Të dielën, më 24 maj, mbushen 42 vjet nga revolta e Spaçit, një nga protestat e hershme ndaj regjimit diktatorial. Revolta e Spaçit zgjati 3 ditë; të burgosurit valvitën në tarracën e burgut famëkeq një flamur të Skënderbeut pa yllin komunist, duke kënduar dhe hedhur parrulla kundër diktaturës, derisa u shtyp me gjak; 4 nga të burgosurit u dënuan me pushkatim, 8 të tjerë u ridënuan me 25 vjet burg 70 të tjerë u arrestuan dhe u rigjykuan. Për të kujtuar këtë ngjarje dhe të gjithë të persekutuarit e regjimit dhe familjet e tyre, Fondacioni i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane dhe Bijtë e bijat e Shqipërisë në Amerikë organizuan disa ditë më parë në Nju Jork, një takim përkujtimor në Monroe College.
Në këtë takim, Asambleja e Nju Jorkut nderoi me një proklamatë njërin prej qëndrestarëve të burgjeve të diktaturës komuniste, Pëllumb Lamaj, i cili ka qenë edhe ish i burgosur në burgun famëkeq të Spaçit.
Në Kolegjin Monroe të Nju Jorkut është organizuar një veprimtari nderuese dhe përkujtimore për heronjët, martirët dhe qëndresatrët e Revoltës së Spaçit dhe Qafë Barit.Në përvjetorin e 42 -të Revoltës së Sapçit, Asmableja e Nju Jorkut me sponsorizim të z. Mark Gjonaj, ansambleisti i Distriktit 80-të, si dhe nga Këshilli i Bashkisë të qytetit të Nju Jork-ut-sponsorizuar nga anëtari i këshillit të Bashkisë për distriktin 15, Ritchie Torres, nderuan me proklamatë qëndrestarin e burgjeve të diktaturës komuniste Pëllumb Lamaj. Proklamatën e ka lexuar dhe më pas dorëzuar ansambleisti i Shtetit të Nju Jorkut, z. Mark Gjonaj.
Në Proklamatën nderuse, vlerësohet qëndresa e antikomunistëve shqiptarë, ish të burgosurve politikë si dhe familjeve të internuara në kampet e vuajtjes.Në të shkruhet se Shqipëria u qeveris për 45 vite nga diktatori i pamëshirshëm Enver Hoxha, në regjimin e të cilit mbi 100 mijë shqiptarë u arrestuan, u burgosën, u torturuan, ndërsa familjet e tyre u internuan ose u burgosën në mënyrë të padrejtë, vetëm pse ata mbështetën të dashurit e tyre në luftën për liri. Në Proklamatë evidentohen fakte të tilla si: 5500 burra dhe gra u egzekutuan, ndërsa 100 mijë u burgosën e u internuan. Në mënyrë specifike, veçohet Spaçi, si burgu më i tmerrshëm në Shqipëri, i ndërtuar në vitin 1968, ku të burgosurit punonin deri në vdekje në minierat e bakrit dhe piritit.
Në proklamatë vlerësohet qëndresa e familjeve të ish të burgosurve politikë, që u keqtrajtuan kampeve të internimit ose u burgosën.
Në përfundim të proklamatës shkruhet: Përfundimisht regjimi komunist u rrëzua dhe ata që i mbijetuan burgjeve u liruan dhe mundën të ribashkoheshin me familjet e tyre. Edhe pse shenjat fizike mund të jenë shëruar, plagët mendore dhe kujtimet e zymta, janë ende gjallë sot, prandaj sponsorizuesit e kësaj proklamate, nderojnë të burgosurit Politikë të Shqipërisë dhe familjet e tyre.
