Kjo intervistë e shkulur prej dramave të mia… – Lindita Miloti rrëfen jetën e saj në familjen e Xhevdet Milotit
Dhimbja e pafund e një motre
Këtë intervistë të gjatë, ia kushtoj vëllait tim të dashur,Agron Milotit, i cili humbi jetën në moshën 28 vjeçare,në nje aksident automobilistik në rrugët e Pukës. Me dhimbjen time prej motre, përmes këtij rrëfimi dramatik kërkova ta mbaj gjallë kujtimin e tij po edhe të dëshmoj disa të vërteta të jetës në familjen e Xhevdet Milotit…
Lindita Miloti
Kush është Lindita Miloti?
Kam lindur në qytetin Shkodër në fillim të viteve ’60, jam larguar nga ky qytet në vitin 1967 dhe jemi vendosur në Tiranë. Jam e bija e Xhevdet dhe Sabahet Milotit. Kam studiuar për Ekonomi në Universitetin e Tiranës në periudhën 1980-’84, e më pas kam punuar si ekonomiste në Kombinatin “Misto Mame”. Në moshën 28 vjeçare e kam lënë Shqipërinë, dhe prej 28 vitesh kam jetuar midis Italisë dhe Anglisë. Vitet e fundit, në përpjekje për të dëshmuar një pjesë të rëndësishme të jetës sime dhe të vellait tim, kam shkruajtur një autobiografi modeste, ende në dorëshkrim të titulluar: “Mendimi sundues”. Për t’i paraprirë botimit të këtij libri, po përpiqem t’i jap njifarë skicimi vehtes dhe jetës sime…
Jetën time, do ta ndaja në dy periudha të rëndësishme: Jetën nën komunizmin shqiptar dhe jetën në kapitalizmin e botës. Këtyre dy periudhave, u përkasin edhe dy pamje krejtësisht te ndryshme prej njëri-tjetrit të personalitetit tim, që në një farë mënyre më kanë bërë një person me dy karaktere. E vetmja gjë që unë besoj se i bashkon këto dy Lindita është forca e brendëshme shpirtërore.
Lindita shqiptare e periudhës së komunizmit, është një fëmijë e trembur dhe një vajzë e sunduar nga prindërit. Ajo është rritur pa e njohur dashurinë prindërore, dhe mendon se jeta është vetëm pësim, dhimbje dhe fyerje nga prindërit dhe të tjerët; Ajo mendon se në jetë ka vetëm urdhëra për t’u zbatuar e nënshtrim ndaj tyre, kjo e diktuar nga dhuna prindërore… Si rrjedhim edhe jeta jashtë familjes është vazhdim i kësaj dhune. Ndoshta kjo është arsyeja që kjo Linditë është e egër, asociale – që s’bën miqësira me askënd, pse çdo shoqe e çdo njeri, paraqet një rrezik për ta poshtëruar. Ajo është gjithmonë e trembur dhe nervoze; nuk i pëlqen jeta; dhe të jetuarit për të është një torturë e pafund.
Linda jashtë realitetit shqiptar, është në betejë të vazhdueshme për ta lexuar e kuptuar ndryshe vehten. Në Itali, mësoi Abc-në e sjelljes humane, brenda edhe jashtë mureve të shtëpisë. Mendoj se kjo Lindë, bëri të pamundurën ta merrte përdore Linditën shqiptare, sepse ndjente keqardhje për të. Ajo e mësoi si të jetojë, si të përkushtohet, si të sakrifikojë e për rrjedhojë edhe si të sillet paqshëm me vehten, në botën rreth saj dhe në shoqëri. Kështu, pak nga pak jeta e saj filloi të marrë ngjyra… e kjo përbën personalitetin e ri të Lindës jashtë realitetit të vendlindjes.
E megjithatë, mund të them se kjo Lindë s’ka arritur ende të gjejë plotësisht qetësinë shpirtërore, prej një periudhe traumatike të fëmijërisë së humbur e të dhunuar prej vullnetit të prindërve të saj. Ajo, s’e mori kurrë ndjesën që priste prej prindërve të saj. Ndaj, brenda saj vazhdon të jetojë ajo Lindita shqiptare, të cilës herë mbas here, traumat e shkaktuara nga familja i shfaqen në çaste të ndryshme të jetës. Unë besoj se kjo ndodh që Linda e botës së lirë, befas takohet me Linditën e egër shqiptare. Si duket, edhe me kalimin e viteve, kjo Lindë po arrin ta zbusë atë Linditën shqiptare. Edhe pse shpesh ndjehet me turp prej saj, në të njejtën kohë përpiqet ta ngushëllojë përmes kurajos së fituar në vite, Linditën shqiptare e cila është një viktimë fatkeqe si shumë të tjera, po s’është fajtore për asgjë.
Ngushëllimi i vetëm sot është vajza e saje, të cilës i ka dhënë gjithë dashurinë e munguar, e që ka qënë krijesa që e shtyu ta shkruaj këtë libër e të bëhet pjesë e vuajtjes se saje, të nxisë të besojë se e keqja duhet luftuar me çdo mënyrë që ajo të mos përsëritet e të mos shkaktojë trauma për të tjerë…
.
Si do ta përshkruaje jetën ose botën tënde në rrugëtimin e derisotëm ku ndodhesh, duke besuar se vazhdimisht je përpjekur të japësh më të mirën tënde?
Jeta ime, pra edhe bota ime në rrugëtimin e ndjekur deri më sot, është një betejë e përditëshme në paqtimin dhe bashkëjetesën e këtyre dy personazheve: Ndodh që një rrugë e shtruar me mundim prej Lindës italiane të jetë prishur në të njëjtën kohë prej Linditës shqiptare. Këto dy faqe të së njëjtës medalje, mundohen për më të mirën, por pa e kuptuar e shkatërrojnë vazhdimisht njëra-tjetrën, ndoshta kjo është arsyeja që jeta të dy Linditave vazhdon të jetë e vështirë.
Jam përpjekur e përpiqem vazhdimisht për t’i dhënë vehtes dhe jashtë saj më të mirën, shpesh më e mira ime është shkatërrim me vetëdije i asaj vehtveteje që është thelbi i jetës sime. Diçka që s’po arrij ta kontrolloj e ta sundoj. Siç duket këto janë pasoja të fituara nga fëmijëria, që s’më lëshojnë.
A ka ekzistuar fryma e diktaturës në familjen tuaj, dhe çfarë gjurmësh ka lënë ajo tek ju?
