Mirëpo, sidoqoftë, ikja e tyre, dhe e prindërve tanë për në amshim, ka qenë e madhe dhe shumë tronditëse, jo vetëm për familjet, por për të gjithë ne, që patëm fatin të jetojmë së bashku dhe u rritëm si vëllezër e motra. Por, edhe ata që mbeten për ne si prindërit tanë, na qortonin, mësonin dhe na edukonin. Ne bashkëmoshatarët, ashtu si prindërit tanë, ndamë së bashku në atë kohë edhe ato ditë të rinisë së kampeve të internimeve, aty ku “fshiheshin” mes ëndrrave rinore dhe frikës dhe privimit nga çdo e drejtë e asaj kohe.
Si çdo bashkëvuajtës në kampin e internimit, duke përfshirë edhe prindërit tanë që e paguan më shtrenjtë nga ne, me një jetë të tërë nëpër burgjet famëkeqe të Enver Hoxhës, duke u bërë si mburojë edhe për ne fëmijët e tyre, mbasi ishim fëmijë, dhe nuk na erdhi radha, deri sa edhe ata prindër i vdiqën, pa parë një rreze “Dielli”, sot po t’i pyesje, do të përgjigjeshin se: “Çdo gjë, ndoshta do t’ia falnim, edhe po të ishin gjallë, atij regjim katil, por kurën e kurës, nuk do t’ia falnim rininë, që na e mohuan dhe na e morën”.
Në dy dekadat e fundit Perendia, thuhet se; “ashtu si i do dhe i merr”, kështu ndodhi edhe me disa prej tyre, njëri iku nga kjo jetë nga një aksidentet, dikush nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, por që të gjithë kanë një të përbashkët: “Ikën si engjëj për në Parajs, ose xhehnet”.
Kështu iku nga kjo jetë në një aksident trafiku, bash në lulen e rinisë, Gjovalin (Lin) Konti, së bashku me babain e tij, Rrok Konti dhe nënë Lulen, vdiq nga një sëmundje e rëndë, Ndoc Vokrri, i biri i Bardhok Zefit, vdiq Kujtim Nela, i biri i Sherif Nelës, dhe së fundi, para disa vitesh, u nda nga jeta edhe Gani Hoxha, i biri i Bajram Hoxhës dhe Zyle Metalisë – Hoxha.
Por, të paharruar në kujtimin tonë, do të mbeten edhe disa nga shokët tanë, bashkëmoshatarët tanë, të cilët nuk jetonin në rrethanat tona politike në Kampin e Internimit të Savrës, por që edhe ata ishin dhe do të mbeten gjallë në mendjen e zemrat tona si shok dhe miq të mirë, dhe të vërtet ata që iu bashkëngjiten në ato kohë të vështira, rinisë tonë.
Mirëpo, jeta e këtyre njerëzve që e kaluan gjithë jetën e tyre, burgjeve të tmerrshme dhe kampeve të internimit, që humbën gjënë më të bukur në këtë botë, pra rininë e tyre, natyrisht që ka lënë gjurmë kudo! Në gati 50 vite diktaturë, vite që janë të skalitur si me daltë, në zemrat e tyre, janë si një histori, jo vetëm disa viteve, por si ato historitë që megjithëse kalojnë shekuj, nuk mund të harrohen lehtë.
Për çdo njërin nga ne sot, kur nisë me kujtimet, mund të shkruaj fare lehtë dhe kështu lusë çdo njërin nga ne, të mos u “dridhet” dora dhe të mos “druhen”, por të shkruajnë diçka, se kanë jetën e tyre mes këtyre njerëzve me plot kujtime, me të mira por dhe të hidhurat e jetës. Të cilat janë shenja e tregues të përjetshëm, edhe në sytë e fytyrat tona, që mbetëm dëshmitarët e gjallë të atij kalvari.
