VOAL

VOAL

Tri gota – Poezi nga LATIF BERISHA (18 qershor 1931 – 24 mars 1999)

March 25, 2021
2 Comments

Komentet

PESHA DHE AKTUALITETI NË LIBRIN “KOSOVA është SHQIPËRI” NGA AUTORI SHPENDI TOPALLAJ- Nga Tahir Bezhani

Krijuesi i shumë veprave letrare në të gjitha gjinitë e letërsisë, i mirënjohuri z. Shpendi Topallaj, këto ditë solli librin, manual, i cili trajton tema të ndryshme të jetës sonë politike në të kaluarën dhe të tashmen, ngjarje që po na lidhen rreth e rreth qafës, si lak me nyjë të pazgjidhshëm për jetën tonë në këto hapësira, pambarim…

Pos aspektit historik të kaluarës sonë të mundimshme, ndarjen e vendit tonë me pa të drejtë, kalimin nëpër diktatura të monizmit, peripecitë e të cilit i përjetuam më rëndë se kushdo tjetër në Evropë, z. Shpendi Topallaj, trajton bukur e me fakte edhe shkaqet, apo arsyet të cilat “pollën” shumë kontradikta edhe brenda përbrenda vetvetes sonë, duke e paguar shtrenjtë, me ngecje prapa botës, në çdo aspekt të jetës, në dyja anët e “kufirit” administrativ, Shqipëri-Kosovë.

Duke lexuar librin “Kosova është Shqipëri” të autorit Shpendi Topallaj, lexuesi i mirëfilltë me lehtësi kupton e nënkupton rrugëtimin e Shqipërisë e Kosovës pas luftës së fundit në Kosovë, dhe, menjëherë ndeshesh me veprime shumë të pamatura të kreut politik në të dyja vendet tona, si një.

Nuk po ndërmendem që të nxjerr thënie e fakte nga libri i autorit që dëshmojnë gabime të kushtueshme gjatë viteve që lamë pas, por brenga shtohet se në situatën aktuale politike, nuk vërehen shenja përafruese me qëllim të bazuar, ku kishin me na drejtuar në bashkimin kombëtarë, me arsye e argumente te pathyeshme karshi një Evrope që tani më, ia dimë hilet e saj historike…..

Sikur që nga paslufta në Kosovë, krerët e politikës nga dy vendet tona të kishin qenë me të vëmendshëm në përcaktimet politike, besoj se ndryshe do e kishim sot situatën si popull vëlla nga gjaku e historia në këtë hapësirë gjeografike të pastër etnike. Por, lakmia për pushtet, për pasuri, xhelozia ndaj njëri tjetrit, megalomanitë individuale, hakmarrjet e shumë gjera të pamira, siç i dimë të gjithë, mbetëm akoma duke na përkundë në djepin tonë të huajt, sikur të ishim ardhacak nga ky shekull, nga kushedi prej ku?….

Për një libër të tillë, thënë çdo gjë me modesti, është aq përmbajtësor, sa që nuk nevojitet koment i stërzgjatur. E rëndësishme është se libri “Kosova është Shqipëri”, botuar në janar të këtij viti nga z. Shpendi Topallaj, është manual që do t’i hynte në punë çdo qytetari, (politikanëve gjithsesi), për të mësuar e ditur shumë gjëra që, (ndoshta), deri me tani nuk i kemi ditur.

Këtë libër pata rastin para pak ditësh, ta kem dhuratë nga autori, me rastin e një takimi përurues në Gjakovë, për të cilin e falënderoj nga zemra!

Lulja e Naimit- Poezi nga VIRON KONA

Kushtuar agronomit dhe luleshitësit të lagjes z. Nexhmi Laraku

Luleshitësi i lagjes,
më flet me ëmbëlsi,
çdo lule që ai sjell,
e ofron me dashuri:

Kjo është aloe vera
atje është mëllaga,
kjo është burbuqja,
ja edhe lule shpata.

Ky është borziloku,
kjo lule e jaseminit,
“qershia mbi tortë”,
është lulja e Naimit.

Ofroj lloj-lloj lulesh,
që rriten në shtëpi,
merr ç`të do zemra,
atë që pëlqen ti.

Unë i shërbej punës
kënaqem prej fitimit,
gëzohem që pëlqen,
lulebukurën e Naimit.

E ndezur e verbuese,
n ‘rozë dhe portokalli,
vjollcë me të verdhë,
plot dritë dhe bukuri.

E shikon si rrëzëllen,
te shtëpia buzë detit,
i marrosi sarandjotët,
bukuroshja e qytetit!

Mëngjeseve sapo vij,
gjithkush atë kërkon,
e duan që ta mbjellin,
në oborr e në ballkon.

I thonë lule Sarandës,
i thonë lule e gëzimit,
i thonë dhe bugenvile,
është lulja e Naimit.

Naim Frashërit kur ishte në Turqi i tërhoqi vëmendjen kjo lule me gjelbërim të përhershëm, e cila kacavirrej në pragjet e dyerve të shtëpive private. Ngjyrat e saj janë në nuanca të ndryshme, nga portokallia dhe e verdha, deri te nuancat rozë dhe vjollcë. Më 1874-76, Naimi punoi në doganën e Sarandës. Asokohe solli me vete edhe një rrënjë të kësaj luleje. Ajo u përhap shpejt dhe sot gjendet në çdo cep të qytetit, por edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë. Emrat e saj janë: lule Saranda, bugenvile (bougainvillea) dhe lulja e Naimit.

NJË MBRËMJE POEZIE SHQIPTARE NË MILANO- Nga Eugjen Merlika

 

 

Më datën 19 shtator, në orën 18.00 në Shtëpinë Muze Tadini, në rrugën N. Jommelli 24, Milano, u zhvillua një mbrëmje kulturore, me rastin e promovimit të vëllimit me poezi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mija”. Autori i vëllimit është poeti i mirënjohur Visar Zhiti, shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare sot në botë.

