Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar të enjten vonë – sipas orës lokale – nominimin e republikanëve për president në garën e nëntorit, teksa ka mbajtur një fjalim në Konventën Kombëtare të Republikanëve.
Në fjalim, ai e ka përshkruar si e ka përjetuar atentatin ndaj tij ditë më parë.
“Nuk ishte supozuar të isha sonte këtu”, ka thënë Trump para mijëra pjesëmarrësve, të cilët e kanë dëgjuar në qetësi.
“Pati gjak duke rrjedhur gjithandej, por në një mënyrë kam pasur besim, sepse e kam pasur Zotin në anën time”.
Trumpi ka pësuar një lëndim në veshin e djathtë, kur sulmuesi i identifikuar nga autoritetet amerikane si Thomas Matthew Crooks, 20-vjeçar, e ka goditur atë dhe turmën e mbledhur në kuadër të fushatës, para se të vritej prej Shërbimit Sekret, më 13 korrik.
Një anëtar i audiencës ka vdekur nga plagët e marra.
Trumpi është zotuar për t’iu dhënë fund konflikteve në botë, përfshirë atë në Ukrainë.
Në adresimin e tij 92-minutësh – më gjatin ndonjëherë në historinë e Konventës – Trumpi i ka kritikuar ashpër politikat e jashtme të presidentit aktual, Joe Biden, përfshirë largimin kaotik të ushtarëve amerikanë nga Afganistani, në gusht të vitit 2021.
Teksa ka përsëritur shumë pretendime të rreme, të cilat i ka bërë edhe në të kaluarën, për “vjedhjen” e zgjedhjeve më 2020, krimin në Shtetet e Bashkuara, ekonominë dhe politikat e imigrimit, Trump ka thënë se mund t’i ndalë luftërat “me një thirrje telefonike”.
Këtë deklaratë, disa e kanë parë si referencë për luftën në Ukrainë, të nisur nga Rusia më 2022.
Ai është zotuar edhe për kthim të “pengjeve amerikane” në shtëpi, të cilat po mbahen në shumë vende të botës, referencë që besohet se përfshin disa shtetas amerikanë që mbahen aktualisht në Rusi.
Në disa raste përgjatë fjalimit, ai ka folur me tone më të buta dhe me mesazhe shumë personale, të lidhura nga përvoja e tij e atentatit dhe mundësitë për vdekje.
“Ndasitë në shoqërinë tonë duhet të shërohen. Duhet t’i shërojmë shpejt. Si amerikanë, ne jemi të lidhur me fatin e njëjtë. Ne rritemi bashkë. Ose rrëzohemi bashkë”, ka thënë Trump, duke mbajtur një fashë në veshin e djathtë, pas goditjes që ka përjetuar gjatë atentatit të shtunën.
“Po garoj të jem president i gjithë Amerikës, jo gjysmës së Amerikës, sepse nuk ka fitore duke siguruar fitoren e gjysmës së Amerikës”.
Adresimi i Trumpit shënon përmbylljen e Konventës katërditore të Republikanëve, në të cilën kanë marrë pjesë mijëra aktivistë teksa rritet presioni për zgjedhjet presidenciale të nëntorit, në të cilat Trump pritet të përballet me presidentin aktual, Joe Biden, i cili synon edhe një mandat të dytë.
Ndonëse kanë mbetur më pak se katër muaj deri te gara, ende ekziston mundësia e ndryshimeve të mëdha.
Biden, 81-vjeçar, është përballur së fundmi me presion nga aleatët në Kongres, donatorë dhe madje nga vetë ish-presidenti amerikan, Barack Obama – mik i mirë i Bidenit – për të hequr dorë nga gara, pasi ka shqetësime se ai nuk do të mund t’i fitojë zgjedhjet, sidomos pas një debati të përballjes me Trumpin javë më parë, që nuk ka kaluar mirë.
Aktualisht Biden është në izolim në shtëpinë e tij në Dellauer, pas infektimit me koronavirus, i cili shkakton sëmundjen COVID-19.
Biden, i cili është raportuar se po përjeton simptoma të lehta, është i vaksinuar kundër këtij virusi dhe ka dozë përforcuese.
Ai është infektuar dy herë tjera me këtë virus në të kaluarën. Radio Evropa e Lirë