Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka kërkuar një gjykatësi në Nju Jork të hënën që ta shtyjë shqiptimin e dënimit ndaj tij në rastin penal të blerjes së heshtjes, në të cilin ai u shpall fajtor vitin e kaluar.
Avokatët e Trumpit thanë se synojnë t’i kërkojnë Gjykatës së Apelit ta hedhë poshtë vendimin e javës së kaluar nga gjykatësit Juan Merchan për shqiptimin e dënimit më 10 janar.
Avokatët Todd Blanche dhe Emil Boce i kërkuan Merchanit të mos e shpallë aktgjykimi ndaj Trumpit derisa ata ta bëjnë ankesën në Gjykatën e Apelit. Nëse kjo ndodh, atëherë gjasat janë që aktgjykimi ndaj Trumpit të mos shpallet para inaugurimit të tij më 20 janar.
Merchan e caktoi të premten si datë për shpalljen e aktgjykimit, por la të kuptohej se Trumpi nuk do të përballet me ndonjë dënim me burgim apo gjobë.
Trumpi u shpall fajtor në maj për falsifikimin e regjistrave biznesore për të ndikuar jashtëligjshëm në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përmes pagesave për heshtjen e një aktoreje të pornografisë, e cila tha se kishte kryer marrëdhënie seksuale me të.
Ai ngarkohej me 34 akuza penale, përfshirë për falsifikimin e 11 faturave, 12 kuponëve dhe 11 çeqe, për ta fshehur pagesën në vlerë prej 130.000 dollarëve që ia kishte bërë Stormy Danielsit për ta blerë heshtjen e saj në lidhje me pretendimet e saj se kishte kryer marrëdhënie seksuale me Trumpin më 2006.
Daniels donte të fliste publikisht për lidhjen e dyshuar seksuale me Trumpin një muaj para zgjedhjeve të vitit 2016, gjë që do t’ia kishte dëmtuar fushatën presidenciale të nominuarit republikan.
Trump ka thënë se rrëfimi i saj ishte i rrejshëm dhe i ka mohuar të gjitha akuzat. REL