Nga Pëllumb Kulla
Më 11 shkurt, u bënë 3 vjet që na la një nga artistët më të mëdhenj që kanë zbukuruar vitet e ngrysura të shoqërisë së shqiptarëve. Artisti më i madh i llojit, për të tëra kohërat,do të thosha. I tillë ishte Skënder Sallaku.
Për të, për natyrën dhe kohën e tij unë them se kam shkruar librin tim më të bukur, libër që është edhe një homazh për të gjithë shokët e tij. Edhe për vete.
Në këto ditë unë do të sjell sic do vit, pjesë nga ky libër.
Gëzimi i përmbysjes
Në një ditë të bukur pranvere të vitit 1991, në sheshin Skëndërbej të Tiranës, qindra mijë njerëz prisnin vizitën e Sekretarit të Departmentit të Shtetit amerikan, Xhejms Bejker. Ishte ardhja e parë e një shtetari amerikan në Shqipërinë tashmë të hapur ndaj botës, pas gjithasaj mbyllje. Monumenti gjigand i Enver Hoxhës ishte gremisur e nën shtërngatën e pështymave, ish hequr zvarrë nga sheshi i madh. Tani ngjante sikur e tëra kjo qe bërë për t’i lënë vend podit të lartë, ku do të pritej përfaqësuesi i botës së lirë. Në ato javë të papërsëritshme plot diell, njerëzit nuk dinin as si ta pinin për ta shijuar më mirë poçen e kohës: e ngrinin gllënjkë pas gllënjke dhe në çdo dy orë, pickonin veten se mos ishin në ëndërr.
Rrugët premtonin një pritje të paparë në histori.
Për të soditur këtë pamje të rrallë, kishim kërkuar një pikë vështrimi të patrazuar nga njerëzit, nga ku të shijonim tërësinë e festës.
Zgjidhja e mikut tim Ilir Bezhani, ishte e përkryer: ballkoni në apartamentin e ungjit të tij!
Kështu, një orë para se Bejkeri të ngjitej në tribunë, ne ishim ulur në një ballkon të katit të pestë në rrugën e Durrësit, nga do të vinte vargu i makinave. Që atje lart ne mund të shikonim djathtas fundin e rrugës, majtas hyrjen në sheshin e madh dhe tribunën e ngritur me ngut, në krah të Kastriotit mbi kalë. Bash prapa derës së ballkonit me ekran të kthyer nga ne, kishim afruar një aparat televiziv. Në të gërshetoheshin pa pushim pamje të aeroportit, të sheshit, të vargut të policëve, që gatiteshin të përballnin valën e turmës së përndezur, fëmijë që prindërit i ngrinin lart mbi supat e tyre, për të parë se mos vinin veturat.
Në ballkonin e katit të katërt, jo tamam ndën ne por pjerrtazi nesh, banorët po nxirrnin disa karrige për të parë edhe ata këtë spektakël.
“Është ballkoni i Skënder Sallakut!” tha Iliri.
Pas pak minutash, Sallakët u vendosën nëpër karrige dhe ngjatjetuan familjet e tjera të dala në ballkonet për rreth. I fundit doli komiku i shquar, koleg dhe mik i vjetër imi dhe i Ilirit. Skënderi vështroi lart nga ne, e vuri re për pak sekonda praninë tonë të pazakontë dhe pastaj bëri drejt nesh një reverancë të thellë, që edhe Bejkeri vetë do të na e kishte zili.
“Po ti?!” i thashë unë, në vend të mirëmëngjesit. “Edhe ti po del në
ballkon?! Ky që vjen është mysafiri ynë. Ju komunistët nuk keni punë me të.”
Skënderi zuri vend në karrige dhe iu përgjigj menjëherë goditjes sime me dialektin e tij të zhdërvjelltë tiranas:
“Ne komunistët ju a sollëm. Ka thonë partia jonë: çfarë do populli bon Partia! Ju sollëm Hrushovin, Çu En Lain… Me meny! Duam Bekerin! Qe, edhe Bekerin! Por amo’, gjithë knej, kah ky boulevard, konë kalu e njikshu, jon pritë.”
“Pse kam përshtypjen unë, se në ato pritje që kujtove ti, populli ka dalë në rrugë me urdhër?”
“Urdhëri ka qenë pjesë e organizimit. Këtë radhë partia jonë e
organizoi të lirë. Dhe kjo demokraci e kjo liri, me urdhër partie erdhën: merrni lirinë! Kush nuk merr lirinë, e pret burgu!”
Kjo ishte gjuha tipike e Skender Sallakut. Në radhët e partisë komuniste që prej mbi një dyzinë vjetësh, Sallakut i pëlqente si një shend i lehtë parodie, të folurit në emër të partisë, me slogane nga më të strepsurit prej përdorimit. Vite me radhë, ajo ishte një si lloj përqeshje e lehtë, elegante dhe e përmbajtur.”