Diktatura s’ka qenë një ide, por mund të them që ajo ishte një mënyrë jetese e familjes sonë. Gjurmat e saj ishin të përditshme, të përorshme, të çdoçastshme ndër ne. Padiskutim, ishte hija e rëndë dhe e frikshme e babait tonë, Xhevdet Milotit, së pari mbi nënën tonë Sabahet Miloti, e cila më pas me injorancën e saj e shtrinte hijen e tij edhe mbi ne fëmijët. Si më e vogla e tre fëmijëve, duket se unë e kam vuajtur më shumë ashpërsinë që Sabaheti ushtronte ndaj vëllait tonë Agron Milotit, që ishte më i madhi i fëmijëve, po edhe ndaj motrës tjetër Ermira, e së fundi edhe ndaj meje dhe gjyshes sonë, dritë pastë, që ishte shpirt njeriu, Lutfije Miloti (nëna e Xhevdetit). Në pjesën më të madhe të kohës, ne ishim me Sabahetin, dhe ishim katër viktimat e sajë, mbi të cilët ajo shkarkonte frikën, terrorin dhe urrejtjen që kishte për burrin e sajë
Xhevdet Miloti, të cilit nga një anë i nënshtrohej me zell si shpirt inferior që ishte, e nga ana tjetër na keqpërdorte ne fëmijëve.
Sabaheti, u thoshte gjithë njerëzve që takonte: “Fëmijtë e mi le të vdesin, boll që fëmijëve të botës mos t’u ndodhë gja kur ata janë në kopësht me mua!” Këtë shprehje absurde, e kam dëgjuar me veshët e mi, mbasi e përsëriste shpesh, dhe s’arrija ta kuptoja, si një edukatore kopështi, e kishte kaq të lehtë vdekjen e fëmijve të saj!!
Xhevdet Miloti e ushtronte vetë diktatin mbi ne fëmijët, duke na trajtuar thjesht si ushtarë, përmes urdhërash me ton xhandari, poshtërimesh të vazhdueshme, duke shprehur shpërfillje ndaj pranisë sonë, e duke shfryrë përmes një fjalori barbar që vetëm ai mundte si: shtazë, bushtër e keqe, qelbësina, stervine etj. Në atë prani të paktë që ai kishte në shtëpi, ne ishim të mpirë si statuja prej hijes së tij të frikshme. Në veçanti ndaj vëllait tim, Agronit ai ushtronte qëndrim të ashpër, shpesh i bënte tortura të egra pa ndonjë arsye, dhe ndjente një përndritje të fytyrës kur na shihte të dërmuar fizikisht e moralisht.
Ishte kjo atmosferë frike dhe terrori në familjen tonë, që ka ndikuar mos ta kuptonim si duhet, atë çka ndodhte jashtë nesh…
Ishit pjesë e një familjeje që mund të quhet e nomenklaturës komuniste. Çfarë ke kuptuar dhe çfarë ke ndjerë prej këtij fakti?
Ne bënim pjesë në atë kategori, vetëm si pozicion pune të babait, por s’është se kishim ndonjë përfitim.
Nga ky fakt kam kuptuar, se “elitarët e vërtetë” kishin mjaft privilegje: si ata edhe fëmijët e tyre, ndërsa në familjen tonë nuk ngopeshim me bukë dhe s’kishim asnjë privilegj.
Qysh fëmijë e kam ndjerë se gjendeshim në mes: as të përndjekur nga komunizmi dhe as elitarë, ishim si të thuash të paklasifikuar. Gjithashtu, kam ndjerë shumë fallsitet midis emërtimit elitar dhe faktit që ishim askushi! Kam ndjerë dëshpërim për të qënë dikush, e s’më lejohej të isha “dikushi”. As nga familja e as nga sistemi komunist. Ishte si të thuash, një egzistencë boshe, e kotë, shpesh lodhëse, sepse ishte pa asnjë kuptim.
.
Duke qenë bijë e një hetuesi me emër të zi në analet e dokumentave të diktaturës, e që shfaqej sistematikisht me majën e shpatës së luftës së klasave… dhe ndëshkimeve më të egra ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa e një nëne edukatore dhe mësuese… ç’do të thoshte për ju një rrethanë e tilla?
Asnjëherë s’e kam ditur se ç’pune bënte Xhevdet Miloti. Po edhe sikur ta dija, as mund ta mendoja se ç’ishte realisht profesioni i një hetuesi, në diktaturë. E vetmja gjë që Xhevdeti na thoshte ishte qe ai punonte në Ministrinë e Brendëshme. Ai njeri kurrë s’na konsideronte ne si fëmijët e tij, as të na fliste ndonjëherë për problemet tona. Për të tijat kurrë! Ai thjesht na përdorte e na shfrytëzonte për qëllimet e veta. Ne ishim vetëm shërbëtorë të nënshtruar të tij. E shprehte qartë, se ishte poshtërim të fliste me ne, të diskutonte me ne për probleme të ndryshme, për dëshirat tona, kurrë asnjëherë. Kur uleshim në tavolinë gjithë bashkë, n’ato pak raste kur ai ishte në shtëpi, zotëronte një heshtje e thellë torturuese. Nuk dëgjohej asnjë zë, asnjë zhurmë, s’pipëtinte askush, veç lëngut të gjellës që e thithte Xhevdeti me një zhurmë të neveritshme, i vetmi tingull “i ëmbël” që kujtoj nga të ngrënat bashkë në familje. Me sy të frikësuar, ne kërkonim ta mbaronim sa më shpejt pjatën, ta linim tavolinën e të futeshim në dhomën tonë.
Sinqerisht, vetëm vonë, shumë vonë, kur filloi interneti në fund të viteve ’90, nisa të marr vesh se babait tim i dilte emri si hetues kriminel i diktaturës. Ky fakt më tmerroi, dhe një ditë e pyes, por ai, me atë stilin e tij të përçmimit s’më konsideroi fare, e s’më dha asnjë përgjigje. Edhe pse tashmë isha në moshë të rritur, ai s’më konsideronte si fëmijën e tij, por thjesht si vegël e interesave të tij materiale dhe aq. Këtë gjë e bëri deri në ditët e fundit të jetës së tij.
Kur mora vesh se kush kishte qenë vërtet im atë, dhe i besova ato që shkruheshin në internet (jo se mund të jenë të vërteta 100%), mendova: Ja pse edhe në shtëpi ai kishte pasur një sjellje prej krimineli. Kështu, puzzli i dhimbjes time filloi të merrte formë. Mendoj se vetëm tani kam pjekurinë dhe forcën e mjaftueshme për t’u treguar shqiptarëve pozicionin tim ndaj këtij krimineli, atë çfarë unë ndjej për të e çfarë do të thoshte të ishe fëmijë e një përbindëshi si Xhevdet Miloti!
