Dy fjalë për nderimin që Vlora i bëri Vasil Gjivoglit, Kristo Çipës dhe Albert Habazajt
Janë tre pena që vijnë nga Himara kaone ku përfshihen: Piqeras, Pilur dhe Tërbaç dhe mua m`u kujtua takimi që bëra para shumë vitesh me Nënën nga Zotajt e Himarës, kur e pyeta për ndarjen e re administrative, më dha këtë përgjigje: “E kini bërë gabim dhe filloi të recitojë: “Dukat, Tragjas, Radhimë, Gumenicë, Lekaj, Bolenë, Kuç, Piqeras, Lukovë, Qeparo, Himarë, Vuno, Dhërmi e Palasë, Himarë quhet çdo fshat”. (Kur Provinca e Himarës kishte mbi 70 fshatra në juridiksionin e saj). Kjo më kujtohet sot kur miqtë e mi dekorohen nga Qarku i Vlorës.
Albert Habazaj që sot e kemi mes nesh ka lindur më 20 Mars 1960 në Tërbaç – Himarë të Vlorës. E kam njohur shumë vite përpara kur shërbeja si mësues në Brataj dhe më vonë kur u bëmë koleg prej 17 vjetësh në universitetin “Ismail Qemali “ Vlorë. Një intelektual e studiues i apasionuar pas shkencës. Universiteti i Vlorës ka fat që ka një studiues të tillë. Alberti është studiues, bibliograf, poet dhe shkrimtar shqiptar, autor i disa librave me poezi (10 libra), me prozë e publicistikë letrare. Është gjithashtu autor i disa monografive historiko – kulturore (13) dhe i shumë studimeve etnologjike dhe antropologjike. Ka botuar Bibliografinë e botimeve libra të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë (1994-2006), Pjesa I, si dhe tekstin tjetër profesional: “Bibliografia e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë: Tekste mësimore universitare dhe monografi shkencore të pedagogëve të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë, Pjesa II (për periudhën 2006-2023). Ka fituar gradën shkencore “Master i Shkencave për Etnologji e Folklor”, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i Studimeve të Artit, Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë etj.. Punon në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, drejtor i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi” të këtij institucioni. Po përgatit për botim studimin libror “Shkrimtarët vlonjatë dhe roli i tyre në letërsinë shqipe” Pj.1, ku përfshihen 20 vështrime letrare dhe ligjërata të autorit, renditur sipas kriterit kronologjik për shkrimtarët e poetët e shquar Të gjitha profilet letrare autori i ka botuar në gazetën “Tirana Observer” (2015); po ashtu boton në gazeta të tjera qendrore si “Telegraf”, “Gazeta shqiptare”, “Ballkan”, “Republika”, “Dita”, “Sot”, “Rrënjët”= “Le radici”, “Labëria” etj. apo portale online si “Dielli”, “Fjala e Lirë”, “VOAL”, “Albanian post”, “Dituria”, “Zemra shqiptare”, “Bota sot”, “Arberia News”, “Atunis Poetry” etj. Gazetat me shkrimet në fjalë ruhen në arkivin vetiak të autorit, gjithashtu në Bibliotekën Kombëtare, ku është bërë dhe përshkrimi bibliografik i artikujve nga specialistët e fushës. Ai në radhë të parë është njëri i përkushtuar, që sot e gjen shume rrallë. Atë e gjen në auditor, në bibliotekë, në takime me studentë, në përurime librash e monografish, ku ai ka një kontribut të jashtëzakonshëm. Ai është i thjeshtë si e vërteta. Ai më kujton parimin e Shën Terezës se: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por ne mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”, pra ky është Alberti që nuk ndan kurrë vendlindjen e tij Tërbaç, nga punët e përditshme në Vlorë… Ai është themeluesi dhe drejtuesi i grupit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”, ku ai ndjek me shumë vendosmeri amanetin e rapsodëve: Xhebro Gjika e Kujtim Mici, të njeriut të kulturës dhe të këngës Mehdi Skëndaj, të babait të tij mësues dhe këngëtar Rexhep Abazit, duke ngritur grupin që ata e ëndërronin. Ai u këndon nënave: Ja një pjesë e një poezie: “Për Nënat çelin trëndafilat,/ Për ju këndojnë bilbilat,/ Me buzëqeshje, aq të mira/ Perëndesha, ëmbëlsira./ Bekuar dita e nënës,/ O nënë, o refren i këngës!”
Kristo Çipën kam patur fatin ta njoh shumë herët, në vitet 70-të kur aktivizohesha me rininë dhe kur me vëllain e tij, Lefter Çipa, “Nder i Kombit”, bashkëbisedonim për shqetësimet e kohës. Pas viteve 90-të, Kriston e njoha shumë më tepër pasi aktivizohej në problemet e qytetit të Himarës. Mes psherëtimave të lënduara të shpirtit, ai përcjell, ndër gjithë poetët shqiptarë, më të zellshmin e baladave shqiptare, Petrit Rukën. Një pjesë e baladës: “O vesë e ëmbël! Naforë e kombit,/ O lab i leshtë! O lot i gurtë!/ Do ndjej pendesë kur t’i vesh Zotit,/ Nga gjithë ëngjëjt, ti je më i urtë./ Të mbajë një meshë poezie,/ Të marrë a vdes nëpër balada,/ O njerëz gjaku – Shqipërie,/ Çfarë mund të bëjmë,/ të kthehet mbrapa?!” Tek poezia “Vesha mjergullën e hollë”, Albert Habazaj bën këtë vlerësim “Kristua ka pirë e pi ujë të shëndetshëm në gurrat e vargmaleve të Vetëtimës, në Labërinë e Himarën me histori e kulturë, është një emblemë dashurie universale, sa atdhetar brilant i flaktë, me zemër e veprime, aq shënvalentinas i rrëgjuar, si dashnor heroik në kosheren e mjaltit të tij”. Kristo Çipa hyn në debat edhe me pseudohistorianët dhe artistë, që mohojnë vlerat kombëtare shqiptare. Ai kërkon që të ruhet kultura kombëtare shqiptare nga asgjësimi. Trashëgimitë gojore kanë një djep që i ka lindur dhe një shtrat që i mban se polifonia para Dodonës, është vetëm shqiptare. Poezia e Kristo Çipës është një këngë e magjishme, me të cilën poeti shëtit nëpër brigjet e Himarës dhe Atdheut, duke u falur kohës dhe njerëzve më shumë dashuri dhe fisnikëri. Si : “Guri i rëndë në vend të vet”: poezi, “Ruzana – mite dhe legjenda nga Piluri”, “Kambana e dashurisë” etj… Poezitë lirike të Kristo Çipës janë më fatlumët nga të gjithë poetët, se ato mbjellin ëndërrim, pasion, besim e dashuri, ku kërkonte të “priste borën për t`u shkrirë” ku “Bora si oriz,/ Mbi supe na binte/, Puthjet i qëndisi/, Nëpër buzë shkrinte”. Trashëgimitë gojore kanë një djep që i ka lindur dhe një shtrat që i mban. Vargjet e Kristo Çipës kanë drita dhe aroma të forta, kanë ngjyra të theksuara e të gjitha këto të përthyera nga mjedisi ku jeton poeti. Kjo natyrë përshkrimore deri diku përcakton mandej edhe orientimin e autorit drejt temës poetike dhe bëhet vlerë në komunikimin me lexuesin. Me fjalë të tjera, Kristo Çipës do t’i shkonte përcaktimi se është poet popullor. Shpirti i tij i thellë lirik, i mbështetur në muzën popullore të Bregut, ka dhënë frymëzime të bukura, vargje të gdhendura me ndjenja e emocione për dashurinë, duke e zbritur perëndeshën e bukurisë nga qielli në këto brigje joniane. Poezia e Kristo Çipës është një këngë e magjishme, me të cilën poeti shëtit nëpër brigjet e Himarës dhe Atdheut, duke u falur kohës dhe njerëzve më shumë dashuri dhe fisnikëri. Ai dallon për kontributin dhe talentin e spikatur në lëvrimin e këngës polifonike të Bregdetit. si poet, prozator, publicist, organizator i grupeve folklorike dhe krijues i këngëve me karakter të theksuar lirik, shoqëror e atdhetar. Ai është përçues i traditës dhe ideve të krijuesve popullorë e atdhetarë në trevën e Himarës. Kristo Çipa vlerësohet me titullin “Naim Frashëri” (2016) dhe “Mjeshtër i madh” (2020) nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Vasil Gjivogli, lindur dhe banues në Piqeras. “Jam nga fshati më i bukur në botë, ka punuar ½ shekulli, si arsimtar dhe drejtues, ku bluja e detit dallohet në katër stinët e vitit. Kisha e Shën Thanasit në qendër të Piqerasit daton që në vitin 1601. Një ulli me tre trungje është kurora jeshile e shekujve. Themi për 50 shtëpi që nxjerrin tym me të moshuarit brenda” – shprehet Vasil Gjivogli në Piqeras dhe e shoqja Katina, në intervistën me Shkëlqim Hajnaj.
Manastiri i Kremasovës na kujton vitin 1743-‘44, kur piqerasit morën ikonën e Shën Mërisë dhe me atë në krahë kaluan detin Adriatik në drejtim të Italisë, kujton Malin me Lis të vetëm, te Ulliri i lotëve, ku unë pas leximit të librit të mësuesit Aristotel Mëhillit, shkrova poezinë Ulliri i Lotëve, deri në Bunec me plazhin e artë, nga aty niseshin drejt Perëndimit burrat dhe djemtë e fshatit, disa që nuk u kthyen kurrë dhe nënat e gratë shamizeza prisnin me vite njerëzit e tyre.
Kujtojmë vitin 1743, 1744, 1748 nga Lukova, Piqerasi dhe Nivica themeluan Vila Badesën në Itali. Fshati Piqeras ka dy heronj: Vasil Laçin dhe Mitro Xhanin, prandaj mendoj se qeveria lokale duhet duhet të ngrejë një obelisk, për t’i përkujtuar ata.
Vasil Gjivogli, mësues në pension, shkrimtar e poet, përshkon fshatin. Kalon te ish – muzeu, sot i shkatërruar, anës rrugës ku gjen përballë dhjetra porta me qemer të gdhendur e gur të gdhendur. Ka ndërtime e restaurime të godinave të vjetra nga emigrantët, që të japin pamjen e shtëpive të mirëmbajtura, por edhe të disa vilave të bukura. Piqerasit e duan fshatin e tyre. “Është fshat më dy heronj të popullit, – thotë Vasil Gjivogli – djaloshin Vasil Llaçin, atentatorin e famshëm që qëlloi në Tiranë mbi Viktor Emanuelin dhe djaloshin tjetër, partizanin Mitro Xhani që ra në betejë me fashistët në Dukaj të Tepelenës. se “Piqerasi deri vonë ka patur edhe një flotë të tërë me anije peshkimi”. Pra peshkimi një aktivitet ekonomik i zonës, krahas ullishtarisë, agrumeve e frutikulturës. Fshati i bukur bregdetar i Piqerasit, vitet e fundit po frekuentohet intensivisht nga turistët vendas dhe të huaj. Turizmi familjar po zhvillohet. Vasili me shumë moshatarë shikojnë fshatin e boshatisur. Zemra u dridhet. Fshati i kërcënuar nga emigracioni dhe problem me moshën e tretë. Këto fshatra të bekuara me diell dhe det çdo ditë po zbrazen nga banorët. Të moshuarit që kanë ngelur, fëmijët në emigracion. Rrugicat e fshatit Piqeras, shumë shpejt, nuk do të kenë më banorë. Të rinjtë i rrëmbeu emigracioni, të moshuarit po iu rrëmben mosha e madhe dhe Vdekja…Fëmijë dhe shkollë në fshat nuk ka, tregon i mërzitur ish-mësuesi këtij fshati Vasil Gjivogli “Kjo është e treta ikje e Piqerasjotëve në historinë e vet. E para ishte më 1744 krijoi fshatin Vila Badisa në Itali. I dyti është në Pikern të Greqisë (Por këta thonë se kanë ardhur nga Vila Badesa). E treta pas ’90-ës, që është ikja më tragjike për këtë fshat. Një fshat që s’ka shkollë, që s’ka zëra të fëmijëve dhe dëgjon vetëm kambana të vdekjes… Këtu nuk bëhen më dasma. S’ka më zëra fëmijësh, ka vetëm kollitje pleqsh… Dikur ka qenë një fshat, si shumë fshatra të Shqipërisë i bukur, i begatë. Do të më pëlqente të ndodhte një rikthim por, gjithë fshatrat e bregut e kanë këtë plagë”, këtë ndjen mësuesi veteran Vasil Gjivogli. Këtë ka përshkruar ai në librin “Thesari”. Mosha e tretë e ka të vështirë të shkojnë deri në dyqane për të blerë ushqime. Shpëtimtare është zonja Katina (shoqja e Vasilit). Ajo është kthyer në një nënë vërtet humane, ku u paguan drita dhe ujin dhe shpesh u çon dhe ushqimet në shtëpi. Katina u merr pensionet, u paguan faturat. Edhe pensionet u heq lekët e dritave dhe të ujit, u shpie faturat. Librezat i mban ajo. Janë të moshuarë. Nuk lëvizin dot… Fshatrat e Jugut të kërcënuar nga emigracioni, pandemia dhe mosha. Kjo është një dramë e Kaonisë Moderne, ku dikur çdo shtëpi kish nga 3 ose 4 djem këtu. Ku janë?!…E njëjta situatë është në shumë fshatra të Bregut. Braktisja dhe harresa janë ulur këmbëkryq dhe po presin, që edhe ata pak banorë të ngelur, të lëshojnë vendin. Nuk e dimë se çfarë duhet të bëjë qeveria qendrore dhe lokale…Këto janë brengat edhe të Mjeshtrit të Madh Miho Gjini, në dy librat e tij të botuara për Piqerasin dhe Aristotel Mehillit etj. Ne sot flasim për Bijtë e Bregut Jonian, perse u larguan, braktisën trojet në mënyrë massive, çfarë duhet bërë për t’i kthyer të rinjtë. Akoma nuk po jipen çertifikatat e pronësisë dhe çfarë projekti ka shteti shqiptar, me miqtë tanë SHBA, Britani e Madhe, Itali, Gjermani e Francë për të investuar në Bregun Jonian dhe në tërë Shqipërinë.
Gjej rastin të falënderojë përfaqësuesit e qarkut dhe moderatorin Aleksandër Çipa për këtë aktivitet.
Faleminderit dëgjuesve dhe urime të dekoruarve!