Në ekranin prapa nesh, po jepej zbritja e Bejkerit në Rinas. Turma, poshtë ballkonëve tanë në të dy anët e rrugës këtë nuk e shihte. Njerëzit po i lodhnin para kohe majat e gishtave të këmbëve duke u munduar të shihnin mbi kokat e të tjerëve. Policët shtynin valët e njerëzve për të lënë një korridor të mjaftë për karvanin e gjatë të automjeteve që do të vinin. Si për të bërë provat e pritjes, njerëzit brohorisnin:
“Bejker – Bejker! Ju es ej – Ju es ej!”
Dialogu ynë me Skënderin vazhdonte:
“Eh, si ju vrasin sytë juve këto pamje!” rifillova unë. “Eh, si ju buçasin veshët nga këto brohoritje të gëzueshme të popullit! Eh, çfarë vreri duhet të shkumbëzojë në zemrat tuaja komuniste!”
“Ta dini ju mor budallenj, sa ka punu’ partia jonë për këtë ditë, për këtë gëzim! Asnji nuk kishte për të dalë me e pritë amerikonin sot, po të mos ia kishim marrë shpirtin këtij populli për 50 vjet! Vetëm për me mrritë ke ky gëzim e kena bo’! Vetëm për hatër të amerikonëve! Nji, t’ju shohim juve, që ua lamë pushtetin, kur të vijnë amerikonë të tjerë knej e tutje: vetëm të nesërmen, prej gazetave ka për ta marrë vesh mileti që këtu ka pasë amerikonë!”
Më pas vargu i veturave u duk vërtet dhe ne nuk e shtymë më gjatë dialogun.
Na përpinë të gjithëve episodet e rrallë të shfaqjes së gëzimit, ato që vetë Sekretari i Shtetit Bejker, do t’i përshkruante më pas në kujtimet e tij, si dëshmi të pritjes më madhështore e më prekëse që i është bërë ndonjëherë në jetën e tij: qilimat që hera herës i shtronin para veturës së tij; tentativat për ta ngritur peshë automjetin, që po e sillte në këtë vend aq të cfilitur nga barra e rëndë e diktaturës më të egër komuniste; njerëzit që puthnin paprerë dyert dhe dritaret e veturës; lulet që hidhnin fëmijët mbi xhamat dhe çatinë e saj; lotët që rridhnin mbi faqet e grave dhe burrave, thinjur e thyer nga kjo pritje, që deri pak javë më parë u dukej pa fund.
Sapo spektakli rrëshqiti mbi rrugën poshtë nesh dhe u përpi nga turma që mbushte sheshin e madh, ballkonet u boshatisën si me urdhër. Të gjithë u futën nëpër apartamente, për të ndjekur në ekranet e televizorëve fjalët e mirëseardhjes dhe mirësegjetjes. Edhe Sallakët po e boshatisnin ballkonin.
Para se edhe unë të hyja në apartamentin e Bezhanëve, i hodha një vështrim të fundit Skënderit, i cili ende nuk pat lëvizur nga vendi. Ajo që kish ndodhur para syve tonë, e kish shtënë në mendime të thella dhe komiku nuk u kthye më, as të vazhdonte me mua romuzet në dialogun e ndërprerë e as të shkëmbente mbresat me ne. Ne përjetonim, jo një vizitë shtetërore, jo ardhjen e një përfaqësuesi nga vendi më demokratik i botës, jo një premtim lumturie, që vendi më i begatë i rruzullit dukej se atë ditë e dërgonte me lajmësin e tij më të shquar. Atë ditë prekej me dorë një tabu hije rëndë dhe hapej mbi botën e lirë një portë, së cilës i rrapëllinin hekurat e ndryshkur.
Skënderi, ky njeri, që të gjithëve u le përshtypjen se ndaj fenomeneve të madhërishme nuk është kurrë aq sa duhet serioz, ndihej se kish mbetur i shokuar nga ajo që pat ndodhur poshtë nesh. Më dukej se në atë meditim, ashtu mbështetur mbi hekurin e ballkonit, ky artist i vyer, po kuptonte se fantazia e tij e ndezur, ia pat sjellë mijëra herë pritjen e Bejkerit në ëndërrimet e tij, por jo, kurrë me bukurinë e sotme! Përsëri unë dyshoja se Skënder Sallaku nuk kish as vetëdijen më të vogël, se sa shumë pat bërë ai për të ardhur te kjo ditë. Teksa për vetëdijen e turmës isha i sigurtë fare: ajo turmë që zgjatej poshtë ballkonit dhe mbushte sheshin, nuk e kuptonte se këtij njeriu që i pat lehtësuar natën e gjatë, ajo i kish borxh një pjesë të gjallërisë, të gëzimit të lirisë, i kish hua një pjesë të shpresave dhe të mbijetesës.

Komentet