Mamaja ime Sabahet Miloti ishte një edukatore kopështi, por në thelb një injorante qe jeton akoma sot ne moshen 84 vjeç dhe, e quaj fat qe ta marrë në fytyrë demaskimin tim. Ajo s’arriti kurrë ta fliste gjuhën letrare, vetëm në dialekt komunikonte. Më vjen keq për ata që kishte nën kujdes, sepse ajo s’dinte të edukonte askënd. Ajo s’kishte një grimcë dashurie as respekti për qeniet njerëzore. Ajo vetëm i urrente ato, edhe sot ajo i urren njerëzit, ne na ka mësuar vetëm zilinë dhe urrejtjen ndaj njerëzve. E njihte vehten se ishte injorante dhe e kompensonte këtë me fallsitetin që u shiste prindërve të fëmijëve, si kulturën e sajë.
Prandaj pyetja juaj “si bija e një mësueseje” s’ka ndonjë përgjigje, sepse ajo s’ishte mësuese, po një dhelpër, intrigante dhe e pagdhendur. Kush ishte pak i zgjuar, e kuptonte menjëherë si dhelpërinë edhe trashësinë e saj.
Çfarë do të thotë për ju të jeni e bija e një hetuesi të diktaturës?
Sot më vjen turp që jam e bija e tij; së pari për krimet që ai ka bërë ndaj njerëzve të pafajshëm dhe dhimbjet që u ka shkaktuar atyre dhe fëmijëve të tyre, pa llogaritur plagët morale që janë një dhimbje e përhershme dhe e pangushëllueshme.
Do të thotë që traumën e pësuar prej Xhevdet Milotit (për të cilin unë ndjej vetëm urrejtje), do kisha dëshirë ta bashkoja me urrejtjen e gjithë viktimave të pafajshme që pësuan prej tij dhe të ndëshkohej qoftë edhe moralisht. Me shumë ankth kam pritur se ndokush mund të merrte hak në vitet e demokracisë, por asnjë s’e bëri, atëherë vendosa unë të hakmerrem për vëllanë tim, për vehten time e për të gjithë viktimat e tij që unë akoma nuk i njoh.
Këto vitet e fundit jam përpjekur të kontaktoj më shumë njerëz që mund të dinin diçka më konkrete për krimet e Xhevdet Milotit. Fjala vjen i kam shkruar Fritz Radovanit, Agron Tufës, Jozef Radit, Kastriot Dervishit, Kujtim Cekanit e të tjerëve nëse kishin diçka më konkrete për krimet e tim ati, edhe pse me vonesë t’u kërkoja ndjesë, aq sa mund të vlente ndjesa ime…
Hakmarrja ime, është ngritja e zërit dhe sqarimi publikisht i shqiptarëve që pësuan, që unë ata i kuptoj dhe e ndjej në shpirt dhimbjen e tyre, duke u bashkuar edhe dhimbjen time. Ndaj kam vendosur të shkruaj e ta demaskoj deri në thelb atë qenie të përbindëshme.
Duke qenë nje person i mbyllur, ndoshta as diktaturën s’e kam kuptuar si duhet, as të vërtetat e saj gjatë këtyre 30 viteve s’i kam përcjellë, as shkaqet dhe pasojat e tyre. Unë u largova nga Shqipëria duke u përpjekur të riparoj traumën time të diktaturës në familje… Kështuqë, as përmasën e diktaturës s’e kam kuptuar në dëmet e thella të shkaktura, dhe as rolin e Xhevdet Milotit ende s’e kam fort të qartë as cila mund të jetë përmasa e vërtetë e krimeve të tij… Ndoshta mund të ketë dorë në eleminimin e Hilmi Seitit, mbasi shpesh e dëgjoja vjedhurazi Xhevdetin që me tmerr ta përmendte emrin e tij me Sabahetin…!!
Si ishte jeta e fëmijëve të familjes Miloti, dhe sa ndikuan shërbimet e babait në jetën tuaj?
Ne ishim tre fëmijë: Vëllai i madh Agron Miloti, motra Ermira Miloti (Kariqi) dhe unë Lindita Miloti, më e vogla e fëmijëve.
Si ishte jeta e jonë? Sinqerisht, ka qenë një burg i vërtetë krijuar nga Xhevdet Miloti dhe ruajtur me zell e kënaqësi sadiste, mee vetedije të plotë nga Sabahet Miloti.
Agron Miloti ishte i pari i fëmijëve. Ai e vuajti më shumë shpirtligësinë, injorancën dhe krimin e prindërve. Xhevdeti dhe Sabaheti nuk na demostruan asnjëherë ndonjë shenjë dashurie për ne fëmijët. Na urdhëronin përmes kërcënimeve dhe mallkimeve të bënim çka dëshironin ata… Nëse nuk e bënim, kishim ndëshkime fizike të përditshme: shpesh na linin pa ngrënë. Vëllanë tim të dashur, Agronin, kur ishte i vogël prindërit e braktisnin rrugëve në Shkodër, ndërsa vite më vonë për ta hequr qafe, e çuan në Peshkopi, ku 8 vjeç i dhanë një drapër dhe ai vrau këmbën. E përshkoi me të kockën e këmbës tej për tej. Kur u rrit u trajtua me detyrim e dhunë nga Xhevdeti dhe presion e mallkime nga Sabaheti, që të vazhdonte Shkollën e Sigurimit, meqë vetë Xhevdeti punonte në Sigurim. Agroni e urrente Sigurimin, ndaj Xhevdeti e torturonte, e rrihte me kamzhik dhe rripin e pantallonave derisa Agronit i binte të fikët e i dilte gjak nga goja. Kujtoj një rast kur Agroni ishte vetëm 15 vjeç. Sabaheti bënte roje mbas dere me qëllim që Xhevdeti të mos trazohej në torturat e tij kriminale, që si duket ai i ushtronte edhe gjatë shërbimit si hetues. Aq shumë e rrahu Agronin, sa ai mbeti pa ndjenja në mes të dhomës… E lanë mjaft kohë ashtu mes gjakut, mbasi nuk e lajmëruan as ambulancën… Tmerri im ishte, mos Xhevdeti e vriste Agronin… ndërsa Sabaheti, ishte bashkëpunëtore e Xhevdetit në ndëshkimet barbare ndaj edhe atë unë e konsideroj një kriminele të mallëkuar. Per me teper ajo më pengonte ta shihja Agronin dhe t’i rrija pranë. Cila është ajo nënë që lejon t’i preket fëmija në atë mënyrë? Prandaj them se ato dy monstra plotësonin njëri-tjetrin. Ata s’duhej të kishin pasur dhuratën e të pasurit fëmijë, sepse ata na dhanë vetëm urrejtjen e tyre. Është e trishtë të thuhet, po unë s’mbaj mend të na kenë puthur një herë, të na kenë vënë dorën në kokë, të na përkëdhelur e të na nxisnin në jetë; të na pyesnin si shkonte jeta e jonë, çfarë na mungonte e çfarë na pëlqente… Ata dinin vetëm të mallkonin e të na deprimonin sistematikisht të tre ne fëmijëve.
Shërbimet e Sigurimit që bënte Xhevdeti ishin të shpeshta, o së paku kështu na thoshte. Ne s’e dinim nëse shkonte për pune a për qejfe të veta personale, por di që në shtëpi ishte pak i pranishëm, e kjo ishte për ne lumturi. Mjaft që ai të mos ishte.
Mungonte në shtëpi, edhe pse kishte marrdhënie të shumta me gra. Këto shërbime apo zhdukje ndikonin keq në jetën tonë, sepse Sabaheti bëhej si e shkalluar nga xhelozia. Këtë e kuptonim nga grindjet mes tyre, ku përmendeshin emra grash, dhe posa ai “humbte” për ca ditë, Sabaheti shfrynte mbi ne fëmijët dhe gjyshen tonë të mirë, gjithë urrejtjen e sajë ndaj Xhevdetit. Këtë “cilësi dashurore” të Xhevdetit e dinin shumë, e dinte edhe Sabaheti. Shpesh e acaruar ajo e hapte këtë argument me Xhevdetin, duke i kujtuar se e dinte shumë mirë që kishte marrëdhënie seksuale me gra të ndryshme në Shkodër, duke i kërkuar me insistim që të largohej prej tyre. Me kalimin e viteve, Sabaheti e lodhur nga poshtërimet e Xhevdetit, filloi ta humbte vetkontrollin, e këto muhabete i bënte edhe në praninë time. Shumë herë dëgjoja emra grash që ajo i shfrynte me urrejtje. Një ditë kur gjendesha në Shkodër tek dajat, erdhi edhe Xhevdeti. Ai më mori me vehte dhe më çoi te një dyqan mishi ku kasapi ishte me të shoqen. Kur befas u shfaq Xhevdeti, të dy ata burrë e grua u mpinë nga pamja e tij. Ndërkohë, gruaja preu pjesën më të mirë të mishit që Xhevdeti e merrte për Feçor Shehun për t’ia çuar në Tiranë, e ku gjithmonë hamalli i kësaj punë isha une. S’do t’i harroj kurrë sytë e trembur të atyre dy të shkretëve që u sforcuan t’i buzëqeshnin… Edhe pse e vogël, e ndjeva gjendjen e atij çifti, burrë e grua përballë tij… Çuditërisht, emri i asaj gruaje i shfryhej shpesh Xhevdetit me urrejtje, nga Sabaheti. E ndjej edhe sot, e më vjen keq që fati i kishte bërë të ndeshnin në jetën e tyre një kriminel si Xhevdet Miloti.
Bota e tre fëmijëve të Xhevdetit, ishte një botë pa ngjyra, ashtu bardhezi, kufizuar me përçmim e dhunë sa verbale edhe fizike, një botë pa grimcë lirie, një burg në qiell të hapët, një botë pa ëndrra, vetëm me frikë.
Mardhëniet me Agronin, si vëlla i madh, me kohë u bënë më të përzemërta. Edhe pse ai gjithmonë ishte jashtë, mbasi ndiqte Shkollën e Sigurimit, e më pas në detyrat apo trasferimet e herëpashershme në qytete të ndryshme. Ai nuk punoi asnjëherë në Tiranë. Në Tiranë duhej të ishte Xhevdeti. Ishte ai që e shtynte dhe e kërcënonte të punonte ku kishte nevojë atdheu. Ky ishte qëllimi i Xhevdetit, me të cilin e shfrytëzonte jetën e të birit. Kur vinte Agroni në Tirane, një herë në muaj o dy muaj, ai na sillte diellin dhe pranverën, në atë burg të zymtë të familjes. Për mua, ai ishte babai i munguar, ai që më këshillonte, që më përkëdhelte e ma donte të mirën me shpirt.
Ndërsa raporti me motrën time, qe shumë i ftohtë, gati inegzistent. Sabaheti për çdo gjë që bënim na përçante, na fuste sherr e më pas na komandonte e të na kontrollonte me lehtësi, duke na mbajtur të nënshtruara, ndaj instinkteve të saj. Për këtë, ndiqte me përpikmëri gjithë udhëzimet e Xhevdetit, i cili na shihte nga larg, sikur s’i interesonte asgjë.
.
Sa ndikoi pozita e prindërve në jetën, shkollimin dhe profesionet tuaja?
Mendoj se pozita e prindërve, s’pati asnjë ndikim në shkollimin tonë. Pozitat, nëse do ti quajmë kështu, ata i kishin për vehte, jo për ne. Atyre s’u interesoi asnjëherë e ardhmja e jonë. Duket paksa e habitshme, por ata s’u interesuan kurrë për pasionet dhe ëndrrat tona. Kurrë s’ndodhi të uleshim e të bisedonim për këto gjëra.
Kur erdhi koha të zgjidhja shkollen e mesme, Xhevdeti më tha: “Kjo s’është puna e ime”, dhe më kërkoi të mos e bezdisja me pyetje. Ndërsa Sabaheti ishte e padukëshme, e papranishme. Ajo s’qe asnjëherë në gjendje të prodhonte te ne një mendim pozitiv, nxitës, stimulues. Ajo përsëriste si shirit fjalët që Xhevdeti e detyronte të na thoshte, vetëm kaq! Atë grua e kam dëgjuar vetëm të bënte thashetheme për njerezit! Më shumë se kaq ajo as dinte, as mundte, sepse zilia e hipokrizia ishin të vetmet ndjenja që përcillte e përfaqësonte si grua, edhe sot në moshën 84 vjeçare.
Cila është drama që jeton Lindita Miloti, dhe kur nisi ajo?
Jeta ime mbetet një dramë e pafund, prej ditës kur linda e deri sot. Kjo kryesisht prej këtyre dy njerëzve shpirtzinj. Është e dhimbshme ta thuash, po ata njerëz ma kanë vrarë në shpirt kuptimin e fjalës baba dhe nënë!!
Që e vogël, Sabaheti dhe Xhevdeti ma përsërisnin pafundësisht se ata s’e kishin dashur një fëmijë të tretë, por meqë Sabaheti ngeli shtatzanë, atëherë me egoizëm e tradhëti ndaj një qenie që s’kishte ardhur ende në jetë, e vendosën fatin e sajë. Fëmija i tretë do të ishte një shërbëtore në pleqërinë e tyre!! Si të thuash, e kam ndjerë vehten të refuzuar nga prindërit e këtë frikë refuzimi e kam pasur edhe kur dilja mes njerëzve.
