*Unë propagondoja se komunistët vepruan si fashistet. Fashistët i vunë flamurit tonë shpatat e Duçes ndërsa komunustët i vunë yllin e Rusisë. Ne duhet të kemi një Shqipëri të lirë nacionaliste./
Nga Enver MEMISHAJ/
Shumë familje që dhanë me përkushtim dhe me dashuri për atdheun dhe lirinë gjithëçka që mundën, në kohë shumë të vështira, u mbuluan me pluhurin e harresës gjatë diktaturës komuniste.
Një nga këto familje që duhet kujtuar dhe nderuar është edhe ajo e Numan Lepenicës. Numani lindi në Lepenicë të Vlorës në vitin 1892, dhe kreu arsimin e lartë në Stamboll. Ai i shërbeu vendit të tij për 32 vjet, nga 1912, si oficer në qeverinë e Ismail Qemalit, i plagosur në Luftën e Vlorës më 1920, kryetar komune dhe nënprefekt deri më 31 dhjetor 1944 dhe ashtu si miku i tij Ali Asllani vdiq pa pension, në mjerim.
Numani u martua me dashuri me mësuese Zenepen, të bijën e Mustafa Xhomos, një bej i rënë nga vakti nga Leskoviku dhe mbesë në familjen Vlora.
Të tre vajzat e tij: Tefta, Afërdita dhe Elisabeta, nën shembullin e prindërve, u aktivizuan si luftëtare për përparimin e femrës shqiptare dhe si luftëtare për liri kundër pushtuesit fashist. Ato u burgosën dhe internuan dhe patën një fund tragjik.
Sot nga ajo familje me famë e emër të mirë ka mbetur vetëm një vajzë Donata. Është detyrë atdhetare dhe kulturore të hedhësh dritë mbi veprimtarinë qytetare dhe atdhetare të tre motrave Lepenica.
- TEFTA LEPENICA
Tefta ka lindur në Vlorë, më 28 prill 1917. Ajo fitoi konkursin për të ndjekur Institutit Femror “Nana Mbretëneshë”. Gjatë kohës së studimeve në Tiranë, ajo ra në dashuri me Emin Selenicën nga Korça, marrëdhënie që u kurorëzua me martesë më 27 dhjetor 1934, siç shënohet në regjistrin e Gjendjes Civile.
Martesa nuk e pengoi në vazhdimin e shkollës. Ajo me vullnet të fortë u diplomua në vitin shkollor 1936-1937, me rezultate të larta, në degën e gjimnazit.
Në bibliotekën e motrave Lepenica mundëm të gjejmë një kartolinë pas së cilës ishte shkruar: “Dhurue Tefta Lepenicës, Instituti Femëror “Nana Mbretneshë”, për nota të mira”. Më poshtë në kartolinë shënohet: “Silluni mirë gjithmonë kundrejt shtazëve…” Prej kësaj kartoline dhe të dhënave të tjera gojore marrim vesh se Tefta ka qënë një nxënëse e shkëlqyer në mësime.
Krahas diplomës Tefta përvetësoi shumë mirë edhe gjuhën italiane, ndërsa në familje ajo kishte marrë njohuritë fillestare per gjuhën turke, frënge dhe greke, prej prindërve.
Në shenjë kujtimi e nderimi për ato vajza që u bënë flamurtare të përparimit dhe luftës për liri po përmendim maturantet e këtij viti shkollor:
Dega e gjimnazit: Musine Kokalari, Vera Bogdo, Agllaia Harito, Tefta Lepenica, Qamuran Toptani, në sesionin e vjeshtës.
Dega e normales: Gjylsyme Dervishi, Liri Poshi, Margarita Nosi, Pullumbe Libohova, Eleni Toroshani, Ganije Bejko, Ganimet Gjilani, Gliqeria Koça, Gjenovefa Bojaxhi, Mukadez Serezi, në sesionin e vjeshtës.
Me rastin e diplomimit të maturës së parë të Institutit “Nana Mbretneshë”, shtypi kohës shkruante:
“Në se sot kemi shkolla të mesme që na nderojnë Instituti “Nana Mbretneshë”, është në radhën e parë. Kishte nevojë të madhe vendi ynë për një strehë dritëdhënëse dhe edukonjëse të brezit femëror që po rritet. Dhe u plotësua me çeljen e këtij Instituti që qysh katër vjet punon palodhje për arsimin e 500 e ca vajzave shqiptare… U provua se vajza shqiptare është e zonja të punojë tamam si femrat e tjera të botës së qytetërueme. U pa qartazi dëshira dhe vullneti që ka vajza shqiptare për dritë përparimtare”. (Revisa “Diana”, nr. 32, korrik 1937, f. 32.)
* * *
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, të tre motrat Lepenica: Tefta, Afërdita dhe Elisabeta, falë traditës familjare dhe shembullit të prindërve, që në ditët e para u gjendën në vijën e parë të rezistencës dhe luftës për liri. Shtëpia e tyre në lagjen “Lirim” së bashku me atë të Aleksandra Premtit etj., fqinja e tyre, u kthyen në baza të luftës për liri.
Në korrik të vitit 1939, Tefta së bashku me Viktori Gjikondin, veterane e Lëvizjes Antifashiste, në Vlorë, u caktuan të shoqëronin fëmijët shqiptarë që shkonin në kampet italiane. Të dy shoqet vazhdonin të bënin propogandë të pa reshtur kundër pushtimit fashist, por fashizmi ashtu si edhe komunizmi, më vonë, kishte agjentë në çdo qelizë të shoqërisë.
Kështu që agjentët fashistë arritën të zbulonin aktivitetin antifashist të këtyre dy vajzave. Federata e Luftimeve në Brindzi më 7 korrik 1939 i shkruan Fashistit Giovani Giro, Inspektor në Tiranë:
“Referuar komunikimit telegrafik të shokut Bianki, dje janë paraqitur dy mësuese përkthyese të kampit Znj. Tefta Lepenica dhe znj. Viktori Gjikondi. Sipas udhëzimeve të shoqes Poli, të cilës i kam telefonuar, parashtroj riatdhesimin e tyre të menjëhershëm për motivet e më poshtëme: Kanë treguar entuziazëm të pakët për ardhjen e tyre në Brindsi, duke folur me një nga bashkëpunëtorët e mi, ato janë shprehur si më poshte:
- ne ishim të kënaqura me Mbretin Zog (Mbret maskara e i poshtër), sepse ishte shprehja e një shteti të lirë dhe të pavarur.
- ne nuk kuptojmë se si Italia u ka hequr lirinë një milon shqiptarëve, të cilët duan të jetojnë të lirë.
- Kur Republika e Venecias kishte raporte të mira tregëtare me Shqipërinë, nuk ishte kjo Italia e sotme që pushton shtetet e vogla.
- Ju italianët e njihni historinë tuaj siç ua kanë mësuar në librat tuaja. Historinë tonë, do të ua mësojmë ne, historinë e vërtetë që njihet ndërkombtarisht.
- Ne kemi nostalgji për Shqipërinë, që për ne, mbetet atdheu jonë i bukur.
- Ne kemi ardhur në Itali, për një shpërblim prej 400 liretash dhe që të kemi mundësi të blejmë ndonjë fustane apo sende të tjera.
- Të gjitha mësueset e tjera i kanë nisur me detyrim.
- Duam të jemi të lira, sidomos mbrëmjeve për t`u argëtuar.
E quaj të domosdoshme të shënoj që njera prej të dyjave ka pohuar se është vajza e kryetarit të komunës së Vlorës.
Ju lutem të merrni masa urgjente për t`i kthyer në vendin e tyre dy mësueset që ndodhen në Brindsi. Po kështu dy mësueset e tjera njera është bullgare dhe nuk di asnjë fjalë italisht, ndërsa tjetra di pak italisht. Sekretari Federal Franko Fedele Bozi “ (AQSH, F. 161, V. 1939, D. 975, f. 1)
Nuk ishte e vështirë për fashistët që të verifikonin menjeherë se bëhej fjalë për kryetarin e komunës Numan Lepenica, babai i Teftës, ndaj të cilit edhe do të hakmerreshin.
Shkresës së sipërme, më datën 8 korrik 1939, i përgjigjet Partia Fashiste e Shqipërisë, Drejtoria Qëndrore, Tiranë: “Përgjigje e Francesko Jakomonit Mëkëmbës i Përgjithshëm i Mbretit Perandor Tiranë.
Mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që shoqërojnë fëmijët pranë kolonive të Federatës së Brindzit, kanë manifestuar ndjenja antiitaliane, për më tepër janë shprehur në momentin në të cilin Organi i Partisë Nacionaliste Fashiste, po përkujdeset me dashuri për mysafirët e vegjël shqiptarë.
Sjellja e dy mësueseve shqiptare, siç del nga raporti i Federatës së Brindzit, është e papranueshme dhe ju kërkoj domosdoshmërisht pushimin e shpejtë nga shërbimi që kryejnë. Tek elementë të tillë të këqinj bashkohet shpirti keqdashës me paqartësinë.
Duke mbrojtur shërbimin tonë, shfytëzojmë veprën e ripërtëritjes politike dhe morale dhe duke e marrë me shumë besim dhe me entuziazëm të madh bashkëpunimin ndërmjet shqiptarëve dhe italianëve.
Të dy mësueset e sipërcituara në koloninë e Federacionit të Brindzit, do të zëvëndësohen me të tjera që rezervohem t`i shënoj. Inspektori P.N.F. Giovani Giro” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 2-3)
Sekretari, Mëkëmbësit të Përgjithshëm ka vënë këtë shënim për S.E. Koliqin: “Relacioni i dërguar më datën 8 korrik 1939, nga inspektori i P.N.F. i dërguar për njohje nga E.V. përforcon idenë se dy mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi që kanë demonstruar papajtueshmëri në situatën e re pushohen nga shërbimi. I jam mirënjohës E.V. në se do të na informojë, në kohën e duhur për sa i përket çështjes. Sekretari Mëkëmbësi i Përgjithshëm” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 6)
Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, më 13 korrik 1939, u përgjigjet shqetësimeve fashiste: “Me keqardhje kam marrë njoftim mbi shkresën tuaj të datës 8 korrik 1939. Shoqërueset Tefta Lepenica dhe Viktoria Gjokondi nuk janë mësuese, por vetëm ish nxënëse në Institutin Femëror “Nana e Skënderbeut” të Tiranës, ku kanë krye liceun në vjetin shkollor 1938-1939. Kam marrë shënim që ndonjë kërkesë eventuale e tyne për punë ose bursë të mos merret në konsideracion.
Të përmëndurat janë kenë dërgue me shpejti prej Vlonës, për me zavëndësue dy shoqëruese të tjera që janë kenë sëmurë. Ministri Ernest Koliqi” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 5)
Ndjekja e autoriteteve fashiste vazhdon. Më 24 korrik 1939, për mësueset shqiptare Tefta Lepenica dhe Viktori Gjikondi, gjejmë edhe këtë informacion: “Informues të vlefshëm raportojnë se mësueset shqiptare… kanë manifestuar një qëndrim të tillë ndaj situatës që ka qënë e mjaftueshme për riatdhesimin e tyre… Ësht gjithashtu në vijim … masa paraprake për pushimin e tyre. Francesko Jakomoni” (AQSH, F. 261, V. 1939, D. 975, f. 7)
* * *
Viti 1939, kishte ardhur i zi për shqiptarët, por veçanërisht për ata që u gjendën në vijën e parë të rezistencës dhe të luftës kundër pushtrimit fashist.
Babain e Teftës, Numan Lepenicën, kryetar komune, i aktivizuar me qarqet antifashiste, më 10 tetor 1939, e pushuan nga puna.
Teftën e riatdhesuan nga Italia duke mbajtur shënim që të mos punësohej në administratën shtetërore dhe të mos lejohej me bursë të ndiqte universitetin ne Itali, siç kam cituar më lart vendimin e Ministrit të Arsimit Ernest Koliqi.
Ato vajza që kryenin degën e gjimnazit në Institutin “Nana Mbretneshë”, që fashistët e quajtën “Nana e Skënderbeut”, kishin të drejtë të ndiqnin studimet universitare në Europë. Por, Tefta, për shkak të qëndrimit antifashist të saj dhe të familjes, ajo nuk mund të ndiqte studimeve në Itali, është kjo arsyeja që babi sajë kërkoi një udhë tjetër për të arsimur të bijën.
