Shteti anglez në janarin e 1920- ës, ishte i interesuar shumë për vijimësinë e shtetit modern shqiptar, pas pavarësimit të Shqipërisë, dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër. Këtë moment mund ta quajmë; një Pavarësi të Dytë të Shqipërisë. Personalisht në këtë ngjarje ka qenë pjesëmarrës, vetë zotëria përfaqësues i qeverisë britanike, njohur me emrin, Iden.
Ai ka qëndruar një muaj gjatë tërë seancave të këtij kongresi, tejet të rëndësishëm për fatin e shqiptarëve me mbarimin e Luftës së Parë Botërore. Ideni, ka qenë mik model, në shtëpinë-muze të Sheh Karbunarës në Lushnjë.
Shtëpia e Kongresit të Lushnjës, është pothuajse e djegur. Thuhet nga z. Shemsi Shehu, se ajo i kishte tavanet të lara me flori. Ishte një vile luksoze, me hapësirat e pamata të një çifligu.
*****
Rrëfimi i klerikut Shemsi Shehu
“Për sa kohë në të qëndruan repartet ushtarake, u ruajt dhe u mirëmbajt. Me marrjen në dorëzim nga kooperativa bujqësore, nisi shkatërrimi final. Parketet laheshin me ujin e bagëtive, tavanet u shqyen dhe u grabitën dërrasat e skalitura, muret u lyen me postiqe. Vetëm pllakat kanë mbetur. Kubetë e teqesë, në kohën e shembjes së ndërtesave të kultit dhe ndalimit të besimit në Zot, u shembën dhe u zëvendësuan me çati fshati, që sot është kalbur.
Nuk ka pasur moment gjatë janarit të 1920-ës që Ibrahim Karbunara, të mos dërgonte nota proteste, ndaj qëndrimit dhe veprimeve të Turhan Pashë Përmetit. Riza Karbunara, ka treguar se shtëpia priti një natë si mik, Ahmet Zogun; u shndërrua në një minipallat kongresesh në një muaj, atje është vrarë dhe delegati Avdyl Ypi, për nder të të cilit u mbajt një minutë heshtje, në çeljen e punimeve të Kongresit Historik.
Kongresi i Lushnjes
Sheh Ibrahim Karbunara, i hapi punimet e kongresit të Lushnjës, në sallën e mbledhjes në shtëpinë e Kaso Lugës, me një duva të shenjtë, si një bekim a ogur i mire, në mbrojtje nga të papriturat e shumta të kohës së trazuar politike në vend. Fjalimin hyrës, e mbajti Ferit Vokopola i cili, u zgjodh në autoritetin e sekretarit të përgjithshëm të kuvendit. Shkëlqesia e tij z. Aqif Pashë Elbasani, ju përgjigj ligjëratës me fjalë të përflakura patriotike, siç dëshmohet dhe nga dokumentet e shkruara arkivore të shtetit, publikuar dhe në revistën “Hylli i Dritës”.
Atje u zgjodhën si deputet të Lushnjës, vetë Sheh Karbunara dhe Lazër Bozo. Kjo erdhi në shenjë mirënjohjeje, të mbarë personaliteteve pjesëmarrës për qytetin i cili, ndryshe nga Durrësi dhe Elbasani, hapi dyert për organizmin e kësaj ngjarjeje vendimtare, në fatin e shqiptarëve. Por im gjysh, reagoi pozitivisht, duke u shprehur se ky akt patriotik, nuk mund të shpërblehet me disa vende në senat, pasi i tillë ishte karakteri i tij, që nuk pranonte fryrje të meritave, në një kohë kur fati i Shqipërisë, kërcënohej nga humbja e integritetit territorial dhe identitetit kombëtar.
Së bashku me Mytesim Këlliçin dhe Abdi Toptanin, u projektua dhe njëherë Tirana si kryeqytet i ardhshmërisë. Vendimet e kongresit të Lushnjës, u zbatuan menjëherë me mbylljen e punimeve të tij, dhe qeveria nën drejtimin e Sulejman Delvinës, zëvendës-kryeministrit, Eshref Frashëri, ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogut, Ministrit të Jashtëm, Mehmet Bej Konica, Ministrit të Arsimit, Sotir Peci, të Drejtësisë z. Hoxha Kadria, me zëvendës z. Hysen Bej Vrioni, ministër Finance, Ndoc Çoba, me zëvendës, Z. Idhomen Kosturi, u përqendruan në zemrën e Shqipërisë së Mesme, Tiranën e mikpritjes epokale.