Ato janë janë dëshmitë e një jete që u ngrit si përbindësh dhe padrejtësisht, nga disa njerëz, mbi fatin e kurrizin disa njerëzve të tjerë. Njerëz të cilët, i vetmi faj që kishin bërë, ishte se kishin qenë paria e atij vendi, patriot e atdhetarë të flaktë, fisnik e intelektual të kohës, të pasuruar me djersë, deri edhe luftëtarë dhe firmëtarë të Pavarësisë së Shqipërisë. Madje edhe anëtarë të familjeve, nga ata që morën pjesë në ngritjen e flamurit në Deçiç në vitin 1911 dhe deri në Vlorë, më 1912.
Pra, ishin (si më tregonte axha im) edhe si i Për-ndershmi Dom Pjetër Mëshkalla, që kishin në zemër vetëm – Fe e Atdhe! “Një ditë – thoshte i ndjeri axha im, Musa Sina – kur një gardian, një xhelat i kuq me yll në ballë, injorant dhe zemër katil, i ra më pëllëmbë në mes të burgosurve, Dom Pjetër Mashkallës, sepse, ai po lexonte një roman të huaj, prifti, iu drejtua gardianit me dy pika loti, që rrëshqitën pa dashje, duke i thënë se: ‘Nuk ka dhimbje dhe tmerr më të madh në këtë botë, se kur fuqia e injorancës dhe e padijes, pra fuqia e forcës, del e qëllon mbi forcën tjetër; atë të dijes, ndershmërisë, atdhedashurisë dhe të besimit fetar – vë dorë edhe ndaj njeriut të Perëndisë”.
Pra , kjo ishte pak a shumë një pjesë e jetës së këtyre njerëzve, të cilët lindën e u rritën nga këto “shtëpi” dhimbjesh dhe vuajtjesh të papërshkrueshme, të ngritura kudo si kërpudhat e, që nisën nga Kruja, Berati, Porto Palermo, Tepelena, Delvina, Vlora, Fieri, Lushnja, Durrësi, Korça, etj.
Ishte internimi dhe burgu i tyre, ishte ajo “shtëpia” që lindi dhe i rriti, ose i mbajti brenda mureve të saj shpirtin dhe zëmrën e këtyre, njerëzve, e cila ushqente në atë kohë jo vetëm ata, por edhe fëmijët e tyre me ndjenja të flakta të familjes, të patriotizmit, të dashurisë për atdheun e tyre, për fenë e tyre, lirinë dhe demokracinë.
“Ra ky mort dhe u pamë” – do ta titullonte romanin e tij shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare. Dhe vërtet kështu ndodh edhe ndodhi edhe para disa vitesh në Bronx New York. Aty u mblodhën në të pamen e Gani Bajram Hoxhës (12 shkurt 1955-19 Dhjetor 2012). Lindur në Savër (Lushnjë, në Kampin e Internimit) të gjithë familjarët, të afërmit e tij, ish-të burgosurit politik dhe ish-të internuarit, por edhe ata që e njihnin nga Lushnja dhe nga Savra.
U mblodhën t’i jepnin një nderim e respekt – vëllait të ndjerit, Bislim Bajram Hoxha me familje, me mixhën Avdullah Tahir Hoxha, motrat Servete Mulosmanaj, Myrvete Kotaj, me vllazninë Hoxha, nipa e mbesa, të cilët sipas zakonit hapën të pame për burra e gra, (me datën 6 Janar 2013, ditën e diel) në restorantin “ROZAFA”, Bronx New York. I ndjeri u varros me nderime në Tiranë, me datën 22 Dhjetor 2012, duke lënë pas vetes gruan dhe tre fëmijë.
