Një ftesë, në formë kartoline, më të bukurën e përfytyrueshme, do ta quanim Aeroportin e Zyrihut për të gjithë ata në botë që, me vetëdijë apo fshehtas vetes, e kanë ëndërruar Zvicrën. E tillë është kjo ftesë edhe kur e ofron prehrin e mikpritjes, edhe kur e zgjat dorën e lamtumirës. Këtë e ka provuar edhe çdo shqiptar që ka fluturuar për në Zvicër dhe nga Zvicra apo që, nëpërmet këtij aeroporti ka arritur destinacone të tjera anembanë botës.
Me një festival treditor, më 1 deri 3 shtator, Zvicra e përmbylli sezonin e festimeve për 75 vjetorin e Aeroportit të Zyrihut, më të madhin e tri aeroporteve të saj ndërkombëtare dhe një ndër më të mëdhenjtë e Evropës. Ky sezon filloi më 5 maj, në 77 vjetorin e miratimit të ndërtimit të gjigantit aktual, kur votuesit zyrihas i thanë po, me një shumicë të gjerë, projektit për ndërtimin e aeroportit kombëtar të vendit. Dy vjet më vonë, më 1948, aeroporti i Zyrihut u përurua zyrtarisht dhe sivjet Zvicra festoi 75 vjetorin e tij.
Zvicra nuk ka dalje të drejtpërdrejtë në det. Ndryshe nga vendet e tjera që detet i kanë anash, falë infstrakturës së saj ajrore shembullore ndërkombëtare, kryesisht falë aeroportit ndërkombëtar gjigant të Zyrihut, Zvicra e ka detin e saj lart, për më tepër, një det që shtrihet rreth e rrotull globit.
Ky aeroport është kurorëzimi më shembullor i mundshëm i trafikut ajror të Zvicrës. Në veri të qytetit të Zyrihut, në fushën e Dübendorfit, prej vitit 1909 ishte qendra e aviacionit civil dhe ushtarak. Nga viti 1919, këtu zhviloi veprimtarinë linja ajrore Ad Astra Aero dhe, nga viti 1932, linja e famshme ajrore Swissair. Fluturimi i parë mbi Alpet e Evropës ndodhi më 21 korrik 1921. Shërbimi i parë ndërkombëtar filloi më 1 qershor 1922 nga Ad Astra me fluturimin për në Nürnberg, Gjermani. Më 1939, me shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, trafiku ajror u ndërpre për arsye strategjike ushtarake. Më 1943 qeveria kantonale e Zyrihut, qeveria dhe kantoni i Zyrihut ndërmorën një stum për të përcaktuar zonën e ndërtimit të një aeroporti të madh. Komisioni i përbërë nga inxhinerë dhe arkitektë të kompanisë Locher & Cie ishte kundër zgjerimit të aeroportit në Dübendorf dhe rekomandoi, ndërkaq, një aerport civil të ndarë nga aeroporti ushatarak, në zonën pjesërisht pyjore midis fshatrave Kloten dhe Oberglatt. Në gusht 1943, Departamenti Ushtarak Federal deklaroi pajtimin e tij si qëndrim në “interesat e larta kombëtare”.
Aeroporti i Zyrihut është aeroporti më i rëndësishëm civil i Zvicrës dhe një ndër më të mëdhenjtë e Evropës. Ai administrohet nga kompania Flughafen Zürich AG. I ndodhur në veri të qytetit, 13 kilometra larg qendrës, aeroporti përmband vendqëndrime të kompanive ajrore si Swiss (Swiss International Air Lines) e Lufthansa dhe është aerodrom i Rega (Organizatës Zvicerane Ajrore të Shpëtimit). Aeroporti i Zyrihut ka marrë World Travel Award (Cmimin Botëror të Udhëtimit) për nëntëmbëdhjetë vjet me radhë, që nga viti 2003 në kategorinë “Aeroporti i parë i Evropës”, duke u vlerësuar si aeroporti i parë i Evropës.
Nëse Aeroportin e Zyrihut e përfytyrojmë në formën e një grykëderdhjeje në trajtën Delta, atëherë pellgu i tij është krejt infrastruktura e transporteve të zonës mbialpine të Zvicrës dhe me gjerë.