Qysh 10 vjeçe, më përdornin si shërbëtore: më duhet të laja rrobat e tyre me dorë, se s’kishim lavatriçe; të laja shtëpinë; të dilja edhe vonë netëve për të blerë diçka që u mungonte, e as preokupoheshin çfarë mund të më ndodhte rrugës; duhej të mbushja ujë me kova të rënda, disa herë ditën dhe natën nga një çezëm në bodrum e ta ngjisja në katin e tretë; kur vinin drutë duhej t’i ngjisja unë lart; ashtu e vogël duhet t’ia çoja herë mbas here një kofshë gjigante mishi, e ngarkuar si gomar në shtëpinë e Feçor Shehut, superior i Xhevdetit (Xhevdeti ishte vegël e Feçorit). E mbas gjithë këtyre mundimeve, asnjë përkëdhelje, asnjë falenderim, asnjë shpërblim, qoftë lekë për një akullore, po vetëm mallkime e ofendime prej tyre. Për ta, ne s’ishim qenie njerëzore, po thjesht objekte për t’u përdorur e realizuar qëllimet e tyre!!
Dashuria, respekti, ngrohtësia dhe vlerësimi ishin zëvendësuar me abuzime të rënda psikollogjike, shpesh edhe fizike, një superkontroll e shkelje e çdo vlere njerëzore. Simbas tyre, ne fëmijët ishim sjellë në jetë vetëm për të shkarkuar narcizizmin pervers të Xhevdetit.
Pas ketyre lodhjeve te mija, fillonte sherri me motrën e madhe, shpesh pa arsye, sepse Sabaheti e bënte me zell të madh cytjen. E kujtoj me neveri atë nivel të ulët të Sabahetit kur pa ndonjë shkak shfrynte: “Lindita të vraftë Zoti; Të shtyptë makina; Të raftë kanceri, Të raftë pika; Mos e gëzofsh jetën!” Kur ne të vdesim frigoriferin do t’ia falim Ermirës.” Kur ndodhte që rebelohej Ermira, Sabaheti i turrej edhe asaj me namët: “Ermirë, të raftë pika; Një kancer në fyt ishalla; Të shtypte makina; Mos qofsh moj shtrigë… Frigoriferin do t’ia falim Linditës kur të vdesim!”
Gjykoni ju, me çfarë niveli komunikonte “çedukatorja” Sabahet Miloti, e në çfarë ambienti të përditshëm jam rritur unë dhe dy fëmijët e tjerë të hetuesit që të bënte gjëmën, Xhevdet Milotit!!
Por kjo situatë e familjes, i pëlqete Xhevdetit. Ndërsa në shtëpi plaste sherri kot, ai gjente rast të ikte e të frekuentonte miq e mikesha të profesionit. Jashtë shtëpie Xhevdeti fillonte teatrin e tij, duke i vënë maskë personalitetit dhe sjelljes. Trasformohej në mënyrë shqetësuese duke u hequr si babai i kujdesshëm, i qeshur e i vëmendshëm ndaj nevojave të fëmijëve, gjithmonë i gatshëm për të sakrifikuar për ta!! O Zot! Kjo na e shtonte edhe më shumë dramën si fëmijë. Kur ne u rritëm, ai nisi ta shmangte konfrontimin me ne, për mos ta humbur madhështinë e tij. Ne fëmijët, duke i shprehur dëshirën për autonomi, sidomos Agroni, mund të zgjidhnim tjetër rrugë, dhe jo atë të Xhevdetit. Për këtë arsye, ai na shtypte duke na denigruar e zhvleftësuar me qëllimin e vetëm, ta gëzonte i plotpushtetshëm figurën prej despoti në familje.
Kur hapja sytë mëngjeseve ishte trishtimi më i madh që isha akoma gjallë, e më duhej të dëgjoja zërin e shtirur të Sabahet Milotit e të shihja fytyrën e neveritshme të Xhevdet Milotit.
Nuk desha ta kujtoja, por s’e shmang dot. Sapo kishte filluar të formohej trupi im si femër, kur një ditë Xhevdeti më preku gjoksin… kjo më solli një neveri të madhe: e nisa të kisha tmerr kur ai më hynte në dhomë dhe unë të gjendesha vetëm me të… Isha pak më e madhe se 10 vjeçe.
Përgjithësisht, raporti vajzë-baba është raport i bukur. Shpesh ky raport ka një butësi e harmoni, çka shpesh i shtyn vajzat të mendojnë se “princi i kaltërt” të ngjajë me babanë e tyre… A e keni ëndërruar ndonjëherë diçka të tillë…
S’arrij ta perceptoj një ndjesi të tillë. E kam parë vetëm në filma dhe besoj të jetë diçka shumë e bukur. Mua kur më afrohej babai, më krijohej terror se mos më prekte!
Ëndrra ime ishte të mos e shihja kurrë babanë pranë vetes.
Më shumë se kaq, nuk isha në gjendje të ëndërroja!!
.
Pse shpirti i një vajze rebelohet kaq ashpër ndaj prindërve?
Rebelimi im s’ka ndodhur një ditë. Është grumbulluar përditë e nga pak qysh në moshën e njomë dhe është shtuar me shpejtësi ndërsa dilja prej adoleshencës. Rrebelimi im u shëndrrua në urrejtje ndaj tyre, mbas humbjes së jetës së tim vëllai, Agronit në moshën 28 vjeçare. Tragjikisht, ai ra në një humnerë 200 metrash, me makinë në rrugët e tmerrshme të Pukës, një ditë të nxehtë gushti të vitit 1983. Ai nuk donte të shkonte të punonte në Pukë. Për të ishte një ndëshkim edhe pse ai i donte pukjanët. Iu lut Xhevdetit ta shpëtonte nga Sigurimi duke i thënë: “Unë do vdes nëpër ato rrugë të rrezikshme!” Dhe ashtu ndodhi! Në vend që të dëshpërohej, Xhevdeti u gëzua për vdekjen e djalit. Prej kohësh Agroni po i sillte probleme me urrejtjen e tij ndaj Sigurimit. Kështu, ai e kishte të siguruar postin e vet, nëpërmjet sakrifikimit të djalit.
Ishte kjo ndjesi që më ka tërbuar…
Në familje Xhevdeti, as donte t’ia zinim në gojë vdekjen e Agronit. Nuk i shkoi asnjëherë tek varri, përjashto dy-tre herët e para menjëherë mbas vdekjes, edhe ato më shumë i shtyrë nga opinioni i të tjerëve. Xhevdet Miloti deri ditën e fundit të jetës, domethënë për 35 vite, vdekjen e Agronit e ka shfrytëzuar vetëm për të përfituar e për të siguruar privilegje për vehte. Edhe Sabaheti e ka bëtë dhe e bën edhe sot të njëjtën gjë.
