Si sot tre vjet më parë u shua në moshën 89 vjeçare gjuhëtari i shquar Jorgji Gjinari. Ndër të parët që do të kryente studimet e larta në Institutin katër vjeçar në Tiranë. Si diplomohet do të emërohet në Institutin e Gjuhësisë.
Prof. Dr. Jorgji Gjinari, dha ndihmesa të spikatura në studimin e dialekteve të shqipes, por edhe në drejtimin dhe organizimin e punës në sektorin e dialektologjisë të Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë. Prof. Gjinari e pat nisur punën pranë këtij Instituti në vitin 1956 dhe po atë vit përgatiti artikullin e parë “Një vështrim mbi të folmet e Oparit”, që u botua më 1957 në numrin e parë të Buletinit të Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Veprimtarinë e tij shkencore e kulmoi më 1989, me përfundimin e veprës madhore “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, hartimin e të cilit e udhëhoqi nga fillimi e deri në fund. Por edhe pas kësaj periudhe ai nuk ka reshtur së shkruari për probleme të ndryshme, sidomos për raportet e gjuhës letrare me dialektet, duke u rreshtuar me shkrimet e veta ndër mbrojtësit e gjuhës standarde.
Fryt i penës së tij i janë edhe një numër i madh shkrimesh dhe hulumtimesh të folmeve të Shqipërisë Jugore dhe Veriore, Kosovës, RMV-së dhe arbëreshëve të Italisë. Artikuj për çështje të fonetikës së sotme e historike të dialekteve të shqipes, për historinë e lindjes dhe të zhvillimit të dialekteve të gjuhës sonë, për historinë e gjuhës sonë si dhe për çështje të gjuhës së sotme letrare etj. Ai është autor i tekstit universitar “Dialektologjia e gjuhës shqipes”.
Ka dhënë leksionet e lëndës së dialektologjisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës dhe ka mbajtur ligjërata universitare edhe në Kosovë dhe në RMV.
Por vepra më kryesore e tij si bashkautor dhe drejtues, është “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, që e pa dritën e botimit në vitin 2007.
Ai do kujtohet përherë me mirënjohje edhe si drejtuesi i punës dhe hartuesi kryesor për një nga veprat përgjithësuese madhore të gjuhësisë shqiptare.
Profesor Gjinari, me veprën që le pas mbetet një figurë e ndritur e gjuhësisë shqiptare. Emri dhe vepra e tij do të jenë gjithnjë pikë referimi për të gjithë ata që do të hulumtojnë mbi gjuhën e bukur shqipe.