Një gjykatë në Prishtinë dënoi sot me gjithsej 31 vjet heqje lirie tetë pjesëtarë të organizatës së ashtuquajtur “Syri i popullit”, nën akuza për kryerjen e veprës penale përgatitje e veprave terroriste kundër rendit kushtetues të Kosovës.
Avni Llumnica u dënua me 12 vjet heqje lirie, Sadri Ramabaja me pesë vjet, Ragip Sallova me katër vjet, Bajrush Konjusha me tre vjet, Halim Halimi me tre vjet, Rexhep Topllana me dy vjet si dhe Behxhet Luzha me dy vjet heqje lirie, ndërsa i akuzuari Murat Jashari, u dënua me trajtim të detyrueshëm psikiatrik për 10 vjet, për shkak të gjendjes së tij mendore.
Ditë më parë prokuroria hoqi dorë nga akuzat ndaj Sabit Berishës dhe Lirije Luzhës, në mungesë të provave.
Sipas kryetares se trupit gjykues, Naime Krasniqi Jashanica, pjesëtarët e organizatës “Syri i Popullit” kishin planifikuar vrasjen e një numri veprimtarësh politikë, të cilët sipas akuzës, organizata i cilësonte tradhtarë, përfshirë edhe vetë presidentin.
“Me datën 15 maj të vitit 2015 ishte themeluar organizata kriminale ‘Syri i popullit’ me të ashtuquajturit Avni Rrustema për të vrarë tradhtinë, në një shtet evropian ishte marrë vendim që në mars të vitit 2017 të fillojnë aksionet e kundërligjshme me qëllim që seriozisht të destabilizojnë ose shkatërrojnë strukturat themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës”, tha kryetarja e trupit gjykues duke lexuar vendimin.
Në mars të vitit 2017, u krye një tentativë për vrasjen e avokatit Azem Vllasi, ish udhëheqës komunist i Kosovës. Zoti Vllasi mbeti i plagosur dhe më pas policia arrestoi Murat Jasharin dhe Avni Llumnicën, si pjesëtarë të organizatës “Syri i Popullit”, që mori përgjegjësinë për këtë rast.
Familjarët dhe avokatët mbrojtës të të dënuarve nuk u pajtuan me vendimin e gjykatës, duke thënë se nuk ka prova që dëshmojnë fajësinë e të dënuarve.
Në shkurt të vitit 2018, prokuroria e Posaçme e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj dhjetë personave, nën dyshimet se ishin pjesë e kësaj organizate.
Sipas aktakuzës pjesëtarët e kësaj organizate “po planifikonin shkatërrimin e strukturave themelore politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës me sulme dhe me vrasje ndaj personaliteteve më të larta shtetërore duke filluar nga ish-funksionarët e lartë të Kosovës prej vitit 1980 deri në 1991, duke i konsideruar si tradhtarë të vendit, e po ashtu funksionarët nga viti 1999 deri në vitin 2016”.
Partia Demokratike e Kosovës, e cilësoi dënimin e pjesëtarëve të organizatës “Syri i Popullit” si një lajm të mirë për qytetarët, drejtësinë dhe sigurinë në Kosovë.
Në një komunikatë të kësaj partie thuhet se ajo e “dënon fuqishëm përfshirjen e lëvizjes Vetëvendosje e cila me qëllime dashakeqëse krijoi, frymëzoi dhe shtyri këtë grup terrorist për të eliminuar kundërshtarët politikë”, ndërsa i bëri thirrje asaj që sic thuhet, të distancohet nga ky grup terrorist.
Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u paraqit në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, për të dëshmuar kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndaj të cilëve kishte ngritur edhe një kallëzim penal për siç thuhet “deklarim të rrejshëm nën betim”.
Zoti Kurti tha atëbotë pas dëshmisë se presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli e kanë akuzuar lëvizjen Vetëvendosje, vetë atë dhe Glauk Konjufcën, si pjesë e organizatës së ashtuquajtur “Syri i popullit”. zëri i amerikës
Komentet