“Një organizatë amerikane e të drejtave të njeriut ka akuzuar qeverinë komuniste të Shqipërisë, se ka shtypur lirinë e besimit, të shprehjes dhe lëvizjes. Shqipëria, një vend me 3.2 milionë banorë, instaloi ateizmin në Kushtetutën e saj, duke nxjerrë jashtë ligjit të gjitha besimet”, thuhet në draft-raportin e organizatës. Ai thotë se liria e shprehjes, lëvizjes dhe shoqërimit, janë ulur në mënyrë drastike dhe disidenca (mendimi kundër), është ndëshkuar ashpër me dhunim fizik dhe burgosje për periudha të gjata.
Ekspertët e Minnesotas të “Komitetit Ndërkombëtar të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut”, një grup i pavarur me më shumë se 800 juristë, profesorë dhe gjykatës, është duke nxjerrë një raport për Shqipërinë, në fund të këtij muaji.
Komiteti e ka ndërmarrë projektin për Shqipërinë, si pjesë e një serie studimesh për vendet ku praktikat e të drejtave të njeriut kanë një shmangie më të madhe sesa standardet ndërkombëtare.
Komiteti kërkon nga qeveria shqiptare që të shfuqizojë ligjet për ndalimin e besimeve fetare dhe ushtrimin e tyre, dhënien fund të torturave dhe arrestimeve arbitrare, garantimin e lirisë së shprehjes, mbrojtjen e minoriteteve dhe garantimin e lëvizjes së tyre, brenda dhe jashtë vendit.
Disa përmirësime krahasuar më parë
Në rishikim e periudhës 40-vjeçare, të shtypjes së të drejtave të njeriut, Komiteti tërheq vëmendjen për disa përmirësime që kur vdiq udhëheqësi stalinist, Enver Hoxha, në vitin 1985; ndryshimet simbolike ndodhen me Ramiz Alinë, pasardhës i zotit Hoxha, qeveria e të cilit, ka ndaluar kremtimin e ditëlindjes së Stalinit.
“Theksojmë vështirësitë në investigimin në Shqipëri, – thotë burimet zyrtare të Komitetit, – pas përgjigjes negative të autoriteteve në Tiranë, në kryeqytetin shqiptar, rreth kërkesës për të lejuar vëzhgimin e gjendjes së të drejtave të njeriut”. Letrat iu dërguan zotit Alia dhe Misionit shqiptar në Kombet e Bashkuara, ku i kërkoheshin komente rreth raportit të propozuar, si dhe për problemet e pazgjidhura ende.
Në pamundësi të një vëzhgimi në terren, Komiteti u bazua në një studim 2-vjeçar të bërë me intervista, të marra emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, Greqi, Itali, Jugosllavi, të cilët përgjigjeshin pa e identifikuar emrin e tyre, sepse mund të kishin probleme të afërmit e tyre në Shqipëri.
Aty ka gjithashtu intervista me specialistë, udhëheqës në ekzil, akademikë, gazetarë, diplomatë dhe anëtarë të tjerë të grupeve të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që kishin njohje për Shqipërinë.
“Shqipëria cilësohej një bastion i shtypjes së brendshme dhe vetizolimit”, – thotë ish-zëvendëspresidenti Walter F. Mondale, një anëtar i Komitetit, teksa shkruan hyrjen e raportit dhe që shpreson se mund të ndihmojë, duke inkurajuar qeverinë shqiptare, që të ndryshojë praktikat e të drejtave të njeriut dhe të ndihmojë njerëzit që vuajtën për një kohë të gjatë, në këtë vend ballkanik.
Tortura cilësohet e zakonshme
Duke bërë të ditur se një numër i të burgosurve politikë nuk janë njohur, raporti përshkruan në detaje mënyrën e funksionimit të një sistemi të gjerë të kampeve e burgjeve dhe të punës së detyruar, ku njerëzit mbaheshin brenda për shkak të besimit apo dhe dogmave të tyre.
Megjithëse një numër të dënuarish politikë kanë besuar se duhet të marrë fund një gjë e tillë, raporti thotë se ka një shenjë të vogël të uljes së personave, pasi ka shkelje të procedurave të marrjes së provave dhe dëshmive, si dhe të torturave në qeli, të cilat raportohet se ishin bërë pjesë e zakonshme, në sistemin e drejtësisë.
Një dëshmitar, i identifikuar si J., ishte arrestuar në vitin 1986, pas refuzimit të votës për kandidatin lokal të Partisë Komuniste dhe ishte dënuar deri në 10 vjet burg politik.
Ai ishte goditur në mënyrë të vazhdueshme në kokë, fytyrë dhe stomak, me doreza metalike dhe që e kishin lënë brenda në qeli aq shumë, saqë ai nuk mund të lëvizte kokën, për 6 muaj me radhë.