Vëllimi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, “Strade che scorrono dalle mie mani”, është përkthyer në italisht nga profesor Elio Miracco dhe i paraqitur në një konkurs ndërkombëtar poezie që mbahet në Camaiore, një qytet i lashtë mesjetar në breg të detit Ligur, një komunë prej 31776 banorësh , në provincën e Lukës në Toskanë, e njohur për bregdetin e bukur të saj, për kishat e saj mesjetare, muzeumet e traditën e qilimave. Në këtë konkurs vëllimi i Zhitit ka fituar Çmimin e Parë ndërmjet dhjetra vëllimesh të tjerë. Madje njëra nga antaret e Zhurisë së Konkursit, Cinzia Demi, kishte ardhur vetë për t’a paraqitur librin në Milano. Mbiemri i saj më tërhoqi vërejtjen e madje në bisedë e sipër para se të fillonte mbrëmja e pyeta nëse kishte ndonjë zanafillë shqiptare, sepse ishte një mbiemër i tillë. Zonja, duke qeshur u përgjigj se nuk kishte dijeni, por nuk e përjashtonte kategorikisht.

Në drejtimin e promovimit t’asaj mbrëmjeje ajo shoqërohej nga e zonja e shtëpisë, gazetarja arbëreshe Melina Scalisse, që fliste me vështirësi shqipen por ishte krenare për origjinën e saj. Ajo kishte në kujdes, mbas vitesh pune në gazetën “Il giorno” “Dita”, Shtëpinë Muze Hapësira Tadini, një personalitet i njohur i kulturës së qytetit të Milanos, një poet e piktor modernist, që e kishte lënë shtëpinë e tij si një muzeum për qytetin e tij. Ndërmjet të tjerëve kishte njohur edhe piktorin shqiptar Ibrahim Kodra mbas luftës së Dytë botërore. Duke shfletuar një album pikturash hasëm edhe në një të tillë të bashkatdhetarit tonë të nderuar e Visari e pyeti drejtoreshën e Museut nëse e dinte se ajo pikturë i përkiste një shqiptari. Gazetarja u përgjigj se do të interesohej për këtë gjë.

Këto biseda bëheshin pa filluar ende mbrëmja e promovimit, e cila në orën e caktuar e gjeti sallën plot me të ftuar italianë, kryesisht, por edhe shqiptarë. Në fillim shkrimtari Zhiti i u përgjigj disa pyetjeve të organizatorëve që përbëheshin nga profesori Mauro Ferrari e gazetaret Melina Scalisshe, Cinzia Demi e Cristina Daglio. Ai u përgjigj shkurt e me dhimbje, duke treguar disa nga çastet më të vështira të jetës së tij, siç ishin ata të arrestimit, të dënimit e të qëndrimit në kampet e punës së detyruar, që ishin dhe ata që përcaktonin burimin e frymëzimit për një pjesë të mirë të poezive të vëllimit. Një përimtim të thukët të përmbajtjes së vëllimit e bëri në mënyrë bindëse profesor Ferrari, që dukej se ishte mjaft i prekur nga drama jetësore e poetit shqiptar. Ai analizoi disa poezi, duke u ndalur më shumë, jo vetëm në përmbajtjet, por edhe në disa terma të hasura më shpesh si atdheu, liria, dashuria etj. Duke përmbyllur analizën e tij i u drejtua poetit: “Ndërmjet të gjithë koncepteve të trajtuar në poezitë e juaja, cili do t’ishte ai më domethënësi, më qëndrori, më përfaqësuesi i poezisë suaj? Poeti u përgjigj mbas një çasti përsiatjeje: dashuria. Salla shpërtheu në një duartrokitje të gjatë e të fuqishme. Mendoj se ishtebçasti kulmorn i mbrëmjes, thelbi dhe kuintesenca e saj. Me atë pohim poeti shpalli vlerën universale të veprës së tij, që është e barazvlerëshme me vetë jetëgjatësinë e mesazheve që i përcillen lexuesve shqiptarë, italianë, evropianë e botërorë.

Duke patur në dorë vëllimin lexohej në kapakun e parë kjo shprehje: “Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta e vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së Vendit të tij.” Poshtë këtij vlerësimi ishte në kllapa:( Robert Elsie, albanolog kanadezo-gjerman). Në tridhjetë vitet e fundit janë të shumtë vlerësimet e poetit e shkrimtarit madhor shqiptar nga përfaqësues të ndryshëm të kulturës e letërsisë shqiptare e të huaj të Vëndeve ku vepret janë përkthyer e botuar, por mendoj se kjo shprehje e studjuesit kanadez është një nga pikat kulmore ku Visar Zhiti njëjtësohet me atdheun, një koncept që gjindet shpesh në vargjet e tij, në format e të shkruarit për të shkuarën, të sotmen e për të ardhmen e tij. E shkuara në poezinë lirike të autorit është në ballë të mesazhit të tij, edhe se fatkeqësisht përfaqëson një kohë të lidhur me kujtime të hidhura, me një jetë që ndërpritet barbarisht nga sistemi politik në lulen e moshës, i cili e trajtoi si armik të tijin, sepse kishte shkruajtur poezi që quheshin “armiqësore”, që e bëri të vuajë, të ndjehet i huaj në vendin e tij. Poeti ka shprtin e gjërë e, në bujarinë e tij karakteristike, edhe n’ata kushte, nuk e njëjtëson regjimin me atdheun sepse simbioza e dy koncepteve është e paqenë, sepse njëri është i përjetshëm e tjetri i përkohshëm, sepse “Atdheu im me qiellin e qethur si një i burgosur” (“E shtuna e parë e arrestit”).

Drama vetiake, sado e rëndë dhe e dhimshme është një grimcë e dramës së përgjithëshme, në të cilën asnjë nuk është i përjashtuar:
“Në bankën e t’akuzuarve
S’u ula vetëm unë, po edhe ti
Gjykatës isha edhe unë
A e di
Ne njëri tjetrin dënuam
Shqipëri!” (“Bashkë”)

