Senad Guraziu, dhjetor 2023 (art kaligrafik + art digjital)
Në “kulmin” e strukturës qeveritare të perandorisë osmane ishte një diç si agjenci elitare perandorake, Kancelaria Zyrtare Perandorake (zyrat i kishte në pallatin Topkapi, dmth. të Stambollit, “Porta e Lartë”). Agjencia i krijonte, i kopjonte (shumëzonte) dhe i regjistronte të gjitha dekretet zyrtare qeveritare, të njohura si firmane, sikur dhe traktatet, letrat dhe korrespondencën zyrtare të qeverisë perandorake. Çdo dekret (firman) perandorak fuqizohej me nënshkrimin zyrtar të sulltanit të radhës në pushtet.
Signatura emblematike e autoritetit të sulltanit që përfshihej në të gjitha dokumentet zyrtare (firmanet ose dekretet mbretërore, letrat zyrtare, korrespondencat, monedhat), ishte nënshkrimi i ashtuquajtur “tugra”. Pikërisht nënshkrimi (tugra), e zyrtarizonte dokumentin. Tugrat në dokumentet e rëndësishme osmane që datojnë nga fillim-shekulli XVI e tutje, ishin vepër e një zyrtari të specializuar enkas për këtë punë ( zyrtar i njohur si “tughrakeş”). Detyra bazike e tij ishte t’i vendoste tugrat në krye të çdo dokumenti.
Derisa stilistika e veçantë e signaturës do ndryshonte me secilin sulltan të radhës, forma e “tugrës” bazë do ngelej praktikisht e pandryshuar gjatë gjithë periudhës së sundimit osman.
Dokumentet e lëshuara nga kjo agjenci e qeverisë perandorake krijoheshin enkas për ta pasqyruar fuqinë dhe madhështinë e sundimtarit (sulltanit të radhës), në emër të të cilit lëshoheshin. Në krye të çdo firmani vendosej një “mbishkresë” kaligrafike (specifike për secilin sulltan), e njohur si tugra. Signatura e tillë unikale jo vetëm tregonte burimin e urdhrit a të firmanit, por shërbente gjithashtu si përfaqësim vizual publik (i sundimtarit).
Tugra konsiderohet si një nga krijimet më tipike dhe origjinale të artit islamik. Sipas burimeve nga muzeumi Metropolitan (New York), periudha osmane (në artin islamik) do sillte një sërë modelesh kaligrafike të jashtëzakonshme, si në shkallë monumentale për dekorimin e ndërtesave (të xhamive psh), e po ashtu dhe në kaligrafinë e tugrave unikale.
Përdorur në v. 1324 nga sulltani i parë osman, më vonë signatura qe zhvilluar në një formë më komplekse dhe delikate. Tugrat më të hershme osmane që kanë mbijetuar qenë ekzekutuar vetëm me bojë të zezë. Nivelin më të rafinuar të artit kaligrafik “tugra” do e arrinte në kohën e Sylejmanit të Madhërishëm (i cili pati sunduar nga v. I520 deri 1566). Thuhet se “tugrat” e tij janë ndër më të përpunuarat dhe më monumentalet si shembuj të artit kaligrafik. Me madhështinë e linjës dhe me delikatesën e modelit të zbukurimit (ornamentet florale), tugrat e tij e përfaqësojnë fuqinë dhe finesën e dizajnit kaligrafik osman.
Tugra përmbante emrin e sulltanit në fuqi, emrin e babait të tij, titullin e tij dhe frazën “ngadhnjimtar përjetësisht” (ose “prore, përherë ngadhnjimtar”).
“Zyrtari-artist specifik i oborrit (tughrakeş) ngarkohej me detyrën e vizatimit të tugrës standarde (të pazbukuruar). Pastaj një ilustrator-iluminist i specializuar merrej me dekorimin e hollësishëm të tugrës. Ky do i shtonte të gjitha ornamentet dhe stilizimet florale. Dizajni delikat rrotull linjës kaligrafike (me lulet natyraliste, duke krijuar një efekt voluminoz shumëngjyrësh) e përmirësonte shijen harmonike të kaligrafisë” – shkruante autori Walter Denny, në notën e katalogut ku prezantohej tugra e sulltan Sylejmanit (Metropolitan, NY).
***
Kaligrafia (nënshkrimi):
Sylejman Khani, i biri i Selim Khanit, përjetësisht ngadhnjimtar (“mbretërimi i tij të zgjasë përjetshëm”, ose “mbretërimi i tij qoftë përgjithmonë”)
Më poshtë, me shkronja të florinjta:
Ky është nënshkrimi fisnik, i lartësuar, brilant, kodi i Khakanit, vula iluministe e botës dhe adhurimfalëse [u bëftë efikase me ndihmën e Zotit dhe mbrojtjen e të Përjetshmit]
Urdhri i tij është që […]
[ Djathtas ] Sulltan Sylejmani, i Madhërishmi (1494-1566) – Art Digjital (Lexica Aperture – AI Engine) – Sky Division, 2023