Nëse duhej ta shpjegoja me një fjali romanin impresionues të Skënder Buçpapajt “Njeri me hënë” (Onufri), do ishte pikërisht ky që kam zgjedhur për titull: “Treni ynë i përbashkët nuk e miratonte fluturimin tim të vetmuar.” Dikur demodetë na thoshin: “Kapni trenin e kohës”. Aq inat morën me trenin ata “që e kapën kohën”, sa: lavdinë e socializmit, ku “lokomotiva” qe kthyer në simbol të kohës, e katandisën si peshkun e plakut Santjago të Hemiguejt. Kolektivi do kthehej në shoqëri aksionere. Nga koha e polifotove jemi tek kjo e selfies. Flitet për një pajtim kombëtar, ndërkohë ajo që ecën është: “Mete për vete”. Si paradoks, në kohën e kolektivit u fetishizua njëshi dhe, në kohë e pronës private: po dallohet vulgu. Të vijnë në mend gjithë këto, kur lexon romanin e Skënder Buçpapajt, ku rrëfimtari i romanit beson se ka fuqinë të ndikojë në mendjen e të tjerëve. Sigurisht që arti e disponon këtë fuqi ndikuese, që i njihet vetëm propagandës.
Ngjarjet e “Njeriut me hënë” zhvillohen në bjeshkët e autorit në kohën e “diellit alegorik”, i rritur me bukuritë e natyrës, njëherësh dhe me gojdhanat, me zanat që shitojnë, atje ku tek shpirtëzimi i sendeve duket se ka fillimet e veta filmi multiplikativ, vizatimor. Banorët e natyrës priten të bëhen banorë socialë, ku Fshati i Individëve, ardhur prej lashtësie, duhet të përballet me Fshatin Kolektiv të regjimit komunist, ardhur prej Rusie. Ata që jetonin në kulla një këtu e një atje, duhet të banonin në një pallat. Nuk po them kapanon. Më e keqja, kolektivistët duhej të mendonin, flisnin e të visheshin njësoj. Bleta punëtore, që ka në krye një mbretëreshë po quhej simbol i Fshatit të Individëve, ndërsa milingona punëtore simbol i Fshatit Kolektiv, vëren autori. Dhe ndodh që, ata të maleve, të dënojnë ata të detit, ngaqë këta i ndillte horizonti. Që individët e panënshtruar të uniformizoheshin, duhej të tridheshin. Kjo detyrë iu la vejushave. “Poshtë armiku subjektiv!”-thërrisnin ata të fshatit kolektiv, njohur ndryshe si objektivistët. “Vonë, shumë më vonë do ta merrja vesh se armiku subjektiv ishte Heri, ishte Hera… (Shkaku i vonesës tek rrëfyesi, a duhet kërkuar tek indoktrinimi? F.R) Nga ata mora frikën. Një frikë shurdhuese që nuk rreshti kurrë më në veshin tim… Botën deri tani e kisha parë vetëm në ëndërr.”-dëshmon dëshmimtari, që autori e ka zgjedhur si rrëfyes. Në bjeshkët e Skënder Buçpapajt njihet rëndësia e një udhërrëfyesi. Baladat para së gjithash janë rrëfime. Eposi i Kreshnikëve gjithashtu. Në malsinë katolike praktikohej dhoma e rrëfimit. Një i ngujuar doemos do binte në meditime. Ndoshta këtu duhet kërkuar arsyeja që në roman kemi një zhbalancim midis meditimeve dhe dialogut. Vashdimisht shkrimtari e përjeton natyrën si poet, ku frazën po ta shkëpusësh është e tëra poezi.