Në një çast të theksuar dhimbjeje e pezmatimi poeti shkruan një vjershë me pesë vargje:
“Njihuni me skeletin tim
Jam unë – pa ëndërrat e mija
Pastaj më jepni ç’të doni,
Përsëri skelet do të mbetem” (“Skeleti”)
Por ai “skelet” gjen forcën në vetvete të jetojë, të shkruajë poezi të cilat i arkivon në kujtesën e tij jo të zakontë e të shokëve të vuajtjeve, sepse nuk mund t’i hedhë në letra prej frikës së kontrolleve të policisë që mund t’i shkaktojnë një ridënim, një masë e shpikur vetëm nga komunistët shqiptarë, e të cilin e kanë provuar shumë njerëz të dënuar. Ai “skelet” përsiat në mëndjen e tij e i kushton një poemë kompozitorit të madh gjerman Wagner, për të cilën padrejtësia shqiptare do t’a padisë penalisht se “është i frymëzuar nga një “kompozitor borgjez, individualist dhe pesimist”. Në poezitë e tij poeti shpirtmadh nuk zë në gojë ata kolegë të tij që përgatisin akt – padinë e tij në zyrat e Sigurimit të Shtetit, duke “ndërpretuar” vargjet e tij:
“Tani qaj unë për ty Wagner!
Arti qan” (“Mbi piano”)
Ai skelet pa ëndërra arrin në sublimitet, në madhështi, në shkruarjen e një poezie që titullohet “Perëndesha e mbrojtjes Copëra mermeri”, kushtuar njeriut më të dashur që njeriu mund të ketë në jetën e tij, Nënës. Është një monument mermeri i Karrarës, një përmendore e pavdekëshme letrare e njëkohësisht një simfoni bethoveniane që ngjitet deri tek Krijuesi, një fletë antologjie që mund të qëndrojë krahas firmave më të njohura të poezisë botërore. Tema e atdheut përsëritet më shumë në poezitë, duke vërtetuar brumin e poetit të lidhur me rrënjët e tij, aq sa të habisë profesorin italian që e gjen disi “të tepruar”, jashtë kohës. Çështje mendësish e konceptesh….
Po aq i fuqishëm si koncept mbetet edhe dashuria në poezitë e Visar Zhitit. Ajo është dhurata e Krijuesit për njerëzit, që siguron vazhdimin e jetës nëpërmjet riprodhimit, që shoqërohet me ndjenjat më të mrekullueshme, që fillojnë me tërheqjen fizike dhë ëndërrat e rinisë e mbarojnë me kënaqësitë e rritjes së bijve e nipave e mbesave, duke shënuar kështu vetë historinë e njerëzimit:
“Asnjë grua nuk do të bëhej nënë
Po të mos zhvishej së paku një herë lakuriq” (“Lakuriqësia”)
Në zymtësinë e jetës në kampet e punës së detyruar një djalë i ri bashkëvuajtës i tregon historinë e tij tragjike të arratisjes së një çifti të dashuruar, në të cilën vajza vritet nga rojet e kufirit. Ishte një skenë rrënqethëse kur vajza e plagosur për vdekje i thotë djalit me gjysmë zëri: “Ik, ik ti shpëto….të pëshpëriti dashuria. “ Poeti i kushton asaj tragjedije të dashurisë një poezi të titulluar “Arratisja”. Ai veprim që quhej nga Kodi penal i Shqipërisë komuniste si “tradhëti ndaj atdheut”, gjen në pendën e autorit frymëzimin më fisnik e mirëkuptimin më të plotë.
“Çdo dru dëshironte inicialet
e emrave tuaj t’i gdhendte
mbi lëvozhgën e kujtesës”
Për poetin ajo tragjedi e dashurisë meriton edhe pavdekësinë në kujtesën e vetë natyrës, madje edhe në Parajsën e Krijuesit. Ai e mbyll poezinë me dy pyetje, që gjejnë përgjigje në vargun e fundit:
“Ku, ku dergjet dashuria e vdekur? Ku
As qyqja s’e di?
Në të gjithë tokën e atdheut dergjet” í”Arratisje”)
Por dashuria mbetet gjithmonë oazi në të cilin prehet shpirti i tij i plagosur nga privimi i lirisë. Në fantazinë e tij, një poezie me titullin “Dashuria” i jep këtë përfundim:
“Vetë po nisem nëpër natë dhe vetëm
Do të kërkoj, do të kërkoj, do të kërkoj
si dora që endet nëpër dhomë, në errësirë
për të gjetur qiririn e shuar.”
Ndjeshmëria e poetit trazohet nga një figurë vajze që kalon çdo ditë para telave me gjëmba e shkon në punën e saj të përditëshme si mësuese, si infermiere, si prostitutë apo si…. çdo tjetër hamëndje e djemve të burgosur, së cilës ikushton një poezi të zjarrtë të titulluar “Mirënjohje”. Do të kisha dashur t’a sillnja në këtë shkrim të gjithën, por po mjaftohem me pak vargje:
“Ç’je ti, agullimë e bardhë,
apo vetë ëndërra?
Mos je fati që na mungon?
Të shohim, të shohim, të shohim
Por s’të ndjekim dot
veçse me sy….
Kur të kthehesh
nëse s’do të kthehesh
në gjumin e secilit do të hysh
Si në një mullar bari të shkatërruar
nga shtrëngatat.
Falma….. të burgosur….
Prangat rëndojnë më shumë se gurët e varreve.”
“Mirënjohje”
Treshja zotëruese e motiveve kryesore të vëllimit të Visar Zhitit “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”mund të përkufizohet me termat atdhe, dashuri e liri. Poeti ka një gamë më të gjërë argumentash që trajton në veprën e tij, por un shkurtimisht po merrem kryesisht me këtë treshe, duke respektuar edhe mendimin e folësve mbi veprën e tij. Një poet që ka hyrë në burg sepse ka shkruar poezi, pa tjetër që në qëndër të mendimeve e frymëzimeve të tij do të ketë lirinë. Shkrimtari i madh italian Umberto Eco shkruan kështu për poetin shqiptar:
“Shihni….. ndodhia e Visar Zhitit: i mjaftoi të shkruante poezi, të quajtura “të trishtueshme dhe hermetike”, pra armiqësore për regjimin ….. dhe fitoi me të drejtë dhjetë vite burg. Poezia i shtie frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe se flet vetëm për trëndafila, si në rastin e Zhitit”
