Sot është ndarë nga jeta luftëtari i Lirisë Uran Kostreci i cili qëndroi i pamposhtur nga diktatura komuniste. Në homazh të tij po sjelle esenë: “Ai iku me petka të bardha drejt vdekjes”…, marrë nga libri “Pabesia” ku pata fatin ta kem dhuratë si kujtim nga vetë autori.
Perëndi ki mëshirë për mua, në fshatin gjysmë të vdekur! U.K.
Sapo merr në duar librin “Pabesia” me autor mësuesin e persekutuar, per 25 vjet resht Uran Kostrecin ndjen se mban një gurë të rëndë dhe mezi prêt që ta përfundosh sa më parë së lexuari, sepse së paku mund të çlirohesh, por në fakt ndodh krejtësisht e kundërta, je ngarkuar më shumë…
Është një libër që nuk e mora direkt prej autorit siç ndodh rëndom, por ky liber m’u dha nga mikja ime, e dashuruara e letërsisë dhe e së bukurës, Valbona Çano, të cilës ja kishte dhënë vetë autori me shënimin përkatës, ngase nuk kishte pasur mundësi të më takonte. Ishte një dhuratë që m’u dha në festën me nxënësit e shkollës shqipe në Diasporë, ishte më shumë se një inspirim dhe ngacmim për të shkruar për ish mësuesin e persekutuar nga diktatura, për 25 vjet z.Uran Kostreci.
Autori Kostreci në këtë libër ka përdorur mjeshtërisht kontrastet e fuqishme midis natyrës dhe mynxyrës që kishte pllakosur në fshatin me shtëpitë e rrënuara, trarët e nxirë, muret blozë që kishte lënë lufta e tmerrshme.
Në kontrast me shkretëtirën e shkrumbuar përshkruhet madhërishem nëna natyrë, e cila me rrezet e diellit përshkëndit majat e bregoreve, ndërsa muzgu e mbulon ngadalë me vellon e murrme të shkretëtirës. Flladi i ngrohtë aromatik dhe shushurima e ujërave të ngjallin një qetësi nostalgjike dhe peizazhi të fal ëmbëlsinë e çuditshme.
Nëpërmjet krahasimit të goditur si tyta ogurzeza topi, jepen pemët e goricave që ndodheshin të shumta në fshat. Autori ka vënë në plan luftën vëllavrasëse që u bë midis shqiptarëve, luftë që u nxit nga dy kriminelët serbë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, të cilët ishin miq të ngushtë të udhëheqjes komuniste.
Ndërkohë me një ilustrim të dhimbshëm jepet se si në një familje gjatë luftës ishin të ndarë në partira dhe për rrjedhojë ndodhte që dhe vëllezërit ishin në luftë për jetë a vdekje.
Me realizëm të thellë dhe sarkazëm therrëse janë dhënë dialogjet për sistemin komunist, ku kushëriri i Radomit, Agroni një i rekrutuar nga komunistët kishte përqafuar idealin komunist edhe pse Ramoja ballist i fliste se komunizmi në Rusi ka masakruar miliona njerëz e po aq te tjerë i ka degdisur burgjeve të Siberisë.
Rrëfimi i Radomit në këtë fillim shekulli duket si baladë rrënqethëse, ku vetëtimat mprehin sqepin dhe vuajtjet e tyre nga barbarët vazhdojne të enden si mjegulla të përjetshme bjeshkëve…
Hapat e ish të vrarëve, të të zhdukurve, të të arratisurve dëgjoheshin të rënda mbi tokën e zhuritur, ndërsa fytyra e hënës zbardhte si qefin mbi oxhaqet e gjysmë shtëpive, ku aty-këtu dëgjohej mbytur klithma e vetmuar e ndonjë fëmije, që dëshmonte se jeta vazhdonte në fshatin gjysmë të vdekur.
Radomi i sapoardhur nga burgu nuk mund të duronte këtë gjendje të mjerë të fshatit, ai u kthye nga ferri me një sy të nxjerë dhe me një dorë…
Ai u kthye nga moçalet e kënetës, nga gardianët e burgut me sy të frikshëm si pika nate, që mezi prisnin aktin e fundit, ku si nepërka fërshëllenin këngën e vdekjes, dhe vezët e tyre i linin në fole…
Ndërsa i varuri shikonte heshtur me dy pika gjaku të ngrirë në sy…
Ai kthehet, por tashmë në shtëpinë e zhuritur nuk e gjen gruan e tij me djalin, Shpresën e bukur. Atë e kishte martuar i ati me një burrë që kishte një përbërje politike të lartë.
Drama e familjes të gërryen shpirtin dhe nga ofshamat e lexuesve duket sikur shkretëtira e shtepive mbushet me banderola resh gati për t’u kthyer në shi…
Në honet e thella diku në qendër të fshatit, mullinjte e zinj vazhdojnë të bluajnë cicërrima dhe kocka të vdekurish, ku përroi i egërsuar i rrëmbyer i ngatërron nëpër myshqe të ndryshkura.
Dialogu i Radomit me xhaxhanë e tij Qazon në dyqanin e tij “Mballomatar” dukej nje dialog me rrënkime, ku zogjtë trëmbeshin nga dallga dhe degët e thara të goricave plakë, që ishin thinjur nga durimi i tejskajshëm i ardhjes së Radomit e shumë e shumë të tjerëve.
Tragjike ishte kur xhaxhai i Radomit mori vesh vdekjen e të birit shkaktuar nga pabesia e Axhemit një ish mikut të tyre.
Ai nuk e duroi dot torturën kur i hidhnin këlbaza në fytyrë në burg, ndaj ai i dha fund vehtes duke ikur me petka të bardha drejt vdekjes.
I ati lëshoi një klithmë të mprehtë sikur të ishte goditur nga plumbat për vdekje.
Mbas pak Radomi më shumë për të përmendur plakun nga përhumbja, e preku atë lehtas me bërryl, e pyeti për bashkëshorten e tij dhe djalin që fatkeqësisht të gjithë e dinin për Radomin, se kishte vdekur. Ai donte të dinte ku ndodhej Shpresa, djali i vetëm i tij, të cilit nga bebëza e syrit i rodhi një pikëz loti. Edhe pëllumbat përqark guisnin në ankth dhe të jepnin shenjë që dhe ata do të vetëvriteshin në agoni… Letra që ai i shkruajti Shpresës dukej sikur u valëvit në një degë ylberi, me nuancat e kuqe të dashurisë. Pasi e rilexoi me fytyrën e qullur nga lotët ajo pëshpëriti:
Ç’të paskam bërë o Zot, që më ndëshkove kaq rëndë!
Kush e di sa herë Radomi donte t’i jepte fund jetës, por e mbante ajo shpresë e fundit, që prushëronte brenda zemrës së tij, ishte fytyra ëngjëllore e djalit që mezi priste ta takonte.
Ndërsa tani Radomi i kthyer gjysmë njeri i lutej asaj t’i krijonte mundësinë për të takuar djalin që iu përkiste te dyve. Ai ishte ndaluar ta rriste djalin e tij, pikërisht nga fantazmat e Makbethit apo duar magjistricash që egërsisht edhe Hënën e kthenin në kafkë.
Shpirti i Shpresës u plagos rëndë ndërsa Pleurati shkoi të takohej me të atin. Edhe zogjtë çurlikonin me cicërima të pandërprera, kurse asaj nga larg i bëhej sikur dëgjonte tingujt e një romance si dikur… Ata u takuan nën rënkimin e çative të shtëpive, ndërsa Pleurati i vodhi nga sytë një fjollë të hollë drite për të ndriçuar ferrin… Pleurati ndjeu që u shkrinë sythet e akullt të mungesës të të atit nga trokimi i lotëve me zemër të drithëruar edhe përvëluar të një biri. Nga larg i vinte si jehonë zëri i shuar i nënës…! Pleurat…! Ajo u plandos në dysheme si e vdekur kur i thirri për të treguar letrën …
Pleurat…! Ajo ishte e ngrirë si një kanarinë e burgosur dhe prej andej lutej: “O Perëndi ki mëshirë për mua…, ndërkohë mua si lexuese nuk më hiqej nga mendja vdekja e Agronit djalit të “Mballomatarit” shkaktuar nga pabesia e mikut të tyre…
Ai nuk e duroi dot torturën kur i hidhnin këlbaza në fytyrë në burg, ndaj i dha fund vehtes duke ikur me petka të bardha drejt vdekjes. Pabesia ka tragjedinë brenda…
5 Mars, 2011
Staten Island, New York
Komentet