Në trevjetorin e kalimit në amshim të poetit Agim Mato
(Pjesë nga një studim më i gjatë për poezinë e tij të zgjedhur
të përfshirë në përmbledhjen “Shkretëtirë harrimi”)
“Poezia nuk është një mënyrë e lirimit të ndjenjave, po një shmangie nga ndjenjat; nuk është një shprehje e personalitetit vetjak, po një shmangie nga personaliteti. Natyrisht, vetëm ata që kanë personalitet dhe ndjenja dinë çka domethënë të shmangësh nga këto gjëra”.
Thomas S. Eliot
Poezia si etje dhe ngushëllim shpirtëror
Thuhet me të drejtë se secili poet e ka botën e vet të mëvetësishme poetike dhe këtë e shpreh në secilën vepër që e krijon. Pra, ai ndryshon prej secilit poet tjetër, siç ndryshon edhe vepra e tij prej çdo vepre tjetër. Në qoftë se do të pajtoheshim me këtë përcaktim, atëherë do të ishte e natyrshme të themi se dhe qasja që i bëhet poezisë së një poeti duhet të jetë ndryshe nga ajo që i bëhet poezisë së një poeti tjetër. Pa dyshim se, në një mënyrë ose në një tjetër, vetë poezia e kushtëzon qasjen dhe interpretimin. Tek e fundit, mënyra e komunikimit me një vepër letrare nuk mund ta kushtëzojë atë si fakt i dhënë, po ajo si art gjuhësor poetik e kushtëzon qasjen dhe interpretimin që i bëhet ose duhet t’i bëhet.
E përmenda këtë fakt për arsye se poezitë e zgjedhura të Agim Matos të përfshira në këtë vëllim kushtëzojnë të merresh me to në mënyrë të mëvetësishme. Arti i tyre, e bukura dhe e madhërishmja, brumosur në mënyra të ndryshme brenda strukturës gjuhësore poetike, janë vendimtare për përcaktimin e qasjes dhe të interpretimit.
Qenësia e poezisë së Agim Matos mund të shprehet mirëfilli nëpërmjet këtij mendimi të Edgar Allan Poe-s: “Është pranuar, heshtazi e haptazi, në mënyrë të drejtpërdrejtë e të tërthortë, se objekti përfundimtar i poezisë është e vërteta. Është thënë se çdo poezi duhet të ngulisë në mendje një moral e prej vetë këtij morali të gjykohet dhe vlera poetike e veprës. Kemi qenë veçanërisht ne Amerikanët që e kemi përkrahur këtë ide të lumtur e ne bostonianët, në mënyrë akoma dhe më të veçantë, që e kemi zhvilluar atë tërësisht. Kemi ngulitur në tru, se të shkruash një poezi thjesht për hir të poezisë e ta njohësh se ky ka qenë dhe qëllimi yt, do të thotë ta tregosh veten tërësisht të mangët nga forca dhe dinjiteti i vërtetë i poetit — por e vërteta e thjeshtë është se, nëse do t’ia lejonim vetes kundrimin në thellësi të shpirtrave, atëherë do të zbulonim menjëherë që nuk ekziston e as që mund të ekzistojë në këtë botë ndonjë vepër më tërësisht dinjitoze — më sublimisht fisnike se ajo poezi e vërtetë — ajo poezi per se — ajo poezi që është veç poezi dhe asgjë më shumë — ajo poezi e shkruar vetëm e vetëm për hir të poezisë[1] […] Gjithçka që është e domosdoshme në një këngë, është saktësisht gjithçka me të cilën ajo s’ka të bëjë në asnjë lloj mënyre. Është veçse mbrujtja e saj si një paradoks që valon i kapardisur, kurorëzimi i saj me lule e margaritarë. Mirëpo, për fuqizimin e së vërtetës na lipset më tepër rreptësia se sa rrjedhshmëria e gjuhës. Pra, duhet të jemi të thjeshtë, të saktë, lakonikë. Do të qe një teoricien i çmendur deri në pa përgjigje, ai që, pavarësisht nga këto dallime, do këmbëngulë ende të bashkëpërziejë vajrat e ujërat kokëfortësisht të papërziershëm të poezisë dhe së vërtetës[2]”.