Shkrimtari italian e rendit poetin shqiptar në rradhët e atyre njerëzve të nderuar që, në botën jo demokratike, në sajë të dhuntive e vullnetit për t’i shërbyer vlerave të vërteta të njerëzimit, janë të paracaktuar të luftojnë për idetë e tyre të humanizmit e demokracisë e shpesh të flijojnë një pjesë të jetës ose vetë jetën për triumfin e tyre. “Liri, gja aq e shtrenjtë sa e din vetëm ai qi për te s’i dhimset jeta” shkruante para tetëqind vitesh poeti më i madh i Italisë, Dante Aligieri.
“Liri, të dua,
Ty të besoj,
Nëse ti je zëri,
Unë jam gojë
Kur ti bëhesh harku,
Unë jam shigjeta
Të ngulem dua
Tek e vërteta…..
Mos pastë arkivole
Për këngën time.”
Kjo është besojma e poetit shqiptar në poezinë “Kënga është e mundur”. Ai e shpall atë hapur pa frikë, pa ndrojtje duke qënë gjithmonë koherent me vehten si mësues, si i burgosur politik si deputet i republikës, si diplomat i saj, si atdhetar, si luftëtar pende, si njeri. Në këtë kompleks nuk mund të mungonte ideali kombëtar, të cilin ai e trajton në poezinë “Vajza me flaut” Kosovës, ku nxjerr në pah një realitet të dhimshëm për popullin e tij:
“Ku fillojnë kufijtë e Shqipërisë
Fillojnë shqiptarët e sakrificave”
Është një e vërtetë që frymëzon këta dy vargje monumentalë, një padi e tërthortë e fatalitetit dramatik të historisë së shqiptarëve, një plagë e hapur prej më shumë se një shekulli në kurmin e drobitur të Shqipërisë.
Kështu poetit të burgosur një tufë delesh që kulloste jashtë kampit të dënimit i kujton jetën normale që zhvillohet jashtë telave, duke i zgjuar zilinë, por edhe një mendim të huajtur nga mitet e lashtësisë:
“Po sikur të futeshim fshehurazi
poshtë barkut tuaj,
të kapeshim pas leshit tuaj të bardhë
si pas mrekullisë
që kur t’ju numëronte ciklopi
te porta e hekurt
të dilnim dhe ne, jashtë dhe larg, drejt lirisë?” “Një kope delesh”
Shumë vite më vonë, nga një vizitë në kopshtin zoologjik, poeti në përsiatjen e tij filozofike e mbyll poezinë e tij “S’më pëlqen kopshti zoologjik i Tiranës” me këta dy vargje:
“Me lirinë e gjallë të të gjithëve
Dhe unë jam më i lirë.”
Ishin këto disa nga përshtypjet e mija vetiake nga leximi i këtij libri poezish, i dhënë tashti në gjuhën e tyre edhe lexuesve italianë. Për aq sa mund t’a vlerësoj edhe përkthyesi Elio Miracco meriton një përgëzim të veçantë, sepse i ka qëndruar shumë besnik mendimit të autorit. Sigurisht edhe vargjet e lira e kanë lehtësuar përkthimin, por pa dyshim ky botim në Vendin e poetëve është jo vetëm një sukses vetiak i poetit tonë por edhe i poezisë shqiptare të pas komunizmit. Ai ndihmon në dhënien e përfytyresës së vërtetë të Shqipërisë socialiste, i parë jo nga arkitektët e regjimit, por nga ana e atyre që e pësuan atë në shfaqjet e tij më mizore, në dhunën e diktaturës, që nuk njohu kufij e caqe poshtërsie njerëzore.
Por po kthehem prap tek mbrëmja milaneze e promovimit t’atij vëllimi. Mbas paraqitjes së profesor Ferrarit e mori fjalën gazetarja arbëreshe Melisa Scalisse, e cila foli me mjaft kompetencë, duket se e kishte lexuar me mjaft kujdes vëllimin duke shënuar ato që i kishin interesuar më shumë. Ajo foli me simpati për poetin duke vënë theksin mbi stilin dhe idetë e poezive, duke u ndalur në disa prej tyre. foli edhe për përvojën e hidhur të jetës së autorit. I bëri jehonë kujtimeve të saj të rinisë në fshatrat e Kalabrisë kur atje kishte shkuar për një sërë koncertesh e shfaqjesh Ansambli Shtetëror i këngëve e valleve në vitet tetëdhjetë. Tregoi për ndrojtjen e frikën që kishin artistët të bisedonin me vëndasit, sepse, simbas saj ata i quanin spiunë. N’atë rast ndërhyri Visari i cili e siguroi zonjën se frika e tyre rridhte nga fakti se ata i kishin spiunët me vete e jo nga mendimi se vëndasit ishin agjentë. Problemi ishte për arttistët se për biseda të lira me italianët duhej të jepnin llogari në policinë e fshehtë kur të ktheheshin në atdhe.
Pastaj zonja Demi, që vëllimin e kishte brejtur për t’i dhënë vlerësimin e duhur u bë nismëtare e leximit të nëntë poezive në shqip dhe në italisht. Në shqip ato lexoheshin nga bashkëshortja fisnike e jetës së shkrimtarit, Eda, ndërsa në italisht nga zonja Demi. Poezitë e lexuara në rradhë ishin këto: E shtuna e parë e arrestit; Rrjeshti i këpucëve të burgosura; Rileximi i Don Kishotit; Arratisje; Thesi i të burgosurit; Mirënjohje; Nesër; Shekulli i fëmijëve; Shpirti i im; Mendim rinor.
Të gjitha poezitë u shoqëruan me duartrokitje të vazhdueshme, shprehje e vlerësimit dhe mirëkuptimit të mesazhit të tyre. Folën pastaj edhe katër a pesë të pranishëm mjaft pozitivisht për poezitë dhe autorin, ndërmjet të tjerëve italianë e shqiptarë edhe një shkrimtare bjelloruse që vuri në dukje me keqardhje se në kushtet në të cilat ka qënë poeti shqiptar janë rreth 1500 të burgosur politikë si pasojë e lulëzimit të diktaturës në vënd. Ajo kërkoi vëmëndje nga qytetarët e botës së lirë edhe për viktimat e dhunës bjelloruse.
Ato dy orë që vazhdoi mbrëmja e promovimit qenë një rast i bukur njohjesh, shkëmbim mendimesh e miqësimi e të gjithë falënderuan poetin shqiptar që u kishte krijuar atë rast me botimin e veprës së tij, por edhe organizatorë te këtij aktiviteti kulturor të rëndësishëm.