Dy fëmijë, Blera dhe Bleri, të harruar humbasin në pyll të përqafuar, kur bora kish filluar të mbyllte shtigjet. Edhe për lumturinë ka gracka. Banorët u ngritën t’i kërkonin. Në fund, faji i mbeti mësuesit, të cilin e kërcënojnë: “-Kurrë mos i vërë në banga një djalë e një vajzë!”, për më tepër dy fëmijë me emra dhe sy të njëllojtë. Kjo njëllojshmëri individësh do kthehej në uniformizim në Fshatin Kolektiv. Në respekt të dokeve nuk duhej të ulej një djalë e një vajzë dhe në detyrim ndaj dogmës duhet të mbaje qendrim ndaj armikur të klasës, duke mos ndenjur me të. “-Ju jeni një popull individësh dhe, po vazhduat kështu, nuk do të dilni kurrë nga prapambetja, do të jeni gjithmonë një popull individësh, nuk do të bëheni kurrë një popull kolektiv, siç është fshati fqinj, Koburi.”-i kthehet mësuesi. (Në fushë kolektivizimi i bujqësisë nisi në Krutje në vitin 1946, ndërsa në malësi procesi i kooperativizmit do përfundonte 20 vite më pas. Shkroi dhe Petro Marko një roman me titull “Ara në mal”.) “Hej. individ!”, “Hej, privat!”, “Janë kolektivët këta!”-do dëgjohet sa herë thirrja, kur ngjarjet majisen, sidomos në kohë gjyqesh. “Individi, duke mos pranuar që, me vullnetin e tij të lirë, të bashkohet me popullin kolektiv, e ka përjashtuar veten nga radhët e fitimtarëve dhe e ka rreshtuar në radhët e humbësve.”-foli i pari i mbledhjes. Për t`i nxjerr individët nga guacka apo “kulla e fildishtë”, u ngarkohet kjo detyrë vejushave të Fshatit Kolektiv, “as më e reja dhe as më e ndezura, as më luftarakja, as më dinakja e të gjithëve”. Ironia arrin në sarkazëm, nëse mendon që gratë e veja do të zhburrëronin individët. (Çirçja do e kishte më të lehtë t’i kthente në derra, se sa ato të tridhnin burrat e malësisë. Kujtoni malësorin e Migjenit, që për një dorë misër bëhej servil para prefekturës.) “Në këtë zell e sipër, në këtë vrull e sipër njërit sish i shkau goja dhe u betua “Për zotin”, në vend që të betohej “Për idealin”. Ideali i Fshatit të Kolektivit u përdor për të pastruar shenjtorët nga altarët, për t’i kthyer shkrimtarët dhe artistët në ndihmës të partisë, ndaj Herit dhe Herës i bëhet gjyqi, të akuzuar për arratisje, sepse ata ishin tërhequr nga malli për detin. Nga ai det ku mendohej se na kishin ardhur gjithë të këqijat dhe vaporët do mbusheshin me shqiptarë, që braktisnin atdheun. Nis kështu tredhja e burrave prej eunukëve, por, kurrsesi i karaktereve të forta, që, në vend të gjunjëve, prisnin t’u dilnin flatrat. Dhe ja, njëri prej tredhësve: “Ky bir fshatari bëri disa vjet burg. Por, me djersën e tij të ballit, u bë tredhësi primitiv më i famshëm jo vetëm në krahinën tuaj, por në shumë krahina që i sjellin këtu enkas hamshorët e tyre për t’i tredhur.”-shkruan autori. Banorët po quhen ditëpunësa, ndërsa individi i kishte ditët të numëruara. “Jemi fryte të harruara dashurie, të hedhura diku, të lindura vetëm për veten tonë e për askënd tjetër, të lindur për të parë vetëm punën tonë dhe të askujt tjetër.”-shpalosin kuptimin e jetës së tyre ata të Fshatit të Individëve. Ata të Koburit hanin bretkosa, si me qenë francezë, ndërsa ata të Bokës gjarpërinj, si me qenë aziatikë. Zhurma e gjarpërinjëve ngjall frikë, ndërsa ajo e zhapinjëve pështirosje. (Në Tropojë ka dy monumente. Njeri i kushtohet Bajram Currit vrarë në kohën e mbretërisë dhe tjetri i Azem Hajdarit vrarë në kohën e demokracisë. Asnjëri i vrarë nga armiku. Dy individë, secili “qeveri më vete”, njerëz me hënzë, por dhe me kobure. Po kush i vrau? Fshati i Individëve apo Fshati Kolektiv?) Për të marr një shpjegim, duhet të ndjekim në roman episodin e vrasjes së Njeriut të Përroit, që mblidhte gurë të çmuar nga Rojtari i Pyllit, i cili, siç shënonte se cila pemë duhej prerë, shënonte në bllok dhe emrin e atij, që duhej hequr qafesh. Por, duhet bërë kujdes, që, për të shkuar tek e vërteta, nuk duhet të udhëhiqeni nga Poeti i Vdekur…
(Shënim: Tek ilustrimet shihni dhe paragrafe të nënvizuara nga romani, që për mua janë një lloj sizmografi, tregues të vlerës së librit. Më ka ndodhur të lexoj libra pa mundur të nënvizoj, njësoj, si të shkosh në plazh e të mos shohësh gjurmë njerëzish.)
