Një nga bashkëpunëtorët të ngushtë të Ismail Kadaresë, botuesi i veprave të tij, Bujar Hudhri ka treguar momentet e fundit të shkrimtarit. Gjatë homazheve në TOB në nderim të kolosit të letërsisë shqiptare, Hudhri tregoi për gazetarët se ishte një moment dramatik kur mori vesh lajmin se Kadare nuk ndihej mirë.
Bujar Hudhri tregon se menjëherë pasi ishte njoftuar, ka mbërritur në shtëpinë e shkrimtarit dhe e ka gjetur atë në gjendje të rëndë. Botuesi kujton se Ismail Kadare u kthye nga Parisi 5 vite më parë dhe vendosi të jetojë në Tiranë. Vepra e Kadaresë, tha Hudhri, është pasuria më e madhe që trashëgon kombi shqiptar. Ai shtoi se vendi i Kadaresë nga sot është “Panteoni i Letërsisë Botërore”.
Bujar Hudhri: Një ditë e tillë do të vinte. Mua më kujtohej Rinasi, avioni që vinte nga Parisi dhe zbriste Kadarenë, dhe pas një muaji e përcillja sërish dhe e ndiqja me sy derisa ikte. Edhe sot më duket se është në një planet tjetër, nuk është me ne. Në këtë pikëpamje mendoj se nuk do ta ndjej që ai nuk është më, se ai është diku. Kjo diku sot quhet “Panteonin e Letërsisë Botërore”. Ai iku, por vepra e tij është pasuria më e madhe që i ka lënë këtij kombi.
Si e kujtoni takimin e fundit?
Bujar Hudhri: Ka 5 vite që rrinte në Shqipëri, ishte një moment dramatik kur më lajmëruar që duhet të shkoja se diçka kishte ndodhur. Kur e pashë të shtrirë në atë korridor që e kisha parë shumë herë në këmbë, e morëm në ashensor, ishte si i ngrirë. Ikëm në një ambulancë të thjeshtë dhe me zor kemi çarë rrugët e Tiranës derisa mbërritëm në urgjencë, mjekët u mblodhën gjersa heshti gjithçka. Nga veprat e Kadaresë, ai kurrë nuk tregonte çfarë ishte duke shkruar. Kur e kishte nisur dhe do bashkëpunonte, kuptoje që kishte nisur, por nuk e tregonte. Mund të ketë, ndoshta gjenia e tij nuk mund të rrinte pa krijuar. Ajo që mendoj qe ka lënë, janë disa tekste të shkurtra. Mosha dhe talenti i tij i madh bënte krijime të tilla.
(BalkanWeb)