Ajo mundi të regjistrohej për konkurim në Universitetin e Zagrebit, për farmaci. Tefta fitoi konkursin ndoqi studimet dhe u diplomua farmaciste. Për kohën e studimeve që kaloi në Zagreb na mungojnë të dhënat. Ajo duhet të jetë diplomuar në vitin1944 dhe pasi u kthye në Shqipëri, me ndihmën e miqve të babait, hapi një farmaci në Durrës. Komunistët që kishin ardhur në fuqi e shihnin me dyshim vajzën e një nepunesi të lartë të regjimit “antipopullor” të Zogut. Kështu që ajo punonte në kushte të vështira dhe aty nga viti 1947 (?), u gjend e helmuar, në moshën 30 vjeçare, pa krijuar familje dhe pa gëzuar jetën, në rrethana që mbetën të pa sqaruara.
Është rasti të bëjmë një krahasim midis fashistëve dhe komunistëve: Tefta, për mendimet antifashiste, vetëm u riatdhesua nga Italia. Motra e saj Afërdita, siç do të shohim më poshtë, për të njëjtat mendime, por tashmë kundër komunistëve, në vitin 1950, në moshën 24 vjeçare, u gjykua dhe prokurori kërkoi dënimin me vdekje, por gjykata “mëshiroi” dhe i dha vetëm 10 vjet burg!
- AFËRDITA LEPENICA
Pas daljes nga burgu, Afërdita mbeti e persekutuar deri në fund të jetës. Ajo punoi mami në qytezën e sharrëxhinjëve, në Hotolisht të Librazhdit, deri sa doli në pension. Çdo vit, ajo së bashku me Donatën vajzën e sajë, i kalonte pushimet verore në shtëpinë e autorit të këtij shkrimi, në Vlorë. Nëna ime, me gjith hallet e sajë, e priste dhe e përcillte me dashuri dhe respekt dhe nuk u lodh asnjëherë duke i shërbyer. Po kështu edhe Gatua, motra ime në Tiranë, me dashuri prej motre, i hapi Afërditës dhe Donatës derën e shtëpisë dhe të zemrës. Afërdita i tregonte autorit të këtij shkrimi jetën e sajë plot peripeci dhe vuajtje të pa fundme. Pas vitit 1992, kur mu dhanë mundësit të shfrytëzoj arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme harmonizova tregimet e Afërditës me dokumentat e kohës. Ja se ç`farë ka treguar Afërdita, nën tortura, në hetuesinë komuniste:
“Unë kam lindur në Vlorë më 8 korrik 1925. Mbas mbarimit të arsimit fillor, prindërit më regjistruan së bashku me motrën binjake Elisabetën në Shkollën Tregtare në Ujë të Ftohtë, të Vlorës, në atë kohë një shkollë me emër shumë të mirë.
Në vitin 1940, kur unë vazhdoja Shkollën Tregtare, Ministria e Shëndetsisë me anë të një lajmërimi në gazetë, kërkoi 35 vajza për t`i çuar në Itali për studime… Babai pasi mori pëlqimin tim me anë të miqve të tij më siguroi një bursë.
Më 2 qershor 1940, u nisa së bashku me shoqet në Itali. Më 1 korrik mbritëm në Bari. Aty qëndruam 6 muaj, për studime për mami, por duke qënë se Bari ishte zonë lufte dhe bombardohej nga anglezët na trasferuan në Kamerino.
Në pushimet e verës të vitit 1942 erdha në Vlorë dhe shkova për disa ditë në fshatin e origjinës së babait, në Lepenicë. Në shtëpinë e xhaxhallarëve që ishte shndërruar në bazë të luftës, vinin partizanë ilegal, midis tyre edhe djali shtëpisë tonë Sadik Premtja. Nga ai mora njoftimet e para për Lëvizjen Nacionalçlirimtare, mësova këngët e para revolucionare dhe në përfundim të pushimeve u ktheva në Itali për të vazhduar studimet. Në të vërtetë e urreja në kulm fashizmin dhe italianët.
Ndër shoqet e mia studente në Itali kujtoj: Xhemile Gjinishin, motrën e Mustafa Gjinishit nga Peqini, Nimete Luzatin, nga Luzati, Melani Kafeja nga Shkodra, Aspasi Roshi nga Kavaja, Lefteri Dhamo nga Durrësi, Nixhije Hila nga Delvina dhe tash banuese në Tiranë, Senka Andrea nga Shkodra, tash mami në Lezh, Sofije Bejtja nga Elbasani, tash banuese në Tiranë, Bukurie Meçaj nga Elbasani, tash mami në Peqin, Hasime Janina nga Berati, tash në burg politik, Milla Paço nga Përmeti, tash me banim në Tiranë, Fahrie Deliu nga Elbasani tash nuk e di ku banon, Evjani Ndija nga Elbasani tash mami në Përmet, Eftiqi Noçka nga Gjirokastra tash mami në Vlorë, Margarita Papleka nga Elbasani, tash mami në Tiranë, Meropi Shyqyriu tash me banin në Elbasan, martuar me major Kopi Nikon, Bepina Shala nga Shkodra, Athina Marku nga Elbasani. (Fjala tash, tregon vitin 1950, kur Afërdita flet për jetën e sajë)
Me këto shoqe, në sallë ku mblidheshim me pretekst studimi, bisedonim shpesh herë për luftën që bëhej në Shqipëri. Këtë frymë vendosëm ta përhapim në të gjitha shoqet e konviktit. Mirpo aktivitetin tonë e raportoi në karabineri shoqja jonë Maria Bobe nga Shkodra, e cila më pas u martua me kapitenin e karabinerisë së Kamerinos.
- E burgosur dhe internuar prej fashistëve italianë.
E spiunuar, më 27 shkurt 1943, u arrestova nga Kuestura e atjeshme si antifashiste, meqënse në konvikt flisnim për Lëvizjen Antifashiste që bëhej në Shqipëri dhe këndonim këngë revolucionare, që i kishim mësuar kur ishim me pushime në Shqipëri. Shpesh herë këndonim një trakt që më kishte dhënë mua Sadik Premtaj – Xhepi, në muajin tetor të vitit 1942, kur isha me pushime në Shqipëri.Në këtë trakt Parti Komuniste i bënte thirrje popullit që të hidheshin në luftë kundër fashizmit.