Shoku “Hiç” – Tregim nga Përparim Hysi

Unë kisha gati 25-vjet që punoja në atë shkollë. Një kolektiv goxha i madh për një shkollë fshati.Shkollë fshati me gati 700-nxënës dhe me një personel me mbi 30 mësues. Në 8-vjeçare,cikli i lartë me dy-tri paralele dhe cikli i ulët e bënte mësimin mbasdite,me përjashtim të klasës së parë. Qemë një kolektiv pedagogjik që punonim me përkushtim dhe,sado në këta 25-vjet qenë ndërruar tre drejtorë, shkolla rreshtohej në një nga shkollat e mira të rrethit. Por,pikërisht pas 25-vjetësh,qenkan kujtuar që në shkollën tonë asnjë prej mësuesëve apo mësueseve nuk qenkëshin komunist dhe kjo sikur nuk shkonte,kur në çdp hallkë të jetës duhet të udhëhiqte partia. Kështu që,më mirë vonë se kurrë,emëruan dhe në shkollën tonë një komunist. Tek lexoni,mos më paragjykoni se unë kisha alergji nga fjala komunist. Kam njohur shumë komunistë idealistë dhe,nëse po qëndroj tek ky”komunisti që enkas po e quaj shoku “HIÇ”, e bëj vetëm për t’u treguar se çfarë mund të bëjë një i paaftë.
* * *
Ai erdhi si me porosi dhe,ngaqë qe i vetmi me shkollë të mesme emëruar tek cikli i lartë, drejtori,një njeri jo vetëm i aftë,por dhe babaxhan, mendoi se ky,i paarsimi. sado komunist,mund ta cënonte më pak cilësinë arsimore në lëndë që në pedagogji,quhen lëndë të djathta:kështu që të porsaardhurit i dha të jepte fiskulturë dhe,për të plotësuar normën,edhe lëndën e edukatës morale. Epo erdhi,mirëse erdhi! Nja dy muaj,i porsaardhuri,sos se ra në sy,por,pikërisht,kur kaluan dy muaj,qenë bërë zgjedhjet në organizatën e partisë në fshat dhe,vetëm ky qe me arsim të mesëm,e paskëshin zgjedhur sekretar të organizatës bazë. Sa u zgjodh atje,jo vetëm e bëri të njohur në një mbledhje të këshillit pedagogjik,por sikur po lëshonte “brirë”. Tani,kur i drejtohej një kolegu a kolegeje,para emrit vinte atë ndajshtimin “shoku apo shoqe”( ju siguroj që fjalën “ndajshtim”as ia kish haberin). Ky “hop” i kësaj mendjeje kaq përçude,na bënte për të qeshur,sado që qe për të qarë. Natyrshëm, që atij duhet t’i drejtoheshe me fjalën”shok”,se nuk qe vetëm koleg yni,por bash i madhi i fshatit: sekretari i organizatës së partisë.Jo vetëm u rrit kungulli,po zuri e mori gardhin. Mbaruar pa mbaruar orarin e mësimeve,ky”shoku” hapte zyrën e këshilit dhe jepte”audiencë”: si,një kandidat konsultohej për statutin e partisë dhe,kur vinte një “kandidate”,dera mbyllej,se”audienca” qe tepër sekrete. Bënte ç’bënte atje,qe punë për të dhe ata shokët e organizatës,por ky,qe me të vërtetë një hiç, na hapi punë dhe në shkollë. Na kujtonte se qemë”veqilët” e tij dhe mund të na përdorte sipas mendësisë së tij përverse. Mua më hanin brirët për sherr dhe gjeta një shkak për t’i shpallur”luftë”. Shkakun nuk e shpika unë,por e pashë me këta sy. Përballë dritares sime (dritarja qe e hapur),shoku “HIÇ” po jepte fiskuturë. Kur shoh që,sa do fillonte,kur dëgjoj nxënësin kujdestar që i raporton mësuesit:- Shoku sekretari i partisë,klasa është gati për mësim. Dhe shoku HIÇ mend u bë viç kur pozoi para klasës dhe,u tha pak a shumë atë thënien proverbiale:”…Gjithmonë gati!”. E dëgjova dhe flokët m’u ngritën gjemb. Sa hymë në sallën e personelit,sikur të më kishte shkelur në kallo,iu lëshova:- Ore,ku e ke gjetur atë pedagogji që vë kujdestarin dhe të raporton”shoku sekretar”,mos je gjëkafshë në mbledhje të organizatës?
-Mua,mos më thuaj ore,se unë jam “shoku” dhe jam sekretar i organizatës së partisë. Unë dhe ca më i rebeluar e ngrita zërin edhe ca dhe ia zbraza:-Ti je shoku HIÇ dhe mos kujto se mund të bësh si të duash qoftë dhe në një orë mësimore.
E pashë që iu skuq qafa dhe ndjeva kënaqësi që ia bëra hundën copë. Nuk e di në hoqi dorë nga ajo “komanda përverse”,por si sekretar që qe,ngaqë kishin dalë dhe ato grupet anti-parti (sa ish zbuluar nga partia e shoku Enver “poliagjenti” Mehmet Shehu).mblodhi kolektivin dhe në emër të organizatës,kërkoi që secili prej nesh,të bënte nga një dekleratë me shkrim për biografinë.
-E kemi bërë biografinë dhe është në zyrën e kuadrit,- thashë unë.
-Ke 30-vjet dhe ka shumë ujëra që duhen kthiellur,-tha shoku HIÇ.
Dhe,sado që nuk e bëra,ai i qe drejtuar organizatës së fshatit ku jetoja,se priste hakmarrjen, Por.shoku”HIÇ” po trashte zullumin. Xhëku krijonte”intimitete” me kandidatet dhe,tek i kish hyrë vetja në qejf, në një familje e teproi.
Banushi,një fshatar babaxhan,tregonte:-Ishte andej nga ne mbrëmë,qya,sekretari dhe më thotë:-Shoku Banush,ti e di që partia ka zbuluar shumë grupe armiqësore,kështu që do na falësh, se me Diellën,si komunistë,do diskutojmë ca”fshehurira”. Hë,këtu dhe hë atje,shkout HIÇ i doli boja. E hoqën nga shkolla jonë dhe e dërguan kujdestar konvikti në një shkollë të mesme, Atje “shoku Hiç që u bë si viç”,tentoi të filtronte me nxënëse, Sado që qe”shoku”,i vunë prangat dhe dënuan me burg. Doli nga burgu, aty prag vitit 1990.
Kisha kohë pa e parë dhe,tek më çoi puna tek zyra e të persekutuarëve,pashë të ulur shokun”HIÇ”.
-Po ti këtu apo pse e bëre burgun për nder?
-Më burgosën pa të drejtë dhe vjehrri im,-tha shoku HIÇ,ka qenë kulak.
-Ore,- i thashë,-por e shkrove këtë kulakllëkun e vjehrrit në atë ,deklaratën që na kërkoje atëherë?
Po lëri ato,se ato qenë të kohës tjetër.
Eh,thashë,more Shoku HIÇ,kur gjen sheshe,pse mos hashë përshesh.

Tiranë,25 shtator 2024

Kapiten je ti!- Poezi nga VIRON KONA

 

Bir më dëgjo se jeta vete dhe vjen,
ka ndershmëri, por dhe të gënjen!
E mendon të pastër, burim kristal,
befas ajo shfaqet pellg apo moçal!

E sheh të bleruar, por del e shkretë,
mirazh apo realitet, lëmsh i vërtetë!
Ty të rrëfen pak, të madhen e fsheh,
është si ajsberg, që fshihet nga ne!

Tashmë ke familje, për të do luftosh,
më tepër se thesar, atë do e mbrosh.
U bëre me fëmijë, rritet përgjegjësia,
ata shohin tek ty, si te vet perëndia!

Je at, bashkëshort, ke barrë në supe,
ruaj ekuilibrin se njerëzit kanë huqe!
Mbaji fort shokët, por ata me mend,
mos afro djajtë, se të del shtrenjtë!

Para vështirësive s`duhen qaramanë,
të duhet guxim që t’ia dalësh mbanë!
Do krijosh përvojë, si të tjerët dhe ti,
fëmijëve mësoju, ato që më mirë di!

Jeta i ngjan detit, me dallgë e stuhi,
çfarëdo që të ndodh, kapiten je ti!

KUJTESË E DËSHIRË- Poezi nga BEKIM BLAKU

 

Çdo ditë pak nga pak 

Na e vrisnin lirinë,

Të paqenën

.

E tëra nuk filloi në shekullin e kaluar

Ajo vetëm vazhdoi,

Atëbotë, plagët vetëm sa u thelluan

.

Më nxorrën në rrugë-

“Ty s’të duhet shkolla”,

Unë ia dhash malit, foli grykëholla

.

Në mëngjesin e radhës,

Shijuam rrezet e Diellit, lirshëm,

Deri te Dreka e Lamës

.

Sogjetarët e urës flisnin

Për “këmishën e prerë”(të mbetur e paqepur)

Dikush heshti, e, dikush ua mbajti ison

.

Të moshuarit thanë, prap do prishet moti,

Djemtë me vrull u nisën drejt fundit të arës,

U kthjell prap Qielli

.

Si rrufe Olimpi u dëgjua

Një e shtënë pas shpine,

Një nëne i rrodhi loti,u qel plagë në zemër

.

Qoftë ky tagër i fundit

Për Diellin e Lirisë Tënde,

Atdhe.

.

Berlin, 024 shtator 2024

Vjersha për fëmijë nga Albert HABAZAJ

 

EDHE AMI SHKON NË KOPSHT

– mbeskëzës sime Amaris, që mbushi 3 vjeçe –

Iku gushti, erdhi vjeshta
Piqen dardhë e fiq e mollë,
Ëmbëlon rrushi në vreshta
Zogj mbi pemë e zogj në shkollë.

Edhe Ami shkon në kopsht
Porsi një fluturz e bukur,
Ca fjalëza të ëmbla thotë
Në sy duket – është e lumtur.

Se mësuesja e ka xhan
Xhan i ka shoqet e vogla,
Porsi gonxhe pranë e pranë
Nga gëzimi bëjnë lodra.

Me këmbë lepuri shkojn’ ditët
Çel njëzet e tre shtatori,
Sa shumë Ami sot ësht’ rritur
Si princeshë perandori…

Është e madhe, shumë e madhe
A e dini sot sa mbushi?!
Tek vjen si mbi krah’ pulëbardhe
Plot 3 vjeçe mbush Amushi.

Moj Amushe ëmbëlsira
Moj motër e vogël e Perlës,
Po ju jeni aq të mira
Fat e mrekullia e jetës.

Vlorë, e hënë, 23.09.2024

Plehu i pistë Edvin Kristaq Rama- Satirë nga AUREL DASARETI

 

Unë plehu i pistë Edvin Kristaq Rama kam gjithçka që dua

Dhe mund të bëjë me Shqipërinë çka më ka qejfi mua

Unë jam një bir kurve dhe do të mbetem sa të jem gjallë

Oooooh sa shumë jam krenar!

Në narkoshtetin Shqipëri çdo gjë është bërë shkrumb dhe hi

Prandaj në Tiranë do krijoj një shtet Bektashi

Kur jam i çmendur dhe kur jam gjallë

Jam bir kurve dhe kjo më bënë krenar!

POEZI PËR LUFTËN NGA ALBERT HABAZAJ

 

Dy epope në një pentagram. E kush nuk e njeh të madhërishmen Drashovicë?!

DRASHOVICË, MOJ!

Albert HABAZAJ

Ja harku i fitimtarëve
Në portë të Lumit të Vlorës!
Në ballin e çlirimtarëve
Ndrijnë dafinat e Kurorës.

Luftë e ashpër, ballë për ballë
Saqë tundi dy vargmale.
Tundi dy detet me valë
Trimat në sulm – si në valle.

Dy kohë, dy epope,
Dy perandori të rënda.
Nuk u zunë këmbët dhe
Kë kish’ bërë drerë nëna.

Dy kohë, dy epope
Drashovica – një përherë.
Për këtë gur e për Atdhe
Me dorë rrufetë i ka prerë.

Shtatori dyzet e tre
Në krah të verës Njëzetë.
Dy zjarre ndezur për ne
Bëjnë dritë lirie përjetë.

Na ngrohin e hapin krahët
Nga Harku yt, Drashovicë.
Çakejt s’t’i lëndojnë dot plagët
Nga yjet kanë frikë stuhitë.

Te Monumenti me Lule,
Te ball’ i bardhë i Lavdisë,
Shqiponjat me këngë ulen
Kurorë t’i vënë Lirisë.

