Associated Press
Rikthimi i Cristiano Ronaldos, një Kylian Mbappe i papërmbajtshëm dhe një Gjermani e ringjallur.
Shtoja atyre edhe një Angli të fuqizuar nga Harry Kane dhe kampionen në fuqi Italinë, dhe EURO 2024 – që nis më 14 qershor – është thjesht e paparashikueshme.
E gjithë kjo pa e përmendur fare tri herë fituesen, Spanjën.
Në fund të fundit, ky është një turne të cilin e ka fituar autsajderja Greqia më 2004. Më 1992 atë e fitoi Danimarka, një kombëtare e cila nuk madje nuk ishte kualifikuar për turneun, por iu mundësua pjesëmarrja në çastin e fundit kur Jugosllavia e përfshirë në luftë u përjashtua.
Nikoqirja Gjermania shpreson se do ta krijojë një atmosferë festive dhe mikpritëse për miliona tifozë të futbollit, të cilët do t’i shkojnë ndeshjet në stadiume apo në zona e caktuara për tifozë nëpër gjithë vendin – njësoj siç bëri kur e organizoi Kupën e Botës më 2006.
Megjithatë, ky turne do të zhvillohet në një kontekst politik më ndryshe. Ngjarja kryesore sportive në Evropë prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës po mbahen nën hijen e konfliktit më shkatërrues në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Ukraina është pjesëmarrëse dhe mund të presë pritje të ngrohtë në Gjermani, e cila ishte nikoqire e ndeshjeve të kombëtares ukrainase si vendëse gjatë fushatës kualifikuese.
Rusia u përjashtua nga kualifikimet dhe është e pezulluar nga të gjitha garat ndërkombëtare nga organi i futbollit qeverisës në Evropë, UEFA, si dhe nga shtëpia e futbollit botëror, FIFA.
Ndërkohë, Gjeorgjia po shkon në kampionatin e parë të madh të futbollit në një kohë kur kriza në atdhe është thelluar.
Vendi i Kaukazit Jugor është përballur me protesta disajavore kundër një ligji kundërthënës, për të cilin kundërshtarët thonë se do t’i luftojë liritë e mediave dhe do të jetë pengesë në rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Si gjithmonë, Kampionati Evropian është i kërcënuar nga huliganizmi, ku përleshjet mes tifozëve rivalë janë bërë ndodhi e zakonshme. Por, kërcënimi nga terrorizmi dhe dhuna politike janë bërë shqetësim edhe më i madh për sigurinë, pas një sërë sulmesh ndaj politikanëve në Gjermani.
Autoritetet gjermane kanë vendosur t’i rrisin dhe shpeshtojnë kontrollet kufitare gjatë turneut të futbollit. Më shumë se 20.000 oficerë të policisë do të jenë në detyrë.
Duke i parë tensionet rreth luftës në Rripin e Gazës, UEFA dhe Gjermania i shmangën shqetësime më të mëdha kur Izraeli dështoi të kualifikohej për EURO 2024.
Në fushën e gjelbër ka arsye për ta pritur një turne drithërues, pa kufizimet e COVID-19 të cilat ishin vendosur gjatë evropianit të kaluar më 2021.
Anglia dhe Franca janë në mesin e kombëtareve favorite.
Tre vjet më parë, Anglia u mposht në finale në penallti nga Italia, duke dështuar për pak ta fitojë trofeun e parë të madh prej Kupës së Botës 1966.
Francës gjithashtu ia theu zemrën një disfatë në penallti në finalen e Kupës së Botës 2022 kundër Argjentinës në Katar. Kylian Mbappe mbetet ylli i saj kryesor, por ai është i rrethuar nga talente ta klasit botërorë në skuadrën franceze, me lojtarë në formë si Antoine Griezmann, Eduardo Camavinga, Aurelien Tchouameni, Ousmane Dembele dhe Kinggsley Coman.
Ronaldo do të kthehet të garojë në Evropë, pasi shkoi në Arabinë Saudite për të luajtur për klubin e tij të futbollit. Madje edhe në moshën 39-vjeçare, ish-ylli i Manchester United dhe Real Madrid, ende është një makineri golash – pasi i shënoi hiç më pak se 10 gola në fushatën e përkryer kualifikuese të Portugalisë.
Gjermania është një pikëpyetje pas një sërë turnesh zhgënjyes në vitet e fundit, por trajneri i ri Julian Nagelsmann e ka ringjallur humorin në ekipin nikoqir tamam në kohë për EURO 2024, duke ngritur moralin e lojtarëve me fitoret e fundit në miqësore kundër Francës dhe Holandës.
Parashikimet për Italinë janë të rrezikshme, pasi kombëtarja e fuqishme e futbollit botëror dështoi të marrë pjesë në dy botëroret e fundit, por e fitoi evropianin që u mbaj në mes tyre.
Spanja synon ta kthejë lavdinë e dikurshme, pasi e kishte mbizotëruar futbollin ndërkombëtar nga viti 2008 deri në vitin 2012, kur i fitoi dy evropiane dhe u kurorëzua kampione e botës.
Kombëtaret e tjera që nuk duhet humbur nga vëmendja janë Kroacia, e cila doli e treta nga Botërorin e Katarit, për të cilën Luka Modrici i Real Madridit ende po luan futboll të nivelit më të lartë. Brezi i artë i Belgjikës është shpërndarë, por ajo u kualifikua në EURO 2024 si fituese e grupit, me sulmuesin Romelu Lukaku si golashënuesi më i mirë me 14 gola.
Nëse ky është një vit i një befasie tjetër, atëherë kombëtaret e mundshme për ta bërë këtë janë Austria e Ralf Rangnickut, e cila mahniti gjatë kualifikimeve; Danimarka, gjysmëfinaliste e EURO-s së fundit; apo Serbia, e cila ka një sulm goxha të tentuar.
Shqipëria – që merr pjesë për herë të dytë në histori – do ta ketë një grup zor ta kalueshëm, pasi përballet me Italinë, Spanjën dhe Kroacinë. Kosova dështoi të kualifikohej.
Në një turne ku kanë ndodhur disa prej befasive më tronditëse në futbollin ndërkombëtar – gjithçka është e mundur. radio Evropa e Lirë