Berlin, fror 2021
1.
Është akoma flakë entuziazmi dhe hare triumfi politik në Kosovë.
Ndaj dhe, do gjendet dikush të thotë: pse kaq shpejt i zure pritë?!
Por, ja që oponenca intelektuale ndaj Princit të politikës fillon menjëherë! E tillë është, mbase, vetë natyra dhe misioni i racës!
2.
Kryeministri i ardhshëm Kurti, më ngjan t’mos e ketë nisur mbarë.
Në intervistën që emitoi VOA e paradonetëve (dhënë një gazeta apo agjencie lajmesh)
sërish hodhi gurë mbi administratën e mundur amerikane.
Përse? Për të dëshmuar tipin ballkanik të fitimtarit idhnak?
Fillimisht, Trump kishte gjysmën e Amerikës me vete dhe nesër, një Trump i dytë, mund kthehet prapë tek Portë e madhe. Që këtej, një përvijim i tillë selektiv, s’është veçse huqje e hidhur strategjike.
Pastaj, së dyti, kush është vogëlsira e kujtdo në vend të tij, që të rivalizojë me terma fuqie e arrogance kolosët e botës? Dhe, pa kurrëfarë sensi taktik, të pretendojë ndërhyrje në punët, ideologjitë dhe alternancat e Amerikës? Edhe të marrët e dinë se për Joe Biden më të dashur janë votuesit e Trumpit, se votuesit e Kurtit!
E së fundmi, Europa që ky s’përton t’ia shemërojë asaj, nuk ishte dalëzotës i shqiptarëve. Duke qenë nënujshëm e ndarë dhe akoma heterogjene, ajo ruan kujtime plot histori trathtie e krimesh mbi gjakun arbnor. Edhepse Otto von Habsburg besonte, ajo, nga pluhnajë e së vjetrës, do t’riformohet vetëm mbi konceptin rilindës të shteteve postklasike, e kurrë të shteteve postnacionale!
Aleanca jetike me Amerikën, ndaj, nuk është ad hoc e as kalimtare. Është natyrore dhe zanafillon tash 100 vjet para Kurtit e do mbijetojë pas tij.
E ishin burra të mëdhenj ata që vunë themelet e saj!
3.
Feksje kundërshtimore të planimetrisë politike duken sërish në horizont.
Premieri i posavëluar i Kosovës disaherë do t’fokusojë qasjen e reviduar themelsisht: indiferencën ndaj dialogut me Serbinë. E pra kështu: meqë Serbisë i ngutet të hyjë në Europë, aherë pse Kosova të bëhet urë kalimi e saj?
Por justifikimi, me gjasë, është i kalkuluar gabim. Ngjan pak emocional e jashtë rezonit të ftohtë politik. Kartat gjeopolitike ku Prishtina nuk mund të loz e vetme dhe sovranisht, shenjëzojnë të kundërtën. Ngecja kronike e bisedimeve e mban Serbinë peng të Rusisë. E, rrjedhimisht, një vjegë pranie subverzive të saj në Ballkan. E kjo domethënë, rojë dhe pusi e ligë ndanë interesit shqiptar në gadishullin gjithnjë të aftë për vuajtje e tragjedi…
E ndryshmja e Kurtit nga pararendësit politikë në bisedimet me Serbinë, mbase s’duhet të jetë ritmi, por përmbajtja e tyre.
Vërtetë, shpejtësia i volis Serbisë, por dhe ngadalësia Rusisë!
Kurti i ri s’mund të jetë një dytës i Kurtit të vjetër. Dhe ndryshimi i madh rrjedhon i vështirë pa ndryshimin e tij vetë.
4.
E njeh athua Kurti korrektesën politike?
Padyshim. Prandaj dhe befasia nga një prononcim i tillë. Kam lexuar shënimin përthekues të këtij nocioni se, më shumë emigrantë ilegalë ka dëbuar Obama në mandatin e parë, se Trumpi në katërvjetshin e vetëm të tij. Por, ndërsa i pari, duke u shfaqur politikisht korrekt, e bënte këtë pa bujë e gjurmë, i dyti shfrynte gjithë poterë e hallakamë që irritonte dynjanë.
E zbërthyer më qartë, korrektësia politike është një formë tjetër, pak më hermetike, e shprehjes kaq elokuente popullore: një trimëri i do dy mjeshtëri!
Popujt e vegjël s’mund të përmbysin rende botërorë. Veçse, dinakërisht e me sens të hollë diplomacie, mund të përfitojnë prej tyre. Rrjedhimisht, nuk do krijojnë a lëvizin sfera të ndjeshme interesi. Nëse një rrip Dhèu ku jetojnë ka një peshë të veçantë (pasuri a gjeopolitikë, shpesh fatale) atëherë është ai vetë një sferë interesash mëdhenj.
Lirinë e ruajnë armët. Mirëpo Machiavelli që pohonte kështu, shkruan diku dhe për Republikën e fatit. Të fatit historik. Rezistenca e gjaku nuk trondisin dot meskinërinë e kancelerive të akullta. Aq më pak tiraninë e buzëqeshjes së zotërve të tyre. (A nuk janë shqiptarët dëshmi e shekullit?). Dhe këtij fati epoke, me shumë se fuqia e paktë, do t’i prijë përherë mendjeholla e të gjithë kohëve.
E kohës sonë turbullore, veçanërisht!
r.
Komentet