Bamirësi britanik që u dënua me 20 vite burg për abuzim me fëmijët jetimë në Shqipëri, pritet të lërë qelitë dhe të lirohet nga akuzat pas tërheqjes së dy prej minorenëve që e akuzuan, shkruan sot Mirror.
David Brown ndodhet në burg prej 11 vitesh por tashmë pritet të lirohet pasi dy fëmijët që e akuzuan kanë deklaruar se ‘janë detyruar të gënjejnë’.
Brown, tani 66 vjeç, nga Edinburgh, Skoci u dënua me 20 vite pasi dy djem, rezidentë në një qendër që e kishte ngritur britaniku për fëmijët me probleme, dëshmuan kundër tij.
Por, tani ‘viktimat’ në moshë 18 dhe 22-vjeçare kanë thënë se ata kanë gënjyer pasi policia dhe psikologu i detyruan të bënin dëshmi të rreme.
Të dy paditësit thanë se janë të gatshëm të pranojnë se gënjyen fillimisht në gjykatë, një lëvizje e cila do të çonte në lirimin e Brown.
Në total, 10 djem dhanë dëshmi kundër të akuzuarve të tjerë si bashkëpunëtorë të Brown, Dino Christodoulou, 52 vjeç, tashmë një pedofil i dënuar dhe Robin Arnold, 63 vjeç.
Brown, i cili nuk e ka pranuar asnjëherë akuzën dhe ka deklaruar se është i pafajshëm, beson se makthi i tij në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, mund të jetë drejt fundit.
Duke folur nga qelia e tij e burgut për Daily Record, ai tha se do të qëndrojë në Shqipëri për të mbledhur pjesë të punës së tij kur të lirohet.
I pari nga dy dëshmitarët që akuzoi Brown, Andon Qoshli, tani 22 vjeç, konfirmon se ai do të tërheqë padinë që dha në gjykatë kur ishte 13 vjeç.
“Psikologu dhe polici që hetonte çështjen më bënë presion të thosha se Davidi kishte abuzuar me mua. Ai nuk e ka bërë dhe më vjen keq që ai është në burg. Do doja ta shihja atë jashtë dhe ta përqafoja. David na mori nga rruga dhe na çoi në shkollë”, tha Andoni.
Komentet