Stacioni qendror hekurudhor i Zyrihut, Zürich Flughafen, gjendet poshtë qendrës së aeroporti, në check-in 3. Ky stacion u hap më 1980 dhe është ndër të parët stacione aeroportuale intercity në botë. Përveç linjave nga qyteti, për në këtë stacion vijnë linjat hekurudhore nga shumë qytete dhe rajone të tjera, si Bazeli, Berna, Biel/Bieni, Briga, Gjeneva, Kostanca, Lozana, Lucerna, Mynihu i Gjermanisüe, Romanshorn, San Galen e Winterthur. Përveç linjave qytetëse e rajonale të atuobusëve dhe tramëve, aeroporti u shërben autostradës A51 dhe rrugëve të tjera automobilistike të vendit. Mbi 14 000 automjete parkohen këti për periudha më të shkurtëra a të gjata. Në aeroport janë të pranishme një mori kompanish të ndryshme të parkimit të automjeteve.
Aeroporti shërbehet nga një flotë taksish aeroportuale. Është e mundshme të organizohen edhe shërbime aeroportuale me limuzinë. Natyrisht, çmimi i këtyre shërbimeve është ndër më të kushtueshmit në botë.
Në kujtesën 75 vjeçare të Aerportit të Zyrihut, të digjitalizuar dhe të vënë posaçërisht për këtë jubilé të madh në shërbim të publikut, shënohen ngjarje të tilla si vizita e Mbretëreshës Elisabeth II në përurimin e stacionit apo vizita e Papës Gjon Pali II. Falë rreth 130 kontribuesve multimedialë vizitorëve të interesuar iu mundësua të zbulojnë, ndër të tjera, se qysh zona kënetore e dikurshme u bë vend pune i rreth 27.400 punonjësve, si janë zhvilluar ndërtime dhe pista, si dhe arsyen pse The Rolling Stones apo legjenda e xhazit Louis Armstrong kanë zgjedhur të bujtin në aeroportin e Zyrihut.
Falë këtij aeroporti, në pothuaj të gjitha tabelat elektronike të kryeqyteteve dhe të qyteteve më të mëdha të globit, shfaqet emri i qytetit të Zyrihut. Dhe nga pothuaj të gjitha aeroportet ndërkombëtare të globit ndërmerren fluturime për në Zyrih.
Nëse në kuadrin e Zvicrës, aeroporti i Zyrihut ka funksionin e zemrës, në kuadrin e aviacionit botërore ai ka funksionet e trurit.
Kujtesa digjitale e aeroportit të Zyrihut nuk pranon vetëm të zhytet në historinë e tij 75 vjeçare, ajo hidhet edhe në epokën e ardhme të aeroportit, ku shpalosen, me data paraprake objektivat e aeroportit. SWISS do të jetë kompania e parë në botë që do të përdorë karburantin diello Synhelion, do ta reduktojë lëshimin e CO₂ në hapësirë me tekonologjinë e AeroSHARK.
Në aeroportin e Zyrihut dhe në The Circle, janë të pranishëm dyqane, bare dhe restorante, me mallra të një game të gjerë, nga ato zyrihase dhe zvicerane, deri tek më të famshmet në botë, hapur 365 ditë në vit, nga mëngjesi deri natën vonë, çka e bëjnë shumë optimal për shopping.
Më 14 qershor 2023 për publikun u mbajt një veprimtari për të kujtuar fluturimin e parë, të 75 viteve më parë, nga aeroporti i Zyrihut për në Londër, më 1948.
Në festimet e 1-3 shtatorit pritej një pjesëmarrje prej 100 000 vizitorësh. Pjesëmarrja u tejkalua ndjeshëm. Rreth 140 000 njerëz morën pjesë në aktivitetet e organizuara për këtë rast: shëtitje me autobus në aeroport, turne me guida, koncerte dhe ekspozita.
Shfaqja ajrore e Patrouille Suisse, skuadrilja akrobatike e Forcave Ajrore Zvicerane, tërhoqi një numër të madh spektatorësh.
Shfaqja e shumëpritur e Patrouille Suisse tërhoqi një audiencë të madhe
Gjatë tri ditëve të aktivitetit, rreth 40 ekspozues prezantuan automjete, produkte, shërbime dhe profesione në aeroport dhe dhanë informacione se çfarë ndodh prapa skenave në një aeroport të këtij kalibri.
Gjatë ceremonisë zyrtare të premten në mbrëmje, presidenti i Konfederatës Zvicerane, Alain Berset dhe këshilltarja shtetërore e Zyrihut, Carmen Walker Späh, uruan Aeroportin e Zyrihut për përvjetorin e tij. Ata nënvizuan rëndësinë e saj për Zvicrën në të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.