Nëse i lexojmë me vëmendje të shtuar këto poezi të Agim Matos, atëherë shumëçka nga ajo që thuhet në mendimin e Poezisë përligjet në mënyrë sa të gjerë aq dhe thellësore. Poeti ynë e ka ruajtur thellë në vete të vërtetën e tij, të vërtetën e vendit të tij, të vendlindjes së tij dhe të njeriut të tij, që për rreth tridhjetë vjetësh heshtjeje është shtresuar e ngjizur, është pjekur e stërpjekur brenda shpirtit të tij dhe në një çast, kur ka qenë i lirë dhe ka pasur mundësi ta thotë lirisht, e ka shprehur atë përmes tekstit poetik, përmes mesazheve poetike. Me fjalë të tjera, këngët e fjetura (i kujtojmë vargjet e poetit tonë, Migjenit: “Thellë në veten teme flejnë kangët e pakëndueme / të cilat ende vuejtja as gëzimi s’i nxori, / të cilat flejnë e presin një ditë ma të lumnueme / me shpërthye, m’u këndue pa frigë e pa zori”), zënë të marrin jetë; e vërteta poetike, përmes një sistemi figurativ të pasur, të shtruar dhe pa ndjenjësime e shprehje retorike, shndërrohet në vargje (në poezi) që kanë jetuar brenda tij. Shqetësimet, mëdyshjet, tronditjen shpirtërore, vuajtjet Mato i shpreh përmes strukturës gjuhësore poetike, përligjje e shpirtit dhe e mendjes (Migjeni do të thoshte: “E unë jam vullkani që fle i fashitun”). Poezitë janë fjalosje vetmitare me veten, po dhe me tjetrin (kujto titullin e përmbledhjes me poezi të Martin Camajt: “Njeriu më vete e me të tjerë”). Fjala e ndaluar, e ndrydhur dhe e nëpërkëmbur për dhjetëra vjet, e përbuzur deri në zhgënjim dhe përdhosje (“në këtë harrim të pashpirt?”), i shfaqet si një asteroid verbues, që ia lehtëson plagët e pritjes dhe e liron prej peshës së fjalës poetike të heshtur, prej ankthit që ia gërreu shpirtin për pamundësinë e të shprehurit dhe komunikimit poetik. Ky komunikim ka qenë vendimtar edhe në rrethana e në kushte të rënda. Nëpërmjet tij iu ka kundërvënë rrënimit, zhbërjes. Pra, edhe pse poezia ka qenë hyjnesha e poetit (“Hyjneshën ime”), që ka bërë të mbijetojë ai dhe fjalët (pagjumësia e fjalëve), poeti ka pësuar. Ky pësim ka qenë i shumtë dhe rrënues:
U ndesha me censorë që sterilizonin shpirtrat e poetëve
në dobi të ca perëndive të rreme që kishin populluar dhunshëm planetin.
Për shumë kohë penën ma sekuestruan
si një armë të paligjshme që nuk më takonte ta mbaja.
Për shumë kohë: “Sus!… sus!”, më ndëshkonin
dhe ngela pa zërin tim, pa gjuhën time, pa librat e mi.
(Ti libër)
Poezia si zjarr shpirtëror
Përkundër këtyre pësimeve, hyjnesha e tij ngadhënjeu mbi ndalesat, mbi vuajtjet dhe mbi plagët. Këngët e heshtura lindën në një formë të re, u ribënë në të folurit poetik dhe, natyrisht, shqiptuan të vërtetën e tij, si zjarr shpirtëror, që aq sa e ngrohu, po aq e përcëlloi dhe e dogj. Gjithë këtë Mato e shpreh përmes simbolikës së krimbit që e gërryente pareshtur në mendje dhe në shpirt: është ndërgjegjja e pamundësisë së përftimit të poezisë apo më drejt e braktisjes së saj. Ai e ndien pareshtur gërr – gërrin e krimbit:
[…] Shihja të nxirrte në sipërfaqe tallazhin
e imët pas orësh pune dhe m’i ngatërronte
mendimet, temporitmin, përfytyrimet.
I lexoja me zë disa herë ato që shkruaja.
