Presidenti i SHBA, Donald Trump tha se “diçka mund të ndodhë” në lidhje me vendimin e Uashingtonit për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit për klimën.
Në komentet që bëri në Paris pas bisedimeve me homologun francez Emmanuel Macron, zoti Trump gjithashtu nuk i kushtoi rëndësi një takimi vitin e kaluar midis djalit të tij dhe një avokateje ruse.
“Në takim nuk ndodhi asgjë,” tha Presidenti Trump.
Para pak ditësh, djali i madh i Presidenti Trump, Donald Trump Jr., publikoi një email, nga i cili dilte se takimi ishte bërë për të diskutuar mbi materiale të mundshme që e dëmtonin fushatën e kandidates demokrate Hillary Clinton.
Rreth ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 dhe pohimeve se fushata e zotit Trump ka bashkëpunuar me interesat ruse, janë duke u zhvilluar disa hetime.
Lidhur me ndryshimet klimatike, Presidenti francez, Macron, pranoi se dy palët nuk pajtohen në këtë çështje, por “respektojnë” vendimin e zotit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja e Parisit.
Zoti Trump la të kuptohej se rihyrja e SHBA në marrëveshje është diçka që mund të ndodhë në të ardhmen. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha ai.
Me vizitën e tanishme në Francë Presidenti Trump synon të tregojë se administrata e tij mbetet e angazhuar me aleatët tradicionalë evropianë.
Ashtu si zoti Trump, edhe Presidenti Macron është i sapozgjedhur në këtë post dhe vjen në krye të vendit si një personalitet jashtë politikës.
Pak përpara se të fillonin bisedimet, Presidenti Macron tha se është “e natyrshme dhe e domosdoshme” për të patur shkëmbime me zotin Trump, motoja politike e të cilit, “Amerika e para” i ka shqetësuar disa aleatë të rëndësishëm evropianë.
NJË VIZITË E SHPEJTË
Presidenti Trump arriti në kryeqytetin francez pas një fluturimi gjatë natës nga Uashingtoni për një vizitë të shpejtë 36 orëshe, për të diskutuar me udhëheqësin francez mbi zgjidhjet e mundshme të krizës në Siri dhe mbi strategjitë më të gjera kundër terrorizmit.
Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump u përshëndetën nga zoti Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, në Les Invalides, vendvarrimi i Napoleonit.
Presidenti amerikan do të marrë pjesë të premten në festimet e Ditës së Bastijës dhe në ceremonitë me rastin e 100 vjetorit të hyrjes së SHBA në Luftën e Parë Botërore.
Në festimet me rastin e Ditës së Bastijës, trupat amerikane do të marshojnë së bashku me ato franceze në bulevardin e famshëm Champs Élysées. Të enjten, një ditë para festimeve, presidenti amerikan u takua me homologun francez për të gjetur një gjuhë të përbashkët për çështje si Siria dhe lufta kundër terrorizmit.
Në takimin e tyre në muajin maj, tërhoqi vemendjen shtrëngimi i duarve mes tyre, që u përhap me shpejtësi virale në mediat sociale – një udhëheqës i ri francez, i cili jepte mesazhin se Franca do t’i rezistonte Presidentit Trump dhe politikës së tij “Amerika e Para”.
Veç klimës, një tjetër çështje delikate është marrëdhënia e zotit Trump me Presidentin rus Vladimir Putin, që u shfaq të premten, në punimet e G-20-ës. Franca, sikurse edhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore, e ndoqi takimin Trump-Putin me nervozizëm.
“Nuk ka asgjë substanciale për t’u shqetësuar për këtë, por vetë procesi, gjuha e përdorur, mënyra se si ai është aq i gatshëm të përdorë një gjuhë të ashpër ndaj aleatëve dhe hezitimi për të përdorur të njëjtën gjuhë ndaj Rusisë, i bën njerëzit të mendojnë, nëse do të ketë në muajt e ardhshëm një nismë amerikane për Sirinë, Rusinë, apo Ukrainën; ose nëse është rënë dakord me Kremlinin para se të diskutohet me Parisin, Berlinin apo edhe me Londrën…”– thotë analisti britanik Malcolm Chalmers.
Ky është udhëtimi i tretë përtej Oqeanit dhe në Evropë i zotit Trump, që kur ai filloi mandatin e Presidentit në janar të këtij viti.
Komentet