Pëllumb Lamaj, i nderuar me Proklamatë, ndjehet i vlerësuar, jo vetëm si individ, por u është mirënjohës sponsorizuesëve për të gjithë bashkëvuajtësit dhe martirët e qëndresës antikomuniste. Në vlerësimin që i bëhet atij si individ, theksohet fakti se jeta e tij ka kaluar mes vuajtjeve. Lamaj që në moshën 8 vjeçare përjetoi arrestimin e të atit dhe kalvarin e vuajtjeve në internim.Në vend të shkollës, lodrave e ëndrrave, Pëllumbi u përball me terrorin komunist. Nënës së tij i duhej të rropatej në puën të rënda për të ushqyer pesë fëmijët me babanë në burg.Në shkollë përbuzej me nofkën”Kulak”, kuptimin e së cilës, nëna do t’ia spjegonte si ekuivalente me togfjalshin”Armik i Popullit”! Kjo do të thoshte izolim dhe se për të nuk kishte vend as në organizatën e rinisë dhe as që mund të vazhdonte shkollën e mesme.Sigurimi u orvat ta provokonte që të bëhej bashkëpunëtor, por ai e refuzoi me neveri. E dinte se pas refuzimit do të vinte arrestimi, dhe nuk vonoi. Liria e kufizuar do të burgosej, kur ai ende nuk i kishte mbushur të 20-tat. Me 1 Mars 1979, Sigurimi i vuri prangat në emër të Popullit, duke e akuzuar si Armik të Popullit! U dënua me 15 vjet në burgun famkeq të Spaçit. Ishte ndër më të rinjët e atij burgu, i cilësuar si më i egri ndër burgjet e diktaturës, që vetë Pëllumbi e krahason me ferrin e Dantes. Bashkëvuajtësit, që ishin bashkë me të në veprimtarinë e përkujtimit të 42 vjetorit të Revoltës së Spaçit, e karaktarizojnë Pëllumbin si një nga qëndrestarët me kuarajo dhe trim për kohën e burgimit. Pëllumbi përjetoi revoltën e Majit të vitit 1984 në Qafë-Bari, ku regjimi nuk i kurseu egzekutimet dhe riburgimet. Një pjesë prej të dënuarëve i çuan në Spaç. Pëllumbi guxoi dhe i ndihmoi disa prej tyre me ushqime. Spiunët njoftuan komandën dhe Pëllumbi e pësoi me tortura çnjerëzore, por nuk u thye.
I pyetur nga Gazeta Dielli se çfarë përbënte takimi që po organizohej me 17 Maj 2015 në një nga Universitetet amerikane në Nju Jork, Pëllumb Lamaj, ndër kritikuesit e rreptë të klasës politike shqiptare, tha: Duam të nderojmë heronjët antikomunistë të Spaçit dhe Qafë Barit. Ky është një homazh për martirët dhe qëndrestarët e Spaçit, ky është edhe një mesazh për klasën politike shqiptare, që për turp nuk ka arritë të dërgojë qoftë dhe një Kryeministër në Spaç! Premtimet e pambajtura ndaj ish të përndjekurëve s’është gjë tjetër, veçse demagogji e tranzicionit antidemokratik me një klasë politike të korruptuar dhe komuniste në krye!
Hasan Baja,qëndrestar i burgjeve, një ndër të zhgënjyerit e demokracisë shqiptare, që pat dhënë dorëheqjen për kod moral që më 1995, për moskompromentim me të korruptuarit (ish Komisar i Policisë në Sarandë), shprehet se ndjehet i zemruar me klasën politike shqiptare, që nuk arriti të integroi kundërshtarët e regjimit komunist, ç’ka përbën dështimin e vetë demokracisë së shartuar shqiptare. Lekë Mirakaj, Zija Lepenica, Fatmir Muja, që ndodheshin në auditorin e Monroe College, ku zhvillohej veprimtaria nderuese dhe përkujtimore e Revoltës së Spaçit, ndjehen të nderuar që ata vetë, ish bashkëvuajtësi i tyre, Pëllumb Lamaj, nderohen nga institucionet Amerikane, dhe e gjithë kauza e tyre kundër komunizmit, vlerësohet e çmohet në vendin e demokracisë, por jo në Shqipëri.

Veprimtaria u organizuar nga “Albanian- American Society Foundation and The Sons and Daughters of Albania in America” dhe është mbështetur nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, The Women’s Organization “Hope & Peace”,”Clasmsmates Forever”, Albanian American Open Hand Association, Akademia e Nju Jork-ut e të tjera.
Moderator i veprimtarisë përkujtimore kushtuar Revoltës së Spaçit ishte Fredi Tollja, pronar “The Producers Club New York. Në fjalën e hapjes moderatori vlerësoi kundërshtarët e diktaturës komuniste të Shqipërisë, ish të burgosurit politik të regjimit diktatorial, që me sakrificat e tyre, me qëndresën e tyre, sfiduan diktaturën. Tollja, tha se me këtë veprimtari, përkujtojmë dhe nderojmë jetët e ndërprera, nderojmë heroizmin e atyre që guxuan të sfidojnë shtetin komunist në emër të ëndrrës për liri e demokraci.
Esad Rizaj, president i Fondacionit Shoqëria Shqiptaro-Amerikane dhe Bijtë e Bijat e Shqiptarëve në Amerikë, tha se ndjehet i privilegjuar që nderon ish të burgosurin Pëllumb Lamaj dhe të gjithë ish të burgosurit politik të Shqipërisë. Ky, tha ai, është një vlerësim për të gjithë ata që u bugosën,u pushkatuan, u internuan pse luftonin për liri dhe Shqipëri Etnike.
Miqtë e shqiptarëve, amerikanët Stive Kaufman-avokat i njohur dhe profesori Paulo Palombo, në përshëndetjet e tyre kanë vlerësuar qëndresën e antikomunistëve shqiptarë, dhe kanë nderuar ata që dhanë jetën për liri, përballuan torturat, vuajtjet në burgje dhe kampet e internimit.
Një përshëndetje të veçantë ka bërë edhe themeluesja e Shoqatës”Shokët e Klasës përgjithmonë”, Lindita Hoxha.
Lek Mirakaj, një ndër ish të burgosurit politik, e cilësoi nderimin e ish bashkëvuajtësit Pëllumb Lamaj dhe gjithë të burgosurve politikë shqiptar, si një nderim të jashtzakonshëm. Kjo Proklamatë, tha ai, është dekorata më e lartë që i jepet një ish të përndjekuri politik. Më pas ai vlerësoi qëndresën e ish të burgosurve politik dhe në mënyrë të veçantë martirët dhe qëndrestarët e Revoltës antikomuniste Skënder Daja, Dervish Bejko,Sokol Sokoli, Pal Zefi, Tom Ndoja, Hajri Pashaj dhe shumë të tjerë që pas revoltës u ridënuan.
Mimoza Dajçi, presidente e The Women’s Organization “Hope & Peace”, kërkoi që të pranishmit të çoheshin në këmbë dhe me një minut heshtje të nderonin kujtimin e heronjëve të revoltës.Më pas ajo ka përshkruar revoltën e Spaçit, ndërkohë që ka treguar gjendjen e sotme të ish burgosurve politikë. Dajçi tha se ka kaluar afro çerek shekulli, e akoma të dënuarit politik nuk janë reabilituar duke filluar me dëmshpërblimet, strehimin, shëndetin etj.
Edhe pse disa individëve u ka dalë emri në gazetë për të marrë dëmshperblimet e burgut politik akoma nuk po del fondi nëpër banka për tërheqjen e tyre, apo edhe fondet e kësaj shtrese i përdorin për fushatat e tyre partitë politike. Ka zvarritje dhe burokraci pa fund.Strehimi i ish të përndjekurve është i mjerushëm, u ndanë vite më parë gjatë qeverisjes demokratike disa hyrje tek Kafodi e Vasil Shanto dhe kaq, po pjesa dërmuese? Më pas ajo ka trajtuar dhe hapjen e dosjeve të sigurimit dhe ligjin e munguar të lustracionit.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm edhe kryetari i Vatrës dr. Gjon Buçaj me zonjën Nikoleta, zv/kryetari Asllan Bushati, anëtari i Këshillit të Vatrës Zef Balaj,Lek Mirakaj, Zef Përndocaj e të tjerë.(Fotografite i gjeni ne Facebook)

Komentet