Krimbi ndalte punën dhe atëherë; më kallte frikën heshtja e tij.
Ç’ishte ky: sizmograf i ndjenjave të mia? Ndërgjegjja apo censori im?
Shkruaja sërish e sërish dëgjoja gërr gërrin e tij.
Gjithë natën, të gjitha herët
i shoqëruar me autocensurën, dyshimin, pasigurinë.
(Krimbi)
Poeti Mato e përjetoi historinë e Anteut të lashtë (sinonim i qëndresës së jashtëzakonshme), të cilit Nëna tokë (Gjea), sa herë Herkuli e hidhte për tokë, ia kthente forcën. Edhe poeti ynë vuajti dhe e pësoi, këngët (poezitë) heshtën brenda tij, u zvetënuan dhe u tkurrën, po nuk u shuan. Thënë figurativisht, “nëna” poezi kushtëzoi që të mos gjunjëzohet, po duke u mbështetur në pasurimin shpirtëror, në nevojën e komunikimit poetik me veten e me të tjerët, të mbijetojë, ta jetojë jetën.
Për poetin Mato magjia e poezisë nuk është as e rastit dhe as e çastit, po e lashtë sa vetë njeriu, sa vetë kujtesa; si e tillë ajo është e nevojshme dhe e qenësishme për gjallimin e qenies njerëzore:
Që në fëmijëri, gërvishtja në kujtesë
skena primitive
si skenat e gjuetisë
në artin prehistorik të shpellave.
(Erdhe vonë, hyjnia ime)
Poezia gjalloi pas çdo gjallese, pas çdo shenje, edhe kur një yll binte nga qielli, pas çdo dritareje që hapej, kudo; ajo jo vetëm i dha fuqi të qëndrojë, po dhe e lidhi me njerëzit, me jetën; e bëri të ngadhënjejë mbi vetminë, mbi vuajtjen, mbi pësimet.
Ditë e natë, i vetëm, ngrija
gurët e rëndë të fjalëve,
që nga themelet, zhytur në kohëra…
(I murosur)
Për shkak të rrethanave të rënda jetësore që solli sistemi komunist në jetën letrare, në varfërimin kulturor e shpirtëror (gjithë kjo bëhej në emër të barazisë, të “përparimit të masave”, të “luftës së klasave”), kur , siç thotë poeti Mato,“[…] shkelnin mbi gjuhët tona të prera, / mbi librat tanë që i hiqnin nga libraritë, bibliotekat / dhe i kthenin sërish në brumë” (Ne të pagojët), Zana e frymëzimit të tij poetik detyrohet të heshtë; detyrohet ta ndrydhë fjalën e vet: “Ai tallazh i imët, i verdhë, si pluhur farmacie, ishte doza / që merrja rregullisht për të fashitur ethet e frymëzimeve (Krimbi); të vuajë e të qëndrojë bashkë me të (fjalën, poezinë); t’i ndërpresë fluturimet nëpër hapësira të pafund të përfytyrimit poetik, të kërkimit të bukurive të përftuara përmes tekstit, fryt i mendjes dhe i shpirtit.
Dhe kur kalvarit shpirtëror të poetit i vjen fundi, zënë fill vuajtjet e një natyre tjetër: rifillimi i përftimit të poezisë, të asaj bote që i kishte munguar (si akt konkret i krijimit, i ballafaqimit me shumësinë e kuptimeve e të ngulmimit për të shtjelluar tekstin poetik në një rrafsh sa më të lartë), si kënaqësi dhe ngushëllim shpirtëror. I dhembshëm është rifillimi, po i pashmangshëm, jetësor:
Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes.
Vallë sërish do të fillonin vuajtjet netëve të vetmuara,
derisa zjarret e shpirtit do të më kthenin në zhele
këmishët e hekurosura dhe jelekun e çmuar të dhëndërisë?
(Mea Culpa)
Vuajtjet shpirtërore që dikur i shkaktoi ndarja nga përftimi i poezive (dhe mungesa e botimit të frytit të punës së vet), shndërrohen në dhembje të natyrës tjetër: poeti vëren se (ndonjëherë) i mbarojnë fjalët, se hyjnesha e tij, i shtillet brenda; ai dëgjon hapa, që kanë gjëmimin e oqeanit, që në qenësi është klithja e këngës:
M’u mbaruan dhe fjalët
dhe tani kam këto hapa shokësh,
këtë gjëmim oqeani,
për të klithur këngën time,
zemërimin tim”.