E mbaj mënt, se si më arrestuan: Kryemurgesha që ishte në konvikt Ana Piaxha më tha se duhet të shkoja në Karabineri. Atje kapiteni Karabinerisë më kërkoi që të ngrinim në konvikt Organizatën e Fashios dhe të merrnim triskat e Fashios. Unë e kundërshtova duke i thënë se ne nuk kemi ardhur këtu për të bërë politikë, por për të vazhduar studimet.
Athere ai më tha se ju keni lidhje me partizanët shqiptarë dhe këtu keni ardhur jo vetëm për të mësuar, por edhe për të bërë propagandë kundër fashizmit dhe se kishte urdhër nga Ministria e Jashtme Shqiptare të më internonin pse isha kundër fashizmit.
Pra, sentimentet e mia ishin zbuluar dhe prandaj të nesërmen në katër të mëngjezit më morën dhe më internuan në kampin Polence tre orë larg me tren nga Kamerino. Në atë kamp vuanin 2000 gra të huaja dhe italiane. Dy ditë më parë kishin internuar edhe shoqen time Milla Paço. Fashistët na trajtonin shumë keq…, na jepnin vetëm 150 gr. bukë në ditë, por mua më ndihmonte familja, për çdo muaj merrja prej saj 1000 lireta ose edhe më shumë. Atje kishja si shoqe të ngushtë vetëm një turke që quhej Suela…
Në Polence qëndrova pak kohë pasi u sëmura prej vuajtjeve…, dhe mua më trasferuan në katundin Fiuminda, që fashistët e quanin “ampo libero” Aty jam njohur me disa familje italiane, por shumica nuk më kujtohen emrat… Edhe këtu vuanim, pasi na jepnin vetëm 150 lireta në muaj…
Mund të kujtoj Alberto Rossin, familjarisht. Me këtë unë shoqërohesha, por ishte e ndaluar nga karabineria që ne të internuarat të kishim intimitet me italianët.
Këtu qëndrova deri më 15 nëntor 1943, prej kësaj date na çuan në një kamp tjetër në Apiniano ku qëndrova deri në shkurt të vitit 1944.
Aty më ka ardhur kuestori komandës dhe pasi më bëri komplimenta donte të dinte se cilët ishin komuniste që ndodheshin akoma në konviktin tonë. Unë i thash se neve asnjera nuk jemi komuniste, por jemi vetëm studente që kemi ardhur këtu të kryejmë studimet dhe të kthehemi në atdhe. Ai nuk më besojë dhe më tha se deri sa të mbarojë lufta ti do të qëndrosh e internuar. Më 15 shtator 1943, më trasferuan në Ampinjero.
Para se të më transferonin më erdhi një telegram nga Eqrem Çabej, njeri krejt i panjohur nga mua, ku më thoshte të shkoja në Romë… Unë këtë njeri nuk e njihja dhe nuk e dija çfarë detyre kishte në Romë…
Dy shoqet e mia Milla Paço dhe Hasije Janina u liruan, kurse mua nuk më liruan, për këtë unë pyeta dhe më thanë: Nuk kemi asnjë urdhër as nga Ministria e Jashtme dhe as nga Ministria e Luftës.
Kështu që unë mbeta e internuar dhe u trasferova në Apijano, ku vuante edhe një ruse e bardhe edhe kjo e internuar.
- E burgosur dhe internuar prej nazistëve gjermanë.
Sapo e okupuan këtë fshat gjermanët, mua më burgosën me akuzën se jam në lidhje me partizanët, gjë që unë e mohova me këmbëngulje. Në burg kam qëndruar nga data 7 shkurti 1944, deri nga fundi muajt qershor 1944 dhe kam vuajtur nga trajtimi keq dhe ushqimi keq: lakra dhe 150 gram bukë në ditë.
Oficerët gjerman, të shoqëruar nga ata italian, kërkonin nga mua të tregoja bazat e partizanëve. Unë u thoja se nuk di gjë, për këtë dy herë më kanë vënë në torturat e fronit me korent dhe duke qënë se unë nuk fola u bindën …
- Liria nga forcat amerikane dhe idetë antikomuniste.
Më nxorrën nga burgu dhe më çuan në fshatin Karidone. Atje qëndrova deri sa erdhën forcat amerikane. Mbas dy muajve të çlirimit nga gjermanët shkova në Bari në Misionin Ushtarak Shqiptar, i kryesuar nga n/kolonel Kadri Hoxha, i cili më caktoi infermjere në kamp…
Në kontaktin e parë që pata me partizanët e plagosur që kishin ardhur në Itali mora vesh për dezertimin e Sadik Premtes – Xhepit, njeri që unë e doja dhe e admiroja pa masë si edhe ai mua. Simpatia e madhe që kishja për të, më bënë që edhe unë të ndërroj opinjon dhe rrugën, pasi arsyetoja se deri sa ai jetoi dhe luftoi për Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe u kthye mbrapa, si duket kjo Lëvizje nuk është e drejtë dhe e mirë…
Mosha ime e re, 18 vjeçare, dhe rrethi shoqëror që kishja frekuentuar para se të bija në kontakt me partizanët shqiptar kishin influencuar në ndërrimin e mendimeve të mia dhe lajmi për Sadik Premten – Xhepin, ndikuan kryesisht në ndjenjat e mia revolucionare, kështu që unë besova anglo-amerikanët. Në kamp me partizanët shqiptar qëndrova në tepër se një muaj e gjysëm.
- Kthimi në atdhe dhe aktiviteti antikomunist.
Më 21 dhjetor 1944, u ktheva në Shqipëri, në familjen time në Vlorë. Aty mësova se një xhaxha, Xhelal Hoxha, ishte vrarë në luftë si ballist, gjithashtu edhe Hysni Lepenica, dy njerës që unë kisha për ta një dashuri të madhe. Pastaj më thanë se partizanët kishin djegur shtëpinë tonë në Lepenicë dhe kishin marrë të gjithë mallin. Këto ngjarje e rënduan më tepër shpirtin tim. Që në ditët e para të kthimit tim në Vlorë fillova miqësinë me disa shoqe që kisha pasur më parë… Ishin shoqë të pakënaqura dhe antirevolucionare… Kisha miqësi me familjet e çifutëve që kishin një urrejtje të madhe për Pushtetin Popullor. Te këta gjeta tamam ata që kërkoja…
Vendi ku mblidheshim ishte shtëpia e Xhon Matathia-s. Atje vinin Rafo Jakoeli, Moisi Levi, tani në Vlorë, Nino Ganiu, Xhakovino Matathia, tani në Tiranë, po ashtu vinte djali doktorr Çupishtit, Skënderi, me të motrën Shukranen, tani familjarisht në Shkup, dhe shoqet e mia çifute Mini Jakoeli dhe Tuçi Matathia dhe nga ndonjë herë mblidheshim te shtëpia e Mini Jakoelit.
Ne mblidheshim çdo të shtunë dhe bisedonim mbi reformat, shtetëzimet, regjimin që ne s`na pëlqente. Mbas kërkesave të tyre unë u shpegoja për ushtrinë anglo-amerikane dhe regjimin demokratik që ishte në Itali, që i dedikohej udhëheqies së De Gasperit etj. U flisja për ushtrinë anglo-amerikane, e cila e trajtonte mirë popullin italian, përgënjeshtroja lajmet e gazetës sonë. U thoshja se në Itali gjendej çdo gjë, ju thoja se Kryqi i Kuq amerikan shpërndan ushqime dhe ndihmon të dëmtuarit e luftës etj. U thoshja se shumë oficerë amerikanë dhe anglez më kishin thënë se nuk është e largët dita kur do të vimë në Shqipëri. Lavdëroja rregullin dhe disiplinën anglo-amerikane.
Në vitin 1946 në Vlorë zura miqësi me vajzat e Risiliotëve: Diana Risilia, Rubie e Nergjize Risilia të cilat kishin marrë pjesë aktive në radhët e Ballit Kombëtar.
Në këtë shoqëri nuk mungonte asnjëherë Shukrie Çupishti, e cila gjatë viteve 1940-1943, kishte qënë në gjimnaz në Itali, një vajzë tepër e zgjuar. Doktor Çupishti i ati Shukranes u trasferua në Peshkopi ku mori edhe familjen me vete. Më 28 nëntor 1948, familjarisht u arratisën në Shkup, Jugosllavi. Shukrania më kishte propozuar edhe mua të arratisesha bashkë me ta, por në atë kohë unë u arrestova në Burrel për agjitacion dhe propogandë.
Mbledhjet i bënim tek Diana Risilia pasi shtëpia e saj ishte në periferi të qytetit. Ne nxisnim edhe shoqe të tjera të vinin në takimet tona. Kështu u bëmë gjithsej 11 vajza: Afërdita Lepenica, Shukrane Çupishti, Diana Risilia, Rubie Risilia, Nergjeze Risilia, Nedime Kasëmi, Mimi Kasëmi, Nefrone Agalliu, Tahnime Mustafaraj, Mini Jakoeli, Tuçe Matathia.
Ky grup ishte vepra ime. Ne jemi mbledhur katër herë në shtëpinë e Diana Risilisë. Në këto mbledhje bisedonim për luftën dhe rolin që kishte luajtur femra në atë luftë, që sipas pikpamjes tonë ajo i kishte shërbyer më tepër burrave se sa luftës. Flisnin ato që e kishin jetur luftën… Nedime Kasëmi që kishte qënë pjestare e celulës së Ballit Kombëtar në Vlorë lavdëronte Ballin Kombëtar dhe thoshte se edhe neve kemi qënë shumë shoqe në celulë, por nuk ka pasur degjenerim…
Këto lidhje u shkëputën duke filluar nga fundi i vitit 1946 deri në itin 1949, pasi jeta na shpërndau.
- Në shërbim femrës shqiptare dhe vullnetare në hekurushë.
Në janar –shkurt 1945, u emrova mami në Himarë, nga Himara u tasferova në Mesaplik e Drashovic. Në Drashovic mu dha mundësia që të shoh biografinë time ku shkruhej se isha person i padëshëruar dhe që nuk duhet të besohesha. Kjo gjë më revoltoi kundër pushtetit. Kuptova qartësisht se ndiqesha nga policia.
Nga muajin qershor i vitit 1945 u tasferova mami në Valias të Tiranës. Këtu qëndrova për 4 muaj dhe në nëntor të këtij viti u ktheva pranë familjes, pasi isha dobësuar shumë dhe babai më tha që të kthehesha në shtëpi pa lejen e Ministrisë. Pranë familjes qëndrova 8 muaj pa punë, deri sa mora veten.
Në gusht të vitit 1946 më emëruan mami në Kurvelesh.
Në muajin gusht 1947, kam qënë vullnetare në hekurudhën Peqin – Elbasan. Me t`u kthyer nga hekurudha kam punuar provizorisht llogaritare në Ndërmarjen e Grumbullimit në Vlorë, afro një vit.
Në muajin mars 1948 jam trasferuar në Burrel ku edhe krijova një rreth antikomunist.
Më 27 tetor 1948 më arrestun në Burrel dhe më akuzuan për agjitacion dhe propagandë, por pas tre muaj e gjysëm më liruan për munges faktesh…
U lirova pas rezolutës të Kongresit të Parë të PKSh –së më 22 dhjetor 1948 dhe shkova në Vlorë ku qëndrova 8 muaj pa punë, deri në gusht të vitit 1949, sepse nuk pranoja të shkoja në punë në rrethin e Maliqit ku më kishte emëruar Ministria e Shëndetësisë.
Më 26 gusht 1949, me kërkesën time shkova në rrethin e Gramshit sepse atje ndodhej i fejuari im Hysen Dervishi. Aty u njoha me nëpunësa dhe fshatarë antikomunist, të cilët m`i prezantoi i fejuari im. Edhe këtu dhe në çdo vend tjetër nuk mungova të vazhdoj aktivitetin tim antikomunist…
Të gjith njerëzit e mi të afërt janë kundër komunistëve në pushtet: Refati, Shaqia, Qemali, Imeri, Fetiu. Dilaveri, etj.”.
- Mendimet dhe idetë e mia.
Në rrethin tim shoqëror kam pasur dhe kam mbrojtur këto mendime: Unë kam menduar se kjo qeveri nuk vete shumë. Kam menduar gjithnjë se edhe neve duhet të luftonim kundër komunizmit dhe kam biseduar se një ditë do të vinin anglo-amerikaët dhe do rrëzonin komunistët nga pushteti.
Unë propagandoja se komunistët vepruan si fashistet. Fashistët i vunë flamurit tonë shpatat e Duçes, ndërsa komunustët i vunë yllin e Rusisë. Ne duhet të kemi një Shqipëri të lirë nacionaliste.
Për këto mendime më nxiste xhaxhaj im Refat Lepenica, djali xhaxhait Qemal Lepenica, kushriri im Perlat Selami, sot në vitin 1950 i vdekur dhe shoqia ime vlonjate Athina Marku që është mami në Elbasan.
Unë mendoja se Shqipëria duhet të jetë e lirë dhe të zhvillohet në rrugën demokratike, por jo në rrugën e komunizmit. Mua nuk më pëlqente diktatura komuniste, më pëlqente demokracia e tipit të perëndimit.
Simpathia për tipin e demokracisë së perëndimti më ka lindur që kur erdhën aleatët në Itali duke lexuar revista, gazeta amerikane dhe angleze të shkruara italisht dhe duke biseduar me ushtarakët e misionit anglo-amerikan dhe ndihma që ata i jepnin popullit, tek neve la përshtypje të mira për demokracinë e perëndimit. Ne kemi folur gjithmonë për ide nacionaliste për një Shqipëri të lirë, për flamur pa yll.
Kur ishja me punë në Drashovicë të Vlorës, së bashku me një shoqen time, të quajtur Liri, së cilës i ishte pushkatuar i ati, përgatitëm disa trakte ku i bënim thirrje popullit të protestonte kundër qeverisë, pasi qeveria nuk ishte njohur akoma dhe thoshim se kjo qeveri po na burgos dhe na pushkaton, por këto trakte na u zunë nga Sigurimi. Mua më morën në pyetje në Drashovic, më këshilluan dhe më liruan.
Njerëzit e pushtetit më quanin armike dhe nuk më afronin. Në gjirin e familjes nuk kam qëndruar, që kur u ktheva nga Italia, veçse si mysafire kështu që ndjenjat e mia vazhdonin të ishin kundër pushtetit të komunistëve…
- E burgosur dhe internuar prej komunistëve shqiptarë.
Bashkëpuntorët e Sigurmit të Shtetit: Xhemal Laçka, Sul Galla, ”Sifoni” dhe rezidenti ”Medicina”, që punonte bashkë me mua, më raportuan dhe mbi bazën e raporteve të tyre, më arrestun më 17 prill 1950… Pas 4 muajve në tortura, pa ushqime dhe barna, pa ndihma nga familja, u sëmura rëndë nga mushkritë. Në gjendjen e rëndë shëndetsore Hetuesia e Elbasanit me shkresën nr. 61/1 datë 3.8.1950, i shkruan Tiranës: ”Rezervoni një birucë të përshtatshme si e sëmurë për Afërdita Lepenicën…”…
Pas 6 muajve në tortura dhe vuajtje të pa fundme, Prokurori shpirtzi, kapiten Xhavit Struga në pretencën e tij më akuzoi për agjitacion dhe propogandë dhe si agjente anglo-amerikane dhe kërkoi dënimin tim me vdekje. Në atë kohë unë isha vetëm 24 vjeçe vajzë. Gjykata e përbërë prej major Rexhep Kollit, major Pilo Shantos dhe kapiten Manol Milos dhe sekretar Braho Maliqi, u tregua e ”mëshirshme” dhe më 1 tetor 1950 më dha vetëm 10 vjet burg!?
Më 12 mars 1956, pas 6 vjetëve të vuajtjes në burg, i kërkova Gjykatës lirimin me kusht, me arsyetimin se: E mbetur pa asnjë ndihmë nga familja, pasi të dy prindërit ishin pa punë, motra e madhe kishte vdekur në rrethana të pa qarta në vitin 1947, motra tjetër ishte e shtruar në sanatorium në Vlorë dhe duke qënë se vuaja nga sëmundja e mushkrive, zemra dhe azma.
Drejtoria e Sigurimit të Shtetit me shkresën nr. 990 datë 13.1.1957, i shkruan Gjykatës së Lartë: ”Gjatë kohës që vuan dënimin në burg, nuk mban qëndrim të mirë, nuk tregohet e penduar për fajin e kryer dhe se lirimi i saj para kohe me kusht paraqet rrezikshmëri shoqërore. Gjithashtu edhe qëndrimi i familjes nuk është i mirë. Kjo Ministri jep opinjonin të mos lirohet nga burgu. Zv/ministri i Punëve të Brendshme gjeneral Major Mihallaq Ziçishti”…
Jam liruar nga burgu me kusht më 15 dhjetor të vitit 1957… Në shtëpinë time në të cilën kisha qënë më tepër mysafire gjeta vetëm nënën pa pension dhe motrën Elisabeta të sëmurë nga mushkritë e cila vdiq pas dy vjetëve, në vitin 1959.
E mbetur pa punë shkova në Ministrinë e Shëndetësisë dhe kërkova të ushtroja profesionin tim si mami ku të kishte nevojë. Më emruan në Hotolisht të Librazhdit. Atje mora me vete edhe nënën time plakë, e cila vdiq në vitin 1963 dhe erdha dhe e varrosa në Kuzumbaba në Vlorë atje ku ishin varrezat e familjes dhe ku ishte varrosur edhe babai im. (Arkivi MPB, F. 1, D. 5575 dhe Dosja operative 5706.)
- Lindja e vajzës.
Në Hotolisht të Librazhdit u martova me Eqerem Hysenbegasi dhe pas lindjes së vajzës, më 22 korrik 1961 u ndamë. Vajzën e quajta Donata që në italisht do të thotë dhuratë nga Zoti. Donata arsimin e mesëm e kreu në Prenjas. Shkrimtarja Zyba Hysen Hysa e përshkruan Aferdita Lepenicën me këto fjalë: “Nuk mund të harroj Afërdita Lepenicën, e cila ka jetuar vite e vite në Hotolisht, në vendlindjen time. O Zot, sa tronditesha, kur edhe më të mbeturit i hidhnin vështrime përbuzëse. Po vajza e sajë? Donata! Një perëndeshë! Ajo vishej thjesht, por reflektonte një fisnikëri të fisme në fytyrë, saqë kurrë nuk kam ndeshur deri më sot një bukuri të tillë njerzore. Hante si të tjerët, vishej si të tjerët, por shkëlqente, se kishte sjellje të fisme që buronte nga origjina e saj. Bekuar qofshin nënat dhe gratë fisnike shqiptare! Vetëm ato nëna lindin dhe rritin bij e bija për të marrë në dorë frerët e drejtimit të kombit tonë të përvuajtur nga jo fisnikët”. (Zyba Hysen Hysa “Sharrajt në jetën e kombit”, Maluka, Tiranë 2012, f. 171)
Donata u martua në Tiranë, me Petrit Gurí Selmanaj me origjinë nga Lapardhaja e Vlorës, me të cilin pati dy vajza: Artemida e lindur më 24 qershor 1987, diplomuar për biologji dhe Alma e datëlindjes 28 shkurt 1992, diplomuar në Svicër për drejtësi, Mardhënie Ndërkombtare.
Donata kreu në Tiranë arsimin e lartë për drejtësi dhe ishte për shumë kohë juriste në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 1997, ajo refuzoi marrjen në riprovim që organizoi qeveria dhe doli në profesion të lirë, avokate, profesion që e ushtron edhe sot e kësaj dite me sukses të plotë.
- Saktësinë e kujtimeve të Afërdita Lepenicës dhe të aktivitetit të saj e gjeta të pasqyryar edhe në dokumentat e kohës. Po citoj disa nga këto dokumenta:
“Të lartpërmëndurat Aferdita Lepenica… kanë dalë në forma të ndryshme kryengritse, si p.sh. nuk kanë dash me vue një shirit me ngjyrat e flamurit italian, bashkë me ato të flamurit shqiptar, e kur janë detyrue, hidhnimin e tyre e kanë shfaqur në konvikt duke shkrue në gjuhën shqipe mbi dyer: “Vajza shqiptare, çohuni në këmbë për të mbrojt atdheun nga robëruesit. Duam liri! etj.”. (AQSH, F. 295, V. 1942, D.113, f. 239 )
* * *
“Shtojmë se pesë studenteshat e përmëndura janë pjestare të Lëvizjes Komuniste Shqiptare, mbasi këtu ka pas edhe manifestime terroristike… Në komunikimin që ju bëmë më sipër lutemi me i vëzhgue me imtësi zonjushat e thëna”. (AQSH, F. 293, V. 1942, D. 367, f. 25 )
* * *
“Ministria e Punëve të Brendshme. Zyra Politike. Tiranë, më 26.3.1943. Kemi nderin të ju njoftojmë se Drejtoria e Institutit të Asistencës Publike në Kamerino në të cilin vazhdojnë studimet bursistët për mami të kësaj drejtorie, na njofton se për arsye politike Ministria e Punëve të Brendshme Italiane sipas propozimit të Komandës Lokale të Karabinerisë ka arrestue bursistat znj. Mila Paço dhe Afërdita Lepenica dhe i ka internue të parën në komunën e Esantolios dhe të dytën në atë të Fiuminatas.
Drejtoria e Institutit në fjalë nuk di arsyet e këtij arrestimi prandaj ju lutemi të kini mirësinë me intervenue ku duhet për të bërë hetimet e rastit mbi arsyet e këtij arrestimi, tue pas mirësinë që përfundimi të na njoftohet për me mujt e me vendos mbi pozitën e tyre si bursista të kësaj administrate. Drejtori i Përgjithshëm Dr. Hamdi Sulçebe”. (AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 163, f. 1)
* * *
“Ministria e Punëve të Brendshme, Zyra Politike, Tiranë, më 29. 5.1943. Drejtoria e Shëndetësisë, me shkresën e datës 22 të vazhduesit kërkon që të ndërmjetësohet për lirimin dhe kthimin në atdhe të tre vajzave të internuara politikisht në Itali të cilat vazhdojnë studimet e tyre pranë Universitetit të Kamerionos për mami, emrat e të cilave janë: Hasije Janina, internue ne Kamerino, Aferdita Lepenica, internue ne Fiumanto, Mila Paço, internue në Esantolio të provincës Makerato.
Lutemi prandaj si vajza që janë të ndërmjetsohet për lirimin dhe kthimin e tyre në atdhe, mbasi familjet e tyre ndodhen të shqetësueme tuj mos pasun as ndonjë lajm për gjendjen e tyre. Shtojmë se Kryesia e Këshillit Ministror me shkresën e datës 26 dhe 30.7.1942, asht lutun të ndërmjetsojë për lirimin e tyre, por deri tash nuk asht pa të jetë kryer ndonjë veprim. Kishte me na pëlqye të kemi një sigurim mundësisht sa më parë. Ministri” ( AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 159, f. 35; AQSH F. 151, V. 1943, D. 21, f. 188)
Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë të njetën shkresë ua ka drejtur autoriteteve të Kamerinos, për Aferdita Lepenicën. (AQSH F. 152/2, V. 1943, D. 163, f. 1)
* * *
“15.7.1943. Drejtoria e Samitit Publik të kësaj Mbretënie, komunikon që studenteve të poshtë shënuara nuk u është lejuar riatdhesimi nga autoritetet e Kamerinos: Naxhije Hila, Meropi Shuteriqi, Hasije Janina, Margarita Syko, Bukurie Muço, Afërdita Lepenica, Milla Paço. Për të shënuarat është shënuar vendi i internimit: Kuestura nr. 390, në një kohë të mëvonshme do të shihet e mundur zgjatja e kohës së internimit”. (AQSH F. 153, V. 1942, D. 227, f. 173)
* * *
“Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë. Tiranë, më 19.7.1943. Drejtuar Ministrisë së Punëve të Brëndshme, Zyrës Politike.
Kemi nderin t`u njoftojmë se prej tre vjetësh kjo drejtori pat dërgue me burs të vet në Bari 43 vajza për me studjue për mami. Ma von këto u transferuan në Kamerino ku vazhduan deri sa kryen kursin tue u diplomue brenda vitit vazhdues.
Mbasi mbaruen studimet këto vajza u kthyen me përjashtim të zonjushave Afërdita Lepenica e Milla Paço të cilat janë ndalue nga kuestura lokale e internue në atë provinc, katër muaj ma parë, ndërsa zonjushat Naxhije Hila, Meropi Shuteriqi, Hasije Janina, Margarita Syko dhe Bukurie Muço u ndaluen me u kthye në Shqipëri nga autoritetet e vendit.
Të na lejohet të shënojmë se ngjarja e sipërme vë në pozitë delikate këtë administratë ndaj familjeve të tyre deri sa zgjedhja e kanidatëve ka qenë ba në bazë të raporteve të lëshueme prej zyrave lokale për sjellje të mira dhe vendbanimi tyre në Kamerino ka qenë gjithëmonë në internatin e caktuem në marreveshje me shkollën.
Ju lutem, prandaj, të keni mirësinë për një demarsh të favorshëm për lirimin dhe kthimin e tyre në atdhe. Drejtori i Përgjithshëm Dr. Hamdi M. Sulçebe” (AQSH, F. 149 V. 1943, D. I-449, f. 334; AQSH, F. 152/2 V. 1943, D. 159, f. 14, 31)
* * *
“Ministria e Punëve të Brendshme. Zyra Politike. Tiranë më 30.7.1943. Drejtuar Kryesisë së Këshillit të Ministrave.
Kemi nderin me parashtrue se me përjashtim të Hasije Janinës nga Berati vjeç 18, të gjitha studentet e tjera që përmënden në shkresën tonë të sipërme janë lirue dhe kthye nëpër shtëpitë e veta.
Prandaj, lutemi, bëni demarshet e duhuna që të lirohet edhe Hasije Janina studente në Kamerino të Italisë. Përfundimi të na njoftohet. Ministri” (AQSH, F. 149 V. 1943, D. I-449, f. 335)
* * *
“Prefektura e Vlorës. Vlorë 1943. Lista e të internuarve politik në Itali, të qarkut të prefekturës së Vlorës.
Afërdita Lepenica, e bija e Numanit, lindur dhe banuese në Vlorë, studente në Universitetin Obstertik e internueme në komunën Fiumanta, nr.13, via “Vitorio Veneto”, provinca Makerata Italia, ose Kamerino.
Qazim Kokoshi me gruan dhe të bijën e tij, lindur e banues në Vlorë, i arrestuar prej ushtrisë italiane në Mitrovic- Kosovë, më 1939. Në kohën e fundit ata ndodhen në Bergamno-Gandano Itali.
Sinan Gjoni, i biri Islamit, lindur në Tragjas, banues në Vlorë, me profesion student, i arratisur nga ushtria italiane më 1941.
Subi Hallo, i Manxharit dhe Qafilesë, Ibrahim Shyti…, Mihal Birga …, Ksenofon Zani …, Petro Marko, i biri Janit dhe Zoicës, lindur dhe banues në Dhërmi. Arrestuar më 1941, ndodhet në Palermo Itali, Grigor Strati … “ (AQSH, F. 152/2 V. 1943, D. 159, f. 53)
* * *
Në propagandën antifashiste që bënte në shkollë Afërdita Lepenica është dalluar së bashku me Xhemile Gjinishi të cilën e nxiste Mustafa Gjinishi i vëllai me anë të letrave që i dërgonte.
(Astrit Kaziu “Legjenda Gjinishi, përballë së vërtetës”, Tiranë 2004, f. 56-59)
III. ELISABETA LEPENICA
Elisabeta ka lindur në Vlorë, më 8 korrik 1925 dhe ishte binjake me Afërditën motrën e saj. Të dy motrat ndoqën Shkollën e Tregtare të Vlorës dhe Elisabeta duhet të jetë diplomuar në vitin 1942 apo 1943.
Tradita familjare dhe shpirti atdhetar i tre motrave do ta hidhte të gjith familjen në luftë kundër pushtuesit fashist. Ndërsa Tefta dhe Afërdita gjatë viteve të pushtimit 1939 – 1944, ndiqnin studimet jashtë shtetit në Ital dhe Zagreb, motra e tretë Elisabeta jetonte në Vlorë. Ajo ishte në vijën e parë të propogandës antifashiste. Shtëpia e sajë në qytet dhe në fshatin e origjinës, në Lepenicë, u kthye në bazë të luftës për liri. Xhaxhai saj Xhelal Hoxhaj ishte nje figurë e njohur e Lëvizjes Antifashiste, në Lumin e Vlorës. (“Historiku i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për Qarkun e Vlorës”, Vëll. I, f. 125; Shamet Gjika “Ditari i kohëve me gjëmime…”, Tiranë 2005, f.73)
Elisabeta njihej në qytet ai aktiviste dhe flamurtare e të rejave të qytetit, për përparim, për t`i nxitur dhe bindur që të rezistonin dhe luftonin kundër fashizmit, me të gjitha format e mundëshme.
Dita e çlirimit e gjeti Elisabetën në vendlindje në Vlorë me dëshirë për të ndjekur udhën e nënës së saj si mësuese. Për këtë ajo ndoqi në Tiranë një kurs 9 mujor dhe u diplomua si mësuese për shkollën fillore.
Pas mbarimit të kursit u emërua në katundin Vajzë dhe pas një viti u transferua në zonën e thellë të Mesaplikut ku punoi dy vjet.
Viti 1950, do të ishte fatal për familjen Lepenica. Motra e sajë Afërdita u arrestua dhe u dënua si armike e Partisë dhe Pushtetit popullor. Tashmë Sigurimi i Shtetit kishte rastin ta asgjesonte këtë familje reaksionare!
Tefta, motra e madhe ishte helmuar në Durrës, para 3 vjetëve, motra tjetër Afërdita u burgos. Nëna e sajë, mësuse Zenepja, ajo atdhetarja dhe mësuesja e përkushtuar që nga viti 1917, u pushua nga puna.
Megjithë respektin që kish populli, për Elisabeta Lepenicën, për këtë vajzë të ditur, të edukuar të bukur dhe të përkushtuar ndaj fëmijëve, e pushuan nga puna, sepse ishte motra e një armikje të popullit!
I ati Numani që nga 1 janari 1945, kishte mbetur pa punë, pa pension dhe pa triskat e bukës, pra nuk i jepnin bukën e gojës! Në këto kushte terrori e persekucioni, shpirti tij nuk duroi më, vdiq në vitin 1953, në një moshë ende të re 61 vjeçare.
Për të nxjerrë bukën e gojës për vete dhe për prindërit e sajë, Elisabeta u detyrua të punojë në bujqësi, krahas nënës së autorit të këtij shkrimi. Në vitin 1956, Elisabeta u pa se vuante nga mushkritë dhe u shtrua në sanatariumin e Vlorës.
Në kushte shumë të vështira jetese, tre vjet më vonë, në vitin 1959, ajo do të dorëzonte shpirtin e saj të bukur, në një moshë ende e re, pa krijuar familje dhe pa gëzuar jetën.
Kështu pa asnjë faj u shua familja atdhetare e Numan Lepenicës, prej komunistët të Vlorës.
– F u n d –
Komentet