Komisioni i posaçëm prej pesë vetash, përfaqësohej nga Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kota, Faslli Frashëri dhe Adem Peqini. Uniteti i dëshmuar syresh, qe i pashembullt. Siguria e këtij kongresi, u mbajt prej ushtrisë së 2000 matjanëve, të Ahmet Zogut, njohur atëherë për sukseset e tij të bujshme, në drejtim të mbrojtjes kombëtare, nga sulmet e ushtrive të huaja, veçanërisht serbëve, në Veri të vendit.
Shtëpia ruhet si shtëpi-muze, por edhe Teqeja e Karbunarës, duhet të kishte të njëjtën trajtesë nga autoritetet shtetërore. Ende askush nuk është interesuar deri sot dukshëm për të dy ngrehinat, ndërkohë që i vetmi njeri i cili dhuroi pa limit për fuqizimin e shtetit modern u përndoq nga diktatura deri në ekzekutimin barbar me gjyqin fatzi të deputetëve. Është një emblemë e rrallë në mbarë trevën e begatë të Myzeqesë”.
Intervista me klerikun islamik, z. Shemsi Karbunara
Cili ishte fati i gjyshit tuaj, Sheh Ibrahim Karbunarës, me instalimin e diktaturës komuniste, nëntorin e vitit 1944?
Sheh Ibrahim Karbunarën, autoritetin e padiskutueshëm të trevave të Myzeqesë e Dumresë, dhe themeluesin e Kongresit të Lushnjës, që gëzonte një popullaritet të jashtëzakonshëm, mbas çlirimit, e ngarkuan me detyrën e deputetit, në vitin 1945. Në atë kohë ai, donte që në Shqipëri, të mos kishte vetëm një parti por, të kishte pozitë dhe opozitë, si demokrat që ishte. Pushteti i arrestoi tërë këta personalitete, që ndanin të njëjtat bindje politike, dhe formuan ‘Grupin e Deputetëve’ dhe në Gjyqin Special të tyre, Sheh Karbunara u dënua me pushkatim, bashkë me të birin Hysenin.
Njëkohësisht u dënua dhe Shefqet Beja, nxënës dhe ndjekës i rrugës progresiste të Sheh Karbunarës, si dhe miku i tij më i ngushtë. Krahas tij, miq të tjerë të plejadës së demokratëve liberalë e patriotë, ishte dhe Riza Dani, Enver Sazani, e shumë deputetë të tjerë, që kërkonin një Shqipëri të lirë, një republikë demokratike, si jemi sot. Komunizmi menjëherë i eliminoi ata, duke i parë si kundërshtarët më të rrezikshëm.
Si e përjetuat arrestimin e deputetit dhe shtetarit Ibrahim Karbunara, a mund ta kujtoni atë ditë?
E mbaj mend fare mirë se erdhën natën, rrethuan shtëpinë tonë dhe kontrolluan, pasi hynë brenda me force. Kur e arrestuan gjyshin në shtëpi, ai u tha se ishte deputet, por ata i treguan se i ishte hequr imuniteti dhe e izoluan në një dhomë. E ulën në një sallon dhe për nja dy orë, ngritën në këmbë mbarë shtëpinë. Kujtoj si detaj, në komo kishim disa bizhuterira të familjes, ata e mbyllën atë me dyllë dhe të nesërmen, erdhën e i morën. Se ku i shpunë, një Zot e di!
Sheh Karbunara, si njeri nga shtresë e pasur që ishte, kishte si stoli një unaze floriri dhe orën, këtë të dytën, nuk e di kush mund ta ketë marrë, por unazën ja kam parë në duar personit, që erdhën dhe e arrestuan, unazën e vyer të gjyshit tim, akoma e ka në dorë, në qoftë se rron ende. I morën pa proces-verbal të gjitha stolitë e çmuara të familjes sime dhe i çuan te argjendari, i cili nuk i çmoi dot vlerën e tyre të vërtetë, por ata nuk i kthyen më, dhe s’u mësua më asgjë për “thesarin” e vogël të shtëpisë.
