Ka disa muaj që bota politike shqiptare ka vënë në qëndër të vëmëndjes zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit, që është një çast shumë i rëndësishëm në jetën institucionale të Vendit. Shqiptarët e thjeshtë që, për një trill të Kushtetutës e cila i jep të drejtën e votimit vetëm përfaqësuesve në Kuvend, ndihen të pafuqishëm të ndikojnë në këtë ngjarje, janë të pranishëm në shfaqjet më të ndryshme të bizantinizmit të klasës së tyre drejtuese.
Partitë politike shpalosin skenarët e interesave të tyre e, megjithë “vullnetin e mirë” për të arritur një marrëveshje paraprake, deri tani kemi vetëm një listë kandidatësh të aleancës së majtë, që nuk tregon asnjë shenjë mirëkuptimi për nevojat reale të vendit për ripërtëritje dhe ndryshime. Evropa, nëpërmjet zërit të Solanës, të Renit të Doris Pakut apo ndonjë tjetri, kërkon “tryeza bisedimesh” e “konsensus” duke e paraqitur rastin si gur prove për ecurinë e reformave demokratike të nevojshme, për të synuar hyrjen në BE.
Duket se jemi të pranishëm në një lojë pokeri, në të cilën askush nuk zbulon kartat, por mundohet që, nëpërmjet deklaratave të forta, të kushtëzojë veprimet e partnerëve apo të kundërshtarëve. Kandidatët e përfolur deri tani vijnë të gjithë nga politika aktive e cila, siç duket, është e vendosur t’a pushtojë katrorin më të rëndësishëm të fushës së shahut, nëpërmjet llogarish e marrëveshjesh të drejtpërdrejta apo të tërthorta, të hapura apo të fshehta.
A janë njerëzit më të përshtatshëm, për të zënë karrigen e Kryetarit të Shtetit, eksponentët e politikës aktive? Mendoj se kjo është pyetja më e rëndësishme, që çdo shqiptar duhet t’i bëjë vetes, në lidhje me një vendim që merret mbi kokat e tyre e që do të peshojë mbi shpatullat e tyre. E them këtë sepse funksioni i parë i Presidentit të Republikës është ai i garantit të institucioneve por, njëkohësisht, edhe i të drejtave e lirive të qytetarëve. Si i tillë ai duhet të jetë super partes, i paanshëm, jashtë ndikimit të partive politike, programet e të cilave mund të përkojnë, por mund të jenë edhe shumë larg njëri tjetrit për probleme të ndryshme të Vendit. Presidenti nuk qeveris, por është përfaqësuesi numur një i Vendit që vigjëlon e garanton mbi vijat kryesore të veprimtarisë së Shtetit, që nga politika e jashtëme deri tek problemet e mbrojtjes e të drejtësisë.
Prandaj mendoj se Kryetari i ardhshëm i Shtetit shqiptar duhet të dalë nga rradhët e shoqërisë civile, duhet të jetë me kulturë e i njohur jashtë Vendit, duhet të ketë një karakter të vënë në provë, duhet të jetë i shkëputur nga politika e duhet të japë shenjën e dukëshme të ndryshimit e të daljes përfundimtare nga trashëgimia komuniste. Një President i ashtuquajtur “konsensual”, i dalë nga eksponentët e partive, megjithë vullnetin e mirë nuk do të arrijë kurrë të kryejë me paanësi detyrën, mbasi në një mënyrë a një tjetër, do të jetë gjithënjë i kushtëzuar nga ata që i japin parapëlqimin e, në rastin konkret, nga drejtuesit e partive. Ky fakt e bën të dobët që në nisje e të paaftë në çaste vendimtare të jetë në lartësinë e detyrës, prandaj është në të mirën e përgjithëshme të shmanget kjo lloj zgjedhjeje.
Duke mbajtur parasysh faktin se në Shqipëri problemet e drejtësisë janë “thembra e Akilit”e jetës së Vendit, duke njohur tek Kryetari i Shtetit drejtuesin e Këshillit të lartë të Drejtësisë, jam i mendimit se për çastin aktual një zgjedhje nga kjo fushë do të ishte më e përshtatëshmja. Por këtu kam parasysh jo figura të ish “drejtësisë socialiste”, që në jetën e tyre kanë ushtruar vetëm padrejtësi, por juristë të rinj, të diplomuar në Perëndim e, mundësisht me stazhe pune jashtë shtetit. Kjo është një mundësi, por jo e vetmja. Kryetari i ardhshëm i Shtetit mund të dalë edhe nga ndonjë tjetër profesion, por gjithmonë në lëmin e shkencave humanitare. Ai duhet të tregojë fytyrën e një Shqipërie të re, të jetë shprehje e kërkesave të një shoqërie që ka kryer një farë evolucioni e që priret të shkëputet krejtësisht nga e kaluara, të një brezi të ri me mendësi bahkëkohore. Kjo figurë nuk mund të jetë asnjë nga nëntë kandidatët e së majtës, e megjithë përparësinë që mund të ketë si individ Bamir Topi, do të thosha edhe nga ata të së djathtës.
