22 korrik 2024
Njoftim për mediat
U nënshkrua Marrëveshja midis Kuvendit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Qeverisë së Zvicrës mbi përmirësimin e funksioneve parlamentare dhe proceseve zgjedhore
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, dhe Ambasadorja e Zvicrës, znj. Ruth Huber, nënshkruan sot në Kryesinë e Kuvendit marrëveshjen për programin “Mbështetje për Parlamentin dhe Edukimin Qytetar”.
Kjo marrëveshje tre-palëshe midis Kuvendit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Qeverisë së Zvicrës do të mbështesë me asistencë teknike përmirësimin e funksioneve përfaqësuese, ligjbërëse dhe mbikëqyrëse të Kuvendit si dhe administrimin dhe transparencën në proceset zgjedhore.
“Marrëveshja synon përmirësimin e funksionit përfaqësues, legjislativ dhe kontrollues të Kuvendit, nëpërmjet përmirësimit të procesit zgjedhor, realizimit të një procesi ligjbërjeje të bazuar në të dhëna, forcimit të bashkëpunimit me institucionet e pavarura dhe kontributit aktiv të shoqërisë civile në këto procese. Zbatimi i projektit do të kontribuojë në rritjen e përgjegjshmërisë, llogaridhënies, produktivitetit dhe transparencës së veprimtarive të Kuvendit të Shqipërisë. Suksesi i zbatimit të projektit PACEP na solli në këtë fazë të dytë, e cila kam besim se do të jetë po aq e sukseshme sa edhe e para.”, theksoi Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.
“Nga perspektiva e Zvicrës, ne e shohim rolin e Parlamentit si thelbësor për demokracinë në Shqipëri. Parlamenti është pjesë kyçe e sistemit të kontrolleve dhe balancave në vend. Dhe ai ka nevojë të mprehë dhe të përmirësojë tre funksionet kryesore: përfaqësimin e popullit, ligjbërjen e mirë, dhe mbikëqyrjen e qeverisë’, tha Ambasadorja zvicerane Ruth Huber.
“Me marrëveshjen e sotme ne i hapim rrugë fillimit të një metode më përmbledhëse të mbikëqyrjes dhe kontrolleve e balancave, duke theksuar punën e institucioneve të pavarura dhe shoqërisë civile”, shtoi Ambasadorja Huber.
“Marrëveshja që po nënshkruajmë sot, PACEP 2, është një dëshmi e angazhimit tonë të përbashkët për të forcuar demokracinë dhe për të garantuar transparencë dhe besueshmëri në proceset zgjedhore”, tha Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi.
“Falë mbështetjes dhe përkushtimit të Qeverisë Zvicerane, ne do të kemi mundësinë të integrojmë teknologji të avancuara që do të na ndihmojnë në përmirësimin e menaxhimit të zgjedhjeve, duke rritur efikasitetin dhe duke minimizuar gabimet. Kjo mbështetje është një vlerë e shtuar për proceset tona zgjedhore dhe do të shërbejë si një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkombëtar mes Kuvendit, KQZ dhe Qeverisë së Zvicrës. Një falënderim i veçantë shkon për ambasadoren Huber dhe ekipin e saj për përkrahjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm ndaj zhvillimit demokratik të Shqipërisë.“ shtoi Z. Celibashi.
Sipas marrëveshjes, qeveria zvicerane përkushton 9.5 milion franga zvicerane për periudhën deri në 2028 për të realizuar këtë projekt mbështetës. Disa nga rezultatet e pritshme kanë të bëjnë me kuadrin ligjor të zgjedhjeve, me proceset e ligjbërjes, me rritjen e rolit mbikëqyrës të Parlamentit, me administrimin e zgjedhjeve si dhe rritjen e transparencës së proceseve zgjedhore.
Një nga shembujt e punë së nisur gjatë fazës së mëparshme është edhe përdorimi i teknologjisë novatore dhe digjitalizimit në procesin e ligjbërjes. Kjo formë asistence ka nisur nga OSBE dhe do të konsolidohet më tej gjatë kësaj faze.
Partnerët zbatues të projektit janë OSBE, Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) dhe Global Partners Governance (GPG).
Nacional