ALEN BOSKE
(Alain Bosquet)
1919 – 1998
Anatole Bisk, i quajtur Alain Bosquet, lindi në Odesë (Ukrainë) më 28 mars 1919 dhe vdiq në Paris, më 8 mars 1998, është një shkrimtar francez me origjinë russe.
NJË FËMIJË MË THA
Një fëmijë më tha:
“Guri është bretkosë.”
Një tjetër fëmijë më tha:
“Qielli është mëndafsh i brishtë”.
Një fëmijë i tretë më tha:
“Oqeani, kur ka frikë, qan”.
Unë s’i them asgjë, unë buzëqesh.
Ëndrra e fëmijës, është një ligj.
Dhe pastaj unë e di se guri,
Me të vërtetë është një bretkosë,
por në vend që ai të shkojë për të fjetur
më shikon mua.
PEMA
Ti je më e shkathët se zebra.
Ti kërcen më mirë se ekuatori.
Nën lëvozhgën tënde të vertebrave
bën një koncert zogu përqeshës.
Unë do të lajmëroj gjithë poetët:
s’duhet të prekni frutat;
ky është vendi ku flinin kometat,
dhe vendi ku rindërtohet oqeani.
Ti je e lehtë si një tropik.
Ti je e mençur si një peshk.
Në çdo fletë një replikë
është rezervë për këngën time.
Sapo dikush të drejton fjalën,
rreth teje ngrihet një mur.
Ti godet degët, ti fluturon larg:
je ti ai që do të ndëshkosh kaltërsinë.
MUAJT E VITIT
Janari për t’i thënë vitit «tungjatjeta»
Shkurti për t’i thenë dëborës «duhet të shkrish»
Marsi për t’i thënë zogut shtegtar «mirardhsh»
Prilli për t’i thënë lules « çil »
Maji për t’i thënë «punëtorëve, miqtë tanë»
Qershori për t’i thënë detit «çona shumë larg»
Korriku për t’i thënë diellit «ky është sezoni yt»
Gushti për të thënë : «njeriu është i lumtur të jetë njeri»
Shtatori për t’i thënë grurit për të thënë «kthehu – në ar»
Tetori për të thënë «shokë, liria»
Nëntori për të thënë pemëve «zhvishuni»
Dhjetori për t’i thënë vitit «lamtumirë, paç fat»
Dhe dymbëdhjetë muaj plus një
Djali im
Për të të thënë se unë të dua.
Përktheu: Faslli Haliti
poezine e pare te mos e kishit shperndare ne kete koheshtrirje