***
Mbas pesë vjetësh, në pranverën e vitit 1942 – takohemi në Romë me Dom Mikel Koliqin. Kishte ardhë për t’i vu kunorë vëllaut të vet, Prof. Ernest Koliqit që martohej me Vangjelia Vuçanin, arsimtare nga Tirana.
Para nji elite të zgjedhun dhe në prani të miqve dhe të dashamirëve ata vunë kunorë në nji kishë të vogël të lagjes aristokrate Parioli. Dëshira e Ernestit ishte që i vëllau i tij D. Mikel Koliqi t’ia vinte kunorën.
Dhe ashtu u ba!
Mbas celebrimit të martesës, ashtu siç ishim, me vetura shkruem në rrugën e famshme Vittorio Veneto, ku në sallën e hotelit luksuoz “Ekscelsior” ishte shtrue për ne të ftuemit nji banket shumë elegant. Aty patëm rast të njiheshim dhe të kuvendonim edhe me njerëz tjerë të artit e të kulturës, me miqtë e Ernestit të ardhun nga shumë vende të ndryshme. Në at mjedis luksuoz, në fund të banketit, bashkëshortët Ernesti dhe Vangjelia na servirën me konfektet e bardha të dasmës.
Mbas ceremonisë, në hollin e atij hoteli luksoz u ndalëm në nji bisedë shumë të përzemërt me Dom Mikelin. Unë isha në valën e studimeve. Ishte viti i fundit dhe do të jepja gjashtë provime si dhe tezën e doktoratës. Dom Mikeli u interesue shumë për përmbajtjen e tezit sepse iu duk mjaft interesante:
“Le consuetudini giuridiche come attivita spirituale del popolo albanese” (Doket ligjore si veprimtari shpirtnore të popullit shqiptar).
Zgjedhja e ime iu duk pak e vështirë veçse e bukur dhe interesante. Kur i thashë se tezën do ta zhvilloja me Profesorin e Filozofisë të së Drejtës Cesarini Sforza, më tha se e njihte dhe se ishte profesor i mirë, dhe shumë kërkues. I tregova se kisha disa muej që po punoja me Profesorin dhe se më kishte dhanë nji ndihmë të madhe për të dalë sa ma mirë. Mbasi më dha disa udhëzime dhe më tregoi disa gjana shumë interesante nga eksperienca e tij në Malsitë e Shkodrës, u ndame me porosi që kur të kthehesha në Shqipni të shkoja ta takoja në Shkodër…
* * *
Në qershor të atij viti dhashë gjashtë provimet dhe tezën e doktoratës. U ktheva në Shqipni për të krye stazhin e avokatisë. Mbas tetëmbëdhetë muejsh fitova edhe titullin e avokatit për ta ushtrue profesionin në gjykatën e shkallës së parë të Tiranës dhe të Durrësit.
Shqipnia përjetonte ditë të vështira. Mbas kapitullimit të Italisë – ushtritë gjermane u instaluen në vendin tonë. Jeta ekonomike, politike, kulturore dhe shoqnore ishte krejtësisht e paralizueme.
Kah fundi i vitit 1944, në Tiranë u instalue qeveria komuniste. Veprimi i parë i kësaj qeverie monstruoze ishte burgosja masive: do të burgoseshin të gjithë ata që në jetë, në aktivitete dhe në shoqni kishin mbajtun qëndrim nacionalist.