II
Përkundër Poetit të Vdekur që i përket Fshatit Kolektiv, Rrëfyesi anon nga Fshati i Individëve, veçse nga një pozitë e moderuar, i cili paraprihet nga ëndrrat e tij, duke i njohur vetes fuqinë ndikuese, thua se ka pirë qumësht zanash. Në pritje t’i dalin flatrat, ndërkohë që shkuleshin krahët dhe krahu i punës ishte i lirë. (Jemi në kohën kur në qiell shiheshin vetëm avionë luftarakë.) Poeti i Vdekur nxjerr përfitime nga fatkeqësitë, duke u hequr viktimë e një krimi të pandodhur. (Si i vdekur kujtohej Lasgushi, me të cilin nuk ngjan gjëkundi poeti shtrigan.) Rrëfyesi dhe Poeti i Vdekur, më shumë se sa persona, janë shprehës të një konflikti të përjetshëm midis artit dhe propagandës, kur: “njëri nga tekstet i përkiste realizmit socialist, tjetri, imi, s’kishte të bënte me të”, kujtojmë një debat publik midis autorit të romanit “Mjegullat e Tiranës” dhe autorit të novelës “Dashuria e Mimozës”. Si Rrëfyesi i romanit dhe Poeti i Vdekur s’lënë gjë pa përgjuar, përfshi dhe rënkimet. Zor se i shquaje se cili e kishte ofshamën më të madhe, ngaqë njeri kishte rënkimin e Laokontit dhe tjetri vuajtjen e skllavit apo të oborrtarit. Duke qenë rivalë, secili ka epërsitë e veta, por: “Epërsia ime nuk shndërrohej dot në armë në dorën time.”-shprehet autori duke refuzuar që vargu të jetë bombë, por flamur. Pra, njëri i bombës dhe tjetri i flamurit. Vetëm epërsia e ligësive kthehet në armë. Rrëfimtari kërkon të kapërcejë ylberin, mund ta merrni dhe si shkelës kufiri, në pritje të daljes së flatrave, “jo për të ndryshuar gjininë, por për të ndryshuar qënien”. Që të ndryshoje qënien bie ndesh me Fshatin Kolektiv, që transformimin e vetes e shihte tek “rrafshimi i vlerave”, ku harrimi i vetes kushtonte më shumë. “Ndryshimin e qënies” duhet ta bëjë i vetëm, pa ndihmën e askujt, në kushtet e ndrydhjes apo të shtypjes së personalitetit. E quan veten breshkan, joshur nga ideja se breshka në hershmërinë tonë ka fluturuar, ndaj i hipën dëshira për flatra.
Të jetosh mes malesh: dëshira për flatra shfaqet si prirje e ambientit. (Njeriu i natyrës është më i lirë nga i kultivuari. Historia e malsorëve e ka dëshmuar këtë.) Tek puthja legjendare kupton se i kishte lindur dëshira të ishte një kafshë fluturuese, që ty të shkon mendja tek pegasi, ndërkohë që Poeti i Vdekur i ka hipër “kalit të betejës”. Kjo etje për fluturim vinte edhe nga malli për detin.
Me gjasa se ka ndodhur, jemi në kohë inskenimesh, kryeveterani Xuf Zadri qëllon me kobure, duke plagosur dhe veteranin me kujtesë të humbur.
