’i shërbehet Atdheut dhe Kombit.
Në këtë vit jubilar të 40-vjertorit të vdekjes së personalitetit që bashkëluftëtarët dhe bashkëpunëtorët e tij e emëruan “Kryetar nderi të përjetshëm i Legalitetit”, ne jemi më të vendosur se asnjëherë tjetër për të vazhduar përpjekjet tona derisa të realizohen idealet e Gjeneral Abaz Kupit dhe të Etërvë tanë shpirtërorë.
Pavarësisht se Legaliteti dhe legalistët kanë dijtë të vlerësojnë figurën e Gjereral Abaz Kupit duke organizuar në çdo përvjetor të vdekjes së tij një ceremoni përkujtimore në shtetin mik Amerikan ku prehen akoma eshtrat e Tij, nuk mund të fshehim keqardhjen tonë për faktin që qeveritarët Shqiptarë të tranzicionit, ende nuk janë shkëputur plotësisht nga mendësia komuniste sepse, po të ishte ndryshe, do të kishte qenë në nderin e tyre dhe të Shtetit Shqiptar që të riatdhesoheshin zyrtarisht eshtrat e Gjeneral Abaz Kupit dhe të shkruhej emëri i Tij në historinë dhe historiografinë zyrtare, krahas emërit të atdhetarëve dhe patriotëve më të mëdhenjë të vendin tonë,
Në këto kushte është pra detyrë e jona dhe e djemve dhe vajzave të atyre që ndërtuan shtetin shqiptar dhe e mbrojtën pavarësinë, lirinë dhe nderin e Shqiptarëve në kohërat më të vështira, që të tregojmë se sakrificat e të parëve tanë ishin të drejta.
Duhet të vazhdojmë të mbrojnë, promovojmë dhe jetësojmë vlerat morale, politike dhe kombëtare të nacionalistëve si Gjeneral Abaz Kupi dhe të ndjekim shembullin e Tij dhe të patriotëve të tjerë me në krye Mbretin Zog, pasi vetën kështu do të kryejmë detyrën tonë ndaj Atdheut dhe Kombit dhe do të kontribuojmë që brezat e ardhshëm të gëzojnë një Shqipëri të lirë, të sigurt, të zhvilluar dhe të bashkuar; – atë Shqipëri për të cilën lindi dhe jetoi Gjeneral Abaz Kupi.
I paharrueshëm qoftë kujtimi i Tij !
Pas pjesës ceremoniale, pjesmarrësit shkuan tek varri i Abas Kupit dhe vendosën lule në nderim të tij dhe bënë fotografi.(Korersp. i Diellit)
Komentet