Dua te kujtoj qe me largimin tim në Itali, në vitin 1992, dhe me akuzën që i bëra Xhevdetit: “Ishe ti që e vrave Agronin, moralisht dhe fizikisht!”, marrdhëniet mes meje dhe prindërve u ndërprenë për një çerek shekulli. Ndërkohë ata bënë të pamundurën ta eliminonin egzistencën time dhe të hakmerreshin ndaj meje, duke më krijuar probleme të shumta.
Dhimbja që provohet me vdekjen e fëmijës është e pashpjegueshme për një prind sepse është një fakt i jashtëzakonshëm, jo i natyrshëm që kalon çdo masë dhe…. fundi që mendohej i largët, vjen befas dhe pamëshirshëm duke i lënë prindit pak mundësi për ta vazhduar jetën. Por jo, për Xhevdetin e Sabahetin. Ata ishin përbindsha. As vdekja s’i ndryshoi dot ato qënie çnjerëzore. Xhevdeti e vazhdoi veprimtarinë e tij jashtëmartesore me gra të tjera, më i lire e më i lumtur se përpara, ndërsa Sabaheti krijoi nje guardarobë gjigante, duke e dokumentuar çdo fustan, çdo kostum, çdo palë këpucë e çizme të reja me fotografi, e më pas u shiste mend njerëzve se ishte një zonjë e madhe.
Kur kam parë guardarobën e sajë, ngela e shastisur, po edhe fotografitë që kjo “nënë me zemër të thyer” bënte për çdo veshje të re… Të gjitha ta futur me zell e pasion ndër albume të shumtë, ndërsa fotografitë Agronit, e djalit të tyre të vetëm, i gjeta të shpërndara nëpër qese të vjetra në bodrum!!!
Për çudi, “nëna” atij s’i kishte bërë asnjë album!!
Kujtimin e tij e kishte hedhur me neveri larg, sepse asaj i errësonte “bukurinë e shndritëshme” të zonjës së madhe, e cila çuditërisht, kishte krijuar edhe të ardhura të majme ekonomike të dyshimta!! Rastësisht, në 2017 u gjenda në Tiranë, ku gjeta origjinale të shumë llogarive bankare të Xhevdetit e Sabahetit në lekë, euro e USD, dhe i mora me vehte letrat por, sapo Sabaheti, edhe pse 82 vjeçare, kur mori vesh se unë i kisha zbuluar thesarin, u turr si e tërbuar nga Bergamo e Italisë, ku po i rrinte te koka kriminelit që jepte shpirt, në spital si zotëri e, që e kishte tradhëtuar gjithë jetën, duke e trajtuar si leckë këmbësh, u turr në Tiranë të mbyllte llogaritë bankare që unë ,vajza e tyre Lindita, të mos kisha asnjë përfitim mbas vdekjes së Xhevdetit!!
Atë verë të vitin 2017, në Shqipëri, kuptova se nuk egzistoja më për familjen time. Drejtimin e familjes Miloti tani e kishte marrë në dorë me dhelpëri burri i motrës time, kavajsi Fiqiret Kariqi, në shtëpinë e të cilit në Bergamo, jetonin edhe Xhevdeti me Sabahetin.
Vura re se familja ime, me një kryetar të ri, kishte thurur plane për eliminimin tim ekonomik dhe ligjor. Pikërisht, atë vit Sabaheti do të bënte të pamundurën të më eliminonin nga pronësia, duke bërë Padi kundra meje. Kështuqë m’u desh të përballesha me gjyqe, me kërcënime dhe kompllote nga mamaja dhe motra.
Në verë të 2017, para njerëzve që kishin ardhur për të bërë qokat për vdekjen e Xhevdet Milotit, e pyes Sabahetin: “E ke pyetur ndonjëherë vehten se çfarë nëne ke qenë për fëmijët e tu? Ke një djalë të vdekur dhe dy vajza, mes të cilave ke futur sherr gjithë jetën, e që sot, e urrejnë njëra-tjetrën për vdekje! Çfarë ke mësuar nga e gjithë kjo që ka ndodhur… Asgjë!? ”
Ajo më pa si e shastisur. Vështrimi i saj më tregoi që nuk e kuptonte pse duhej t’ia bënte vehtes një pyetje të tillë. Ndenji një copë herë në heshtje pa më dhënë përgjigje. Ajo më dëshmoi edhe një herë se këta njerëz edhe pse në moshën 84 vjeçare, edhe pse i merrte vdekja, kishin mbetur ashtu të pandërgjegjshëm e të përbindshëm.
Ky është një fragment nga atmosfera me të cilën më pritën nëna dhe motra ime mbas 25 viteve, që u kisha ndejtur larg e pa i trazuar.
Më shumë detaje të kësaj jete janë në autobiografinë time “Mendimi sundues”.
Çfarë e rrebelon sot Lindën? Çfarë është krisur, thyer e rrënuar shpirtin e saj në pakthim…?
Kam një indinjatë të thellë që s’jemi trajtuar si fëmijë, që na ka munguar dashuria, që s’jemi vlerësuar si njerëz, si fëmijë të tyre… Jam e indinjuar që s’na kërkuan falje që na shkatërruan jetën, që na mohuan të drejtën për të pasur një familje, që të gëzojmë festat, nipat, mbesat, jam e rebeluar që na trajtuan si fëmijë të paligjshëm befotrofi.
Tim vëllai ia vodhën e ia vranë rininë, për t’i shërbyer diktaturës, i vodhën të drejtën për të qënë ai që dëshironte të ishte, e jo ai që donin ata. I vodhën të drejtën për të pasur një jetë normale, një familje e që ta gëzonte edhe sot dritën e diellit. Të dy bashkë, Xhevdet e Sabahete Miloti i vodhën Agronit të drejtën për ta gëzuar rininë e shoqërinë, gjërat më të shtrejta për të. Ai ndante çdo gjë me të tjerët, të njohur apo të panjohur. Në fakt, në vdekjen e tij, nga çdo qytet ku ai punoi (Korça, Kavaja dhe Puka) erdhën me autobuz njerëz të thjeshtë që ai i kishte ndihmuar sidomos të persekutuart, që Agron Miloti i ndihmonte duke u thënë: “Sa të jem unë këtu, jetoni të qetë!” Këto fjalë i kam dëgjuar vetë nga një burrë i moshuar nga fshatrat e Korçës më mori në messenger në telefon tre ditë më parë, mbasi kishte njohur fotografinë e Agronit që e mbaj si foto profili në facebook. Ai më tha: “Dua që ta dish, se Agroni më ka shpëtuar jetën time e të familjes dhe mjaft të persekutuarve të zonës. I ndrittë shpirti aty ku është.”
Pra është kjo dhimbje e thellë që e ka rrënuar në pakthim shpirtin e Lindës.
…Nga momenti i vdekjes së papritur, në moshë aq të re, bëhesh e vetëdijëshme se jeta për ty, si motër s’është më ajo e mëparshmja, Boshllëku shpirtëror të bëhet i përditshëm. Fillon të jetosh pa interesa vetëm për inerci të jetës… Jeta s’ka më shije dhe vetëm aty fillon e kupton se sa marrëzi ishte t’i permbaje britmat e gëzimit që ai ishte aty pranë meje, aty nis ta ndjesh se çdo gjë mund ta duroje, por jo mungesën e tij… dhe befas koha për ty ndalet në atë çast dhe dënimi për ty bëhet përfundimtar. Sa netë pa gjumë, sa mbasdite të trishta me shi pret që ai të shfaqet, sa fotografi të tij kalon nëpër duar për ta kujtuar, sa çaste ngushëllimesh që tashmë janë larg… larg… dhe ndjehesh e gjitha përmbys prej një ndjenjë shkatërruese…
O vëlla i dashur, o Agron që më le vetëm në kët botë! Sa më shumë kalon koha, aq më shumë të ndjej brënda vetes që të dua gjithnjë e më shumë!
Përfitoj nga rasti, t’u dërgoj respektet e mia familjeve, edhe pesë shokëve të tjerë, që së bashku me Agronin, humbën jetën në aksidentin e vitit 1983, në Pukë.
Ju falenderoj Lindita për këtë intervistë të rrallë, të vështirë, të dhimbshme e tejet me vlerë për të gjithë ata që do ta lexojnë…
Ju falenderoj edhe unë Jozef, për privilegjin që me dhatë për këtë intervistë të shkulur prej dhimbjeve të mia. Ju falenderoj për durimin dhe kurajon që më dhatë për ta realizuar këtë bisedë, që do të vazhdojë të më dhëmbë gjithë jetën.
.
Prill, 2020
.
http://www.radiandradi.com/kjo-interviste-e-shkulur-prej-dramave-te-mia-lindita-miloti-rrefen-per-jeten-e-saj-ne-familjen-e-xheudet-milotit/?fbclid=IwAR3QOMLRwju0BSO0KLCwnGlTKE_YARUQGVoE-nKiJ6WBqkmyzm9GBHMbVIc
Ato ishin kriminele,I denove per 25 vjet por kur vjen puna tek pasuria(qyli) behesh xhind qe ja japin motres qe e mban e I sherben site e nate.
Ti je me e keqe se ata..
Njerez si ju nuk meritojne emrin njeri..
Kjo eshte familja ime qe pergjigjet e xhindosur.
Familja ime me kryetar te ri e di qe une i kam origjinalet e llogarive te tyre bankare te dyshimta dhe eshte e terbuar nga frika. Keto letra jane te ruajtura ne nje vend sekret ne Shqiperi.
Jam Lindita Miloti. Nuk e di pse mesazhi I’m me lart doli anonim por dua te ritheksoj qe mesazhet negative ne kete faqe jane te familjes time me kryetar te ri te cileve u djeg fakti qe une kam ne dore letrat origjinale te llogarive te tyre bankare te dyshimta qe per dijenine e tyre, jane te ruajtura ne nje vend te sigurte ne Shqiperi. Te gjitha fjalet e tjera qe shkruajne jane per te c’orjentuar publikun. Por tashme “the truth is out” e mori vesh cdo shqiptar qe ne familjen e Xhevdet Milotit kishte maskaralleqe qe pas vdekjes se tij Sabahet Miloti do ti mbuloje. “Teper vone Sabahate, tashme Je lakuriq”. You have to live with that! E more ne fytyre pisllikun tend! E verteta vonon por nuk harron. Karma!
Ato ishin kriminele,I denove per 25 vjet por kur vjen puna tek pasuria(qyli) behesh xhind qe ja japin motres qe e mban e I sherben site e nate. Besoj ky eshte mesazhi we Elida kerkon te perçoje.
Familja ime Po mundohet te nxjerre klithmat e fundit per te mbuluar krimet gjoja me justifikime prone. Keto dy rreshta nuk e bejne te gjithe intervisten qe flet per nje jete te tere .
Familja ime sic ka bere gjithe jeten kerkon te percaje duke futur ne mes edhe Eliden. Elides i takon Merita e larte dhe rrespekti im per publikimin e intervistes ne faqen e saje prestixhoze. E falenderoj edhe nje here Eliden.
Veshtire se mund te gjesh nje person te flase ne kete menyre per familjen e saj.Pervec ngjyres se zeze kjo femer nuk njeh ngjyre tjeter.Per krenari gjithkush mburret me nenen dhe baben dhe mundet te jete deri diku e vertete Po ne find ajo del te e verteta ku thote qe ato ia japin gjithshka dhenderrit e motres se ato kujdesen per ta.Po braktise prinderit braktise vetveten.
Kriminelet nuk mund te jene prinder…thjesht sepse nuk jane njerez…
Wow, familja ime paska zgjedhur kete faqe per te vjellur friken e saje. Rendesi ka qe une e nxorra te verteten ne shesh. E zhvesha mamane dhe motren time nga fallsiteti I nje jete. Nuk eshte aspak e lehte te gkykohesh ne pastertine e lakuriqsise. I kuptoj te shkretat. Kurrajo, hiqeni masken!
Ne fakt Aleks, une ne prinderit e mij shikoj vetem ngjyre te zeze, sepse ata na e lyen jeten me ngjyre te zeze. Se cfare ngjyrash te tjera shikoj une, besoj se ti nuk e di sepse nuk me njeh. Por ti mund te jeshe burri i motres time, ai hajduti qe me ka vjedhur per 25 vite me rradhe dhe tani do te me vjedhe edhe apartamentin tim. Une njoh motren time, ndersa dhenderrin, ate plakun tullac kavajs po e cilesoj qe ai nuk ben pjese tek familja ime, ai e ka tradhetuar motren time dhe as nuk e do, por i rri afer qe ti vjedhe apartamentin sepse “dhenderri” e mat forcen e tij vetem me vjedhje.
KJO VAJZE SESHTE PER PRINDERIT E SAJ E CMUND TE BEJE KJO PER SHOQERINE
Per cfare shoqerie e ke fjalen mor zoteri ? Per diktaturen.??
