Radio Zëri i Amerikës, në vitet kur Shqipëria nuk kishte marrëdhënie diplomatike me SHBA-të, luante rolin e ambasadës amerikane për të ndihmuar popullin shqiptar duke transmetuar lajme, komente dhe artikuj mbi ngjarjet kryesore të politikës amerikane, botërore dhe asaj shqiptare, duke i treguar ato ashtu si kishin ndodhur. Në këtë mision kanë shërbyer një sërë burrash e djemsh shqiptarë si, Jozef Paskali, Talat Karagjozi e Xhevat Kallajxhi, Ilia (Louis) Prifti, spikerja Lulu Vrioni (mbesë e Mit’hat Frashërit), Ruzhdi Daca, Gasper Kiçi, Bardhyl Pogoni, Dr. Elez Biberaj, Frank Shkreli, Idriz Lamaj, etj.
Puna në këtë institucion, ku shumica e materialeve lexoheshin e transmetoheshin drejtpërdrejt nga mikrofoni, kërkonte një përqendrim të lartë për të mos bërë gabime, sepse nuk kishte mundësi korrigjimi, si me materialet që incizoheshin. Kjo lloj pune me përqendrim të lartë mendor e nervor, ua temperoi këtyre gazetarëve aftësitë e punës radiofonike, saktësinë e formulimeve, guximin e marrjes shpejt të vendimeve, leximin me ton të prerë, etj, tipare shumë të nevojshme për një gazetar të radios.
Pasi kisha lexuar disa artikuj e shkrime të ndryshme të gazetarit Frank Shkreli të botuar në gazetat “Dielli”, Illyria”, “Telegraf”, “Bota sot”, etj më ra në sy ky tipar i gazetarisë së folur në shkrimet e tij. Për ta njohur më nga afër jetën dhe krijimtarinë e tij i kërkova të më dërgonte disa të dhëna për jetën dhe librin “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA, Tiranë 2016, 476 f.), ku ai ka përmbledhur 80 artikuj të viteve 2014-2015. Në këto shkrime më ranë në sy disa tipare të përbashkët të shkrimeve të tij: stili vetiak radiofonik i të shprehurit me rritëm të shpejtë, përgjigja flakë për flakë ndaj problemeve e ngjarjeve, mospërdorimi i shkurtimeve, përsëritja e disa fjalëve që lidhen me thelbin e problemit dhe me emrat e titujt që kanë lidhje me të, etj.
Puna e gjatë si gazetar në Radio Zëri i Amerikës, ka ndikuar që ai të ketë formuar dhe një stil vetiak në të shkruar. Ai shkruan sikur i drejtohet dëgjuesit në proces transmetimi dhe jo sikur po i drejtohet lexuesit që do ta ketë shkrimin para syve. Kjo ndodh në të gjitha llojet e shkrimeve të tij, qofshin artikuj, komente, ese, recensione veprash, shkrime përkujtimorë për jetën e personaliteteve të ndryshëm, etj.
I nxitur nga vlerat e spikatura të përmbajtjes ideore, nga gjuha letrare e perbashket qe ai perdor dhe nga tipari i veçantë i stilit radiofonik, iu futa punës për të hartuar këtë portret biografi për të edhe pse para meje kishin dhënë për të vlerësime të spikatura personalitete si Prof. Sami Repishti, Dr. Elez Biberaj dhe Simon Miraka. Ky i fundit kishte qenë dhe një dëgjues i rregullt i Radios Zëri i Amerikës, prandaj ia kujton Frankut në shkrimin e vet edhe zërin e tij kur ky fliste si gazetar në radio.
* * *
Franku u lind në fshatin Ambull të Ulqinit më 1950 në familjen e Gjeto L. Shkrelit (1917-2003). Ky fshat banohej prej malësorëve të Malësisë së Madhe (Alpet Shqiptare). Këta banorë muajt e verës i kalonin me bagëtitë e tyre në bjeshkët e Shkrelit, kurse muajt e dimrit i kalonin si bujq poshtë në rrethinat e Ulqinit, ku kishte klimë të butë Mesdhetare. Më 1913 me shkatërrimin e Perandorisë Osmane, Mbretësisë së Malit të Zi, përveç qyteteve Tivar dhe Ulqin dhe fshatrave rreth tyre që i ishin dhënë më 1880, iu dhanë edhe shumë fshatra të tjerë të rrethinave të Ulqinit, si dhe qytezat Podgoricë, Plavë e Guci dhe fshatrat e tyre. Kështu, të parët e familjes së Frankut, si dhe ky vetë bashkë me banorët e trojeve shqiptare Veri-Perëndimore, Veriore, Veri-Lindore e atyre Jugore që u shkëputën padrejtësisht nga trungu mëmë pas vitit 1913, përjetuan tragjedinë e vijimit të jetës nën zgjedhën e re sërbo-malazeze-maqedone dhe greke, plagë që edhe pas çlirimit të Kosovës, vijon ende të shkaktojë dhimbje për më shumë se një milion shqiptarë.
Mbas vitit 1948, me prishjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, u ndërprenë plotëshisht marrëdhëniet midis shqiptarëve të të dy anëve të kufirit Shqipëri – Jugosllavi. Nëna e Frankut, e ndjera Mrikë Palokja Martini e lindur në Vermosh më 1920, e martuar me Gjeto Shkrelin më 1940 nuk pati mundësi t’i takonte më prindrit dhe vëllezërit e vet derisa vdiq më 1987 në New York.
Jeta e vështirë në zonat malore ku familja dhe vetë Franku merrej që në vogëli me punë blegtorale e bujqësore dhe njëherazi ndiqte procesin e shkollimit në shkolla larg shtëpisë, kalitën te ky djalosh karakterin këmbëngulës, tipar që bie në sy në gjithë jetën dhe krijimtarinë e tij.
Në Amull (Ambull), fshati i tij i lindjes, nuk kishte shkollë fillore e për të mos mbetur i pashkollë, prindërit e regjistruan në shkollën fillore të fshatit Shtodër (Shën Todër) një orë larg. Aty mësimet kryheshin shqip dhe serbisht, prandaj ky fëmijë u detyrua të mësonte gjuhën sërbe. Kurse shkollën 8-vjeçare ai e ndoqi në fshatin Katërkoll, dy orë larg fshatit të tij. Në këtë shkollë mësimet kryehshin në gjuhën shqipe, kurse sërbishtja ishte gjuhë e dytë. Gjatë udhëtimeve në këmbë për të shkuar e për t’u kthyer nga shkolla, ai me shokët e tij, kur nuk binte shi, i lexonin e i mësonin disa lëndë në ecje e sipër.
