Presidenti amerikan Donald Trump ka përsëritur se dëshiron ta shohë Kanadanë të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-ve. Ai e bëri deklaratën para gazetarëve në Zyrën Ovale, pak para se të kishte telefonatën e dytë të ditës me kryeministrin e Kanadasë, Justin Trudeau, për të diskutuar një kompromis që synon shmangien e një “lufte” tregtare midis dy vendeve. I pyetur se çfarë duhet të bëjë qeveria kanadeze për të shmangur tarifat, Trump tha: “Nuk e di. Ne kemi një deficit të madh tregtar me Kanadanë”.
Trump shtoi se ai priste të kishte një bisedë me homologun e tij kinez, Xi Jinping, brenda 24 orëve të ardhshme, pasi njoftoi se do të vendoste tarifa 10 për qind për produktet e importuara nga Kina.
Marrëveshjet me Ukrainën dhe BE-në
Presidenti vazhdoi të trajtojë çështjen e politikës së jashtme të SHBA-së, duke thënë fillimisht se ai synon të negociojë një marrëveshje me Ukrainën për të marrë toka të rralla dhe minerale nga vendi në këmbim të ndihmës ushtarake dhe më pas duke thënë se “Bashkimi Evropian ka “abuzuar për vite me radhë” ndaj Shteteve të Bashkuara, dhe “ata nuk mund ta bëjnë këtë”. “Ne kemi një deficit të madh tregtar me Evropën: ata nuk i marrin produktet tona, por ne i marrim të tyret”, tha ai, duke shtuar se nëse liderët evropianë duan një “marrëveshje”, ajo duhet të jetë “e drejtë.
E ardhmja e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar
Trump më pas tha se nuk kishte nevojë për miratimin e Kongresit për të shfuqizuar Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ose për ta përfshirë atë në Departamentin e Shtetit: “Ne duam të bëjmë gjënë e duhur dhe duhet ta kishim bërë shumë kohë më parë: Administrata e Bidenit ka bërë gjëra të çmendura, duke u dërguar para njerëzve që nuk duhet t’i kishin”. Presidenti amerikan shtoi se administrata e tij do të përgatisë “një raport” për agjencinë, duke specifikuar se ai është në favor të misionit të USAID-it, por jo të mënyrës së funksionimit të tij. “Ata janë radikalë dhe të çmendur të krahut të majtë,” përfundoi ai.
Roli i Elon Musk
Presidenti foli më pas për Elon Musk, duke shpjeguar se “ai nuk mund të bëjë asgjë pa miratimin tim, i cili do të jepet kur të jetë e përshtatshme”. “Ai ka akses vetëm për të dëbuar njerëzit që ai mendon se janë të paefektshëm, nëse jemi dakord me të”, tha Trump, duke shtuar se ai është gjithmonë i kujdesshëm për të shmangur konfliktet e mundshme të interesit midis biznesit të miliarderit dhe aktiviteteve qeveritare.bw