LAVDI PËR TRIMAT E TU

Lavdi për trimat e tu
Drashovicë, moj!

Dragojtë që koha pru’
Drashovicë, moj!

Për lirinë e mëmëdheut
Drashovicë, moj!

Stërniprit e Skënderbeut
Drashovicë, moj!

Te Monumenti me Lule
Drashovicë, moj!

Shqiponjat me këngë ulen
Drashovicë, moj!

Drashovicë, e shtunë, 21 shtator 2024

PSHERËTIMË BJESHKE- Cikël poetik nga TAHIR BEZHANI

 

 

HAPEKRAH NË SHKREL

Shpirti ka shtrirë krahët majave të Shkrelit
Sa larg dëgjohet kënga e poetit
Dhimbshëm ndjehet malli nëpër fjalë
Psherëtimave shkon si zë në vaji
Si në pasqyrë shoh poetin buzagaz e krenar
Azemi shëtit zemrës sime pandarë
E ngrihet si lapidar vetullave të zbardhura
Si përmallim dridhet flladi pishave n ‘muzg
Pa zhurmë këmbësh shëtis shpate, lugje
Maja të gjelbëruara qëndisur me shall të bardhë
Hapekrah qëndroj mes Shkrelit e Bogës
Shikimi tretet bukurisë së Rugovës
Në maje të Çakorrit ndal vrapin zemra
Përplaset në lotët e poetëve të vdekur
Si në shkëmbinj shekullorë të përgjakur
Gjaku shpejton ecjen damarëve pa cak
Deri në dhimbjen e ashtit
Rugovë moj
Bukuri e dhimbje të shkrira së bashku….

E NDIEJ ZËRIN TËND EDHE N’ ËNDËRR

Ëndërr e ndiej zërin tënd të harlisur
Atë dridhje toni të derdhur telave të zemrës sime
Si violinë e çakorduar, këputur kohësh
E ndiej prekjen e duarve tua të imta
Ata gishta të hollë e lëkurëbutë
Sa bukur miklojnë flokët e bardha e rrudhat në ballë…

Sa tmerrshëm i gëzohem zërit tënd të ëmbël
Dhimbshëm dridhesh rrëkesë së lotëve,
Që kurrë nuk u thanë
Malli e shtrydh gurin thonë
E sërish lot rrjedhin deri në çarje
Më bëhet se ndiej edhe përplasjen e buzëve tua
E lutjen e zjarrtë me dëshirë të më bart lart…

Një shikim i sertshëm sikur të shkriu
Si avull u trete rrugës për në Olimp
Pastaj e mëshirova veten
Jetoi e iki si e paparë
Në flakën e dashurisë së përmotshme
Shkëndija do bëhemi një ditë
Si një lapidar….

PËSHPËRIMA E NJË NATE ME SHI

Një natë e errët me shi e stuhi
Gjumin më trazoi etja e zjarrtë
Ndoshta ishte kall nënkresa ime
Apo një mall më kishte shkrumbuar natën
I tëri në shkumë isha shndërruar…

Me kovën e vjetër
Nxora ujë nga pusi i shembur kohe
Ngjante në hirin e vjetër, të lloçtë
Pusi ofshani dhimbshëm
Për etjen time të çmendur
Nuk është uji që të shuan etjen
Foli Ora e ujit nga thellësia
Janë lotët e ikur viteve
Nga gropë e syve në pritjen tënde
Një ushtimë n ‘ikje maleve dëgjova
Statujë zhgënjyese mbeta
Nuk e dija se ishte loti i saj
Jetë thneglash….

 

 

FLAKË KUJTIMESH…

Sa herë përfytyrimet të sjellin para bebëzave
Edhe poret e trupit tkurren nga malli
Eshkë për zjarr bëhet lëkura
Tym para flake ndej brenda….

Ti varros e ç varros çdo ditë dëshirat e kallura
N ‘flakën e të kaluarës së bërë shkrumb
Torturë ndien shpirti e zemra
E ti nuk bëhesh askund e gjallë….

E tinëz përgjon hapat e mi
Në pluhurin e harresës pikturë magjike
Ti e unë
Ishim një flakë që kalli jetën pa e parë
Një fllad nate në vorbullën e kujtimeve
I paharruar kurrë….

 

