Me shkrimtarin Xhelal Zaganjori kisha një miqësi prej më se 50 vitesh. Një miqësi e bukur, plot virtyre e dhimbje pafund… Një njeri që në vite e kanë munduar sëmundjet dhe puna e rëndë në gatrrën e Kombinatit të Drurit. Edhe pse shëndetlig, edhe pse me duart të plasaritura e të enjtura shpesh rëndë, Xhelali nuk e lëshoi pendën apo stilolapsin nga dora… Shkruante herë pas here artikuj e kronika në gazetën “Jeta e re” të Shkodrës, si dhe përralla e tregime për fëmijë. Kështu vazhdoi jeta e tij duke shkruar për fëmijë… deri më 25.02.2023, kur ndërroi jetë në moshën 85-vjeçare, duke na lënë si pasuri zemre afro 20 libra për fëmijë e shumë shkrime gazetareske. Fëmijët shkodranë humbën një shkrimtar të dashur e të vlefshëm.
Xhelali u lind më 16 dhjetor të vitit 1938 në qytetin e Shkodrës. Pasi mbaroi 7-vjeçaren punoi punëtor në ndërmarrje të ndryshme të qytetit, ndërkohë që ndiqte dhe arsimin e mesëm duke marrë edhe maturën.
Po përmend disa vepra të Xhelalit, si: “Kapja e pilotit” (tregime, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1974), “Me babagjyshin te dielli” (tregime, Sh. B. “Camaj-Pipa”, Shkodër, 1999), “Flamur gjaku mbi dëborë” (tregime, Sh. B. “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2001), “Premtimi (tregim i ilustruar, Sh. B. “Camaj-Pipa, Shkodër, 2003), “Dëshira e Artanit” (tregim i ilustruar, Sh. B. “Camaj-Pipa, Shkodër, 2004), “Motër e vëlla” (tregime, Sh. B. “Camaj-Pipa, Shkodër, 2008), etj. . Kam qenë i pranishëm në çdo botim të librit të tij, botim, teksa e shihte i gëzohej dhe e bënte të lumturohej si fëmijë. E prekte herë pas here librin e sapobotuar, e përkëdhelte, qante dhe e puthte. Xhelalit i qeshnin sytë e plakur, kur shikonte kopertinat dhe ilustrimet të bëra me kujdes e dashuri nga piktori i talentuar Gjergj Spathari. Si me zë, si në heshtje, si afër apo larg, ai orë e çast i çonte urime ilustratorit që ia kishte bërë librat me vlera e dinjitet.
Duke e njohur krijimtarinë e Xhelalit, ai kishte disa karakteristika që rrezatonin nga një libër në tjetrin, si: – u jepte rëndësi fabulave, – dinte të thurte kërkesat pedagogjike me ato letrare, – i befasonte të vegjëlit me të papriturat që u ndodhnin personazheve fëmijë, shpendë, kafshë, etj., dhe, nëpërmjet tyre përcillte mësime të virtytshme me vlera të mëdha për fëmijët, – skicat, tregimet dhe përrallat jo vetëm rrëfehen bukur por dhe i përshkonte tej e mbanë ato krijime të frymëzuara një fantazi e bukur e magjiplote, etj.
E kush nuk e ka njohur Xhelalin në qytetin tim? Ndoshta është nga të rrallët shkrimtarë që ka udhëtuar me orë të tëra paradite e pasdite rrugëve pafund të qytetit të vendlindjes, që për të zvogëluar urinë dhe varfërinë shiste librat e tij që rrinin fshehur në çantën e tij si arkivë. Xhelalin e njohu çdo dyqan, çdo prind, çdo gjysh e gjyshe, çdo kafene, shumë biznesmenë, shumë mësues, shumë fëmijë, shumë…
Udhëtonte, ashtu në heshtje, shpesh kokëulur, rënë në mendime, me një ecje të ngadaltë pa trazuar askënd. Ishte ky njeri që shiste libra, ku një pjesë të parave i ruante për të ngrënë, një pjesë tjetër për blerë një libër të ri, një pjesë për të larë borxhet e Shtëpisë botuese, një pjesë tjetër, ashtu varfërisht për të pirë një kafe, shpesh herë i vetmuar, ku e zinte përvëlimi i diellit, shiu shkodran apo lodhja e madhe. E pas këtij pushimi të jetëshkurtër, teksa dialogonte me kafenë me shumë sheqer, Xhelali nisej përsëri për udhë… Hapa të tjerë, lodhje dhe shitje e ndonjë libri e prisnin… Në të shumtën e rasteve kthehej në shtëpi në të rënë të muzgut.
Xhelali u largua si pa u vënë re, edhe pse disa shkrime të pakta folën për të. Të vetmit që heshtën ishin institucionet që duhet ta thonin një fjalë, të paktën një fjalë. Tani është tepër vonë. Ai mori udhëtimin drejt qiellit.
Xhelali u largua, ashtu në heshtje, nga kjo jetë përqafuar dashamirësisht nga njerëzit e kujdesshëm e humanë të Institucionit të Azilit në Shkodër, ku jetonte prej disa kohësh.
Xhelali u largua i njohur nga të gjithë ne, për të hyrë përjetësisht në kujtesën e qytetit të tij të lindjes që e donte aq fort, ashtu thjeshtë, pa pretendime por me një bibliotekë librash. Një fat të tillë fisnik nuk e ka kushdo. Shkrimtari Xhelal Zaganjori me talentin e tij, me letërsinë e bukur që na dhuroi zuri vend meritueshëm në panteonin e Letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj.