Një det njerëzish përfshiu qendrën e Beogradit të shtunën, duke sfiduar regjimin autokratik të Aleksandar Vuçiçit. Tingujt shurdhues të bilbilave dhe vuvuzelave shpërthyen në të gjithë qytetin, ndërsa mijëra protestues marshuan kundër korrupsionit dhe shtypjes së lirive demokratike nga pushteti i Vuçiçit, i cili po zgjat prej 13 vitesh me metoda gjithnjë e më autoritare.

Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të frikësuar qytetarët me kërcënime për arrestime dhe përleshje të inskenuara, turma masive, e udhëhequr nga studentët, nuk u zmbraps. Ndërsa qeveria pezulloi transportin publik për të penguar protestën, mijëra njerëz erdhën në këmbë nga lagjet e afërta, ndërsa makina të shumta me flamuj kombëtarë e bënë atmosferën edhe më të zjarrtë.

Në përpjekje për të krijuar një alibi për dhunë të mundshme, Vuçiç vendosi mbështetësit e tij, përfshirë ish-paramilitarë dhe grupe ekstremiste, në një kamp jashtë presidencës. Ndërkohë, regjimi i tij vazhdoi fushatën e frikësimit, duke arrestuar aktivistë të opozitës bazuar në një regjistrim të manipuluar, të transmetuar nga mediat propagandistike pro-qeveritare.

Vuçiç, i njohur për retorikën e tij konspirative, përsëriti pretendimet e pabaza se protesta është e orkestruar nga shërbimet perëndimore për ta rrëzuar nga pushteti. Megjithatë, as kërcënimet e tij dhe as makineria e tij e frikësimit nuk ndalën popullin që kërkon drejtësi dhe fundin e një regjimi të mbushur me korrupsion, abuzim dhe lidhje me Moskën dhe Pekinin.

Bashkimi Evropian reagoi, duke paralajmëruar se Serbia duhet të respektojë liritë themelore nëse synon të bëhet pjesë e bllokut. Megjithatë, me një qeveri që po rrëshqet gjithnjë e më shumë drejt diktaturës, rruga e Serbisë drejt Europës duket më e pasigurt se kurrë.








