UNË DHE LUKRECI 1)
Sa herë takohem me të lashtin Lukrec,
“Atdheu im,-thotë,- është ku jetohet më mirë.”
Njëmijë pandehma për ty, o poet,
I lëshon këto fjalë se je i pirë!
Unë s’jam i pirë,
të ftohur kam kokën,
I verbër qofsha e çaj oqeanin.
Hej!
Kombi im ka hartëzuar botën,
Varret e tij dallgëzojnë Ballkanin!
Mbushim gotat.
Me Lukrecin po pi,
Në e teprofshim, flasim nga dëshira.
Ajo gishtëz tokë bën grurë e raki…
Ngrehim velat dhe fryn erëmira!
1) Lukreci= ( Titus Lucretius Carus) poet roman, fundi shek. IVfillim
i shek. V
OQEANI
…E prek, i flas,
e lutje i pëshpëris,
I tregoj për Moravën,
m’i bukuri në botë.
Malësor isha dikur e atë mal kisha mik,
Male s’shoh gjëkund e miku im bëhu sot…
Është e kotë të flasësh me dallgët,
Duf’i tyre bregun godet.
Unë mbyll sytë…
Shoh Moravën e largët,
Nën dëborë gjumash,
i freskët nën gjeth.
Hapësira ovale shtrihet mbi oqean,
S’ka përrenj,
as lumë sheh.
Shpina ujore,
si Ivan, 1)
Vec dallgëve,
o mik,
s’u vë dot fre!
1) Ivani= mal në Devoll
* * *
Zhytur jam në jeshil livadhi,
Aromë lulesh dhe freski ahu.
Poleni më pudroi,
me spërka nektari,
Nën tumbë fierishtash mbeta tulatur.
Pop-pop,
pop- pop,
reh shputat pas truallit,
Lepuri i egër syvëngërosh.
Le të më shtypin orteqet e mallit,
pop-pop,
hop-hop,
pop-pop!
Mbi krye kam qiell të gjelbër,
Ndihem perandor i botës me klorofil.
Këtu s’ka komunistë të më shohin vëngër,
Me brirët e turpshëm më këqyr një kërmill.
Ç’ë se bie shi,
ç’ë se bie breshër,
E ç’ë se shtron dëbora e bën kallkan?
Me dhe i mbulon vezët një hardhucë e një breshkë,
Më spërkati,
bre, breshka,
me shurrën e bardhë!…
S’ shoh presidentë,
as kryeministra,
As parlamentarë,
as buzëqeshje djallëzore.
Gushëkuqët vocërrakë thurin kanistra,
Vargan’ i milingonave zënë për dore.
Pop-pop,
pop-pop.
reh shputat pas truallit,
Lepuri i egër syvëngërosh.
Le të më shtypin orteqet e mallit,
hop-hop,
pop-pop,
hop-hop!