Jeta e tij në kampin e internimit në Savër të Lushnjes, i ngjan asaj të artistëve të famshëm të muzikës, modës dhe filmave, të ditëve të sotme. I lindur në një kamp internimi në Savër, një fshat ose katund, rreth tre kilometra larg qytetit të Lushnjes, ngjitur me rrugën nacionale; Lushnje – Fier (ata që e vizitonin Savrën në atë kohë, për nga njerëzit që e popullonin, të dijes, kulturës dhe intelektualizmit, e konsideronin; “nji Paris të vogël”. Gani Hoxha, ishte ndër të parët që vishej me mode, qysh në atë kohë, bashkë me bashkëshorten e tij, Bajame Çeliku, e cila vinte nga një familje e njohur fisnike në trevën e Kukësit.
Bashkëshortja e Ganiut, së bashku me familjen e saj – u internuan edhe ata në kampin në Savër të Lushnjës. Bajame Hoxha, u bë e njohur vetëm me ardhjen e demokracisë, mbasi ajo disa vjet shkruajti poezi, por me një emër anonim; “Ama Çeliku”. Mirëpo sot në botën e lirë, ajo ka botuar gjithsej 16 libra dhe librat e saj janë vlerësuar, edhe nga shkrimtar e poet të njohur shqiptarë.
Sa që poeti Përparim Hysi, thotë në një esse të tij se: “Ndërsa komunistët e qëlluan Bajamen me gurë, ajo ua ktheu me vargje. Ua ktheu me vargje mbushur me dashuri; me blerim jete. Se e tillë ishte, gen pas geni, si familje dhe nuk kish se si, ta shëmtonin këtë karakter të fortë. Pra, ata me gurë e Bajamja me grurë. Grurë të shëndosh poetik. Për ta patur zili”.
Më tej, në essen: “Gjysma ime”, të Bajame Hoxha (Çeliku) poeti Përparim Hysi, thotë se: “Asnjë shkollë nuk të bën poet – si asnjë shkollë nuk të bën njeri. Si njerzillëku ashtu dhe poezia, i kanë rrënjët thellë: në zëmër. Dhe zëmra e Bajames, qe e butë, si prej sute. Tek vuante, në vend të rënkimit, këndonte. Se, vetvetiu, i këndonte shpirti.
Poezia e Bajames është aq e bukur dhe aq e ëmbël, që, sa e lexon, zë dhe dhe ti si lexues dhe këndellesh, se të futet, si pa kuptuar, drejt e në shpirt dhe je si je, po tak dhe fiton një ndjesi tjetër: relaksohesh dhe ndjen një kënaqësi dhe dëlirësi, si pak, magjike. Mos po flas me superlativa? Jo. Aspak”!
Ganiu jetojë pjesën më të madhe të jetës në Savër, e cila ishte një ndër ato 20 kampet internimit, ku në atë kohë ishte mbledhur paria e vendit, njerëzit më të shkolluar të vendit, (dhe që të gjithë jashtë shtetit, me nga një gjuhë të huaj, dy tre ose katër e më shumë ndonjëri).
Savra ishte për arsye të pozicionit gjeografik, edhe vendi ku për herë të parë mbas Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit, hynte, libri i parë, filmi i kohës së atëhershme, vendi ku njihej bota, mbasi aty dëgjohej fshehurazi vetëm kanalet Italiane, Savra ishte vendi ku moda dhe muzika mbas Tiranës, Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit, përhapej menjëherë. Moda për vajzat dhe djemtë e kampit të Savrës, ishin të parat, mbasi aty kishte nja dhjetë makina qepse, që qepnin nëpër shtëpia, prej nga pantallonat “kaubojë”, këmishat e ngushta, ose vajzat, fustanet e modës, aty djemtë e vajzat, qetheshin me shokët e tyre, sipas modës së atëhershme.
Savra ishte vendi, ku librat e autorëve më të njohur në botë, ishin si në bibliotekat shtetërore të qyteteve të ndryshme, ku adhuruesit e librit, i mbanin në shtëpitë tyre, në rafte prej dërrase. Një i internuar, kishte më shumë se një mijë libra, të autorëve më të njohur në botë, i cili quhej Spiro Anastasi. Ndërkohë, që me nga 500 libra dhe më poshtë, ishte gati e mbushur dhoma e çdo shtëpie, e familjeve intelektuale të kampit.
