ARIE TË PURPURTA PËR NJË LULE-ZJARRI
…
Jam krejt lule-zjarri
Kur disku i diellit
Digjet pas ishullit
Në perëndim…
…
Çdo muzg ështe vejan
Pa nje lule zjarri
..
Mjegulla mbi luginë
S’e fsheh dot lule-zjarrin…
…
Të prita sa herë muzgjeve
Më pa një lule-zjarri
…
Tri lule-zjarri
Jane tri premtime
Në pyllin e vetmisë
..
Me fal një lule-zjarri
T’u jap lamtumirën
Netëve boreale
..
As korbi më kryeneç
S’e sheh dot në sy lule-zjarrin.
…
Vetëm Feniksi
U preh mbi lule-zjarrin
Deri në amëshim…
KITARA IME ZGJOHU!
Shtigjet e panjohura mbajnë përherë emra lulesh
Rrugët e humbura kanë për horizont mjegullën
Mes njërës dhe tjetrës përgjumet kthjelltësia e një tingulli kitare
Më mëso muzg si vajtohet
Për pjergullën e rrushit tharë nga acari!
Perëndimet ngjyhen në të kuqen e verërave që kurrë nuk i njohën
Me kokrrat e rrushit jeshilohen humbjet tona
Nëpër refrene serenatash ngjyrë klorofili.
Shije ëmbëlake, pak athësi brenda
Si buzët epshndjellëse me puthje prej mushti…
Kitara ime zgjohu, zgjohu këtë agim!
CUNG BAJAME
Do ta këndoj prapë sonte këtë këngë
Për fëmijën e braktisur në një shtat burri
Për burrin e lënë peng në një jehonë fëmije
Do ta këndoj derisa pikëllimës
T’ja shkund krejt prej trungu hijen e udhëtarit
Dhemb fëmijërimi i vyshkur njëjtë si shija
E bajameve të përtypura askurrë ne kohë
Lulet e bardha jane dy stinë dhe një muzg larg
Ah, dënesje, dëneëe e Piter Panit
Në gjoksin e natës që u rrit, u bë grua…
KUJTESË MJERANE E PASQYRËS
Vetëm tek ty nuk kish vend dashuria
I parrituri ynë i vogël me copa kaltërsish si shelbesë
Jargavanë dhe oleandra kanë çelur tash gjithandej
Në shtepinë pranë korijes
Dhe në korijet afër shtepisë
Një lule e vetme
Vetem një e asgjë tjetër përtej saj
Në këtë stinë ku çdo shkrepëtitje sysh e lind nje lulesë
I përngjet kujtesës mjerane të pasqyrës
Që shumë pa dhe s’krijoi strehë per askend!
Komentet