TIRANE
Një vilë romake me pishina, të paktën 2 katëshe, me gjurmë të kulturës ilire dhe po ashtu gjurmë paleokristiane është zbuluar në kodrën e Shën Gjergjit në Durrës. Deri më tani, shtrirja e saj shkon në 1200 metra katrorë, por arkeologët mendojnë se mozaikët, termat dhe strukturat e saj flasin për një hapësirë dyfishe. “News 24” ka vizituar sitin arkeologjik dhe sjell detajet më të reja të 7 shekujve qytetërime përmes drejtuesit të gërmimeve, Luan Përzhita.
Ajo gjendet pak metra nga amfiteatri i Durresit, por arkeologu Përzhita tregon se është ndërtuar përpara tij. “Në fillim doli në dritë mozaiku i vilës që është më i madh se sa pjesa që kemi zbuluar deri më tani. Vila është e shek. I para erës sonë dhe na tregon se qyteti ishte shumë i zhvilluar. Të dhënat e dala në dritë na bëjnë të mendojmë se vila u ndërtua mbi struktura të një kulture vendase. Durrësi antik me amfiteatrin matanë dhe e vilën këtu flet për një nivel i larte jetese”, pohon Përzhita.
Sipas arkeologut që po drejton gërmimet, vila ka pasur disa pishina, një kopësht të madhe, mozaikë dhe afreske. Mozaiku me hekzagon është ende i pazbuluar plotësisht. Ai gjendej në qendër të vilës, në atrium. Ende nuk e dimë kujt i përkiste. Kemi gjetur disa mbishkrime por ende nuk kemi një emër. Datimi është bërë pasi janë gjetur monedha të perandorit Germanikus, pjesë e familjes së Cezarit. Deri tani janë zbuluar 1200 metra katrorë të vilës, por vila s’është gërmuar e plotë. Vila të kësaj natyre shkonin deri në 2500m”, pohon ai.
Kultura ilire e romake që dëshmohet nga gjetjet, ndiqet nga elementet më të vonshme paleokristiane, që identifikohen përmes kryqeve dhe strukturave që krijojnë formën e një objekti kulti. Duket se jo më kot, zona njihet si kodra e Shën Gjergjit dhe këtu mund të ketë qenë edhe vend pelegrinazhi. Dhomat e vilës kanë qenë me afreske dhe këtë e shohim në zona të ndryshme. Ne kemi gjetur kulturë të shek.. 3 dhe 2 para erës së re, por duhet të kemi parasysh se në vitin 180 vila është djegur, më pas është bërë punishte qeramike. Një pjesë e strukturave kuptohet që janë shembur si pasojë e një tërmeti’’, pohon Përzhita.
Krahasuar me vila të tjera romake, kjo vilë është më e hershme se vila pranë Mozaikut në Tiranë dhe është pothuaj e njëkohshme me një vilë të ngjashme pranë Butrintit. Një pjesë e rëndësishme e vilës janë termat, që kanë qenë vetëm për familjen që e ka banuar atë.
Qeramikë nga Spanja e Italia e 400 monedha janë gjetur gjatë gërmimeve ndërsa gërmimet e vitit të ardhshëm mund të nxjerrin në dritë më shumë mbi vilën dhe historinë e Durrësit nga shek. 3-2 para erës sonë deri të paktën në shek.. 6 të erës sonë, duke qenë se deri tani, siç pohon Përzhita, arkeologët vetëm kanë testuar dhe ende nuk dinë shtrirjen e plotë të saj.bw