Mirëpo kur kujtojmë Gani Hoxhën, na vinë ndërmend ato kujtimet, kur: “Në tabelën e fletë-rrufeve jo vetëm në Savër, por edhe në qendër të qytetit të Lushnjes, nuk kishte ditë që të mos dilte në Fletë – Rrufe, e ndonjërit nga Savra dhe sidomos Gani Hoxhës e Flamur Spahiut, Ahmet Lahollit, e të tjerëve, por edhe shokëve të tyre të tjerë, që edhe ata jetonin vetëm me shpresë dhe ëndrra të asaj moshe. Shumë prej të cilave, tash i realizoi vetëm rënia e komunizmit, dalja në botën e lire, në vitet e para të tranzicionit.
Edhe pse emri i Gani Hoxhës, ishte vënë në shënjestër të spiunëve të Degës së Punëve të Brendshme, ai pati shumë kurajo dhe shok shumë, bashkëmoshatarë, jo vetëm nga të internuarit, por edhe nga ata që jetonin në anën tjetër të getove, “të lirët”, si i thërrisnim ne ata në atë kohë, të cilët ishin; Përparim Jahobashi, Namik Toska, Xhoxhi Çerepi dhe shumë të tjerë……!
E pra kështu Ganiu kujtohet sot, me shumë simpati dhe respekt, nga të gjithë moshatarët e fshatit, si një djalë i gjatë me trupin e bukur, si shumica e djemve nga Tropoja, si një djalë, që po të ishte në rininë e tij, siç janë sot të rinjtë me fizikun e tij, natyrisht që do të ishte ndonjë “Top model”. Ai kishte fizikun dhe parametrat tipike të një modeli dhe karakteristikat e atyre djemve, që lindin e rritën si “kreshtat e maleve”, djem e vajza të gjatë dhe të bukur, dhe të shëndetshëm e të mençur. I tillë ishte Gani Hoxha, djali që vinte nga Alpet e Shqipërisë, nga Tropoja.
“Tropoja, e cila është një emër lavdie e krenarie, që nëpër shekuj e breza, nderoi kombin e atdheun. Tropoja e besës, e burrërisë, e traditës, e trimërisë, e këngës dhe e bujarisë. Ajo është pjesë e Malësisë së Gjakovës, ose siç quhet ndryshe, e; “Malësisë së Mirë” dhe paraqet një mrekulli të veçantë, në gjithë hapësirën shqiptare. Në Tropojë jeton një popull me zemër të pastër, me mendje të kthjellët, i shëndetshëm, i bukur, i buzëqeshur, i zgjuar”, – konstaton studiuesi i kësaj treve, Ibrahim Kadri Malaj, në librin e tij “Tropoja në breza” (Tiranë, 2003).
Dhe së fundi, Gani Hoxha është i biri Bajram dhe Zylë Metalisë – Hoxhës, ose nipi i nacionalistit të njohur tropojanë, Tahir Hoxha dhe miku i derës së Madhe të Binak Alia (Mulosmanaj). Shkrimtari i njohur tropojan, Ramiz Lushaj – ka shkruar për këto dy familje, se: “Në gjithë trevën dardane, kulla e Binak Alisë (Rama), ka mbetun historikisht një derë e mirë, për të gjithë brezat e saj, të shpërndarë në degëzime, nga Tropoja e Shqipëria Etnike, deri në Amerikë.
Kjo kullë (bashkë me atë të Hoxhaje, në Gash të Tropojës), u godit më 8 prill 1941, nga një skuadrilje prej tre avionësh ushtarak, me urdhër direkt nga Roma e Benito Musolinit, për besnikërinë e tyre ndaj Mbretit Zog, e rezistencën ndaj pushtuesve fashistë italianë”, shkruan ndër të tjera shkrimtari tropojan, Ramiz Lushaj. Memorie.al