Shkollën e mesme e kreu te Seminari Katolik i Salezianëve në Kroaci dhe Slloveni, ku mori disa njohuri dhe për anglishten. Kurse përvetësimi i gjuhës shqipe, e sidomos përvetësimi i gjuhës letrare të përbashkët është meritë e punës studimore autodidakte që Franku e kreu në vitet e pjekurisë, disa vjet mbas ardhjes në SHBA.
Viti 1969 ka qenë viti i kthesës së madhe për Frankun dhe gjithë familjen e tij. Në atë vit qeveria jugosllave, duke marrë shkas nga demostratat e organizuara në Prishtinë një vit më parë, i shtoi përndjekjet e shqiptaëve anë e mbanë Jugosllavisë. Familjet malësore shqiptare të Malit të Zi, deri në atë kohë nuk e njihnin largimin nga vendlindja as në formën e kurbetit dhe as si arratisje. Familja Shkreli e përbërë nga prindërit, dy vajzat, Drania dhe Tereza dhe dy djemtë Franku dhe Toma, për të shpëtuar nga këto përndjekje, vendosi ndër të parat familje të atyre anëve, të arratisej në Itali. Mbas disa përpjekjesh u realizua ky akt. Qëndrimi në një kamp refugjatësh politikë në Itali zgjati një vit. Aty u bë njohja me punonjësit e ambasadës amerikanë dhe u mbushën dokumentet. Kjo familje bashkë me disa refugjatë të tjerë, në vitin 1970 u lejua të shkonte në SHBA, aty ku kishte kërkuar.
Familja Shkreli u vendos në lagjën Bronks të shtetit New York, për të qenë pranë kishës katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës”. Franku 19-vjeçar filloi të punonte që javën e parë çdo punë që mund të gjente. Më tej ai u regjistrua në një kurs mbrëmjeje për mësimin e anglishtes, kurse ditën vijonte të punonte. Më tej ai u regjistrua në disa kurse mbrëmjeje në “Lehman College” në Bronx, ku u përqendrua në disa kurse për shkencat politike dhe historike.
Në verë të vitit 1974, i sapodiplomuar, Franku 24-vjeçar u largua prej familjes dhe u vendos në Washington DC, ku filloi punën te “Radio Vois of America” (VOA) / “Zëri i Amerikës” në seksionin e gjuhës shqipe. Largimi i Frankut nuk e tronditi familjen, pjesëtarët e saj ishin mësuar me qenien e tij larg që në vitet e shkollës së mesme. Në kryeqytet Franku, edhe pse kryente një punë që e pëlqente dhe merrte një pagë shumë të mirë, nuk i ndërpreu përpjekjet për studime të mëtejshme. Krahas punës me orar të plotë si gazetar, ai u regjistrua në “George Washington University” dega Shkenca Politike. Ai pëlqeu të sakrifikonte në rini për kualifikimin e tij sa më të plotë, për të punuar më tej pa shumë mundime e sakrifica.
Në Washington DC nuk kishte familje emigrantësh shqiptarë me përjashtim të disa punonjësve shqiptarë të “Radios Zëri i Amerikës”. Këta edhe pse ishin në moshë të madhe e afruan djaloshin dhe u bënë si mësues për përvetësimin e shprehive radiofonike dhe për përshtatjen me jetën amerikane të kryeqytetit.
“Xhevat Kallajxhiut, këtij dekani të gazetarisë shqiptare dhe Ilia Louis Priftit, Xho Paskalit, Ruzhdi Dacës, Talat Karagjozit e Gaspër Kiçit, u jam mirënjohës për jetë”, shprehet Franku, duke kujtuar miqtë që e ndihmuan nga ana profesionale dhe shoqërore gjatë viteve të para të punë në radio, dhe vijon:
“Prej tyre mësova shumë hollësira për jetën e Mit’hat Frashërit, dhe shumë mendime të tij. Ata e kishin pasur djalin e Abdylit, baba shpirtëror dhe e kujtonin po thuaj çdo ditë”.
Gjatë viteve të para të punës në Washington DC, Franku shkonte disa herë në vit në fundjave tek prindërit në New York. Në një nga këto vizita në vitin 1976, ai mori pjesë në një festë që organizoi kisha katolike shqiptare, ku u njoh me vajzën simpatike Victoria, vajza e Pashk Markgjonajt (1925-2008) nga Mërturi që kishte luftuar me çetën e tij kundër forcave komuniste gjatë viteve 1947-1950 në zonën e Pukës dhe të Nikaj – Mërturit. Zoti Pashk me bashkëshorten e tij (File Dedaj (1929 –) u arratis në Itali në vitin 1955. Victoria u lind më 1956 pikërisht në Itali gjatë pritjes për të ardhur në Amerikë, ku mbërriti dy vjet më vonë. Ajo u shkollua në New York.
Pas martesës çifti i ri u vendos në Virginia jo larg Washingtonit. Victoria u punësua si llogaritare në një bankë. Nga kjo martesë u lindën tre fëmijë, një djalë Pjetri, dhe dy vajzat Kristina dhe Katrina. Prindërit i rritën me përkushtim derisa mbaruan shkollat e larta. Sot si djali dhe vajzat janë martuar dhe punojnë në degët e tyre të përzgjedhura. Si të rinjtë amerikanë dhe ata jetojnë më vete.
Si i thonë fjalës, Zoti (disa e quajnë Fati) ndihmon ata që punojnë me ndershmëri e këmbëngulje për të arritur atje ku synojnë. Kështu edhe Franku, krahas arritjeve në krijimin dhe rritjen e familjes së tij, ka pasur arritje të njëpasnjëshme edhe në karierën gazetareske, punë së cilës ai i kushtoi dhe vijon t’i kushtojë energjitë kryesore të jetës.
Në këtë fushë ai filloi së pari si një bashkëpunëtor diletant në gazetën e “Lehman College” dhe si anëtar i këshillit redaktues të revistës “Jeta Katolike” në Nju York me kryeredaktorin Monsinjor Zef Oroshi. Në vitin 1974 ai u emërua gazetar dhe redaktor në “Radio Zëri i Amerikës” (VOA), seksioni shqip, detyrë të cilën e kreu deri në vitin 1984. Më pas, po tek kjo radio, Shkreli ka shërbyer si shef i seksionit shqip (1984-1985).
Punësimi i tij në “Radio Zëri i Amerikës” dhe jeta në Washington, i dhanë atij mundësi të reja rritjeje dhe ndryshimesh të mëdha: Në vitet 1985 – 1990 ai shërbeu si këshilltar i lartë i programacionit në Drejtorinë Europiane të “Zërit të Amerikës”, për programet në18 gjuhë të ndryshme drejtuar vendeve komuniste të Europës Lindore dhe Qëndrore. Kurse në vitet 1990 – 1994 ai u emërua Zëvendës Drejtor në këtë radio për ish-Bashkimin Sovjetik, vend ky ku përfshiheshin përveç rusishtes dhe gjuhë të tjera të atij shteti, që ndërkohë u shpërbë. Së fundi, në vitet 1994 – 2003, Shkreli punoi me detyrën Drejtor i Drejtorisë Europiane (më vonë Euro – Aziatike) të “Zërit të Amerikës”. Nga kjo drejtori varej dhe seksioni i gjuhës shqipe krahas 18-gjuhëve të ndryshme europiane.
Theksojmë se puna gazetareske te “Zëri i Amerikës” në kushtet e Luftës së Ftohtë ka qenë e ndryshme nga ajo e ditëve tona. Në ato vite menaxhimi i punës gazetareske dhe qëndrimi emocional i gazetarit duhej të shprehej në mënyrë shumë të maskuar, pra me një nëntekst të nënkuptuar. Gjë që kërkonte një vëzhgim intensiv të gjithë atyre transmetimeve ndërkombëtare radiofonike dhe televizive përfshirë edhe internetin, pra punën që kryhej prej qindra gazetarëve dhe korrespondentëve të gjuhëve dhe kulturave të ndryshme drejtuar botës komuniste. Kjo punë vijoi edhe gjatë luftërave në territorin e ish-Jugosllavisë.
Në postin e tij si Këshilltar Programacioni dhe Shef i Drejtorisë Europiane të Radios “Zëri i Amerikës”, Shkreli ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e programeve gjatë viteve 80-të dhe 90-të të shek. XX. Ai themeloi programe të reja që deri atëherë nuk ekzistonin në atë radio, si gjuhën boshnjake dhe maqedone, ndërkohë që nën drejtimin e tij, VOA u bë transmetuesi i parë ndërkombëtar edhe në TV, duke transmetuar në këto programe dhe në gjuhën serbe dhe boshnjake gjatë luftës në atë territor, përfshirë më vonë edhe programin shqip dhe gjuhë të tjera europiane. Nën mbikqyrjen e tij, VOA u bë gjithashtu transmetuesi i parë ndërkombëtar që krijoi një degë “multimedia”, brenda entit europian të VOA-s.
Gjatë viteve 1980 – 1994, kulmi i Luftës së Ftohtë dhe i luftërave në ish-Jugosllavi, shef Shkreli mori pjesë pothuaj në çdo vendim që lidhej me transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara të asaj kohe, drejtuar vendeve ish-komuniste të Europës Lindore dhe Qendërore, si dhe të ish Bashkimit Sovjetik. Pikësynimi kryesor ishte informimi sa më i saktë i popujve të atij rajoni, me qëllim që të përshpejtohej shëmbja e regjimeve komuniste dhe vendosja e lirisë dhe demokracisë në ato vende. Këtë detyrë, të cilën, ne që e dëgjonim atëhere “Zërin e Amerikës”, e kemi të qartë sesa mirë u krye dhe sa shumë na ndihmoi për zgjimin tonë. Prandaj i jemi mirënjohës kësaj radioje dhe shefit dhe gazetarëve të saj…
Frank Shkreli ka qenë anëtar i delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars – Prill të vitit 1991, me ç’ rast u hap për herë të parë ambasada amerikane, pas pothuaj 50-vjetësh, duke hedhur hapat e parë të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që ai së bashku me delegacionin diplomatik amerikan të Departamentit të Shtetit, mori pjesë edhe si vëzhgues në zgjedhjet e para pluraliste të atij viti.
“Gjatë vizitës së parë në atdheun e ëndërruar, rrëfen Franku, përjetova gëzimin më të madh gjatë udhëtimit për atje, por edhe hidhërimin më të thellë gjatë vizitës. Shqipëria, e ëndërruar aq shumë prej meje më shgënjeu. Ne shqiptarët e Jugosllavisë ishim pjesa më e varfër e popujve të atij shteti, por niveli i varfërisë së shqiptarëve të atdheut mëmë më tronditi. Popull i paushqyer, i veshur e i mbathur shumë keq, jetonte në apartamente të vogla të pasuvatuara nga jashtë, të mobiluara keq. Shtëpitë private po ashtu. Transporti me autobuza ku shtyheshin e shtypeshin njerëzit si sardele…”
Më pastaj, ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara. Gjatë këtyre vizitave ai ka parë dhe vlerësuar ndryshimet e kryera, që dëshmojnë punën e qeverive dhe vitalitetin e popullit shqiptar në ekonominë e tregut të lirë. Pakënaqësia e tij kryesore për vitet e tranzicionit lidhet me enverizmin dhe nostalgjinë ndaj diktatorit prej së cilës vuajnë një pjesë e madhe e popullit dhe e qeveritarëve të majtë, të cilat përbëjnë pengesën kryesore për mosecjen e Shqipërisë me hapat e duhur drejt Bashkimit Europian.
Pas daljes në pension më 2003 nga detyra qeveritare, pas 30 vjet shërbimi federal, Frank Shkreli me bashkëshorten u largua nga Washingtoni dhe u vendos me banim pranë familjeve në New York. Këtu atë e zgjodhën drejtor të “Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan” (NAAC), një organizatë joqeveritare që ka punuar për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik e politik në trojet shqiptare në Ballkan. Kjo është e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prani në Washington DC.
Bashkë me shoqërinë “Vatra”, NAAC ka luajtur rol të ndjeshëm për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara. Ishte kulmi i përpjekjeve për të bindur administratën e Presidentit George W. Bush dhe ndonjë skeptik në Kongresin Amerikan se më në fund kishte ardhur koha që Shtetet e Bashkuara të njihnin pavarësinë e Kosovës, përpjekje këto që më në fund u kurorëzuan me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008.
Gjatë karierës së tij, ky veprimtar i shquar ka marrë shpërblime dhe mirënjohje për punën e tij gjatë shërbimit në detyra federale, disa prej tyre mjaft të rëndësishme, si “Thomas Jefferson Fellowship Award”, “Career Achievement Award”, “Lifetime Achievement Award” , “Superior Performance Award”, por mbi të gjitha dhe më të rëndësishme janë titujt : “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, dhënë më 15 shtator 2016 nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e tij Z. Bujar Nishani dhe “Qytetar Nderi”, i akorduar më 2011 nga Komuna Shkrel e Malësisë së Madhe.
Për më se 50 vjet Frank Shkreli, si gjatë punës dhe tani në pension, vijon të jetë gjithnjë aktiv duke shkruar mbi çështje të interesit kombëtar shqiptar dhe për marrëdhëniet amerikano-shqiptare, si dhe mbi subjekte të politikës amerikane, për çështjet rajonale të Ballkanit, që drejtpërdrejt ose terthorazi, mund të ndikojnë ose kanë interes të veçantë për botën shqiptare. Shkrimet e tij botohen në shumë gazeta dhe websites (uebsajtesh) anë e mbanë trojeve shqiptare dhe në Perëndim.
PJESA E DYTË
Vepër me vlera të spikatura politike, kulturore e shkencore
Libri i Frank Gjeto Shkrelit “Demokracia nuk pret” (BOTIMET MORAVA Tiranë, 2016, 476 f.), sponsorisuar nga gazeta Telegraf, është një përmbledhje me artikuj, ese, analiza, recensione veprash, përkujtim datash historike për ngjarje dhe personalitete, etj. Dalja e këtij libri përbën një hap përpara në përpunimin e mendimit politik, shoqëror e shkencor shqiptar lidhur me të djeshmen komuniste dhe të sotmen tranzicionale për demokratizimin dhe ecurinë e Shqipërisë dhe të Kosovës drejt Bashkimit Europian. Shumë shkrime të këtij libri trajtojnë probleme që kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë e të Kosovës dhe me politikën e SHBA-ve dhe BE-së ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Nuk lihet jashtë vëmendjes as politika e jashtme e Rusisë dhe e Turqisë ndaj Ballkanit Perëndimor dhe as politika e brendshme e shteteve fqinjë që vijojnë t’i shkelin të drejtat e shqiptarëve që jetojnë brenda tyre.
Po ashtu ka dhe shumë shkrime të tjerë që trajtojnë probleme të ndryshme të traditave kulturore, letrare e shkencore të popullit shqiptar, si dhe me vlerësimin e figurave të sotme të letërsisë dhe të shkencës shqiptare që jetojnë e punojnë brenda ose jashtë atdheut.
Shpresa do ta mundë dëshpërimin.
Udhëheqja e PPSH-së në vitin 1990-1991, ashtu si kishte pranuar Mikail Gorbaçovi më 1989, pranoi dhe ajo dështimin e sistemit të diktaturës së proletariatit. Mirëpo, ashtu si ustai i Moskës edhe kupola e PPSH-së, u tregua djallëzore. Për të mos e humbur pushtetin përgjithmonë dhe për të siguruar trashëgiminë e pasurive të Shqipërisë, ajo hartoi një plan, zbatimi i të cilit filloi me hapjen e “valvulës së shkarkimit”. Ky plan parashikonte largimin nga Shqipëria të kundërshtarëve të vërtetë politikë dhe të të pakënaqurve, për të mos i pasur nëpër këmbë gjatë viteve të ardhëshme kur do të pranohej e zbatohej pluralizmi politik. Me rrugë e forma të ndryshme filloi nxitja për largimin nga Shqipëria të shumë të burgosurve dhe të internuarve. Para se të liroheshin, këta u këshilluan që të kërkonin largimin nga Shqipëria për t’u bashkuar me njerëzit e tyre që ishin arratisur në Europën Perëndimore dhe Amerikë. Më 2 korrik 1990 u hapën portat e ambasadave në Tiranë, kurse gjatë viteve 1991 e 1992 u organizuan eksode me vaporë për në Itali dhe hapja e kufirit me Greqinë.
Me anë të agjentëve të fshehtë u organizuan shumë shkatërrime dhe plaçkitje të pasurisë kombëtare. Krahas kësaj pune të mbrapshtë, për t’ua lënë vendin “tokë të djegur” forcave demokratike që po i sillte në pushtet pakënaqësia dhe revolta popullore, kjo kupolë formuloi dhe propagandoi shprehjet “Shqipëria u shkatërrua, Shqipëria s’ bëhet më”. Të tilla shprehje filluan t’i përsëritnin edhe ata që nuk ishin pjesë e kupolës komuniste dhe as forca në shërbim të saj, por njerëz pa formim të shëndoshë. Të tillë të gënjyer vijojnë t’ i riprodhojnë këto shprehje edhe sot, kur janë kryer shumë ndryshime gjatë këtyre 26 vjetëve të tranzicionit dhe Shqipëria e ndihmuar prej diasporës së re, SHBA-ve dhe BE-së, ka bërë shumë ndryshime materiale, politike dhe ligjore.
Frank Shkreli, gazetar i kualifikuar dhe i talentuar, me përvojë të gjatë pune, është një politolog që jep mendime kritike ndaj shkaqeve që e pengojnë ecjen e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, por pa i munguar orientimi optimist për të ardhmen. Duke u mbështetur dhe te gjeopolitika dashamirëse e SHBA-ve dhe BE-së ndaj Shqipërisë, ai ka formuluar idenë pozitive “shpresa do ta mundë dëshpërimin” (“Demokracia nuk pret” f. 30). Optimizmin e vet objektiv, Shkreli e lidh dhe me ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në këto 27 vjet, si shkërmoqja e diktaturës komuniste në Europë dhe Shqipëri, çlirimi i Kosovës nga zgjedha sërbe dhe rritja e përpjekjeve të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, Mal të Zi dhe Sërbi për të fituar më shumë të drejta politike dhe qytetare. Ai ka të drejtë kur thekson: “Eshtë në dorë të shqiptarëve si asnjëherë më parë, që Shqipëria dhe shqiptarët ta ndjejnë sot veten mirë në mbarë trojet e tyre autoktone” (f. 144).
Ku shkelet e drejta e shtypit, do të shkelen dhe të drejtat e tjera
Temë e pëlqyer për këtë gazetar është lufta për zbatimin e të drejtave të njeriut. Mbështetur në artikullin 19 të “Deklaratës Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, ku përcaktohet e drejta për lirinë e shprehjes së opinionit, e marrjes dhe e dhënies së informacionit, Shkreli sulmon shkeljen e kësaj të drejte në Republikën e Turqisë dhe në Republikën e Shqipërisë. Për keqësimin e gjendjes së gazetarëve në Turqi, ai sjell të dhënat e një takimi ndërkombëtar që kryen nëntë organizata botërore në Stamboll disa ditë para se në Shqipëri Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, të kryente shkeljen e tij ndaj lirisë së shtypit shqiptar.
Pasi sqaron sesi organizmat ndërkombëtare e kritikuan qeverinë turke për gjendjen e rëndë të krijuar për gazetarët e atij vendi, autori në shkrimin “Shtypi nën presion në Turqi dhe në Shqipëri” (f. 16-21), kalon te rasti konkret i sulmit që z. Gjiknuri i bëri gazetës së pavarur “Telegraf” të Tiranës. Kjo gazetë kishte kritikuar një ditë më parë Ministrinë që ai drejton dhe ky Ministër të nesërmen e paditi këtë gazetë të përditshme në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me akuzën se ka cënuar rëndë nderin dhe personalitetin e tij dhe ka përhapur në publik informacione të pavërteta. Ai i kërkoi Gjykatës që ta detyrojë gazetën “Telegraf” t’i paguajë atij si dëmshpërblim shumën prej 10 milion lekësh ose 100 mijë dollarësh. Mirëpo një ditë më pas, Komisioni i Lartë i Shtetit (KLSH) njoftoi padinë e vet në Prokurori ndaj z. Gjiknuri për shpërdorim detyre. Edhe të dhëna të ndryshme të analistëve shqiptarë dëshmojnë se zyrtarë të qeverisë dhe të shtetit shqiptar ushtrojnë presion ndaj lirisë së medias duke hedhur në gjyqe gazeta, televizione, website të cilat guxojnë të jenë kritike ndaj punës së tyre. Më tej ai citon pjesë nga fjalimi që mbajti në Ditën Ndërkombëtare të lirisë së shtypit Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, zoti Ban Ki Moon, ku ai theksoi nevojën e mbrojtjes së gazetarëve nga presionet e qeveritarëve.
Veprimi i z. Gjiknuri, sipas autorit, paralajmëron rrezikun se në Shqipëri do të ndodhin edhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut, ku demokracia është e brishtë…
Frank Shkreli, si bir i komunitetit të krishter katolik shqiptar mbi të cilin përndjekja e Kishës dhe e klerit katolik gjatë regjimit komunist solli pasoja shkatërrimtare, gjen rast herë pas here të kujtojë plagën e shkaktuar gjatë diktaturës komuniste në fushën e besimit fetar dhe pasoja të saj. Kështu ai vë re se edhe në Shqipërinë pasdiktatoriale ka një nënvlerësim ndaj kolosit At’ Gjergj Fishta. Poema “Lahuta e Malsisë” e këtij poeti, sqaron autori, midis shqiptarëve të Jugosllavisë ka qenë kënduar në çdo vatër familjare gjatë gostive e festave familjare. Gjergj Fishta për mbarë shqiptarët gegë, sidomos për pjesën e popullit shqiptar që jetonte në Jugosllavi, ka luajtur rolin e “Poetit Kombëtar”, ashtu si Naim Frashëri për shqiptarët toskë. Prandaj lënia e shtëpisë së Gjergj Fishtës në gjendje të rënuar edhe pas 25 vjet tranzicioni dhe mospërgjigja e Ministrisë së Kulturës ndaj ofertës së zotit Sabri Maxhuni, biznesmenit nga Kosova, për të riparuar e kthyer në Muze shtëpinë e poetit me shpenzimet e veta, e revolton gazetarin Shkreli. Në fund të shkrimit autori pasi i shpreh mirënjohje z. Sabri Maxhuni, e mbyll shkrimin duke e vlerësuar dhe uruar: “Kjo është atdhetari e vërtetë! Qofsh gjithmonë me faqe të bardhë!”, urim që nënkupton se Ministrisë së Kulturës i mbetet mungesa e atdhedashurisë dhe turpi.
Mbeturina të mendësisë komuniste sheh ky autor edhe në vlerësimet e gabuar ndaj Ernest Koliqit, kësaj figure shumëdimensionale që u shqua si shkrimtar realist, Ministër i Arësimit gjatë pushtimit italian kur ai hapi shkolla shqipe në tokat shqiptare që iu kthyen Shqipërisë më 1941, botues i revistës kulturore dhe shkencore “Shejzat” në Itali, mbledhës dhe studiues i traditave kulturore dhe folklorike të popullit tonë, njeriu që nuk u ligështua dhe nuk e humbi besimin për ditë më të mira, parashikues i rihapjes së kishave dhe luftëtar për një Shqipëri të lirë dhe të virtutshme, etj. Për vlerat e mëdha që ka vepra e Ernest Koliqit, thekson ky autor, duhet studiuar sa më parë dhe duhet bërë pjesë e programeve mësimore në të gjitha shkollat e mesme e të larta të Shqipërisë e Kosovës dhe shkollat shqipe të Maqedonisë (f. 107).
Ajo që e shqetëson edhe më shumë analistin Shkreli është mbajtja gjallë e nostalgjisë ndaj Enver Hoxhës. Me rastin e festimit të 5 majit 2014, u panë tek vorrezat e dëshmorëve foto të diktatorit në prani të fëmijëve të shkollave që kishin shkuar atje. Këtë veprim autori e quan “të shëmtuar dhe të pafalshëm”, në një kohë kur Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe synon të hyjë në Bashkimin Europian. Shqetësimi i autorit ka lidhje me faktin se në Shqipëri këto veprime kanë lidhje me persona që janë në pozita kyçe partiake dhe qeveritare, përfshirë dhe tempullin e popullit, Kuvendin e Shqipërisë. Të tillë njerëz që nderojnë fotografinë e diktatorit me grushtin lart dëshmon se: “Ata… jetojnë krejt jashtë realitetit shqiptar dhe ndërkombëtar… se janë të paaftë për t’i paraqitur popullit shqiptar ide të reja për zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat ai përballet, se ata i thanë botës se gjithnjë janë krenarë që kanë qenë pjesë e një regjimi të një historie të humbur” (f. 459 – 460).
Si zgjidhje ai sjell fjalët e Presidentit amerikan Ronald Regan të vitit 1983: “Të keqen duhet ta kundërshtojmë me çdo mjet dhe me të gjitha fuqitë tona… Krenaria e këtij vendi është aftësia e tij për të kapërcyer të këqiat morale të historisë së vet, duke u shkëputur prej tyre dhe duke u zotuar se nuk do të ndodhin kurrë më” (f. 458 – 459).
Të hapen Dosjet!
Disa institucione dhe fondacione gjermane ndihmuan për të hapur gjatë dhjetorit 2014 në Tiranë dhe pastaj gjatë prillit 2015 në Berat një ekspozitë kushtuar historisë së Europës gjatë shekullit të XX-të për të nxjerrë mësime nga jeta që kaluan popujt e këtij kontinenti nën diktaturat dhe si po jetojnë tani në demokraci. Shëmblli i popullit gjerman pas daljes nga diktaturat naziste e komuniste nuk u ndoq prej popullit shqiptar. Në Gjermaninë Perëndimore pas 9 majit 1945 u dënuan krimet e nazizmit dhe kriminelët nazistë, kurse në pushtet erdhën njerëz të ndershëm që nuk kishin lidhje me nazizmin. Pas bashkimit të dy Gjermanive mbas vitit 1990 populli i Gjermanisë Lindore nëpërmjet hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit duke u ballafaquar me të kaluarën e tmerrshme arriti të siguronte paqen shoqërore dhe sejcili të gjente vendin që i përkiste. Kështu Gjermania e bashkuar (Republika Gjermane) ndërtoi shpejt shtetin e përbashkët demokratik, i cili eci shumë përpara si fuqi botërore politike dhe ekonomike.
Në Shqipëri pas ndërrimit të sistemit nuk u vendos asnjë masë që të mënjanonte ish komunistët dhe ish sigurimsat nga pjesëmarrja në pushtet. Ish Partia Komuniste e quajtur Parti e Punës nuk u shpërbë me shpalljen e pluralizmit, por ndërroi vetëm emrin në Parti Socialiste. Kjo parti me të njëjtët deputetë që trashëgoi prej Partisë së Punës vijoi të ishte parti parlamentare në sistemin pluralist dhe shumë shpejt rimori pushtetin politik e atë ekonomik. Eshtë e kuptueshme se në Shqipëri kuadrot ish komunistë dhe ish sigurimsa që vijojnë të sundojnë politikën e vendit, nuk janë të interesuar të hapet asnjë debat mbi krimet e kohës së diktaturës komuniste. Mirëpo pikërisht mosdënimi i krimeve të kohës së diktaturës përbën ngërçin e politikës shqiptare.
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë duke e kuptuar fatkeqësinë tonë, pasi vizitoi ekspozitën në Berat, dha një këshillë: “ka ardhur koha për të hapur dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Mendoj që ky është një proces i dobishëm për të gjithë shqiptarët dhe shpresoj shumë që ky proces të përmbyllet në mënyrë të suksesshme” (f.148). Mirëpo autori i shkrimit, i cili e di se për 25 vjet është folur e përfolur për këtë problem, janë krijuar komisione, janë përpiluar edhe projektligje, shton se ky proces “nuk ka gjasë të përfundojë askund, ai do të mbetet në hava, as me sukses as pa sukses” (f. 148).
Ballkani Perëndimor, SHBA-të Rusia dhe Turqia
Shqipëria dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në qendër të vëmendjes si të SHBA-ve, të Rusisë dhe të Turqisë. SHBA-të përpiqen që popujt e këtyre vendeve të ndërgjegjësohen dhe të ecin në mënyrë të pavarur drejt demokracisë dhe të vendosin vetë se në cilat organizata do të hyjnë. Kurse Rusia dhe Turqia me rrugë të ndryshme janë përpjekur që të ndalin procesin e demokratizimit të këtyre vendeve dhe të ndalojnë hyrjen e tyre në organizatat ndërkombëtare si NATO dhe BE. Rusia dhe Turqia përpiqen që të shtrijnë influencën e tyre në këto vende duke ëndërruar rikrijimin e perandorive të vjetra në forma të reja si perandori ekonomike me pushtet autokratik.
Në fund të prillit 2015 u mbajt seanca e Nënkomisionit të Punëve të Jashtme të Kongresit Amerikan që merret me Europën dhe Azinë. Midis tjerëve atje ishte ftuar dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Hoyt Yee (Huajt Ji) përgjegjës për Ballkanin Perëndimor. Gazetari Shkreli pasqyron mendimet kryesore që tha ky diplomat i lartë dhe i mbështet ato. Duke karakterizuar situatën gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor ai theksoi se misioni amerikan për krijimin e një Europe të tërë të lirë dhe në paqe, është kërcënuar më shumë se kurrë mbas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës dhe terrorit që po ushtrojnë forcat e ISIS në Siri dhe Irak. Për këtë arsye, vijoi ai, puna jonë për krijimin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë, me tregëti të lirë dhe pa korrupsion, duhet forcuar “për të ndihmuar këto shtete që të marrin vetë vendimin e pavarur për të ardhmen e tyre Euro-Atlantike… e deri tek përpjekjet për të çrrënjosur kancerin e korrupsionit që është duke brejtur nga brenda këto shoqëri” (f.135). Shqipëria, vijoi ai, ka bërë shumë përparime, prandaj iu dha statusi i vendit kandidat për të hyrë në BE, por ende duhet të përballet me sfida të mëdha në zbatimin e reformave që janë të nevojshme për të filluar bisedimet për anëtarësimin në BE. Shqipërisë i duhet të intensifikojë përpjekjet drejt përforcimit të institucioneve demokratike dhe zbutjes së politikës konfliktuale midis partive, të bëjë reformat në drejtësi dhe të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar” (f. 136).
Po ashtu ky diplomat i lartë theksoi se Kosova duhet të krijojë Gjykatën Speciale. Më tej ai u ndal te problemet e Malit të Zi, ku qeveria duhet të luftojë korrupsionin, i cili ka lidhje me pushtetarët dhe të sigurojë të drejtat e gazetarëve. Kurse për Maqedoninë theksoi nevojën për përmirësimin e marëdhënieve pozitë – opozitë dhe marëdhëniet midis shumicës maqedone dhe pakicës shqiptare.
Në një kohë të tillë, pikërisht në prill 2015, kur bota po përkujtonte me keqardhje 100-vjetorin e genocidit turk ndaj popullsisë armene, agjentura turke në Maqedoni arriti të nxiste shumë shqiptarë myslimanë dhe pakicën turke e atë bosnjake që të delnin në një demonstratë në Shkup para xhamisë së Murat Pashës për ta kundërshtuar të vërtetën historike, vrasjen e njëmilion armenëve që kërkuan bashkimin me shtetin amë. Shkreli revoltohet nga ky fakt dhe pasi e kritikon, sjell dhe fakte të tjera si kërkesa për rishikimin dhe ndryshimin e historisë së popullit shqiptar që kërkojnë qeveritarët turq, grekë dhe sërbë, me synim që të ndryshohet dhe së fundi të zhduket identiteti shqiptar në trojet ku populli shqiptar ka qenë gjithnjë autokton. E këtu autori i shkrimit ngul këmbë se fajtorë kryesorë në këtë problem janë qeveritarët shqiptarë që nuk kundërshtojnë hapur, por iu nënshtrohen këtyre kërkesave absurde antikombëtare. Kjo heshtje e shtyn Shkrelin të sjellë një citat të Faik Konicës: “armiku më i madh i shqipërve kanë qenë dhe janë vetë shqipëtarët” (f.146).
Politika e jashtme e shtetit grek kritikohet rëndë te shkrimi “Papulias dhe shqiptarët”, ku vihet theksi tek kontrasti midis politikës së jashtme të shtetit shqiptar dhe atij grek. Shqipëria bën çmos që të ndërtojë marrëdhënie moderne dypalëshe dhe rajonale, të denja për shekullin e XXI-të, kurse shtetet fqinjë nuk druhen të shprehin ndjenjat e tyre antishqiptare. Kështu ai sjell rastin e Presidentit të Greqisë, z. Karolios Papulias, i cili pas takimit ndërkombëtar në Zvicrën asnjanëse, gjatë intervistës për shtyp, kur u pyet për Kosovën, tha: “Athina nuk e njeh Kosovën, sepse vepron duke u bazuar në interesat e saj kombëtare… pa u ndikuar nga askush” (f. 462). Analisti Shkreli ironizon me këtë gjoja pavarësi të politikës së jashtme të shtetit grek: “në qoftë se qëndrimi i zotit Papulias ndaj Kosovës nuk është i njëjtë me BE-në, NATO-n dhe SHBA-të, duket se është në përputhje të plotë me qëndrimin e Sërbisë dhe të Rusisë, dy vende historikisht aleatë të Greqisë, kundër të drejtave të shqiptarëve në rajon në përgjithësi dhe ndaj Republikës së Kosovës në veçanti” (f. 463). Dhe kur presidenti grek për ta paraqitur Greqinë si shtet që ndihmon rajonin për paqe, tha: “Greqia strehon mbi një milion punëtorë shqiptarë”, Shkreli sqaron se shifra është shumë e zmadhuar dhe se marrëdhëniet midis emigrantëve shqiptarë dhe Greqisë janë marrëdhënie pune: “ata kanë nevojë për punë dhe Greqia ka nevojë për ta, ashtu si ndodh në shumë vende të Europës” (f. 465).
Vlerësim veprash shkencore
Frank Shkreli e njeh mirë historinë e popullit shqiptar, prandaj ai di të vlerësojë si duhet vepra shkencore me temë historike. Kështu ai ndalet dhe analizon veprën e Kol Bib Mirakajt “Vetëvrasja e një kombi”, ku jep fakte të jetuara për jetën politike të Shqipërisë në vitet 1939 – 1950. Parathënien e librit e ka shkruar Fritz Radovani i cili, pasi tregon se familja Mirakaj ka kaluar 950 vjet burg gjatë diktaturës komuniste, e vlerëson librin si material dokumentar të dorës së parë për historianët tanë.
Kol Bib Mirakaj nuk mohon që ka qenë në funksione shtetërore gjatë pushtimit fashist, por përmes faktesh ai tregon se forcat e Ballit Kombëtar dhe ato të Legalitetit, si dhe intelektualët e pavarur me formim Perëndimor, kanë përgjegjësinë kryesore për kalimin e pushtetit në duart e Partisë Komuniste në nëntor 1944. Sipas tij forcat e djathta në Shqipëri bënë gabim që bashkëpunuan me forcat komuniste gjatë viteve 1942 – 1943 (Konferenca e Pezës dhe Mbledhja e Mukjes, f. 158). Sipas tij edhe vetë Aleatët Perëndimorë nuk e vlerësuan lëvizjen komuniste ashtu si ishte ajo në të vërtetë, “lëvizje e imperializmit pansllav (f.157) dhe kështu ajo u rrit e fitoi terren në Europën Qendrore dhe Jug-Lindore.
Vepër tjetër që vlerësohet në këtë libër është “Luigj Gurakuqi në një optikë të re” i Kolec Çefës, botuar me rastin e 90-vjetorit të vrasjes së Gurakuqit, atdhetarit që e mbrojti popullin dhe Shqipërinë me mençuri, energji dhe dinjitet, i cili, thekson studiuesi Çefa “ishte kundër politikës orientale nga brenda dhe kundër politikës kolonizuese nga jashtë” (f. 59). ai e ngre zërin për një vlerësim më dinjitoz të kësaj figure kombëtare, që duket sikur po harrohej me rastin e 90-vjetorit të vrasjes. Edhe autori i recensionit z. Shkreli ngul këmbë në domosdoshmërinë e përkujtimit të jetës dhe veprës së Luigj Gurakuqit, sepse mospërmendja e tyre shpie në varfërimin e vlerave tona kombëtare, intelektuale dhe shpirtërore, kurse përkujtimi është në dobi të interesave tona të brendshme dhe të jashtme (f. 60).
“Krijimi i Kosovës”, vepër e studiuesit të ri Prof. Elton Skendaj pedagog i Shkencave Politike në “Miami University” Shkreli ia përmend kualifikimin dhe faktin se ky autor ka botuar shumë artikuj prestigjozë politikë në shtypin amerikan, se ai e përgatiti këtë libër pas 10 muajsh pune në Kosovë dhe se kjo vepër është vlerësuar prej disa studiuesve amerikanë.
Me rëndësi të veçantë për historinë dhe kulturën kombëtare shqiptare është dhe vepra e re e Ndiçim Kullës “Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807 – 1957 vol. 1-3”. Kjo vepër e rëndësishme përfshin pjesë nga shkrime të 75 intelektualëve shqiptaë të atyre viteve. Mendimet e tyre i përkasin botëkuptimit të djathtë. Duke qenë të spikatura, Shkreli i vlerëson duke bërë një pyetje retorike: “Si do të ishte sot Shqipëria dhe shqiptarët nëse në shekullin e kaluar do të kishin fituar pikëpamjet e tyre properëndimore?” (f. 409). Si studiues dhe sociolog optimist që është, Frank Shkreli sqaron se idetë demokratike të intelektualëve të shquar, të cilët u mundën prej Partisë Komuniste, humbën një betejë por jo vlerat e ideve dhe të ideologjisë së tyre.
Ai sjell mendimin e Ernest Koliqit të cilin e takoi në Romë më 1968 në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Mendimtari Koliqi i pati thënë djaloshit Frank se Shqipëria pas vdekjes së Heroit Kombëtar u pushtua prej osmanëve, por drita e veprës së tij e ringjalli kombin tonë dhe e drejtoi drejt lirisë. Duke qenë se Frank Shkreli beson në forcën e ideve përparimtare, është i një mendjeje me z. Ndriçim Kulla, autorin e kësaj enciklopedie, se edhe mendimet e ndritura të intelektualëve shqiptarë properëndimorë të shekullit të XX-të, të cilët e humbën luftën, do ta ndihmojnë popullin tonë të gjejë rrugën e vet të rigjenerimit dhe “do të ecë drejt krijimit të një Shqipërie tjetër… të dijes e të përparimit” (f. 410).
Me interes është dhe recensioni i librit anglisht të Albert Lulushit “Operacion Valuable Fiend” (“Operacioni, kundërshtar i dobishëm”, ku sqarohen nën një interpretim të ri sakrificat dhe dështimi i aksioneve të diversantëve shqiptarë të cilët nën drejtimin e CIA-s amerikane u hodhën në Shqipëri gjatë viteve 1948 –1953 me synimin qëllimmirë për të përmbysur regjimin brutal komunist të Enver Hoxhës. Deri sot është thënë se shkaktar në dështimin e këtij operacioni, ka qenë agjenti i dyfishtë Kim Filbi. Albert Lulushi e pranon këtë fakt, por ai bën shkaktar të dështimit edhe grupet politike shqiptare që vepronin në emigracion. Këto grupe i bashkonte urrejtja ndaj regjimit komunist, por i përçante politika e tyre e ndryshme dhe lakmia për të qenë sejcili forca kryesore me qëllim që nesër të qeveriste Shqipërinë. Kjo pëçarje e grupeve politike reflektohej edhe te vetë diversantët, të cilët shpesh herë grindeshin midis tyre, gjë që ndikoi negativisht në zbatimin e operacionit edhe mbas largimit të Kim Filbit nga detyra në vitet 1951 – 1953…
Shumë të dashur janë për Frank Shkrelin edhe veprimtarë të tjerë të shquar të kulturës dhe historisë shqiptare, si At’ Shtjefën Gjeçovi mbledhës dhe studiues i Kanunit të Lek Duakgjinit; Dedë GjoLuli një nga kryetrimat e luftrave për liri nga zgjedha osmane; Luigj Gurakuqi krahu i djathtë i Ismail Qemalit; Isa Boletini luftëtari i pashok i Kosovës; trimëresha Tringa Ismajli dhe të dijshmit Fan Noli, Mit’hat Frashëri; Baba Rexhebi, Dom Simon Filipaj përkthyes i “Biblës” shqip, etj. Për sejcilin prej tyre ai jep ngjarje pak të njohura dhe vlerësime origjinale.
Si njohës i mirë i veprimtarisë atdhetare të diasporës shqiptare në Amerikë, ky autor vlerëson me artikuj përkujtimorë, ose me recensione veprash figura të shquara si Xhevat Kallajxhiun, të cilin e quan dekan i gazetarisë shqiptare demokratike, Profesorët Arshi Pipa shkrimtar, studiues, kritik letrar dhe pedagog i Letërsisë Italiane në Universitetin e Minesotës; Sami Repishti një nga krerët e intelektualëve shqiptarë të diasporës sonë në SHBA si veprimtar i shquar i të drejtave të njeriut; Dr. Elez Biberaj shef i departamentit të Euro – Azisë në Radio Zëri i Amerikës dhe autor i librave “Shqiptarët dhe sfidat e tranzicionit” dhe “Shqipëria dhe shqiptarët në udhën e rimëkëmbjes” përmbledhje me artikuj të rëndësishëm; Idriz Lamaj gazetar në Zëri i Amerikës dhe autor i shumë studimeve dhe i veprës “Vatra dhe vatranët”, etj.
Guximi dhe qartësia e shprehjes së mendimeve si tipar dallues i këtij gazetari bie në sy në të gjitha shkrimet e tij edhe në ato që po shkruan sot. Ai ka kritikuar veprimet jo demokratike të shtetarëve të Ballkanit, por edhe të SHBA-ve. I tillë është rasti i këtyre ditëve, kur ai u bashkua me ata senatorë e kongresmenë që kritikuan presidentin Donald Trump për urimin që i bëri me telefon Vladimir Putinit për zgjedhjen e tij shef i Kremlinit. Edhe Frank Shkreli e kritikoi këtë veprim si një urim i panevojshëm për zgjedhje jo demokratike.
* * *
Si përfundim mund të themi se Ministria e Kulturës dhe ajo e Arësimit e Republikës së Shqipërisë dhe ministirtë korresponduese të Kosovës duhet të përgatisin të paktën një vëllim me shkrime të zgjedhura të këtij gazetari dhe ta botojnë në shumë kopje, sepse leximi i të tillë shkrimeve ndihmon në formimin e masave të gjera me një botëkuptim demokratik të vërtetë. Kurse studentët e degës gazetari pranë universiteteve shqiptare do të ndihmoheshin dhe në plan praktik për të përvetësuar modele shkrimesh me ide të guximshme, me gjuhë të matur e të argumentuar, larg sharjeve e fyerjeve, që hasen në gazetarinë shqiptare që prodhohet në Shqipëri e Kosovë.
Mrika dhe Gjeto Shkreli, prindërit e Frank Shkrelit
Familja e Frank Shkrelit
Komentet