“Ndoshta atij i është tiposur se fama e dikujt, e njeriut dhe kafshëve të tjera, është e pavdekshme vetëm pasi njeriu apo kushdo kafshë tjetër, të ketë vdekur.”-parashtron Rrëfyesi për rivalin e tij, manipulator. Ndaj, Poeti i Vdekur, vendosi të hiqej i vdekur dhe të veprojë si i tillë. “Ashtu sekush që nga ai do të ketë ndonjë të keqe prej tij, ndonjë ligësi, ndonjë prapësi, ndonjë mprapshti, nuk do të mendojë për t’ia kthyer në të njëjtën monedhë”, se do e konsiderojnë një të vdekur. Poeti i Vdekur hingërizej me lot, thua se po qante fatin e tij, në fakt, i duhej të merrte protagonizëm dhe në postmortum. Këtë hingërizje e kishte marrë nga ligjërimet e kryefitimtarëve, që çirreshin tribunave. Si i tillë mashtronte dhe me varrin, që, realisht, ishte i një tjetri. “Mëtonte ta besojnë se aty ishte varrosur bukuria e tij, hiret e tij, eshtrat e tij, fryma e tij. Dhe kërkonte t’ia kthenin vetveten e varrosur.” Një varr fallco në një vend krimi, si në një shkëmbim robërish, ku po tentohej që, heroi të fuste frymën e deheroizmit. “-E ke vrarë ti, Xuf Zadri!”-i thirri veterani dëshmimtar duke treguar gishtin drejt kryeveteranit kryefitimtar.-Te ai lisi me dëllinja ishe ti, kur qëllove drejt e në kokën e veteranit të pavdekshëm.” Ndërsa Poeti i Vdekur vinte aty tinëz dhe nderonte me grushtin lart duke i thurur lavde vetes së tij, për bëma që i kishin bërë të tjerët. Ishte koha kur rrëmbehej iniciativa, rrëmbeheshin meritat dhe tani duhej vjedhur dhe identiteti i viktimës. U mësuan të përvetësonin, që nga koha e shpornësimeve.
Nuk rritej bimë a kafshë pa vëmendjen e Rojes së Pyllit, që lëviste xhaketën t’i dukej koburja. As kalimtar pa u vënë re prej vigjilencës së tij, që s’ishte gjë tjetër veçse një përgjim i viktimës së radhës. Ai fuste në zotërimin e vet edhe mjegullat, edhe rreshjet, edhe vetëtimat. “E kuptova se ai më regjistroi edhe mua si banor të ri të Pyllit të Butë.”-dëshmon Rrëfyesi. Ky shenjim i ndodhi në stinën e gjinkallave, që atij i shkaktonin alergji. I jemi afruar pikës më të nxehtë të romanit. “Dyluftimi i Pylltarit dhe Njeriut të Përroit, gjithnjë e më pak njerëzor, gjithnjë e më shumë shtazor, më zhvendosi disi nga jeta ime…Më patën ngjasuar që në fillim të dyluftimit si një gjarpër (Pylltari) dhe si një bretkosë (Njeriu i Përroit).” Episodi me gjarpër dhe bretkosë të duket si fabul, në fakt paralajmërohet një gjëmë njerëzore, që në historinë tonë ndodh shpesh. “Kush urren, është i urryer.”-e përmbylli bisedën babai, si një version i shprehjes: i shari të shan. “Po Rojtari i Pyllit a urren? Po, Rojtari i Pyllit urren Njeriun e Përroit!” Po kush është Njeriu i Përroit? Një mësues fshati, një gjeolog amator, i cili shkon përgjatë bregut të lumit, ku hap gropa për të zbuluar zaje të çmuar, i mahnitur nga zbulesa e tyre, por, sa më të bukur që të ishin gurët, aq më shumë errej shpirti i Rojtarit të Pyllit. Si përhera, në fatet njerëzore shkaku i urrejtjes bëhen thesaret, vlerat, bukuritë. “Dashuria për pyllin vetëm sa ia shtonte Pylltarit urrejtjen për zbuluesin e gurëve të bukur… Ky mbaronte një gropë dhe vazhdonte tjetrën e tjetrën. E kuptoja se, në njërën prej tyre, Rojtari i Pyllit do ta groposte. Nga qeshjet e Poetit të Vdekur e dija se urryesi do ta vriste të urryerin tek Kroi i Lakut.” Krimi nuk vonon. Vrasësi shastiset nga ngërdheshja e viktimës. Një ngërdheshje tejet ngjitëse që vrasësi nuk po e përballonte dot. Vetëm Makbethi mund ta shpjegojë këtë skenë. Rrëfyesi dëshmon se nuk kishte parë në gjithë jetën e tij një shpirt, që largohej me aq lehtësi, sa ai i Njeriut të Përroit. “Duket se mezi priste që t’ia linte në dorë veten e tij në çastin më të parë të mundshëm, qoftë dhe urryesit më urryes, Del Melit, Rojtarit të Pyllit.” Ia mbërrin Poeti i Vdekur, i cili kërkon ta kthejë vendin e krimit, si vend të shenjtë për të ngritur një tyrbe për veten, duke thirrur: “Këtu kam vdekur unë! Këtu kam vdekur unë!” As më shumë e as më pak një përvetësim identiteti, sikurse ndodh rëndom të stolisesh me vetitë e tjetrit. Pra, njeriut të Përroit i grabiten gurët e çmuar dhe i lihet vetëm guri i varrit. Ngjarja e kobshme, që ka për dëshmimtarë Rrëfyesin dhe Poetin e Vdekur kthehet në konflikt mes tyre. “Poeti i Vdekur i jepte vetes rolin e heroit përgjues dhe burracak, mua më jepte rolin e epshanit sarhosh të pangopshëm e të pashpirt. Për më tepër, mua ma veshte ligësinë e cubit të ferrave, që e keqpërdor fatin në favorin e tij dhe në dëm të dikujt më të dobët nga vetja.” Nuk gjen një tjetër më të kollajshëm për t’i mveshur një faj nga një shkrimtar. Kjo mveshja e fajit është kthyer në zejen më të pëlqyer të atyre, që epërsitë i kanë kthyer në armë. “Mbaj mend mirë se, para se të vinte krisma nga revolveri, Poeti i Vdekur tri herë u luhat, tri herë gati u platit për dhé, tri herë luajti të sapovrarin. Kjo ishte një lëvizje mashtruese, e mjaftueshme për ta tërhequr mendjen time dhe për ta dobësuar ndërhyrjen e saj për parandalimin e vrasjes. Dhe nuk e fsheh, ai ia arriti mashtrimit.” Poeti i Vdekur duke i kthyer epërsitë e veta në një armë, për të fshehur gjurmët e krimit, i duhet të eliminojë dëshmimtarin. Në këtë rast Rrëfyesin.
III
Pse tërmeti zgjodhi të godiste fshatin Kobur, të vetmin Fshat Kolektiv në mbarë krahinën, duke e radhitur kështu dhe natyrën keqbërëse në anën e armikut?! Askush s’e kuptoi këtë sinjal të natyrës, si paralajmërim të asaj, që pritej të ndodhte më vonë: shkatërrimi i “trenit të përbashkët” duke ia lënë vendin kohës së fluturimeve, që do shoqërohej me dukurinë dëshpëruese të “rrjedhjes së trurit”. Kuptohet që pasojat e “rrjedhjes së trurit” do t’i vuante Fshati i Individëve. “Duam të ndërtojmë një popull individësh të njëjtë dhe jo një popull individësh të ndryshëm.”-deklaron i pari i mbledhjes, duke i dhënë prioritet “Fshatit Kolektiv” nga ku do të shfaqej më vonë: “vulgu”. Në kohë fitoresh koburasit rrezikonin të dashuroheshin me vetveten, ku po dalloheshin megallomanët, që më pas do ndërronin vend me mitomanët. Të dashuroheshe me veten, ndërkohë që forca lëvizëse qe shpallur “lufta e klasave”, urrejtja ndaj tjetrit, një nga paradokset e asaj kohe. Për të fshehur narcizmin koburasit urdhëruan, që, lulja e parë e dashuruar me veten, të kositej sapo të çelte. U kërkua që çdo Fshat Kolektiv të kishte çangën e tij, veçse tingujt e saj të dalloheshin nga kambana e kishës. Ngaqë ngërdheshja e Njeriut të Përroit u përhap gjithandej, po vihej në dyshim ekzistenca e tij si njeri. Po u dukej fantazëm. Fantazmat janë dëshmi e një krimi të ndodhur, që u prishin gjumin vrasësve.
“-Nëpër gjurmët e mija po i hedh këmbët ti?
-Baba, nuk kam se ku t`i hedh këmbët përveçse në gurë. Ndryshe si mund të kaloj përroin.
-Kurrë mos i vë këmbët nëpër gjurmët e mia!-e mbylli bisedën e shkurtër babai.
Atëherë unë mendova se ishte një shfrim i çastit i babait që sapo kishte shpëtuar nga gjarpëri. Me kohë do ta kuptoja se babai nuk donte kurrsesi që ne fëmijët e tij të ndiqnim në jetë të njëjtën rrugë që kishte ndjekur ai.”
