Kur më thanë të punoja në programin “Coll Center”, u gjenda ngushtë, pasi, të them të drejtën, dyshoja në aftësitë e mia parashikuese.Bashkëbisedimi përmes telefonatave gjithmonë më është dukur interesant pasi edhe paga nuk ishte e keqe..Telefonata ime e parë ka qene nder me te çuditshmet.. Një zë i ndrojtur vajze u fut papritur në linjën time:
”Alo! …Parashikimi i fatit….?
-Po…Nga flisni?
-Nga Peshkopia… -Zëri filloi t’i dridhej. Pas pak nga ana tjetër e telefonit u ndie një si vaj i fshehtë.
-Zemra…Nëse do të dish diçka rreth problemit që dëshiron, mos humb kohë. Më thuaj ditën dhe muajin e lindjes…
Kështu e nisa provën time të parë. Dy zëra në largësi….Dy zëra njerëzorë dhe asgjë më tepër.
-Alo!Alo!…Mendova se do të ishte larguar nga linja, por jo. Në vesh më erdhi një dihatje e lehtë.
Si ju quajnë?
– Emrin nuk dua t’jua them..-Alo! Alo! …Më dëgjon?
-Po.
-Qetësohu, zemra…dhe më jep ndonjë të dhënë dhe të shoh nëse mund të të ndihmoj.
-Nuk më ndihmon dot, -tha ajo, kësaj here prerë.-As ti dhe asnjeri. ..
-Shfare shqetsimi ke?
-Jam shtatzënë.
-Shtatzënë? Për një grua kjo është krejtësisht normale…Alo! Alo! Zemra… A më dëgjon?
-Po, …por …Atë e kanë vrarë.
-Cilin, moj shpirt?
-Djalin…
U hutova. Nuk dija ç’përgjigje t’i jepja.
-Alo!Alo! -Fol, zemra…
-Ta mbaj fëmijën apo ta abortoj?
-Sa vjeçe jeni?-
-19.
-Po djali?
-Ç’rëndësi ka.
Ishte vërtet një rast i veçantë, i cili kërkonte një përgjigje. Nëse do të kishte qenë një lidhje e fortë dhe serioze, atëherë po, kishte kuptim të mbahej dhe fëmija…
-Zemra…A e donit njëri-tjetrin?- e pyeta për të ditur diçka më shumë.
– Ishte një njohje vetëm tri orë…-tha. – Para Vitit të Ri ai erdhi nga Italia në Peshkopi. …Jemi njohur fare rastësisht, nga një zënkë banale në rrugë. Ishte një ditë me shi. Unë shkoja në kursin e anglishtes. Ai më parakaloi me veturë duke më spërkatur fustanin e ri. Unë e shava. Ai ndali veturën pak metra më tutje dhe m’u afrua të më kërkojë falje. S’ka nevojë , -i thashë..
M’u duk djalë i sjellshëm dhe i mirë. “Ku doni t’ju çoj? -më pyeti”. Nuk është nevoja, i thashë dhe vazhdova të eci në punën time.Më ndoqi pas dhe, sa më arriti, nxori nga xhakoventoja prej lëkure njëqind dollarë.
Unë u largova me shpejtësi.. Ditët e tjera ai vazhdoi të më ndiqte pas me një bens. Dinte gjithçka për mua: orën kur shkoja te një shoqe, orën kur shkoja në kurs të anglishtes. Një ditë më ndali sërish në rrugë. Nuk i refuzova. Qëndruam së bashku tri orë. Tani jam shtatzënë në muajin e dytë. Ti je e para që po ta them.
-As mamit s’ia ke thënë?
-As asaj.
-Zemra…Më dëgjon? Unë them se çdo gjë që vjen në këtë botë, vjen se do Zoti.Fëmijët vijnë në këtë jetë se i dërgon vetë Zoti…Nuk jemi ne që vendosim.Alo!Alo! Më dëgjon?-Duhet të bisedosh patjetër me mamin…Duhet t’ia thuash. S’ ke rrugë tjetër. Dhe të jesh e sigurt që do të të kuptojë dhe do të ndihmojë..
Nga ana tjetër e telefonit u dëgjua vetëm një pi-pi! e zgjatur. Alo! Alo! “Pse e mbylli aq shpejt telefonin? Po djalin kush e kishte vrarë? Përse?… Kisha nevojë të dija diçka më shumë.. Po çfarë kishte ndodhur me vajzën dibrane që nuk më merrte më në telefon? Kishte vendosur ta dështonte, pa ia thënë askujt?
Ditet e tjera sa herë ndërpritej muzika dhe futej dikush në linjë, më shkonte mendja tek ajo.
Dhe ai çast erdhi.
-Alo.
Ishte zëri i saj, e folura e saj e ndrojtur me theksin verior dhe zanoret e zgjatura.
– Po ku je moj zemer…?
-Më njohe ?
-Sigurisht.. Dhe ta dish…Kam qenë shumë e shqetësuar për ty .
Mos të ka ndodhur gjë?
-Jo. Jo. Ia tregova mamit..- Fillimisht u trondit, më pas e mblodhi veten. Shkoi në dhomën tjetër dhe bisedoi me babin. Nga babi kisha shumë frikë. Është zemërmirë, por shumë nevrik. Pas pak hynë në dhomën time.
-Duhet të shkojmë te familja e tij, -tha babai. – Ta marrin vesh edhe ata që djali u ka lënë bina. Sigurisht, do të gëzohen.
Të nesërmen shkuam nga familja e tij.. Babi i hodhi të atit të tij një cigare, sipas zakonit. Pastaj i tregoi kush ishim. I ati i tij u ngrit në këmbë dhe me lot në sy erdhi e më puthi në ballë. Nëna e tij nisi të qante me dënesë.. Tri motrat u sulën drejt meje me një gëzim të papërmbajtur. Qanim të gjithë.
-Tani ti je bija jonë, -tha babai.
Më shëtitën nëpër të gjitha dhomat e vilës së tyre. Kishin një shtëpi të madhe trekatëshe. Në ndarje, i ati i tij iu lut babait që atë natë të më mbanin aty.
-Vajzat kanë dëshirë që ajo të rrijë te ne dhe të flejë te dhoma e djalit…Qysh kur na iku nuk e kemi hapur.
Atë natë fjeta te dhoma e tij . Fillimisht pata frikë, më pas e humba mendjen duke shfletuar albumin me fotografi dhe ditarin e tij. Kishte lënë një ditar dhe një fletore me poezi.
Të nesërmen u ngrita herët. Hapa derën lehtas dhe dola në rrugë.. Mund të ketë qenë ora pesë e mëngjesit kur kam mbërritur te porta e shtëpisë sime. Në parvazin e jashtëm të dritares dikush kishte lënë një trëndafil të zi… Për një çast pata frikë…M’u duk shenjë e keqe: “Ç’të jetë kjo? -thashë me vete- Kush mund ta ketë sjellë? -Ishte një trëndafil i zi, krejtësisht i veçantë, – vazhdonte të fliste ajo, – nuk kisha parë kurrë një trëndafil të tillë.
Komentet