Mbasi plaçkitën çfarë donin, e morën Shehun e Lushnjës me vete. Hysenin, të birin, e kishin marrë që para tre ditëve, se nuk gëzonte mbrojtjen e deputetit. Ne nuk flisnim dot asnjë fjalë, nga frika dhe presioni i torturës së ushtruar. Na nxorën nga shtëpia, na futën në një kasolle dhe që aty, na e morën shtëpinë. Por shtëpia ishte në emrin e babait, i cili e rifitoi sërish me gjyq.
Ata gjetën një formë tjetër, me tatimin sa vlera e shtëpisë. Të detyruar u larguam pa asnjë teshë në Tiranë dhe ndenjëm të strehuar të një miku jonë, Man Brojka, në një dyqan, deri në vitin 1953. Më pas, babain e internuan në fshatrat e Lushnjës dhe xhaxhallarët e tjerë, në Vlorë. Nga ajo kohë, jemi përndjekur ciklikisht.
Çfarë pësoi në burgjet komuniste gjyshi juaj, si deputet demokrat, në vitin 1947?
Ibrahim Karbunara mbasi u arrestua, provoi mbi vete torturat më të rënda e çnjerëzore. Edhe me këmbë e kanë varur, duke i hedhur kova me ujë të ftohtë. Djalit të tij, i kanë çarë me thikë kofshët e tij dhe ja kanë mbushur me kripë, duke e detyruar të thoshte e të bënte, ashtu si thonin ata. Sheh Karbunara, e filloi dhe mbaroi gjyqin, vetëm me “Jo” dhe “Po”, e tjetër gjë nuk e pranoi, me bindje deri në fund. Ky ishte një gjyq tërësisht i sajuar, ndaj intelektualëve të kohës, si; Riza Dani, doktor Enver Sazani, Pertef Karagjozi dhe këtyre personave, iu bënë torturat më të rënda.
Kur thoshte halla asokohe, t’i shkojmë t’i shohim në burg, si janë, gjetën në qelinë e Sheh Karbunarës, rrobat e tij dhe të xhaxhait tim, Hysenit të ngjyera me gjak. Sheh Ibrahimit, kur u dha verdikti dënim me vdekje, syri i tij nuk u drodh, por tespihet në duart e tij, ranë dhe trokitën vetëm një herë. Kështu më ka rrëfyer një mik, dëshmitar okular në sallën e Gjyqit të Deputetëve. Ai dëshmoi dhe njëherë, se në fund të jetës, ishte një burrë shteti, me karakter të fortë, trim, dhe i bëri ballë akuzave, fjalë për fjalë.
Atë e akuzonin se’ gjoja donte të ndërronte pushtetin Stalinist, me fuqitë aleate, si anglo-amerikanët. Ashtu si u eliminua grupi i parë i Bahri Omarit, me Fejzi Alizotin, gjyqi fals, donte në të njëjtën mënyrë, të të zhdukte nga skena politike dhe Sheh Karbunarën, Riza Danin dhe Shefqet Bejën. Ky i fundit, u var tek fusha e druve në Tiranë, ndërsa Riza Alizoti, ish varur në Kuçovë dhe Sulo Klosi, u var në Rubik, si inxhinierë profesionistë të naftës dhe kromit.
Sheh Ibrahim Karbunara, sipas dënimit të gjykatës, duhej të varej, por meqenëse ishte klerik, u pushkatua së bashku me të birin. Ideali i tij politik, për Shqipërinë, ishte jo vetëm një parti në pushtet, por pluralizmi me të gjitha grupimet e majta e, të djathta, që prej social-demokratëve, liberale, konservatore ose demokratike. Mirëpo diktatori Enver Hoxha, donte unin e vet me një parti, dhe koha e tregoi qartë, se ai i hëngri dhe shokët më të afërt që kishte, gjeneralë dhe oficerë, deri te vetë kryeministri i tij.
