Ylli turk i muzikës “pop”, Gylshen (Gülşen )që konsiderohet si Madonna turke, përballet me burg, pasi pushteti në Turqi po bënë përpjekje në rritje të shtypë krijuesit e muzikës pop, që po popullarizohet. Goditja shihet nga disa si një përpjekje e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan për të tërhequr bazën e tij votuese fetare teksa zgjedhjet afrohen dhe të rinjtë shprehin pakënaqësi me ekonominë.
Një nga yjet më të mëdha të muzikës turke, Gylshen, për shkak të muzikës, veshjes dhe mbështetjes së saj për komunitetin LGBTQ, njihet gjerësisht si “Madonna turke”.
Por, Gylshen përfundoi në gjykatë dhe burg pas publikimit të një videoje private, ku ajo dëgjohet duke bërë shaka me shkollat fetare.
Gylshen është vënë në shënjestër nga islamistët jo vetëm për veshjet, por edhe mbështetjen e lëvizjes LGBTQ
“Gylshen është vënë në shënjestër nga islamistët për një kohë të gjatë, jo vetëm për mënyrën se si shfaqet në emisionet e saj, për veshjet, por edhe për mbështetjen e lëvizjes LGBTQ”, thotë për Zërin e Amerikës, Nazli Okten nga Universiteti Galatasaray.
Burgimi i Gylshenit shkaktoi zemërim dhe nxiti një fushatë kombëtare për lirimin e saj.
Departamenti Amerikan i Shtetit shprehu shqetësim për ndalimin e saj.
Ajo u lirua, por përballet me burg nëse dënohet nën akuzat për nxitje të urrejtjes fetare.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, gjatë një fjalimi të kohëve të fundit, e mbështeti ndjekjen penale të Gylshenit. Me zgjedhjet më pak se një vit larg dhe Erdoganin që mbetet si kandidat, vëzhguesit thonë se ai mund të jetë duke kërkuar të fuqizojë mbështetjen nga votuesit fetarë.
Gjatë verës, autoritetet turke ndaluan shumë festivale muzikore duke i akuzuar ato për korruptim të të rinjve.
“Këto festivale sigurojnë para të mëdha për industrinë, jo vetëm për artistët, por edhe për njerëzit që punojnë në prapaskenë. E di që së fundmi janë anuluar 20 festivale. Për cfarë? Për identitetin etnik, pikëpamjen politike të artistes, apo për mënyrën e veshjes së një këngëtareje?” pyet Ipek Kocyigit, kryetare e Unionit të Muzikantëve
Festivalet e muzikës “pop”, duke u mbajtur shpesh para dhjetëra mijëra njerëzve, janë përhapur edhe në rajonet më konservatore të Turqisë.
“Këto tubime kthehen në simbol të një mënyre të ndryshme jetese, por në fund të koncerteve njerëzit nganjëherë dalin me parulla. Ka tubime të tilla që ndonëse nuk janë tubime opozitare, aty përhapet një lloj pakënaqësie”, thotë zonja Okten nga Universiteti Galatasaray
Me zgjedhjet që pritet të mbahen vitin e ardhshëm dhe me inflacionin afër njëqind për qind, ekspertët thonë se votuesit e rinj përbëjnë kërcënimin më të madh për presidentin turk.
Një shumicë dërrmuese e të rinjve në Turqi tani preferojnë një sistem demokratik
“Një shumicë dërrmuese e të rinjve në Turqi tani preferojnë një sistem demokratik shumëpartiak sesa një sistem autokrat, me një udhëheqës të fortë, kjo është një gjë e mirë. Lajmi i dytë i mirë është se mbi 80% i japin përparësi lirisë së shprehjes mbi të gjitha”, thotë për Zërin e Amerikës, Can Selcuk nga firma turke me seli në Stamboll për Studime dhe Këshilla Ekonomike
Gjykimi i Gylshenit fillon në tetor, ndërsa prokurorët kërkojnë burgosjen e saj. Ekspertët thonë se kjo do e rriste përkrahjen e bazës konservatore të presidentit turk, Erdogan, por rrezikon të izolojë më tej një rini gjithnjë e më të pakënaqur, ndërsa afrohen zgjedhjet.
Komentet