Të lësh atdheun tënd është dhimbje, pasi aty ke lënë prindrit, vëllezrit, motrat, të njohurit dhe kujtimet që nuk ka asnjë mjet transporti që të mundet t’i ngarkoj për t’i marr me vehte. Por, duhet të kesh një arsye të madhe që të lësh vendin tënd dhe duhet të kesh edhe ëndrra po aq të mëdha që të arrish të integrohesh dhe të kesh sukses në vendin pritës. Arsyet e shqiptarëve dihen por dihet edhe vendosmëria e tyre për të tejkaluar pengesat që mund të dalin në dhè të huaj. Dhe historia e shqiptarëve nê botë, në përgjithësi është histori suksesi. Por, atherë, kur ëndrra bëhet realitet, kur je je integruar vetë dhe familja, kur je bërë gjysh dhe do gëzosh frytet që të dhuron jeta, ndodh ajo që nuk pritet, e papërballueshmja, ajo së cilës askush nuk mund t’i shpëtoj : vdekja. Kështu ndodhi edhe me një nga shqiptarët më aktiv të komunitetit tonë të vogël këtu në Montreal, sportivit, të qeshurit Namik Shehaj që iu dha lamtumira e fundit ditën e dielë më 31 maj 2015. Si aktiv që ishte, unë e kam njohur pikërisht në aktivitete. Nuk po flas shumë për të pasi z. Leska (shiko më poshtë…) i ka thënë pothuajse të gjitha. Unë dua të shtoj veç që ai u shndërrua në Anton Çeta i komunitetit tonë të vogël. Në një moment, kur një grindje mes të rinjësh nuk dinim se si t’a zgjidhnim, ishte pikërisht ky burr që i uli gjakrat e të gjithëve duke u thënë të gjithëve se ne nuk kemi çfarë ndajmë me njëri-tjetrit. « Më thirr nëse do keni nevojë » më thoshte shpesh. Dhe ai nuk fliste, ai vepronte.

Festa e verës, mars 2013. Z. Namik Shehaj, djathtas, fitues i ediciont 2013
Ndonëse një komunitet i ri, i vendosur këtu në Montreal në më pak se 20 vjetë, ndoshta nuk kemi përvojë në ngjarje të tilla, por prania e bashkatdhetarëve që ishin të pranishëm në ceremoninë e lamtumirës, të organizuar ditën e dielë ishte mbresëlënëse. Dhimbja për familjen është e madhe dhe humbja e pazvendësueshme por prania e miqëve, shokëve dhe e të njohurve ndihmon në zbutjen e dhimbjes.
I paharruar qoftë kujtimi i Namik Shehaj!
Fjala e z. Laze Leskaj, mbajtur në ceremoninë e varrimit, Laval, 31 maj 2015
Te dashur miq dhe shokë të nderuar;
Zonja dhe zotërinj,
Jemi mbledhur sot për ti dhënë lamtumirën e fundit shokut tonë të shtrenjtë Namik Shehaj që u nda nga jeta shumë para kohe, në moshën 58 vjeçare. Namiku ka lindur në 15 janar 1957.
Në Shqipëri ka qënë mësues i gjuhës frënge, më pas drejtor i UNICEF dhe Terre des Hommes.
Në të gjitha këto detyra të rëndësishme ai është shquar për largpamje, përpikmëri dhe përkushtim.

Kupa e futbollit të shqiptarëve të Montrealit, 17 qershor 2012
Në muajin shkurt të vitit 2003 së bashku me familjen emigruan në Kanada duke u instaluar në Montreal. Me përpjekje dhe zgjuarsi u adaptuan dhe integruan shpejt në shoqërine pritëse.
Namiku diti të gjente me mprehtësi ekuilibrin midis kulturës tonë shqiptare dhe kulturës së shoqërisë kebekuaze. Ai organizonte dhe merrte pjesë në aktivitete me bashkombasit e tij në Montreal.
Natyrisht futbolli ishte aktiviteti i tij i preferuar, ku shquhej për shpejtësi, gjuajtje të forta, të befasishme dhe triblime.
Zoti Namik arriti shumë shpejt të integrohej profesionalisht si mesues i edukimit fizik në shkollën e mesme Louis Joseph Papineau të Montrealit. Ai shpejt u shqua si një mesues i zoti, plotë pasion, i respektuar nga të gjithë, nga nxënësit, kolegët dhe drejtuesit e shkollës. Pjesëmarrësit e shumtë nga shkolla sot në këtë ceremoni e tregojnë më së miri këtë.
Ne nuk do të harrojmë edhe pasionin e tij për verërat.
Ndërmjet karakteristikave të shumta positive të tij mund të veçojmë :
– vetmohim për familjen;
– sinqeritet e humanizem
– pasion per punen dhe sportin
– i qeshur e plot humor
– optimist edhe në çaste të vështira
Shkurt një Zotëri me Z të madhe
Te dashur miq dhe shokë të nderuar;
Zonja dhe zotërinj,
Ne humbem para kohe një nga shokët tanë më të dashur e më të respektuar
Familja humbi njeriun më të shtrenjtë që aq shumë bëri për të.
I paharruar do të jetë kujtimi i tij, i shokut tonë të shquar në komunitetin tone të Montrealit.
Ju ftoj të mbajmë një minute heshtje në kujtim të shokut tone Namik Shehaj
Laze Leskaj Montreal më, 31-05-2015
Komentet