Kur do ta marrë seriozisht Partia Demokratike të bërit opozitë?
Po ndihem i fyer nga përmendja pa pushim e argumentit të mbi 6000 kartave të skaduara të identitetit në zgjedhjet e Himarës!
Ta përdorësh këtë argument vend e pa vend është të ja fusësh vetes në shpullë!
Po, mbi 6000 himariotë i kanë kartat e skaduara sepse ashtu si rreth 1 milionë e 800 mijë shqiptarë të tjerë që janë jashtë vendit nuk ju duhen sepse janë jashtë Shqipërisë!
Kjo është e vërteta e të mos bëhemi gazi i botës se as nuk na beson njeri e as nuk na merr seriozisht!
Ai që e ka emrin në listë e është i aftë mendërisht për të zgjedhur apo për tu zgjedhur dhe kishte apo ka ndërmend për të votuar e di që për ta bërë këtë ditën e votimit duhet të kesh dokument të vlefshëm e kjo është kartë identiteti apo pasaportë e vlefshme. Kaq!
Nuk del dot jashtë shtetit pa pasur pasaportë të vlefshme!
Nuk voton dot pa patur kartë identiteti. Kështu e ka ligji.
Përgjegjësia e pajisjes me Kartë Identiteti është e ZGJEDHËSIT, është e individit e as e KQZ-se e as e qeverisë.
Po, qeveria ka detyrim të krijojë kushtet për paisjen me kartë apo pasaportë.
Nëse dikujt i është refuzuar pajisje me kartë identiteti në kundërshtim me ligjin atëherë po, është përgjegjësi e qeverisë.
Do thotë dikush po KQZ dhe qeveria e lejoi votimin me karta të skaduara në zgjedhjet e fundit. Për mua ka bërë shumë gabim. Ligji është ligj e duhet zbatuar nëse duhet të jemi apo të behemi shtet serioz.
Nuk i kemi humbur zgjedhjet në Himarë për shkak të kartave, jo. Zgjedhjet i kemi humbur se PD nuk ka patur kandidat. Në kundërshtim me statutin e saj të miratuar me 11 Dhjetor 2021 PD injoroi primaret dhe në mënyrë të turpshme u bë mburojë e një kandidature të sponsorizuar dhe mbështetur nga disa koka të nxehta në Athinë e në Organizatën Panepirote në SHBA!
Partia Demokratike e Shqipërisë parti e djathtë konservatore mbështeti dhe u bë urë e një kandidature që me marifete i ka shpëtuar burgut si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri të cilit më duket fyerje të ja përmend edhe emrin në zgjedhjet e majit të vitit të kaluar!
Partia Demokratike jo vetëm nuk vuri mend por në zgjedhjet 4 Gushtit solli në tavë një eksponent të Vorio-Epirotizmit kandidaturë që as nuk u konsultua me degën PD-se në Himarë. Këtë e ka bërë publike zj Dhimojani.
Ky njeri ka 30 vjet që punon nē skemat e Nikola Gaxojanis për helenizimin e jugut të Shqipërisë e ju ma caktoni kandidat në Himarë! Seriozisht?
Me kë tallemi ne me këtë individ!
Loja me kandidatura të tilla që qëllim të vetëm kanë helenizimin dhe fragmentarizimin e jugut të Shqipërisë me shpresën e shkëputjes në një të ardhme kur kushtet të jenë të favorshme është vrastare për interesat e Shqipërisë. Si ka mundësi që PD i bën këto lojëra dhe pisllëqe politike në një territor shqiptar si Himara që kurrë nuk ka patur minoritet por Greqia falë squllësisë së qeverive të njëpasnjëshme shqiptare ka përdorur influencat okulte të Kishës Greke dhënë organizatave si Omonia të konvertojë në minoritarë artificialë gati 15 % të popullatës së asaj zone fort të lakmueshme nga Greqia.
Gjithkush e di se kjo është bërë si duke shfrytëzuar varfërinë e asaj zone ashtu edhe duke ofruar përfitime nga shteti grek!
Më besoni se me këtë strategji vetëvrasëse të zgjedhur nga PD Edi Rama as nuk ka patur nevojë ti blejë zgjedhjet e kjo jo se i mungojnë dëshira apo mjetet por se nuk ka patur nevojë! Zgjedhjet ja kemi dhuruar ne në tavolinë.
Shkoni fshat me fshat të bregut e pyetini banorët pse nuk e votuan kandidatin e opozitës?
Jam i sigurtë që do të ju a japin përgjigjen!
Nuk votojnë Vorio-Epirotizmin!
Tërhiquni nga viktimizimi e reflektoni se po qeshin rilindasit me ne se si po e vrasim veten!
Çdo demokrat duhet që pas Himarës të pyesë veten;
A është Partia Demokratike parti e interesit kombëtar!
Po të marrim Himarën etalon kurrësesi Jo.
Në rang kombëtar duhet një rithemelim real i saj sepse ai që është bërë deri tani mua më rezulton totalisht fallco!
Duhet të riformatohen forumet, politikat e strategjia e derisotme të hidhet në kosh të plehrave.
Një Parti që nuk është e aftë të reflektojë e të ndryshoje në përputhje me interesat e vendit dhe votuesit të saj nuk mund të mbijetojë gjatë.
E di që këto ditë kam marrë lloj lloj fyerjesh nga militantë që sigurisht janë të paaftë të mendojnë me trurin e tyre muskulor!
Më kanë fyer duke më quajtur edhe nacionalist folklorik!
Unë nuk po ju kërkoj të marrim armët e të ja mësyjmë Çamërise deri në Prevezë!
Unë po kërkoj që shqiptarët të bëjnë atë që bën çdo shtet serioz i kapaciteteve të ngjashme me neve e të mbrojë interesat bazike të shtetit shqiptar e të mos lejojë që vendi të bëhet arena e eksperimenteve të idhtareve të MEGALIDHESË!
Partia Socialiste dhe sekti në veçanti i kanë shitur interesat kombëtare në vazhdimësi që në kohen e Miladin Popoviçit e deri sot me Vuçiçin!
Partia Demokratike erdhi si nevojë e shoqërisë shqiptare në vitin 90 për ta ruajtur Shqipërinë e jo për tu vënë në garë se kush i jep më shumë Greqisë!
Me Greqinë ne duhet të punojmë fort të kemi marrëdhënie sa më normale të jetë e mundur se e para e kemi fqinjë dhe e dyta kemi gati një milionë shqiptarë që jetojnë e punojnë atje.
Me komshinë ji korrekt por kufijtë i duhen treguar.
Himara është e do të jetë shqiptare e lojërat me mercenarë të blerë duhet të marrin fund njëherë e mirë!
….
E kam shkruar këtë postim jo pa dilema dhe pa dhimbje por e ndjeva obligim qytetar ta them atë që mendoj e nese i vlen qoftë edhe 10 vetëve për mua ka vlerë!
Faleminderit.