Jemi po tek ai përrua ku u gropos njeriu, që zbulonte gurët e çmuar, ku dhe babai i tij kish rrezikuar të kishte të njëjtin fat. Që jeta e babait të mos përsëritej tek fëmijët, ata kishin vetëm një alternativë: të mos ecnin në gjurmët e të atit. Në Fshatin e Individëve këshillohej që babai të mohohej, ndërsa në Fshatin Kolektiv Baba të adhurohej. Ndërkohë që propaganda thoshte se duhej të ecnim në gjurmët e të parëve tanë. Atëherë nga të cilët të parë, duhej llogaritur jeta? Në jetën e një breshkani, që pretendonte t’i dilnin flatrat, tashmë s’ka vend për pyetje, thotë autori, duke shtuar: “Nuk hamendesha fare se edhe kësaj të mete të njerëzve nuk do t’i shpëtoja, ashtu si nuk do t’iu shpëtoja edhe shumë të metave të tjera që, njëra pas tjetrës, do të hynin në jetën time.” Sa e sa gjëra të gabuara u futën në jetën tonë! Sepse, në trenin e përbashkët nuk miratohej fluturimi i vetmuar i kujtdo. “Roli im më i hershëm i dëshmimtarit nuk do të ishte i ndarë më nga mëkati im i përgjuesit.”-më tërheq vëmendjen ky reagim i Rrëfyesit, që s’e përjashton veten nga të metat, që futeshin në jetën e tij me përdhunë. E kuptuar kjo si indoktrinim. Ndaj: “Poeti i Vdekur përpiqej, me ligësinë e tij, të më bënte mua të dhunshëm, të fajshëm ndaj një të pafajshme.” Bleri dhe Blera u dënuan pse adhuronin detin. “Juve ju solli në Majën e Thellës sëmundja e detit.”-ku dy të rinjtë kishin tentuar të arratiseshin. “Sëmundja e detit” ka peshën e hallit. Veç në qoftë më e rëndë sëmundja e maleve, vjen si kundërpërgjigje. “Sëmundja e maleve” ka peshën e mallit. Poeti i Vdekur e sheh veten në Perëndim, duke mos vuajtur: as nga dëshira për të qenë një zog shtegtar dhe, as nga autoktonia. I duhet të hiqet pararendës, edhe pse gjithë jetën ka luftuar novatorët. Kasnecit nuk i mungon vetia për t’u dukur orakull. Me ndryshimin e regjimeve, jo të gjithë rrëzohen, pasi përmbysja për disa përjetohet si ndërrim vendesh. “Le ta dini ju, le ta dinë të gjithë mikpritësit tuaj në këtë vend të huaj, le ta dijë, fundja, edhe e gjithë bota se unë jam i vetmi poet i të gjithë kohërave që i ka shkruar të gjithë veprat e tij pas vdekjes dhe i ka botuar, po se po, pas vdekjes… Një jetë të tëra duke paralajmëruar varre nëpër vendin tim. Një jetë të tëra duke zbuluar varre në vendin tim… Unë jam bërë i famshëm pikërisht i kësaj ngjarje e cila pa dëshirën time, quhet legjendë.” Një legjendë urbane, shtojmë ne me vete. Njeriu i kronikave të zeza, përngjashëm me aktorin që vritet në skenë, mandatën tenton ta kthejë në sihariq. “Kështu do të vijë e vërteta e një jete, një historie, një legjende. Sepse unë kështu jam-një jetë, një histori, një legjendë.”-e mbyll rrëfimin e tij autori i librit. E vërteta e një jete e kthyer në legjendë, dëshmon autori, ndërsa personazhi i tij, Poeti i Vdekur: është bërë i famshëm se ngjarjet pa dëshirën e tij po quhen “legjendë”?! “Kjo është legjenda e Breshkanit të Bokës, Lepurushes së Shullanit dhe Poetit të Vdekur”, nis romani i Skënder Buçpapajt “Njeri me hënë”, botim i Onufrit të Bujar Hudhrit. Ndodh që një libër të kthehet si vendi ku grumbullohen të gjithë reflektimet e jetës.
Shënim: Nuk u ndala në lirikën dhe erotikën e romanit për t’ia lënë lexuesit t’i shijojë.