Dokumentet tregojnë sesi V., një banor nga pjesa lindore e vendit, ishte ndaluar që të udhëtonte brenda Shqipërisë dhe ishte arrestuar për 24 orë, ku ishte rrahur me një shkop gome.
Udhëtimi midis qyteteve, kërkonte leje dhe aprovim më parë nga autoritetet në secilin qytet, për çdo udhëtim që do të propozoje.
Sipas këtij studimi, çdo person konsiderohej i rrezikshëm për shoqërinë dhe mund të dënohej deri në 5 vjet për transferim (ekzil-internim) brenda vendit.
Ai thotë se ishte i shpeshtë keqtrajtimi i anëtarëve të familjeve, që kishin njerëzit jashtë vendit, siç ishte rasti i V., prindërit e të cilit ishin dërguar në internim, pas arratisjes së tij në vitin 1987.
Sanksionet për arratisjet
Shqiptarët e kanë të ndaluar, me përjashtim të misioneve të aprovuara zyrtarisht dhe nën rregullat të forta penale, që të dalin jashtë vendit. Ata dënoheshin nga 10 vjet burg, deri në vdekje.
- A., një emigrant që ka shërbyer si roje në kufirin me Greqinë, në mesin e vitit 1980, thotë se një tel rrethues metalik, me rrymë elektrike, ishte për të ndaluar këdo që përpiqej që të arratisej jashtë vendit dhe sapo e prekte dikush atë, ai lëshonte alarm dhe drita.
“Komunistët, menjëherë pas ardhjes në pushtet në vitin 1944, organizuan aktivitete kundër besimeve fetare, ekzekutuan dhe burgosën priftërinj dhe të tjerë klerikë”, – thotë raporti. Në pranverën e 1966-s, Shqipëria lançoi një revolucion ideologjik dhe kulturor në mbështetje të aleates së saj, Republikës Popullore të Kinës.
“Në shtator të vitit 1967, të gjitha ndërtesat, përfshirë 2169 kisha, xhami, teqe, tyrbe dhe manastire, u mbyllën. Disa u kthyen në vende banimi, qendra kulturore, magazina ose, stalla bagëtish”, – thotë raporti.
Mbështetja e ateizmit
Neni 37 i Kushtetutës së vitit 1976, thotë se; “Shteti njeh dhe mbështet cilindo që mbështet propagandën ateiste, për qëllimin e rrënjosjes së pikëpamjes botërore të materializimit shkencor, tek njerëzit”.
“Të gjithë ata që besonin në fe, dënoheshin ashpër”, – thotë personi i intervistuar. Një emigrant i identifikuar si I., thotë se një shtetas në vendlindjen e tij, që ishte besimtar, në vitin 1988, u dënua me 5 vjet burg.
Një tjetër emigrant, i quajtur L., tha se njeh persona që janë dënuar deri në 10 vjet burg politik, sepse kanë pasur në shtëpi, librin e Biblës.
Për lajmërimin se mund të kishte një politikë lehtësuese, raporti citon një letër të përfaqësuesit të Shqipërisë në OKB, në maj të vitit 1988, që thotë se; “çështja e besimit fetar në Shqipëri, tashmë është konsideruar si një e drejtë, një çështje private, që është në ndërgjegjen e çdo individi”.
Gjithashtu, studimi nënvizon rëndësinë e vizitës se tre klerikëve shqiptarë, në vitin 1988.
At Artur Liolinit, drejtues i lartë i Dioqezës Ortodokse Shqiptare në SHBA-ës, Imamit Vehbi Islami, drejtor i Qendrës Islame Shqiptare në Harper Woods, në Miçigan dhe priftit jezuit Ndoc Kelmendi.
Ndryshimi i qëndrimit u reflektua edhe për Nënë Terezën, me origjinë shqiptare, që i ishte refuzuar dhënia e vizës, por që u lejua të kthehej në Shqipëri, në gusht të vitit 1989, që të vizitonte varret e prindërve të saj.
Dhe, At Liolin, që ishte ftuar sërish për vizitën e dytë në nëntor që të merrte pjesë në 45-vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtimi nazifashist.
“Konstatojmë se politika e qeverisë ‘Alia’, për ushtrimin e besimeve, duket më pak e ngurtë sesa e paraardhësit të tij”, – paralajmëron raporti, duke shtuar se; “shprehja e besimit fetar, mund përcillet vetëm në disa mënyra të kufizuara dhe ende përbën një rrezik të madh, individual dhe shoqëror”. Memorie.al/
Nga MARVINE HOWE
Shkrimi është publikuar në ‘New York Times’ më 21 janar 1990