Z. Shemsi, në dijeninë tuaj, si u prit dhe interpretua në atë kohë ajo ngjarje kriminale, në shtypin e shteteve perëndimore, pra për pushkatimin e Sheh Ibrahim Karbunarës dhe disa deputetë të tjerë, që u dënuan në “Gjyqin e Deputetëve’, në 1947-ën
Mbarë gazetat e botës, krahas atyre të Shqipërisë, shkruan me jehonë për ngjarjen e bujshme ose, lajmin e vrasjes së një pjese tjetër të elitës së kombit shqiptar. Në Itali, Angli e SHBA-ës, ‘Gjyqi i Deputetëve’, u komentua si krim ndaj demokracisë mbarëbotërore, por fatkeqësisht, kjo nuk mund të pasqyrohej edhe në shtypin e vendeve të Lindjes, në të cilat u hesht qëllimisht. Faktet flasin vetë, edhe sot në arkivat e shtetit.
Gjithë miqtë e tij, që ishin jashtë të arratisur, komentuan në shtypin europian, trimërinë e treguar nga Ibrahim Karbunara dhe Shefqet Beja e, burrninë e tyre, ndërsa shumë deputetë të tjerë, u lakuan pak, nga torturat. Prokuror në gjyqin famëkeq, ka qenë Josif Pashko, ai dha dënimin, për atë e bir, me pushkatim. Shokët e tjerë u dënuan me varje, në të njëjtën ditë, në Tiranë, Rubik dhe Kuçovë.
Zv/kryeministër i asaj periudhe, 1945-’47, ishte Koçi Xoxe, dhe diktatori Enver Hoxha, donte ta zhdukte atë, me gjithë klasën politike të krijuar. Ndërsa në krye të parlamentit, me sa mbaj mend, ishte doktor Minarolli. Sheh Karbunara, në ndryshim nga miqtë e tij, ishte arsimuar, si në universitetet orientale, ashtu dhe në ato europiane-perëndimore. Ai ishte më i moshuari, i datëlindjes 1877 dhe u pushkatua në moshën 70 vjeçare. Nga 17 të ekzekutuarit, në 10 tetorin e 1947-ës, tre deputetë u dënuan me varje dhe 14 të tjerët, me pushkatim.
A keni pasur rast, të takoni miq të tij, apo dhe historian, studiues, gazetarë, etj., të interesuar për figurën poliedrike të gjyshit tuaj?
Neve nuk e harrojmë kurrë gjyshin tonë, deputetin dhe prijësin fetar, Sheh Ibrahim Karbunarën, ndërsa ngushëllimet nëpërmjet telefonit dhe postës, më kanë mbërritur rregullisht në këtë ditë zie, nga Anglia, Franca, Gjermania e Austria. Gazetarë të ndryshëm, kanë marrë informacione dhe fotografi të tij, në shtëpinë time, që është kthyer në muze të Gjyqit të Deputetëve. Kujtoj në gazetar britanik, i cili m’u shpreh, në dialogim e sipër, se kish ndërmend t’i dedikonte Sheh Karbunarës, një revistë nën emrin e tij.
Kur ka ardhur doktor Mentor Çoku nga Italia, dolëm ta pritnim në Rinas dhe pas prezantimit të kryetarit të komunitetit alevian, u prezantova edhe unë nga Beqir Ajazi. Menjëherë ai u entuziazmua dhe më përqafoi për respekt të gjyshit, duke u shprehur para të pranishmëve, se; Ibrahim Karbunara, është “Nder i Kombit’, njeri i papërlyer, inteligjent dhe demokrat i flaktë. Ashtu siç foli një personalitet i jetuar në Perëndim, i cili erdhi në atdhe mbas 40 viteve izolim, ashtu edhe personalitete të tjerë, bashkëkohës të tij, janë shprehur për të, që nga Ali Këlcyra, deri te Eqrem Bej Vlora.
Fati i tij i shkruar, që të jepte jetën për Shqipërinë, për të cilën frymoi dhe punoi deri në vet flijim. Edhe sot, si për ironi të fatit, Sheh Ibrahim Karbunara, ashtu si bashkëkohësit e tij, poeti kombëtar, kleriku Padër Gjergj Fishta, është ende pa varr, së bashku me 16 miqtë demokratë të ‘Gjyqit të Deputetëve’ të cilëve nuk u gjinden dot eshtrat. Memorie.al Nga Andi Bica