Presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh të martën se mund të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin brenda muajit shkurt. Ai hodhi poshtë shqetësimet e Ukrainës për mbetjen jashtë bisedimeve SHBA-Rusi në Arabinë Saudite, për përfundimin e luftës.
“Ndoshta”, tha Trump ndërsa foli në një konferencë për shtyp në klubin e tij Mar-a-Lago në Palm Beach, kur u pyet nëse ai ende priste të takohej me Putin këtë muaj.
Duke informuar gazetarët mbi bisedimet SHBA-Rusi në Riad më herët, Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se të dy palët nuk përcaktuan një datë për një Samit Trump-Putin për të diskutuar lidhur me Ukrainën.
Trump foli për herë të parë qëkur një delegacion amerikan rivendosi dialogun me Rusinë, për Ukrainën, gjatë bisedimeve në Riad këtë të martë.
Ai tha se Kievi nuk duhet të shqetësohet, ndërsa shtoi se Ukraina mund të kishte bërë një marrëveshje me Rusinë tre vjet më parë për të shmangur pushtimin nga Kremlini.
“Sot dëgjova: Oh, nuk ishim të ftuar”. Epo, ju keni qenë atje për tre vjet, duhet t’i kishit dhënë fund…nuk duhet të kishte filluar kurrë (kjo luftë)”, tha Trump.
Sakaq, Sean Savett, i cili ishte zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës Biden, tha në një postim në rrjetet sociale se ishte Rusia ajo që filloi luftën.
Donald Trump tha se Ukraina duhet të zhvillojë zgjedhjet, ndërsa shtoi se nuk do t’i kundërshtonte europianët nëse ata duan të dërgojnë trupa paqeruajtëse atje.
Udhëheqësit europianë kanë diskutuar lidhur me planet për të dislokuar forca ushtarake në Ukranë, për të ofruar garanci sigurie në rast të një marrëveshje paqeje.
“Të kesh trupa atje mendoj se do të ishte gjë e mirë, nuk do ta kundërshtoja fare”, tha Trump. bw