Lindita! Shkrimin Tuej une e lexova sot. Kerkesa e Juej ndaj meje asht e vertete.
Vetem sot mujta me kuptue te verteten e gjendjes s’Uej Shpirtnore dhe te pasherueshme.
Shkrimi i Juej asht i jashtzakonshem, po qe duhet mbajte nder te gjithe sirtaret e atyne qe kane leshue kjofte edhe nje firme ne Sigurimin e shtetit komunist antinjerzor, pikrisht ashtusi e tregoni Ju.
Ju falnderoj per saktesine Tuej, me respekt.
I nderuar Fritz, falenderojme Eliden qe na lidhi. Ne 2017 kur te kontaktova, familja ime kishte thurur plane prej vitesh per te me eliminuar pastaj “mamaja me zemer te thyer nga djali” me nje shpifje te trashe dhe me provokime te studjuara ne tavoline ne keshillin e ri familjar , me futi ne burg per dy dite ne Tirane. Aty e kuptova qe kisha nevoje per mbehtetje sepse mamaja ime qe i ndejti kriminelit ne krah gjithe jeten paska qene kriminele. Dhe te kerkova ndihme. Faleminderit Fritz per perkrahjen tende. Per mua vlen shume.
Fort e nderueme Zoja Lindita!
Unë të falenderoj fort, qi ndave vllaznisht me ne dramën tande reale e shum e besueshme! Unë jam tronditë për jetën t’uej, se sa për xhevdetin – përvers edhe ne familje … si kryetar i Seksjonit të Klerit Katolik të Shkodrës, qi varej direkt me ramiz alinë e mandej me diktatora të tjerë, asht dijte se te fmijt asht çlirue e gjithë ajo barbari kanibale ndaj dijetarve klerikë katolikë! Ka kenë nji parim për agjentët e sigurimit, hetuesat,….për me dishmue besnikri ndaj shtetit kanë flijue familjet, kan ushtrue perversitet moral, shgatrrue jeta fmijsh sepse njishtu ishin familjet e diktatorve me familje të degjenerueme!
Sa keq, qi ndonji komentues e paragjykon dhe e kqyr shtrembët!
I uroj ksaj grue-heroine, qi ka guxue me i hjedhë prangat e robnis së xhevdet milotit dhe sabaetes barbare duke i ba nji profilaksi shnetit tand psihik; Shndet dhe jetgjatsi!
Shkambi, ata qe gjykojne keq jane vetem te familjes time sepse japin nga nje detal ne koment qe vetem une i di. Por ata prezantohen ose me pseudonime ose anonimi. Njerezit e tjere dhe te ndershem si ti, e kuptojne menjehere sinqeritetin dhe te verteten e shpirtit ne intervisten time. Po ta vesh re, ato flasin dhe perserisin prona prona , fjale e cila zinte vetem nje rresht ne gjithe ate interviste time te gjate. Meqe Sabaheti ( ajo qe me neveri per sqarim publik duhet ta quaj Nené) eshte 85 vjec dhe nuk besoj do jetoje shume, jam e sigurte qe fjala prone i djeg dikujt tjeter ne kryesine e re te familjes time. Mua me interreson te nxjerr te verteten e vellait tim te dashur dhe krimet e pederastit Xhevdet Miloti.
TA BAFT ZOTI HALLALL LINDITA
Une jam Lindita Milot. Kush je ti ……Miloti?
Megjithate faleminderit per bekimin.
Per ……Miloti
Jam Lindita Miloti, te lutem vihu ne kontakt me mua tek profili im facebook “Linda Miloti” me fotografi profili ate te vellait tim te dashur Agron Milotit.
Me ne fund, nje Miloti qe me perkrah sepse i gjithe fisi mi ka kthyer krahet mbas intervistes time, qe do te thote se paskemi qene jo vetem nje familje kot, por edhe nje fis kot, me frikacake bythelepires te Xhevdet Milotit qe akoma sot edhe pse e dine qe ishte nje pleh, kane frike ta pranojne te verteten dhe me denojne mua qe pata guximin ta demaskoj ate kriminel perveres.
Te lutem me kontakto. Do rrije ne sekret kontakti i jone, nuk ta nxjerr emrin sepse une nuk kam kontakt me asnje nga familjaret dhe nga fisi i im. Rri i/e qete!
Lindita Miloti
Me pak fjal
Kam patur fatin te njoh e biles nje rast edhe nje kafe me Agron Milotin ne Puke
Ai djal aq i but e goj embel
I gjat i bukur
Gjithmon i qeshue
E donin te gjithe Pukjanet se ai vet ishte i dashur
Me mire mos ta njihja
Kur ate fundjav Te pare te Gushtit se mos gaboj
At mbasdite te nxehte
Ku moren lajmin e trisht per at aksident te tmerrshem me 6veta te vdekur
O Zot thonim me Tim shoq
Sa keq per te gjithe
Po Agroni eshte djal i vetem
Nuk kam fjal
Per historin e familjes tuaj Lindita
Me vjen shum keq
Per jeten tuaj te vuajtur
Pa asnje nevoj
Por me e dhimbeshme
Agroni qe vdiq tragjikisht ne lulen e rinise
Ka pas shummm familje qe kan qen te te njejtit pozicion
Prind/femije
Nje mjeke me karrier
Qe per fat e njoh
Kur punova te ajo
Duke diskutu traditat etj etj
Tha…..
Vera
Kur prindi torturon femijet e tij pa motiv
Nuk meriton respekt nga ata femij
Si thojn….
Duhet ta provosh
Qe tjetrit
T’ja besosh
Te uroj shendet
Agroni pushoft ne paqe ❤️
Samvera e dashur, shume faleminderit per fjalet e mira qe shkruan per Agronin, e ke pershkruar ne gjithe madheshtine e tij.
Per ……Miloti
Jam Lindita Miloti, te lutem vihu ne kontakt me mua tek profili im facebook “Linda Miloti” me fotografi profili ate te vellait tim te dashur Agron Milotit.
Me ne fund, nje Miloti qe me perkrah sepse i gjithe fisi mi ka kthyer krahet mbas intervistes time, qe do te thote se paskemi qene jo vetem nje familje kot, por edhe nje fis kot, me frikacake bythelepires te Xhevdet Milotit qe akoma sot edhe pse e dine qe ishte nje pleh, kane frike ta pranojne te verteten dhe me denojne mua qe pata guximin ta demaskoj ate kriminel perveres.
Te lutem me kontakto. Do rrije ne sekret kontakti i jone, nuk ta nxjerr emrin sepse une nuk kam kontakt me asnje nga familjaret dhe nga fisi i im. Rri i/e qete!
Lindita Miloti