(Këngëtari zezak)
*
Që Urë e Poezisë të mbajë
mbi lumin e llahtarisur,
ti duhet veten të murosësh,
në murin që ke stisur.
(I murosur)
Nisur nga përvoja jetësore dhe nga mbrojtja që i bëri poezia dhe në kushte të skajshme të pësimeve shpirtërore, poeti Mato i bën të ditur poetes së re që ta ruajë qenësinë e poezisë, t’i kushtojë kujdes bukurisë së poezisë, ta ruajë frymësinë, afshin e saj. Këto e bëjnë atë të mirëfilltë, të njëmendtë, i japin vlerë të mirëfilltë.
Mbaje, të lutem, nurin femëror në poezi […]
Ruaje me këmbëngulje afshin e vargjeve të tua.
Është një avull dehës…
(Një poeteje të re)
Poeti ynë këmbëngul që poezinë e tij ta cilësojë shprehja e bukur poetike, bukuria; vetëm ajo e bën atë të përjetshme, siç thoshte me të drejtë Edgar Allan Poe: “[…] poezinë unë do ta përcaktoja si një krijim ritmik të bukurisë. Arbitri i saj i vetëm është shija. Me intelektin apo me vetëdijen ajo ka veç lidhje të tërthorta. E në mos rastësisht, s’ka të bëjë fare as me detyrën e as me të vërtetën. Sidoqoftë, le të themi pak fjalë si shpjegim. E vetmja kënaqësi që është njëherësh më e kulluara, më e ethshmja, më shpirtlartonjësja, besoj se rrjedh nga kundrimi i së bukurës. Vetëm nëpërmjet kundrimit të së bukurës, arrin të na jepet mundësia e arritjes së atij lartësimi të kënaqësisë apo ngacmimit emocional të shpirtit, që ne njohim si ndjenjë poetike e që është kaq lehtësisht e dallueshme nga e vërteta, që mund të quhet kënaqja e arsyes apo pasionit, të emëruar si dalldisja e zemrës[3]”.
E bukura që përligjet thellësisht në poezitë e përfshira në këtë vëllim, nuk është e qenësishme vetëm për poetin, për pasurimin shpirtëror të tij dhe të tjetrit që do ta lexojë dhe do të ndikohet prej saj, po edhe kundër gjithçkaje që i kundërvihet poezisë si art, e rrënon natyrën dhe rëndësinë e saj artistike. Në këtë rrjedhë Mato e përdor poezinë (kumtin poetik) edhe si refuzim estetik, kundërvënie gjithë asaj që nuk i përket artit të mirëfilltë, funksionimit dhe ndikimit në marrësin, siç do të thoshte studiuesi i letërsisë, Ibrahim Rugova: “Do thënë, se edhe në kulturat e mëdha, e edhe në ato më të vogla, sot është bërë legjitime vetëdija se imponimit të jashtëm që i bëhet artit dhe letërsisë i duhet kundërvënë me refuzimin estetik. Pra duhet krijuar letërsi e mirë, e qëndrueshme me qenësi të fortë estetike, në mënyrë që të mbahet zhvillimi i saj, se ky është rezultat më i rëndësishëm në aktualitetin e një kohe dhe në rendin historik kulturor. Ky do të ishte efekti praktik i refuzimit estetik kundër çdo veprimi dhe diskursi represiv. Vetëm kështu letërsia mbetet letërsi dhe ndikon në pushtet dhe në shoqëri. Çdo formë tjetër mbetet diçka tjetër, me veprim tjetër[4]”.
[1] Edgar Allan Poe, Poezi dhe ese. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 99.
[2] Edgar Allan Poe, Poezi dhe ese, vep. e përm., f. 99.
[3] Edgar Allan Poe, Poezi dhe ese, vep. e përm., f. 101 – 102.
[4] Ibrahim Rugova, Refuzimi estetik. Faik Konica, Prishtinë 2005, f. 28 – 29.
(Marrë nga ExLibris)