Bogë-Rugovë,
23.07.2024

21- VJET NGA VDEKJA E SHKRIMTARIT TË PAHARRUAR ODHISE K. GRILLO- Nga XHAHID BUSHATI

– Në rrugëtimin tënd njerëzor e krijues, miku im i pavdekshëm Odhise, krahas mirësive njerëzore; Bibliotekës shqipe dhe brezave të tashëm e të ardhshëm u dhurove opusin e gjerë të librave të tu të mrekullueshëm përmes gjuhë së bukur të Nanës Shqipe. Ky ishte dhe amaneti yt. Lexuesit e vegjël të kujtojnë përherë, teksa shfletojnë faqet e librave të tu me kërshëri, ëndje dhe kënaqësi… –
Librin e parë “Shtatë ngjyrat”, shkrimtari Odhise K. Grillo (21 mars 1933 – 24 shtator 2003), një nga themeluesit e Letërsisë sonë për fëmijë e të rinj të pasçlirimit, duke mos harruar vitet si Kryetar i Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj; e botoi në vitin 1954, ndërsa libri i fundit i Shkrimtarit (pas vdekjes) është “Libri i Çudirave” (poemë, Sh. B. TOENA, Tiranë, 2007).
Duke u kthyer vite e vite më pas, e, duke njohur e studiuar vazhdimisht rrugëtimin letrar e krijues të autorit Grillo, e, duke “trokitur” në Fëmijërinë e tij, mësojmë se, (nga pohimet dhe rrëfimet e tij) “Me letërsinë për fëmijë u lidha që kur isha vetë fëmijë, në klasën e katërt. Atëherë kam shkruar vjershën e parë. Nuk ka qenë rastësi futja ime, por një dhuratë nga Zoti. Kur kam botuar poezinë e parë në “Pionieri”, më 1947, në ëndërr m’u shfaq një bletë që më sillej rrotull kokës dhe një luan që më kishte kthyer kurrizin e më tundte bishtin. E mira, nëna ime, që thoshte se dinte të shpjegonte ëndrrat, kur ia tregova, më tha: “Bëju bletë, e jo bisht luani”. Dhe unë u përpoqa të bëhem bletë në letërsinë për fëmijë (ka kokën, krahët, këmbët e … mjaltin e vet…), dhe jo bisht luani në letërsinë për të rriturit”.
Opusi tematik i trajtesave në krijimtarinë e gjerë e të larmishme të shkrimtarit varion: sa në historinë e hershme, pastaj të vonëshme e deri te aktualiteti; sa nga gjinia e epikës aq dhe te lirika; sa te ngjyra e përrallës autoriale e sa tek tradita e rrëfimit të përrallës popullore e shoqëruar me humor e ironi; sa te përshtatja e shumë veprave nga letërsia botërore sa te përkthimet dinjitoze të shumë autorëve botërorë për fëmijë që kanë lënë emër në botë; sa te loja e fëmijëria te dëshirat e ëndrrat e fëmijëve… etj., etj. Kjo është një pasuri e madhe, e vyer; është një testament që pak kush e ka në këto dimensione nga krijuesit e Letërisë shqipe për fëmijë e të rinj. E ka lënë të dokumentuar krijimtarinë cilësore shkrimtari nga Vunoi. Sigurisht, këndvështrimet janë të ndryshme për vlerësimin e këtij vargani të pafund librash… Ne, kësaj radhe, zgjodhëm për të trajtuar, sadopak, dy tema nga krijimtaria e shumëllojshme e tij: Loja dhe Fëmijëria në jetën dhe në letërsinë e shkrimtarit Odhise K. Grillo. Enkas, zgjodhëm disa libra që trajtojnë e pasqyrojnë këto dy tema, si tek veprat: – “Vogëlushi dhe treni” (poemë, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1972); – “Zërat e fëmijërisë” (Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1979); – “Valbona blen ylberin” (tregime në vargje, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1981; Toena, Tiranë 2000; LOGOS-A, Shkup 2002); – “Nisuni pëllumbat e mi” (vjersha dhe poema, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1985); – “Zërat e fëmijërisë” (vjersha e poema, Sh. B. “Naim Frashëri”, Tiranë 1986); – “Mollëkuqja e fëmijërisë” (vjersha e poema, OMBRA GVG, Tiranë 2001)… etj. etj.
Loja që “shëtit” në poezitë dhe poemat e shkrimtarit, përherë i mëson, i edukon, i argëton fëmijët. Asnjëherë, gjatë leximit tim, nuk ndesha korniza skolastike, pllakateske e moralizuese. Brenda strukturave, figuracionit, konceptit etiko-moral dhe mesazhit Loja mbeti në fokusin e frymëzimit të poetit të shquar, funksion dhe pjesë e pandarë e jetës së fëmijëve-lexues. Po, ashtu, edhe Fëmijëria “shëtit” në poezitë dhe poemat e shkrimtarit: e gjallë, me ndjenjë malli, nostalgjie; përmes kujtimeve, amaneteve, duke mbetur “personazh” që flet përherë, në mos-harrim dhe përjetësi. Si tek Loja, si tek Fëmijëria, çdokush nga ne, teksa i lexon krijimet me këto tematika, është e pamundur të mos provosh emocione, të mos dëgjosh rrahjet e zemrës së poetit, madhështinë e shpirtit të tij. Dhe, të gjitha këto, më kujtojnë fjalët e bekuara të poetit të shquar nga Kosova, prof. dr. Agim Deva, i cili thoshte: “Shkurt – nga përvoja ime: në jetë kam njohur dhe njoh krijues të mrekullueshëm e dinjitozë… [… …] Sot kemi fjalën për një figurë të kompletuar nga më të mirat e të dyja këtyre karaktereve krijuesish [… …] një emër që shkruhet me të gjitha shkronjat e mëdha – ODHISE GRILLO. I dinjitetshëm e i dashur si njeri, i dinjitetshëm e i dashur si shkrimtar. Një njeri që më së paku i ka takuar vetvetes, e më së tepërmi fëmijëve. Një njeri që e ka pjestuar veten në aq pjesë, sa pati nevojë kultura jonë për të.”
Sot duke të kujtuar me nderim, mik i dashur dhe i shtrenjtë Odhise K. Grillo; nuk më largohen nga mendja gjurmët letrare që le (i ndjek ato vazhdimisht), gjithashtu përshtypjen për Ty e cila vlerësohet e ridimensionohet për ditë e për ditë. Gjurma dhe Përshtypja nuk bëjnë gjë tjetër: krijojnë ringjalljen e tënde, sjellin portretin tënd, dhe njëherësh të kujtojmë me nderim I PAHARRUARI ODHISE K. GRILLO.
Shkodër, më, 24 shtator 2024 ( XHAHID BUSHATI )

Kur vij në Pejën time- Poezi nga Neki Lulaj

 Jam gati të bëhem tjetër dritë dielli për udhët e Pejës
 Të marr për dore fëmijët kur nisin klasën e parë
Të shtroj me loket e çikat flinë mes tryezës.
 Me druvarët të shtrëngoj në supe sëpatë e sharrë.
 Dua të lodhem në Rugovë pas qengjave mes barinjve.
 Të gdhihem pranë stanit me qentë e Sharrit të bleruar.
 Janë shtuar ujqërit në këtë kohë me gjëmime
Janë shtuar dhelprat me gëzofë të ndërruar.
 Në gjunjë do të ulem në Pejë në çdo avlli e bahçe
 Të vadis lulet që I duam për mësues, nëna e dëshmorë
Me Komandant Saliun dashkam ta gjerbokam një kafe
 Të më rrëfejë si Gjergji gjoksin e trupin e plaguar.
Në Pejë bëhem njëheresh djalosh që bën garë me duar.
Në Bërliqin tim do të bëhem si babagjyshi me thinja
 Dua të jem kryekrushku me tupan e flamurin kuqëluar
Të udhëkryqe e sheshe të më dehë lahuta e çiftelia.
 Besomëni për besë, se gjumin këtu dua ta dëboj
Për foshnjën e porsalindur djepim e pelenat i kam gati.
 Evropa qënka larg, shumë larg ku Pejën përqafoj
 Me vargun e thurur bëhem si fëmijë a si ushtari

Send this to a friend