SHKUP – Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, pas takimit me presidentin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në Vilën Presidenciale “Villa Vodno” në Shkup, në të cilën theks i veçantë ishte kriza e emigrantëve dhe roli i Maqedonisë me të, porositi se bashkëpunimi në këtë fushë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndërsa theksoi se Evropa mbetet e gatshme për të përmbushur nevojat e vendit, qoftë në mbështetje humanitare për komunitetin lokal, qoftë në mjete apo resurse humane, raporton Anadolu Agency (AA).
“Ju jeni në pozitën më të mirë nga të gjithë për të treguar se sa ishte e rëndësishme mbyllja e rrugës së Ballkanit Perëndimor dhe përsëri të sigurohet kontrolli i kufijve si rezultat të ketë stabilitet në rajon. Zhvilluam një strategji gjithëpërfshirëse për t’u përballur me krizën e emigrantëve dhe sot rruga e Ballkanit Perëndimor praktikisht mbetet e mbyllur, e gjithë kjo në saje të përpjekjeve tuaja”, deklaroi Tusk.
Kreu i Këshillit Evropian foli edhe për krizën aktuale politike që ka përfshirë Maqedoninë. Ai duke iu drejtuar presidenti Ivanov theksoi se nuk është e lehtë që të sigurohet një lidership në këto kohë të vështira të vendit. Duke theksuar se uniteti sot është shumë i nevojshëm për vendin, Tusk porositi që t’u shmangen veprimeve që do të ushqenin tensionet, ndër të tjera edhe në baza etnike.
“Kjo krizë politike është duke mbajtur vendin tuaj prapa rrugës euro-atlantike. Mbetet tek ju që të gjeni një zgjidhje në përputhje të parimeve demokratike, mirësjelljes dhe të arsyeshme. Vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë e qëndrueshme. Kur ta gjeni atë, mund ta llogarisni mbështetjen tonë”, theksoi Tusk.
Komentet