Shqipëria ka nevojë urgjente e të domosdoshme të përtërijë klasën e saj drejtuese që ka mbetur në pjesën dërmuese të saj ajo e vitit 1991, me një përqindje të madhe elementësh të shkollës së regjimit komunist. Në këtë drejtim mund të krahasohemi vetëm me republikat ish sovjetike të Azisë Qëndrore e kjo gjë, sigurisht, nuk është për t’u patur zili. Nëse në këta 17 vite që, çuditërisht, vazhdojnë të quhen ende tranzicioni, përparimi i Shqipërisë ka qënë tepër larg mundësive të saj potenciale e, njëkohësisht, larg ritmeve të ecjes përpara të Vendeve të tjera ish komuniste, përgjegjësia nuk mund të mos bjerë mbi klasën e saj politike. Nëse ende sot, për turp, Shqipëria përballohet me probleme jetike të mungesës së energjisë apo të ujit të pijshëm, nuk ka tjetër shpjegim veçse ai i paaftësisë së Qeverive të saj që, nga 1992 e këtej, nuk kanë patur një strategji ekonomike të qartë për të zgjidhur problemin. Kjo strategji, që do të përkonte edhe me zhvillimin e gjithanshëm të ekonomisë e përparimin e Vendit, do t’a kishte zanafillën e saj në kthimin e pasurisë së qytetarëve të shtetëzuar padrejtësisht, në privatizimin total të ekonomisë e të shërbimeve, në krijimin e kushteve të përgjithëshme e më të mira për të thithur kapitalin e huaj. Duhej kurajo, guxim e largpamësi në vitet e para të kryheshin këto reforma që, me pak fjalë do të përmblidheshin në shprehjen “nxjerrje n’ankand e Shqipërisë”,por sot do të kishim qënë brënda Evropës prej kohësh me të gjitha përparësitë që nënkuptonte ajo pjesëmarrje.
Sot po kjo klasë politike vazhdon të livadhisë në një Shqipëri që ka ecur përpara vetëm në sajë të lirisë dhe aftësive të qytetarëve të saj për të punuar, mërguar, kursyer, investuar. Më duket se është koha që kjo klasë drejtuese të bëjë një mea culpa, një hap mbrapa, të tregojë një minimum ndershmërie duke pranuar përgjegjësinë e saj në mungesën e mbarëvajtjes së Vendit e të fillojë të lëshojë pozitat, në dobi të një shtrese inteligjence të formuar në këta vite në shkollat e Perëndimit me mendësinë bashkëkohore. Zgjedhja e Presidentit nga rradhët e shoqërisë civile do të ishte hapi i parë i rëndësishëm n’atë drejtim. Kandidatët mund të jenë të shumtë në Shqipëri e jashtë saj e besoj se ka ardhur koha të mos ketë më mure, që pengojnë ngjitjen e shkallëve të përgjegjësive shtetërore deri në majën më të lartë, ndaj atyre që bëjnë pjesë në një të tretën e popullsisë që jeton larg Atdheut. Lista e kandidatëve mund të jetë e gjatë duke filluar nga shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare tek diplomatët Zef Mazi e Gazmend Turdiu, nga Eduard Selami tek profesori i Universitetit të Nju Jorkut Shinasi Rama apo të Universitetit Urbanian në Vatikan, Ardian Ndreca, për të përmendur disa prej atyre që mendoj se janë në gjëndje të përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në botën e globalizuar, por vëmendja ime ndalet në një emër tjetër: Kristaq Traja.
Është emri i një juristi 50 vjeçar, një nga më të mirët që kemi, që ka punuar për dhjetë vite në Gjykatën ndërkombëtare të Strasburgut, një nga qëndrat administrative të Evropës së bashkuar. Ështё anёtar i Gjykatёs evropiane tё tё drejtave tё njeriut, njё organizёm unik pёr garantimin e lirive e tё drejtave tё njeriut, njё institucion tё cilit i drejtohen tё gjithё qytetarёt e Evropёs pёr problemet juridike tё pazgjidhura nё Vendet e tyre. Është njeri me kulturë të gjërë e të thellë jo vetëm juridike, me interesa të shumanëshme intelektuale, me njohje në sferat e larta të drejtësisë e të politikës evropiane. Mendoj se është një nga personat më të përshtatëshëm, në këtë fazë tepër delikate për Shqipërinë, t’a përfaqësojë e drejtojë atë në nivelin më të lartë. Jam i bindur se ata që do t’a votojnë nuk do të kenë rast të pendohen, mbasi ai do të dijë të jetë President i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i derteve e problemeve të tyre, por edhe i ecjes përpara në rrugën e mirëqënies e të përparimit.
Nëse deputetët, të cilëve Kushtetuta u ngarkon detyrën të përcaktojnë me votat e tyre Kryetarin e Shtetit, nuk bien n’ujdi për t’a zgjedhur atë, rruga për t’u ndjekur nuk janë zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, por ndryshimet e shpejta në Kushtetutë dhe kalimi në votimin e përgjithshëm. Zgjedhjet e reja, në rastin kur Kuvendi nuk është në gjëndje të caktojë Presidentin, më duken një anakronizëm. Kjo për faktin se ndërpritet legjislatura me një pezullim të veprimtarisë së Qeverisë, e cila duhet të ketë në dispozicion kohën e mjaftueshme për të treguar punën e saj e për të dalë para votuesve me një program të sendërtuar ose jo. Nga ana tjetër, askush nuk mund të garantojë se votimet e reja eventuale për Kuvendin do të japin një rezultat tjetër nga ai ekzistuesi e se nuk do të ballafaqohemi përsëri me të njëjtin problem të pazgjidhur. Rruga më e mirë është t’i kthehemi kutive të votimit, jo për të zgjedhur deputetët që do të votojnë Kryetarin e Shtetit, por për të zgjedhur drejt për së drejti atë vetë. Mendimeve të shprehura n’atë drejtim u është vënë përpara si një shkëmb Kushtetuta.
Kushtetuta nuk është një dogmë e paprekëshme, është një sërë parimesh të sanksionuara për të shërbyer si ligj themeltar i Shtetit. Parimet themelore mbeten të pandryshueshme sepse i përgjigjen standarteve demokratike të pranuara, ndërsa pjesa e organizimit dhe funksionimit të Shtetit mund të ndryshojë simbas ndryshimit të kohëve e kërkesave të tyre. Autorët e Kushtetutës kanë qënë të prirur nga Republika parlamentare, që ka përparësitë por edhe të metat e saj. Simbas mendimit tim, zgjedhja e Presidentit nga populli do të shmangëte varësinë e tij nga forcat politike e do të krijonte një kundërpeshë të dobishme për funksionimin e Shtetit. Kjo nuk do të thotë pakësim të kompetencave të Ekzekutivit në dobi të Presidencës, por një ndihmesë përsa i përket drejtpeshimit të institucioneve. Si organi më përfaqësues i Kombit, Kryetari i Shtetit duhet të gëzojë votbesimin e drejt për drejtë të qytetarëve e jo të jetë prodhim i allishverisheve të partive e kryetarëve të tyre. Kjo nuk e kthen Vendin në Republikë presidenciale, mbasi kompetencat mbeten po ato të sanksionuara në Kushtetutë, por ndryshon mënyra e zgjedhjes. Jashtë mund t’i referohemi shëmbujve të Austrisë e të Portugalisë.
Për të miratuar një proçedurë të tillë nuk më duket se është e nevojshme aprovimi i saj me një referendum, siç vëren z. Godo. Kuvendi, me shumicë të kualifikuar votash, mund të bëjë ndryshimin. Shëmbulli më i fundit vjen nga Turqia, ku mungesa e zgjedhjes së Presidentit nga parlamenti e detyroi këtë të fundit të vendosë për votimin e drejt për drejtë. Ekonomistët, me të drejtë, do të nxjerrin si pengesë vlerën monetare të këtij operacioni, por mendoj se përfitimet do të jenë më të mëdha se humbjet. Këta ndryshime janë plotësisht të mundëshme, por duhet vullneti i klasës politike që duhet të heqë dorë nga interesat e ngushta, nga paragjykimet, nga arroganca, nga demagogjia e të mendojë se cilat rrugë janë më të përshkueshme për të ecur Vendi përpara.
Kryetari i Shtetit duhet të japë imazhin e një Vendi që i përgjigjet nivelit të një pjese të mirë të qytetarëve të tij, që jetojnë në Shqipëri e jashtë saj, të cilët në këta vite kanë arritur rezultate e pozicione të lakmueshme, në sajë të studimeve e të punës. Ky imazh nuk mund të plotësohet nga nga ata që kanë shënuar politikën shqiptare në këta 17 vite e që të vetmen meritë të madhe të tyre kanë orientimin proamerikan të politikës së jashtëme. Duhen njerëz me mendësi të re, fytyra të reja që japin shpresë, të cilën pak nga pak po e humbasim plotësisht, edhe se një proverb thotë se “është e fundit që vdes”
Korrik 2007
Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet