“ Edhe antikomunizmi është një vlerë”
Walter Veltroni
Ёshtë diskutuar shumë në mjediset politike e në shtyp kohët e fundit mbi një projekt vendim të Qeverisë Berisha për të hequr 29 nëntorin nga ditët e festave kombëtare. Kundërveprimet e ish komunistëve, qoftë në nivelin politik nëpërmjet deklaratave të drejtuesve të PS, apo të komentatorëve të ndryshëm nuk ndryshojnë aspak nga toni propagandistik i përfaqësuesve të PPSH gjatë gjysëm qindvjeti të “demokracisë popullore”.
Kjo tregon një të vërtetë të hidhur e aspak shpresëdhënëse se demokracia shqiptare, së paku në pjesën e majtë të saj, në thellësi mbetet në kuadrin e një plagjature të suksesëshme të një sëre idesh e konceptesh të trashëguara nga rezerva ideologjike e regjimit komunist. Qëndrimet proamerikane ose proevropiane të tyre janë shprehje e interesave politike e ekonomike të asaj kaste drejtuese që ka bërë të sajën filozofinë ramiziane të të përshtaturit në kushtet e reja të botës mbas rrëzimit të Murit të Berlinit. Si të tillë ata nuk përbëjnë asnjë lloj dëshmije të evolucionit me të vërtetë demokratik të asaj pjese të shoqërisë, mendësia e së cilës e ka të vështirë të shkëputet nga dogmat dhe tabutë e socializmit, sidomos përsa i përket analizës objektive historike të dukurive të tij.
Ёshtë bërë me të vërtetë i mërzitshëm kthimi gjithmonë në diskutimin e argumentave të së kaluarës, por bëhet i detyrueshëm ky kthim, kur jemi të pranishëm vazhdimisht në përpjekjet për të justifikuar, motivuar e madje edhe hymnizuar bëmat e komunizmit shqiptar, duke filluar që nga lufta që e polli. Nuk mund të merret haptaz në mbrojtje diktatura e gjatë, por tërthorazi vihet re prirja për të sheqerosur imazhin e saj duke i ngarkuar vetëm Enver Hoxhës gjithë përgjegjësitë e krimet e gjysëm shekulli. Ёshtë e kuptueshme një orvajtje e tillë në brezin e vjetër, në ata që kanë patur fatin t’i shpëtojnë fizikisht pasojave asgjësuese të “luftës së kllasave” të markës enveriste. Ёshtë e habitëshme për atë brez që shëmbja e sistemit e gjeti rreth moshës tridhjetë vjeçe e që, në pjesën më të madhe të tij, emigroi e qe në gjëndje të bëjë krahasime e të arrijë në përfundime të sakta mbi pasojat e vërteta të dëmit që pësoi Shqipëria nga “pushteti popullor”. Çuditërisht një pjesë e këtyre ka përqafuar idetë e së majtës pas komuniste e komuniste evropiane, ndërmjet të cilave një nga vëndet e para e zë edhe prirja për të minimizuar apo për të heshtur para krimeve të komunizmit, ndonëse të njohura e të stërnjohura në botën e sotme. Por nëse për komunistët francezë, italianë etj., që gjithë jetën kanë ushqyer “mitet” e luftës për komunizmin, pa e kuptuar asnjëherë thelbin kriminal të tij, ky qëndrim është në përputhje me moralin politik të tyre për ata që kanë jetuar në Shqipëri pa mbyllur sytë, një qëndrim i tillë më duket i papranueshëm, për të mos thënë imoral.
Duke lexuar një shkrim të një shkrimtareje tashmë të njohur, që jeton në një Vend Perëndimor, më ra në sy një pohim që po e citoj tërësisht: “ Me rishikimin e vlerave të marksizmit, leninizmit e stalinizmit dështak historia e vonshme është marrë. Ndreqja është vënë në akt, falë asaj ndreqjeje Shqipëria sot është një vend që i përket sistemit demokratik. Por ndreqja jo gjithmonë duhet të jetë baraz me fshirjen, mohimin e vlerave njerëzore, shkeljen e ndjenjave të qindra-mijra familjeve të Shqipërisë që asaj lufte i dhanë. Fashizmi e nazizmi ishin e mbeten fakte pakundërshtueshmërisht të zeza në historinë moderne të njerëzimit. Apo edhe kjo – nëpërmjet këtij zelli budalla për fshirjen e festës së 29 nëntorit – është për t’u riparë?…”
Ka në këtë pjesë një gjykim që duket i kuadruar, që përcakton caqe të pakapërcyeshme, përtej të cilave duket se hyhet në absurden, në iracionalen. Ёshtë një përzierje konceptesh të intelektualit të ashtuquajtur përparimtar të epokës socialiste shqiptare me ata të së majtës evropiane, që përcakton një farë qëndrimi”politically correct”, po të huazojmë një term në përdorim të gjërë në politologjinë evropiane. Ky lloj intelektuali ka jetuar në Tiranën e viteve 80-të, ka studjuar në Universitetin e saj, ka qenë i prirur për t’a parë me sy kritik sistemin gërmadhë me qëllimin e modernizimit të tij, ka patur si model imitimi Gorbaçovin dhe perestrojkën e tij. Ka një farë idealizmi në formimin e këtyre intelektualëve të regjimit. Bota e përceptuar në rininë e herëshme është ajo e poezive të Agollit, të Kadaresë, të Arapit etj., e mbushur me komisarë, komandantë e partizanë që luftojnë për lirinë e atdheut. Lufta, e ashtuquajtur nacional-çlirimtare, është për ta një epope e largët por plot frymëzim. Imazhi i saj pushton fantazinë e ushqen idenë e komunizmit si shoqëri e të barabartëve, e njerëzve luftëtarë, puntorë e të idealit!!! Në këtë kuadër dita e 29 nëntorit, dita e çlirimit, e realizimit të ëndërrës së luftëtarëve merr përmasa të veçanta e kthehet në tabu.
Papritmas, në pak kohë, komunizmi shëmbet, shkërmoqet, e ky lloj intelektuali bëhet idhtar i demokracisë, i një demokracie sui generis me më shumë liri e mundësi për të shkuar përpara e për të vënë pasuri. Por tabutë mbeten në një amulli mendore që mbizotëron duke i zënë vendin qartësisë së gjykimit objektiv. Falë kësaj paqartësie, kur Qeveria e ligjëshme, e dalë nga vota e shqiptarëve, ve në diskutim qënien e festës së fetishizuar për gjysëm shekulli, për të janë tejkaluar caqet, janë “mohuar vlerat njerëzore”, janë shkelur “ndjenjat e qindra mijra familjeve”, është arritur kulmi i “fajësisë së absurditetit dhe papërgjegjshmërisë”….
Këta intelektualë nuk janë idhtarë të diktaturës komuniste. Në rastin më të mirë, kanë mbetur në naivitetin e atyre që vazhdojnë ende t’u besojnë dogmave që kanë mbushur idealet e tyre shoqërore të kohës së rinisë. Por në naivitetin e tyre nuk ka vënd për realitetin tragjik të një Vendi, në të cilin janë rritur e formuar por që e kanë njohur pak ose aspak. Prandaj, kur ndihen të goditur në këto dogma, nuk mund t’a pranojnë këtë veprim si produkt i një mëndjeje të shëndoshë por si “gurin” proverbial të budallait. Në këtë amulli mendore nuk mund të gjejë vend ideja se 29 nëntori 1944 nuk i solli Shqipërisë lirinë, por prangat. Dhe prangat e nëntorëve “romantikë” të radikal shikëve kanë numura “që ngjethin erën”, në raport me një grusht njerëzish që ishin shqiptarët gjysëm shekulli më parë: 5577 burra e 450 gra të pushkatuara; 26768 burra e 7367 gra të dënuara nga gjyqet politike; 1065 vetë të vdekur në burgje; 408 vetë kanë humbur aftësitë mendore; 7022 vetë të vdekur në internime; gjithsej 914.000 vite burgu e 256.146 vite internimi.
Kjo ishte njëra anë, ajo më e errëta, më e përgjakëshmja, më çnjerëzorja, më e turpshmeja e regjimit që sundoi Shqipërinë nga 29 nëntori 1944 deri më 1992. Ana tjetër është prangosia e lirisë së shqiptarëve, e asaj të fjalës, të besimit, të opinionit, të pronës vetiake, të lëvizjes pa kufizime, e lirisë për të ndërtuar një Shtet që të ishte garant i sigurisë së qytetarëve e jo fabrikues gjigand akuzash e terrori për ta. Po t’u shtojmë këtyre varfërinë skajore, prapambetjen proverbiale, veçimin e përdhunshëm nga bota e njerëzia, kuadri tragjik i pasojave të 29 nëntorit plotësohet më së miri. Besoj se para këtij kuadri nuk qëndron më këmbë asnjë iluzion, asnjë dogmë, asnjë mashtrim, asnjë tabu, asnjë krahasim, asnjë piedistal.
Ёshtë e vërtetë se festimi apo mos festimi i 29 nëntorit nuk është problemi më i mprehtë për Shqipërinë sot që përballet me një mal të tillësh, por nuk është edhe më i parëndësishmi. Demokracia shqiptare nuk ka vetëm problemet ekonomike e të rendit etik të politikës që e shqetësojnë. Ka edhe një borxh ende të pashlyer me kujtesën historike, me viktimat e panumurta të terrorit të diktaturës komuniste. Për t’u quajtur një demokraci e arrirë duhet të ketë kurajon të përballet seriozisht, ndershmërisht e me frymë konstruktive me këtë detyrë.Gjatë këtyre 15 viteve askush nuk e ka ndjerë si detyrë t’u kërkojë falje atyre, t’u rikthejë dinjitetin, t’u paguajë jetët e vrara e të shkatërruara, qoftë edhe në mënyrë simbolike, me një emërtim rruge, lagjeje, shkolle, institucioni… Fshirja e 29 nëntorit më duket më i pakti ngushëllim për ata që e pësuan historinë në gjysmën e dytë të shekullit të shkuar e, në mënyra të ndryshme, qenë shumica e shqiptarëve. Megjithatë një referendum për këtë çështje ndoshta do të ishte zgjidhja më e mirë, por i tillë që t’u jepte mundësi të gjithë shqiptarëve, brënda e jashtë Shtetit, të votonin. Do të ishte një provë e fuqishme dinjiteti për ta.
Nëndor 2005
Marrё nga vёllimi “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet